UJËT NGA LART

Everett Hughes flet diku për “ndarjen morale të punës” (the moral division of labor) – një koncept që përfshin, mes së tjerash, bindjen se sa më lart të jetë dikush në një hierarki, aq më të larta do t’i ketë atributet morale ose virtytet.

Në disa institucione, si në ushtri, prej rangjeve të ulëta pritet që të besojnë se kryekomandantët dhe oficerët e gradave më të larta janë automatikisht më të virtytshëm se ata që kanë poshtë vetes; edhe pse kriteri i vlerësimit moral nuk mund të jetë kryesor për promovimin (rritjen në gradë). Diçka e ngjashme ndodh në spitalet dhe klinikat, ku infermierët dhe sanitarët i gjykojnë mjekët kryesorë jo vetëm si të aftë profesionalisht, por edhe tejet të virtytshëm.

Ndarja morale e punës politike është tipike për regjimet autoritare dhe totalitare, ku populli nxitet të besojë se “ujët lart buron i kulluar, por turbullohet rrugës”; në Shqipërinë e viteve 1945-1990 kjo do të përkthehej me thënien se “Enver Hoxha nuk i di këto gjëra”, ose “nuk ia thonë atij”, për të krijuar dhe përforcuar pastaj mitin se “të madhin” e lënë në hije, meqë edhe virtyti i tij përthyhet në vesin e atyre që e rrethojnë. Këtë mit e ka pasë përforcuar fakti që udhëheqësit më të lartë kishin prerogativën e veprimit arbitrar, që mund të binte ndesh me ligjin dhe që, në rrethana të caktuara, përkonte me klemencën,[1] në kuptimin që i madhi: mbreti, komandanti, perandori, i shfaqej popullit si burim i mirësisë.

Sot ka gjasa të ndeshet e kundërta, dhe pikërisht që populli të kultivojë bindjen se ata në krye janë më të pavirtytshmit, maskarenjtë, horrat, mashtruesit, përvetësuesit, zhvatësit dhe të paskrupujt; të cilët vetëm ashtu ia dalin të qëndrojnë në pushtet. Bashkëfajtore për këtë hata të public relations janë edhe mediat, të cilat jo rrallë shërbejnë si kasë rezonance për insinuata nga më të paverifikueshmet, kundër liderëve politikë; shpesh të ushqyera nga kundërshtarët e tyre.

Këtë përmbysje e ka lehtësuar iluzioni se udhëheqja sot po komunikon lehtë me popullin poshtë, falë edhe teknologjisë bashkëkohore (rrjeteve sociale, etj.); ndryshe nga distanca shpesh e pakapërcyeshme që kujdeseshin të ruanin me subjektet e tyre udhëheqësit e djeshëm.

Pa çka se një proverb i atyre kohëve thotë se “familjariteti pjell përçmim”.

Publiku që i sheh krerët politikë me dhjetëra herë çdo ditë në televizion, herët a vonë do ta humbë respektin për ta. Vetë krerët nuk kanë aq nevojë për respekt, sa kohë që kanë të siguruar votat dhe mbajnë në duar vulat. Shkurt, tani të gjithë e kanë të lehtë të pranojnë se standardi i lartë moral nuk shërben më si kriter i promovimit në politikë.

Aq më tepër që publiku sot po stërvitet – në mënyrë të pamëshirshme – me idenë e rrejshme se flamurin e rreckosur të virtytit e tundin vetëm humbësit. Në këto kushte, edhe akuza se “ata lart vjedhin me të dy duart” shpesh nuk vjen nga vetëdija e atij që e dënon vjedhjen, por nga vetëdija e atij që ndihet i pazoti për ta realizuar vjedhjen.

Çfarë e pëson keq në këtë mes është shpresa se diçka mund të rregullohet: nëse dje padrejtësia shihej edhe si efekt anësor i keq-informimit (“ah sikur ta dinte ai i madhi”), sot shihet si efekt anësor i realitetit, ose nënprodukt normal i pushtetit.

Tradicionalisht, instancat më të larta të pushtetit janë ruajtur nga kontakti i dendur me “masën poshtë”, duke dalë në skenë vetëm në momente të caktuara; përndryshe, sekreti ka qenë i parapëlqyer ndaj gjithëpranisë, sepse sekreti lë shteg për shpresën. Edhe kur u është dashur të ushtrojnë arbitraritetin, shtresat e larta e kanë bërë këtë fshehurazi, kur kanë parashikuar kundërshtimin e subjekteve; dhe haptazi, kur ka qenë fjala për të ushtruar klemencën ose ngjallur simpatinë e përgjithshme.

