Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi

DHELPRA DHE UJKU

Fjalori i shqipes i vitit 1980, shprehjen e lagu, s’e lagu bishtin (dhelpra) e shpjegon kështu: “hahen kot, bëjnë fjalë a grinden për diçka fare pa rëndësi.” Ndonjëherë kjo shprehje reduktohet në e lagu s’e lagu (si në shembullin “u bë kjo punë e lagu s’e lagu”), për të përcaktuar një situatë ku palët humbin kohë duke debatuar çikërrima.

Frazeologji të tilla – të cilat ruajnë një gjallëri të veçantë në shqipen e folur – vijnë në trajtë rrëfimesh të kondensuara: mjaft t’u shtosh “ujë”, dhe ato shndërrohen në histori të shkurtra morale ose shembullore, që ilustrojnë një parim etik, një mësim praktik, një këshillë urtësie. Kështu edhe ndihmojnë për ta tipizuar një situatë specifike, duke e përfshirë në një kategori më abstrakte dhe relativisht të fiksuar. Për shembull, shto ujë e shto miell kondenson një mini-narrativë, për një amvisë që, në kërkim të një rezultati perfekt, prodhon brumë në sasi industriale; dhe që mund të përdoret, mes të tjerash, për të ilustruar çfarë njihet edhe si “ligji i rendimenteve zbritëse” (law of diminishing returns).

Kush nuk e njeh procedurën të përftimit të brumit (që edhe ajo është një lloj rrëfimi), do ta ketë praktikisht të pamundur ta interpretojë dhe ta përdorë drejt frazeologjinë përkatëse.[1] Shprehje të tilla funksionojnë si shenja algjebrike rrëfimesh të cilat pritet që folësit t’i njohin tashmë; dhe marrin kuptim zakonisht duke iu referuar rrëfimeve përkatëse. Janë pjesë e pasurisë leksikore të një gjuhe, por sjellin me vete elemente të rrëfimit, të cilat kanë pasur aq sukses në rrjedhë të kohës, sa janë algjebrizuar. Që këtej edhe pamundësia e përkthimit të drejtpërdrejtë, sa kohë që përkthimi nuk e sjell me vete narrativën e nënvendosur.

Për shembull, shprehja anglisht speak (talk) of the Devil i referohet origjinalisht një situate imagjinare ku dikush zë djallin në gojë dhe ky i shfaqet; dhe që këtej edhe supersticionit se djalli nuk duhet përmendur. E përkthyer literalisht në shqipe, kjo shprehje nuk do të thotë asgjë. Pëkundrazi, në shqipe do të thonim: kujto qenin, bëj gati shkopin; çfarë njëlloj nuk mund të përkthehet literalisht në anglisht. Në latinishte do të kishim: lupus in fabula, në spanjishte Hablando del rey de Roma (por la puerta asoma)! Domethëniet janë praktikisht të njëjta dhe të gjitha aludojnë te një marrëdhënie gati mistike midis ligjërimit dhe realitetit ose te fuqia invokative e fjalës; por forma leksikore (metaforike) e shprehjeve në gjuhë të ndryshme dhe referenca e tyre narrative ndryshon.

Edhe shprehja e lagu s’e lagu i fton biseduesit të sjellin në vështrim një rrëfim të shkurtër, ku dy vetë diskutojnë nëse një dhelpër, duke kaluar një vijë uji, e lagu apo nuk e lagu bishtin. Diskutimi vetë është trivial dhe pa rëndësi, por diskutimi, si çdo diskutim tjetër, është edhe përplasje egosh; prandaj edhe në ndonjë version të këtij rrëfimi dy palët vënë duart në armë.

Histori të tilla të kondensuara ka me mijëra – dhe i gjen të mishëruara në frazeologji, fjalë të urta, gjëza dhe të tjera forma diskursive kompakte. Kondensimi nga njëra anë shkurton kohë dhe ekonomizon energji, sepse lejon zëvendësimin e një rrëfimi të plotë me një grup të vogël fjalësh; por nga ana tjetër, u jep rrëfimeve (narrativave) status “leksikor”, duke i nxjerrë nga diskursi dhe duke i kodifikuar në gjuhë.

Oraliteti, si formë me të cilën kultura ndërfaqet me gjuhën, detyrohet të negociojë me një numër të madh produktesh diskursive, për të vendosur se cilat do të ruhen dhe cilat do të hidhen tej. Nëse unë i tregoj dikujt se fluturimi me avion zgjati nëntë orë, kjo ngjarje nuk ka gjasë të interpretohet si me domethënie praktike ose morale dhe as të regjistrohet si e tillë nga kujtesa “orale”, në trajtën e një frazeologjie ose proverbi. Rrëfimi im si akt, dhe produkti i këtij akti ose historia e rrëfyer, do të hidhen tutje sapo të konsumohen në çast.

Që rrëfimi im si tekst (oral) të mbahet mend, duhet që folësit ta konsiderojnë me rëndësi; dhe t’ia përcjellin njëri-tjetrit, mundësisht deri atëherë sa vetë rrëfimi të kondensohet (kondensimi ndihmon për të kursyer kohë dhe energji në komunikim; riprodhimin e një historie tashmë të mirënjohur e zëvendëson vetëm përmendja e saj, ose vektori intertekstual). Kjo ndodh shumë rrallë – por nëse ndodh, rrëfimi dikur individual do të mbijetojë i fosilizuar, ose i kondensuar në një trajtë leksikore të përbërë. Për shembull, historia e një gomari që kish ngecur në baltë dhe nuk e nxirrnin dot derisa erdhi i zoti dhe e nxori, do të mbijetojë në proverbin i zoti e nxjerr gomarin nga balta.

Kjo që ndodh me rrëfimet ose historitë është, pra, një lloj seleksioni darvinian, ose survival of the fittest stories; oraliteti ruan dhe përcjell vetëm ato njësi narrative që i shërbejnë – çfarë do të thotë se trajtat e kondensuara janë detyrimisht dhe ipso facto me vlerë për komunitetet që i përdorin, ngaqë i ndihmojnë magazinimit dhe transmetimit të dijes praktike (dhe supersticionit), të normave morale dhe të sjelljes, të rregullave të bashkëjetesës, e kështu me radhë.

Kështu do të ketë ndodhur edhe me historinë – ose anekdotën – që qëndron pas shprehjes e lagu s’e lagu; ajo është mumifikuar dhe pastaj kodifikuar në fjalor, meqë folësit e kanë gjykuar si me dobi për të përcjellë një qëndrim a mësim specifik, rreth mënyrës si (nuk) duhet diskutuar. Dhe pikërisht: tema e muhabetit për bishtin e dhelprës është triviale, por mësimi moral se diskutimet triviale janë humbje kohe jo. Përkundrazi.

Kur një histori për një debat a diskutim “pa bukë” kodifikohet në trajtën e një precepti diskursiv ose mësimi praktik a moral, duket sikur përftohet një paradoks: sepse diskutimi fillestar aq i kotë madje banal, për bishtin e dhelprës, e humbet kotësinë që nga momenti kur fillon të sillet si shembull i kotësisë. Edhe pse, në të vërtetë, paradoks nuk ka: njëlloj sikurse koncepti i ngjyrës së kaltër nuk është vetë i kaltër, dhe sikurse fjala e kaltër nuk ka ngjyrë të kaltër, edhe një frazeologji që i referohet kotësisë nuk është ajo vetë e kotë. Tek e fundit, po të kish qenë e tillë, do ta kish skartuar seleksioni.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet riprodhimi pa lejen e një adminstratori të faqes.


[1] Disa prej këtyre shprehjeve kanë mbijetuar vetëm margjinalisht, sepse i kanë humbur lidhjet me rrëfimin e origjinës, të paktën për shumë folës: e tillë do të ishte, sa për të sjellë një shembull, harro mushkë Valarenë, të cilën Fjalori i 1980-ës e jep si “s’është më ajo kohë, iku ajo kohë (kur dikush e kishte çdo gjë të lehtë)”, edhe pse sot praktikisht të paktë janë ata që e dinë historinë që i qëndron prapa dhe vargjet e këngës “Harro mushkë Valarenë/ se Ali Pashën e prenë”.

17 Komente

  1. Nje çeshtje analoge per studiuesit e miteve, qe eshte bere nje çeshtje e lagu se lagu edhe nga nahija jone: a ndodh njesoj me mitet si me shprehjet gjuhesore (pershkruar ne shkrim) qe ne fillese kane nje ngjarje te vertete? E qe me pas mumifikohet, ose rivlersohet, nuk ka shume rendesi pikpamja ne kete rast.

    1. Italianet kane nje shprehje qe thote: “Anche se non e’ fatto, e’ ben trovato”, qe ma merr mendja implikon drejtpersedrejti idene qe per te sajuar nje mit nuk ka pse domosdoshmerisht te kete ne fillese nje ngjarje te vertete. Kjo sigurisht nga ana tjeter nuk perjashton rastin kur ne fillese te mitit te jete nje ngjarje e vertete. Ma merr mendja qe megjithate natyra e mitit nuk ndryshon nga fakti “a ka apo s’ka ne fillese nje ngjarje te vertete” dhe une ende nuk e kam kuptuar mire se perse paguhen studiuesit e miteve, sidomos per pjesen “e lagu, s’e lagu”.

      1. ..une ende nuk e kam kuptuar mire se perse paguhen studiuesit e miteve…

        Kush ka thënë që paguhen?

        1. nuk paguhen ata qe komentojne per mitet ne fejsbuk e lagu se lagu, ndersa studiuesit e miteve paguhen per punen e tyre. Vetem se veshtire se e gjen e lagu se lagun e tyre ne fejsbuk, qofte edhe te cituar.

        2. Epo, neqoftese e bejne vullnetarisht, dmth per qejf te vet, aq me mire. por:

          -E para, kush ka thene qe nuk paguhen?
          -E dyta, atyre qe nuk paguhen, nqs ka te tille, u kerkojme perulesisht ndjese.
          -E treta, e megjithate, nqs ka qofte edhe nje qe paguhet (dhe nuk flas thjesht dhe vetem ne Shqiperi), une vazhdoj te mos e kuptoj perse paguhet.

            1. Pa dyshim, dhe besoj se kjo ndodh ngaqe farketuesit e miteve e bejne ate per nje interes te caktuar, prapa te cilit sigurisht qendrojne pagimtaret, kurse studiueit besoj se e bejne thjesht nga deshira per te zhbiriluar, gje qe mund edhe te mos u pelqeje shume pagimtareve.

        3. Ok, për tu sqaruar, nuk e kisha shumë me faktin nëse dikush vërtet pagueht për diçka ose jo.

          Pyetja se “përse paguhen studiuesit e miteve” më ngacmoi se përveç se nënkupton që mitet nuk vlejnë për tu studiuar, nënkupton gjithashtu edhe se dikush paguan për diçka që nuk është e qartë nëse ka vlerë në sensin utilitar, ekonomik apo edhe shkencorë. Për këtë të fundit (mungesën e sensit utilitar) unë në fakt edhe mund të bie dakort deri diku.

          Por arsyetimi se ka një dorë të fshehtë përveç asaj të tregut që i paguan këta mit-studiues në ambientin tonë të mitologjizuar, si për të na futur në hullitë e një kotësie, në fakt është një përqasje konspirative për sa kohë nuk ka shpjegim te arsyeshëm, dhe ngrihet pyetja se “përse paguhen ?”.

      2. Provo te sajosh nje mit ben trovato nga mendja jote, dhe ky mit te ngjise, se keshtu per te sajuar edhe Kadare mund te jete i zoti, por zotesia e vertete eshte qe miti te ngjise e te behet popullor.

        Me mendimin se miti eshte nje sajese, pra nje genjeshter false, nuk shkohet larg, dmth me larg se fejsbuku, se deri tek fejsbuku mitik arrin.

        1. Psiko , te mos e kthejme ne personale. Une nuk kam pretenduar ndonje here, qe jam i zoti ta “ben trovato” ndonje gje qe une e trovata sot dhe neser u be mit. Thenien italiane e solla si shembull te transmetimeve gojore, qe duhet te kete edhe ajo zanafillen e vet, pra sipas teorise tende duhet te jete mbeshtetur ne nje fillese te vertete, pra diku kur njeri sajoi (ose trovati) dicka qe me pas u be mit. Apo jo?

          1. Une pranej jam psiko se e kthej mitin qe eshte fenomen kolektiv ne personale.

            Po, miti ka nisje personale, ndryshe nuk ngjit ne masat e gjera punonjese, eshte vetem nje sajese interesante personale e Homerit ose Kadarese, asgje tjeter, nuk vlen me teper se 1 meleon dollare sa eshte vlera e çmimit Nobel.

            1. Per ta bere krej te qarte çfare dua te them, ne thelb behet fjale per vleren e reales qe eshte shume me e madhe se e e fikshen qe mbetet konstruksion ne hava nese nuk ka nje baze reale.
              Biles, siç mendon nje qe paguhet per kete pune, fiksionit e rritet vlera me teper se reales kur mbeshtetet mbi realen siç ndodh ne rastin e mitit qe ka ngjitur:

              “Por atehere duhet thene: historia e “renies” nuk eshte veçse nje mit, pra me pak se nje histori, por historia e renies ka madheshtine e mitit, dmth ka me teper kuptim se nje histori e vertete” P. Ricoeur

            2. Sorry, nuk te ndjek dot, je ne nivel shume me te larte se une.

            3. Perpiqem ta them akoma me shkurt dhe me thjeshte:

              çfar vertet eshte reale ne nje ngjarje çfardo, eshte realiteti kuptimor i ngjarjes, domethenia e ngjarjes, e ndjera e ngjarjes, dhe jo historia pike per pike si film dokumentar i ngjarjes.

      3. Sipas M. Kutelit origjina është në një histori ku dy gjahtarë shohin sesi një dhelpër e gjen pa vështirësi vaun e lumit dhe e kalon këtë me të shpejtë “pa e lagur as bishtin” për të parin, dhe “duke e lagur bishtin sipas të dytit”. Aty nis debati, sherri, armiqësia etj dhe vazhdon kështu deri tek brezi i tretë, Në fund nipi dhe mbesa pajtohen 🙂

  2. Nga miliona rrëfime që e kanë potencialin të fosilizohen në frazeologji (dhe eventualisht të funksionojnë si mite elementare), vetëm një fraksion i vogël mbijetojnë. Për gjuhë pa tradita të pasura shkrimore, si shqipja, këto rrëfime të mbijetuara, qoftë edhe në formë fosile, mund të ndihmojnë për të kuptuar më mirë të shkuarën.

  3. Flm, e kuptova. Vetem nje gje mbeti pa u sqaruar a eshte mitike apo reale, PAGESA.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin