BALLË PËR BALLË

Ekziston një fije që lidh shumë vende të botës, nga Nju Jorku në Tiranë, duke kaluar nga kryeqytete europiane. Emrin mund t’ia vëmë së bashku, por fillimisht le ta ndjekim në zigzaget e saj gjeografike.

Në Shtetet e Bashkuara republikanët, pjesa konservatore e politikës, i shpalli “luftë” shtetit federal, dhe nuk miratoi në Kongres buxhetin për aparatin shtetëror. Kjo shkaktoi edhe dukurinë problematike për të gjithë Amerikën dhe ekonominë e saj, të ashtuquajtur “shutdown”. Debati vijon i ashpër.

Në Itali, lideri i së djathtës Silvio Berluskoni u orvat ta rrëzonte qeverinë aktuale, ku bën pjesë edhe partia e tij. Në çastin e fundit, pas debateve të ashpra brenda partisë për mbështetjen ose jo të qeverisë, por edhe pasi i vlerësoi me kujdes forcat në fushëbetejë, lideri i njohur italian vendosi t’i jepte votëbesimin. Kthesa e befasishme u interpretua nga analistët si dorëzim i Berluskonit ndaj krahut të moderuar të partisë, që krizën qeveritare e konsideron si të dëmshme për vendin.

Në Shqipëri, qeveria e re që porsa ka marrë në duar frerët e drejtimit, nuk po gjen gjuhë të përbashkët me opozitën. Pas betejës fotografike dhe zëvendësimeve të portreteve, situata paraqitet si qetësia para stuhisë, ose si armëpushim i armatosur. Gjithsesi, duket qartë që palët nuk po dialogojnë në mënyrë konstruktive mes tyre.

Cila është pra fija që lidh kryeqytetet e mësipërme? Ajo e egoizmit do të thosha. Secila palë mendon për vete, asnjëra për interesin e përgjithshëm. Në rast se do ta shtronim ndryshe pyetjen (Cila është fija që nuk i lidh kryeqytetet e mësipërme?), do të përgjigjesha në mënyrë tjetër. Fija që mungon është ajo që lidh interesin e bashkësisë me interesat e pakicës ose ato individuale. Kjo do të thotë se kultura e kompromisit është nën trysninë e vazhdueshme të ekstremizmave.

Në Shqipëri mbizotëron prej kohësh kultura politike e skajëzimit. Kompromisi shikohet më shumë si defekt dhe jo si art i politikës, ndërkohë që politikanët janë pikërisht të ngarkuarit me punë për negocimin dhe gjetjen e kompromiseve. Janë zgjedhur nga elektorati pikërisht për këtë punë, që të përcaktojnë zgjidhje që i shërbejnë interesit të përgjithshëm, dukë lënë mënjanë, për të mirën e vendit, interesat e ngushta partiake e/o personale.

Nga vjen kjo dëshirë për ta konceptuar politikën si ring, si arenë, si braccio di ferro? Pra si një hapësirë ku ushtrohet përplasja dhe jo ballafaqimi? Secili vend mund t’ia kërkojë rrënjët në kulturën dhe historinë e vet. Shqipëria, për fat të keq, nuk e ka lënë pas trashëgiminë totalitare dhe përplasjet ideologjike frontale. Ekziston gjithashtu kultura “dhëmb për dhëmb”, “plumb me plumb”, “gjaku lahet me gjak”. Jo vetëm për këto arsye, fitimtarët e zgjedhjeve imponohen me forcën e votës, praktikisht duke instauruar diktaturën e mazhorancës. Kurse pakica kyçet në bunkerët e vet antiatomikë. Kjo tregon amnezinë e tyre, përderisa kanë harruar se më parë ishin minorancë (mazhorancë) dhe pas pak vitesh mund ta rishikojnë veten përsëri atje.

Ngado që ta shohësh çështjen, problemi qëndron në konceptin e së mirës së përbashkët. Për fat të keq, kjo evokon pasurinë e përbashkët socialiste dhe nocione të tjera të së kaluarës shqiptare, çka mund të shkaktojë alergji të pavetëdijshme në shoqërinë shqiptare. Megjithatë e mira e përbashkët, interesi i komunitetit dhe bonsensi duhet të jenë më shumë se kurrë busulla e fari i partive politike, sidomos në këtë periudhë stuhish ndërkombëtare. Përndryshe, anija e përbashkët do të bëhet copë e cikë në shkëmbinjtë e bregut, ku flamuri i fitimtarëve do të valëvitet medoemos në gjysmë shtizë.

No Comments

  1. Fija qe lidh kryeqytetet e mesiperme eshte fakti se politika sot ka humbur pothuaj teresisht esencen e saj dhe ndodhet pothuaj TERESISHT ne duar krejt te tjera nga ato te dukshmet, pra nga ato te pushtit te ashtuquajtur politik. Ne keto kushte, te flasesh per interes te perbashket (la chose piblique) , ne rastin me te mire eshte naivitet, ne rastin me te keq eshte te besh lojen.

    1. Sidoqoftë, e mira publike, ose interesi i përbashkët, ekziston dhe si e tillë duhet trajtuar. Pavarësisht se kush i luan fijet, politika vazhdon të mbijetojë, herë në realitet dhe herë në letër, herë e fortë, herë e dobët. Ne duhet të flasim për interesin e bashkësisë, për bonsensin, për dialogun, sepse është në të mirë të të gjithëve, përfshirë ata që ndonjëherë rrinë në prapaskenë.

  2. Kur politika shpreh esencen e saj kemi luften civile, por e mira e perbashket ia zbut efektet. E mira e perbashket nuk eshte thjesht gjeja e perbashket/res publica apo inter-esse/ lidhja ne mes, por esenca morale qe i rri mbi krye agresivitetit te politikes si shpata e Damekleut.

    Nqs e mira e perbashket reduktohet ne ”res publica” apo ”inter-esse”, atehere politika eshte e lire te çoje bashkesine ne lufte civile, sepse as gjeja e as lidhja ne mes, nuk jane ne konflikt ekzistencial me armiqesine qe mbjell politika.