Me fjalë të tjera, arbitrariteti i kreut ose i krerëve të pushtetit është mirë të shprehet si favorizim i të voglit ndaj paanshmërisë së ligjit, jo si ndërhyrje e dëshpëruar për të siguruar ligjshmërinë atje ku mekanizmat rutinë të ushtrimit të pushtetit kanë dështuar; ose më keq akoma, për të konfirmuar raportet e forcës, nëpërmjet imponimit brutal.

Por ndarja morale e punës nuk është se është tërhequr nga skena; vetëm se, në momentin e tanishëm, po shfaqet si perceptim i pushtetit si burim i arbitraritetit dhe i amoralitetit. Shumë njerëz pastaj kërkojnë të dalin nga sistemi, duke emigruar ose duke u izoluar, sepse nuk shohin ndonjë mënyrë tjetër kundërshtimi të së keqes.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen e një administratori të faqes.


[1] Thuhej se kur merrte pjesë Enver Hoxha në mbledhjet e Presidiumit të Kuvendit Popullor, nuk miratohej asnjë nga dënimet me vdekje të propozuara nga instancat më të ulëta. Kjo mund të ketë qenë edhe dizinformim i Sigurimit të Shtetit.

8 Komente

  1. Standarti i larte moral I politikanit vlen ende per popullin, por jane ata qe I kane ne duar promovimet ne politike qe i shohin individe te tille si armiq te rrezikshem, prandaj perzgjedhin te promovojne ata si vetja e tyre. Perfundimi eshte qe masa do zgjedhe mes individeve qe I takojne te njejtit llum. Kesaj filozofie riprodhimi nuk i ka shpetuar asnje parti e re. Por ama e vetmja zgjidhje eshte pikerisht nje parti e re me lidership te paster, e cila teorikisht do promovoje njerez te paster ose me pak ndryshk te fshehur gjekundi. Gjithnje nqs vlen teoria se ndryshku pjell ndryshkun ndersa pastertia pjell pastertine. Ne fakt masa e pretendon ende standartin moral per interes te drejtperdrejte, me logjike standarti sjell uljen e abuzimeve, rritjen e eficences qe perkthehet ne gjendje me te mire per te gjithe. Nuk eshte e nevojshme qe masa ta konceptoje standartin moral te politikanit si ceshtje ideali apo morali idealist, eshte vete xhepi I gjithkujt qe tregon se sa me pak vjedhin ata lart aq me shume gjen gjithesecili ne xhep. Eshte si tip zero sum game.

    1. Dallimi midis llumit te politikes dhe mases eshte e vertete ne dukje, ne fakt eshte genjeshtare. Nuk ka asnje dallim ne thelb midis politikanit te afirmuar dhe mases, ose qe te mos kapesh per fjale, te zgjedhurve te pasterteve nga pastertia e mases me kontrollon pastertine me xhepin e saj. Eshte i njejti llum, nga llumi i mases zgjidhet llumi i politikanit. Llum xhepi.

      Eshte genjeshtare per dy arsye: e para çeshtje hapsire, maskaralleku i nje personi te mases nuk ka e nuk mund te kete permasen e maskarallekut te politikanit, sepse manovra e nje politikani, psh ministri, nuk ka te krahasuar si efekt me manovren e nje personi te zakonshem te mases, psh magazinieri.

      E dyta, çeshtje kohe, maskaralleku i nje politikani te sapozgjedhur nuk ka te krahasuar me nje politikan tashme veteran (edhe kur eshte i njejti politikan). Per kete mjafton e tepron eksperienca e revolucionit politik te fundit te vitit 90.

      1. Nuk eshte racionale qe une masa te deshiroj nje politikan hajdut, sepse kjo ma vret xhepin, me rrit cmimin e energjise, te ujit, te cigares, te naftes etj. Sa me shume vidhet aq me shume rriten taksat e gjithfare detyrimesh. Ne nje sistem jodemokratik si jemi ne I vetmi faj I mases eshte qe nuk ben revolucion demokratik, ne kuptimin e mirefillte te revolucionit demokratik, perfshire nje sasi te caktuar viktimash nga politika. Per te tjerat nuk e pjerdh njeri masen.

          1. Jo vetem kaq, por masa i perdor shpesh argumentet qe kam dhene me siper, megjithse jo te formulura racionalisht njesoj, ne menyre reaksionare duke hequr shpresen e ndryshimit si qarkullim ciklik llumi.

            Gje qe eshte e vertete per nje kohe te shkurter dhe hapsire te kufizuar, por eshte genjeshtare pare me gjere, sepse thelle thelle ka progres ne histori. Dhe jane “masat qe e bejne historine”, ne kuptim qe ndryshimet historike pozitive ndodhin ne thellesi te mases si ndryshime tellurike; nga kjo pikpamje politikani eshte pothuaj zero. Vetem se duhet vesh per kete muzike.

            Sigurisht nuk e kam fjalen per kete lloj muzike qe propozon hyllin me xhep, cmim energjie, te ujit, cigares, naftes, me sistem demokratik dhe jodemokratik. Kjo eshte muzike e lehte e kohes qe nuk ka dhene prova akoma qe nuk eshte genjeshtare edhe kjo, ose ne nuk dime akoma ta gjykojme, ose ndoshta me sakte, nuk dime akoma si e gjykon masa, si fenomen tellurik apo siperfaqsor, dmth te genjeshtert.

  2. Lidhja midis nocionit të moralitetit si akt (ndarje pune) dhe racionalitetin si zgjedhje, pra përputhja e hierarkisë socio-ekonomike me hierarkinë e vlerave morale, varet nga ndikimi i fabrikës sociale në vetë-organizimin e shoqërive. Ka disa faktorë që e bëjnë një grup të mos bëjë zgjedhje në mënyrë racionale, dhe sipas interesit më të mirë të vet.

    Për shembull, varësia ekonomike e grupit ndaj shtetit apo një grupi të vogël pronarësh (oligarkësh), i kushtëzon zgjedhjet racionale të cilat do përkufizohen brenda strukturave që e kanë në varësi grupin. Në këto kushte, në rastin më të mirë, antarët e këtij grupi do përfshihen në atë lloj loje që në ekonomi quhet “zero-sum game”, spse nuk janë pjesmarrës në rritjen ekonomike (vlera e shtuar përfundon gjithmonë ose tek shteti ose tek oligarkët). Ky grup nuk e kupton vlerën e shtuar, dhe me kalimin e kohës nuk ka më interes për të. Interesi i grupit përkufizohet tek pjesa e tortës që i ofrohet.

    Gjithashtu është provuar që IQ-ia (inteligjenca) e një grupi është e lidhur me statusin ekonomik dhe social të këtij grupi. Sa më i ulët statusi ekonomik dhe social i grupit aq edhe me e vogël IQ-ia. Ky lloj grupi me siguri që është më i ekspozuar ndaj manipulimit për të bërë zgjedhje racionale në aspektin moral.

    Një grup mund të ketë në vetvete vlera të larta moraliteti, në kuptimin që i praktikon ato, por që nuk do të thotë që është i pamanipulueshëm. Përkundrazi, është statusi ekonomik dhe hierkitë e jashtme që i mbivendosen.

    Për të mos folur për vetë “traditën” në përzgjedhje dhe vetëorganizim.

  3. L.A. eshte e veshtire te flasesh per grupe dhe zgjedhje racionale ne baze te interesit me te mire. Ne terma ekonomike kemi oferten dhe kerkesen politike. Pyetja eshte si krijohet oferta dhe sa ndikon kerkesa ne krijimin e ofertes. Ne gjendje monopoli eshte monopolisti qe vendos oferten, gjithe analizat i ben ai, produktin e prodhon ai dhe cmimin po ashtu. Kur ti ke si oferte politike o Baken o Zeken ketu kemi monopol real. Pra masat nuk I pyet njeri ne krijimin e ofertes, do te konsumojne cti japin. Nderkaq dhe midis morise se lajmeve me zune syte nje ku Kontrolli I Larte I Shtetit kishte zbuluar per vitin 2017 abuzime me buxhetin e shtetit ne vlere 110 miliarde leke te reja ose 825 mln euro, rreth 1 miliard dollare. Kjo shifer perben rreth 1/4 e buxhetit te shtetit. Po te fusim edhe cfare KLSh nuk eshte ne gjendje te zbuloje dhe privilegjet qe kane formen e korrekteses (psh vendet e punes me konkurse farse) mund te imagjinojme fare mire kerdine qe behet ne shtet. Ketu ceshtja eshte tip zero sum game, keto 1 miliard dollare abuzime vitin e kaluar ose do te kalonin ne xhepat e te gjitheve ose ashtu si ndodhi ne xhepat e te pakteve. Perpara se te shihet se kush e fut ne xhep rritjen ekonomike kemi problemin urgjent te atyre qe fusin ne xhep taksat tona (dhe cte futur se).

  4. Shkrimit nuk mund ti shtosh me shume, sepse i ka thene te gjitha, ndonse jo me shpaten e Demokleut, sic do t’na pelqente neve kendej poshte. Persa i perket komenteve, qe i kalova paksa shpejt, do kujtoja edhe njehere shprehjen e urte popullore, sipas kokes edhe festen! Me nje fjale, ky popull -nuk besoj se- meriton nje klase-kaste drejtuese me te mire!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin