LEXUESI I DITËVE TË PUSHIMIT (I)

I shfrytëzova këto ditë pushimesh për të lexuar ndër të tjera dy libra të përcjellur zhurmshëm nga mediat:  “Kurbani” nga E. Rama (Shtëpia Botuese Dudaj, 2011) dhe “Enver Hoxha” nga B. Fevziu (UET Press, 2011).  U mundova t’i shmang paragjykimet e shkaktuara nga reklamat pozitive dhe negative mbi këto vepra, por vetëdijshëm iu nënshtrova pikëvështrimit tim mbi to: perceptimit të tyre si mesazhe politike.

U mundova të dalloj katër elementë kryesore të mesazhit politik: (1) pritshmëritë ose pjesën e “njohur”; (2) pjesën ekzaltuese, çka më motivon të lexoj me tej, më “ngreh” shqisat e më zgjeron dejet e kureshtjes; (3) pjesën frymëzuese, çka më ngroh zemrën e më drejtohet “mua” si qenie politike, për të ndërmarrë (a menduar) një veprim; (4) pjesën e mërzitshme, atë për t’u kritikuar. Këto elementë janë kritere krejtësisht vetjake vlerësimi, të cilat më shërbejnë mua, si lexues, të përcaktoj fatin e mëtejshëm të librit, për bibliotekë, dhuratë, apo riciklim.

Pritshmëritë ndaj “Kurbanit” ishin të mëdha. E majta gjithkund është mbështetur nga intelektualët më të shquar, ka mbizotëruar sferën kulturore (hegjemoni kulturore) e tërhequr pas pjesën e iluminuar të rinisë. Shqipëria nuk bën përjashtim. Figura e Ramës më ngjallte kureshtje, ishte relativisht i suksesshëm, i dashur ndër të rinjtë e Tiranës, provokativ për shijet e tij artistike dhe “kokëshkretësinë”, e vlerësuar nga shqiptarët e përtej kufirit për ndryshimet në fytyrën e Tiranës. Kisha lexuar më parë disa artikuj në blogun e tij, e të tjerë më kishin thënë se shkruante bukur. Si lexues i paangazhuar prisja të njihesha me disa prej prapaskenave të vendimeve politike, siç ishte ujdia tek “Restorant Krokodili”, ujdia mbi “Kodin Zgjedhor”, “kapjen” e mediave. Mbi të gjitha isha kureshtar mbi të ardhmen politike të Edi Ramës (çfarë i kishte shkruar fatit të tij?). Nisur nga sistemet auto-referenciale që janë instaluar në media (Fiks-Fare dhe Portokalli i referohem vetëm programeve që jep Top-Channel), në banka (dërgesat bankare nuk mund të bëhen nga një bankë në tjetrën), në shkolla (kopshti Kristal deri në “Universiteti Kristal”), apo në politikë (pazaret brenda klanit partiak), prisja që mesazhi i tij politik të kishte si audiencë vetëm simpatizantët e Partisë Socialiste. Mesazhi politik që mendoja se do të përcillte kishte të bënte me të ardhmen e Partisë Socialiste; ajo u kërkonte simpatizantëve mirëkuptimin për të kaluarën, besimin për të ardhmen, e ofronte garanci për përkushtimin e partisë ndaj idealeve dhe interesave të popullit.

Pas një bisede me një të njohur, pritshmëritë ndaj “Enver Hoxhës” ishin të vakta. Por më intrigonte mëtimi (në kopertinë) se kjo biografi bazohej mbi kujtimet e Enver Hoxhës. Mendoja se ky libër do të më ndihmonte të kuptoja pse-në e qëndrimit të E. Hoxhës në krye të klasës politike dhe stabilitetin e brendshëm të diktaturës komuniste në Shqipëri. Prisja të njihesha me karakterin e tij, ndoshta një përshkrim të profilit të tij psikologjik. Isha edhe kureshtar për t’u njohur me intrigat ndërpersonale të pushtetarëve të asaj kohe. Audienca e këtij libri ishte e vështirë të përcaktohej: të rinjtë e pas viteve 90’, voyaristët, historianët, socialistët e rinj? Mesazhi politik që prisja: Enver Hoxha, ndërtoi një sistem politik të personalizuar rreth interesit të tij për pushtet, prandaj bëni kujdes në të ardhmen nga ata politikanë që “kapin” shtetin dhe personalizojnë pushtetin politik.

Pjesa ekzaltuese e “Kurbanit” ishin hollësitë dhe reflektimet e Ramës mbi disa ngjarje apo përjetime të tij, si mbi: pastrimin e Tiranës nga kioskat; lyerja me bojëra e pallateve; karakterizimet e disa figurave si Nano, Meta dhe Berisha; përpjekjet e tij individuale për të sjellë një frymë të re (ndoshta estetikisht më të bukur) në sistemin politik; marrëdhëniet me shtypin; akuzat ndaj tij për korrupsion etj.  Libri ishte konceptuar si rrëfimi i një tragjedie, që drejtonte me gisht nga aktorët kryesorë. Për rrjedhojë Mesazhi politik ishte i fuqishëm, pasi përveç pushtetit politik (kryetar i opozitës), fjalët vishen edhe me autoritetin letrar, pra të krijimtarisë, talentit, intelektit, ndjeshmërisë dhe njohurive të Ramës.  Në të kundërtën, fjala e kundërshtarit politik, Sali Berishës, edhe pse i përligjur nga pushteti, mishërohet “marrëzisht” në ca “fjalime rrakazhdraka”, qoftë ky edhe “i kënduar” (fq. 165).

Vetë titulli “Kurbani”, nënkupton tragjedi dhe ishte shumë-kuptimesh: Rama i vetë-sakrifikuar për idealet e tij, idealet e popullit të sakrifikuara për interesat e Sali Berishës e kastës së tij, e të tjera forma të sakrificës. Audienca po ashtu e shumëshpërhapur: nga të paangazhuarit tek politikanët e sotshëm. Ndjeva se Rama e kishte marrë seriozisht lexuesin dhe i drejtohej atij jo “atçe” (paternaliste), por sikur i lutej për vëmendje dhe durim në këtë rrëfim “tragjik”, tek shpjegonte me nge e përsëritje të shpeshta. Ekzaltues ishte edhe shpjegimi i hollësishëm e bindës për kandidimin e Ramës si Kryetar i Partisë Socialiste (dikur apolitik, estetikisht teknik, tanimë politikan i mirëfilltë, që synon pushtetin për të realizuar ëndrrat). Ky shpjegim lidhej ngushtë me interesin e Ramës për Tiranën dhe sqarimin e pozicionit të tij me kryeministrat e rradhës, konflikte të dëmshme për zhvillimin e Tiranës.

“Enver Hoxha” nuk kishte asgjë ekzaltuese. Asnjë fakt nuk ishte i panjohur. Hiç thagmë. Biografi e paraqet qëndrimin e tij dhe faktet më interesante të librit që në faqet e para. Në formën e një “thriller” bajat autori rrëfen paralelisht vegjëlinë e Enverit me vrasjen e të afërmëve e të shokëve të tij një e nga një.  Gjithçka më tej është vetëm përsëritje e shtjelluar kotësisht, pa shpjegime bindëse dhe vetëm me komente të cekta të autorit apo personave që nuk e kanë njohur nga afër.

Biografia e figurave politike mund të trajtohet në disa këndvështrime. Për mua dy janë më interesantet kur duam të kuptojmë e shpjegojmë faktet historike: (1) ose do të thellohemi në karakterin dhe profilin psikologjik të figurës, për të shpjeguar vendimet për veprimin/mosveprimin apo reagimet e tij ndaj situatave që paraqiten; (2) ose do të trajtojmë periudhën historike të vendit paralelisht me biografinë e personalitetit kyç historik, duke ndërlidhur fatet e vendit me ato të personit në fjalë.

Libri “Enver Hoxha” nuk kishte asnjë qasje të qartë analitike, as të shprehur implicit, por vetëm qëndrim. Biografia vetëm sa numëronte faktet. Mëtimi i autorit se libri bazohej kryesisht mbi “dokumentet në arkivin personal” ishte i pabaztë: nga thuajse 75 citime nga burime parësore të Enver Hoxhës në total, 39 ishin nga vepra apo artikuj të Enver Hoxhës të botuara pas viteve 70’ (2 nga libri i Ilir Hoxhës), 7 citime ishin nga ditarët e Enver Hoxhës, 29 citime ishin nga letra, autokritikë apo qarkore të dërguara gjatë luftës. Të gjitha citimet e tjera me interes ishin nga botimet apo intervistat e pas-viteve 90’, të njohura gjerësisht nga publiku i interesuar.

Pjesët më frymëzuese të “Kurbanit” ishin leitmotivi i veprës, programi i ri politik, Tirana, reportazhet mbi qytetet e Shqipërisë (Komuna Xarrë) apo episode të rrëfimit të dobësisë njerëzore. Tragjedia e Shqipërisë, çfarë ishte edhe leitmotivi, është se ajo është e çoroditur (fq. 72-76). E më shumë se politikanë të zanatit intriga-thurrës (Nano, Berisha, Meta) Shqipërisë i duhen intelektualë idealistë, që sakrifikohen për idealet e tyre, paçka se mund të bien pre e intrigantëve dhe interesave të ngushta të një klase politike makutësh e zuzarësh. Sesa Rama përbën një alternativë të denjë politike, kjo i ngelet gjithsekujt për ta vlerësuar, porse në këtë libër ai sjell dëshmitar të kaluarën e tij dhe rezultate të prekshme, Tiranën. Por shumë flet nëse Partia Socialiste ëshë një alternativë. Në traditën post-moderniste, Rama si individ përbën frymëzim për një ri-politizim të shoqërisë shqiptare, nisur jo nga interesi komunitar për materialen, por nga interesi komunitar për estetikën: e bukura bashkon dhe sjell përgjegjësi për kultivimin e saj.

Personalisht u binda nga argumentet e Ramës për lyerjen e Tiranës me bojëra dhe u konvertova në ndjekës të tij për ndërtimin e xhamisë së qendrës. Argumentet për (për)uljen tek “Restorant Krokodili” (fq. 390) ishin bindëse, dhe i mëshonin edhe njëherë “tragjedisë së sakrificës”. Nëpërmjet reportazheve të qyteteve kryesore të Shqipërisë (fq. 400)- libri synonte si audiencë edhe rrethet – Rama shpalos një vizion shpresëdhënës për të ardhmen.

“Kurbani” përmbante disa rrëfime mbi përjetime intime si ajo mbi fëmijën e tij të sëmurë, mirënjohjen ndaj miqve apo episode me njerëz të tij të afërt. Por personalisht më shumë më pëlqyen dy çaste: (1) reflektimet e tij mbi të qenurit i mësuar me çoroditjen e vlerave, ku Rama (fq. 26) zgjidhte të mos i nënshtrohej pritshmërive për t’u mësuar me situatën në të cilën gjendej; (2) episodi me vilën e një familjeje të ngujuar për gjakmarrje në bregun e Lanës.

Në Shqipëri të gjithë flasin mbi krizën e vlerave e akuzojnë gjithkënd për banditëri, shoqëruar me shprehjen “s’ke ç‘bën” e do të mësohesh. Dreqi ta hajë! Edhe unë me kohë kam zgjedhur të mos mësohem, të bëj sikur nuk kuptoj, sikur nuk marr vesh se “ç‘bëhet”. Jam injorant me vetëdije! Vazhdoj të pyes e të kundërshtoj me të njëjtin naivitet sikur ditën e parë, se pse kam zgjedhur të mos mësohem. E ky reflektim i Ramës mbi “të mësuarit”, qoftë paguar me çmim të madh si shantazhi (fq. 283), më pelqeu pikërisht për zgjedhjen e tij (sinqeriteti është pronë e tij).

Përndryshe frymëzues ishte edhe fakti se në disa pjesë të librit Rama bënte një lloj autokritike mbi gabimet e “zemrës“ (fq. 42) dhe ato të mendjes, nga entuziazmi apo mungesa e përvojës (fq. 114, 422), ose gabime si psh. mbi marrëdhëniet e tij me mediat (fq. 231, me të drejtë do të thosha unë i kufizon, njohur me mediokritetin e gazetarëve në Shqipëri).

[vijon]

Nuk ka komente

  1. Ndoshta eshte si thua ti, Kapedan, njeriu “zgjedh” te mesohet apo te mos mesohet me realitetin. Bindja ime eshte se nuk zgjedhim, por jemi programuar biologjikisht (vetem rrallehere shoqerisht) dhe i takojme ose tipit qe mesohet e s’kundershton, ose atij qe nuk mesohet dot e vazhdimisht i bie murit me koke, sikur te mos e kish vrare koken dje.

    Ndoshta me shume pune mund edhe ta ndryshojme perkatesine ne njerin grup apo tjetrin, por me shume shume perpjekje ama. Vlen edhe te shohesh ne praktike qe ai qe i binte murit me koke, solli nje ndryshim pozitiv heren e 17 kur i ra, dhe se ai qe zgjedh te mesohet, i ka punet me keq sesa ai qe zgjedh te mos mesohet. Por Shqiperia shembuj te tille nuk para te jep per fat te keq.

  2. Kjo eshte teme interesante, eshte prekur disa here ketu, dhe une, ca i ngadalde ne perbrendesimin e normave sociale, nuk kam akoma nje opinion te qarte. Por mendoj se gjithcka duhet shpjeguar ne rrafshin personal ( e ndoshta edhe ne ate hyjnor nese bie fjala per pergjegjesi morale). Shume e koklavitur si pune…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin