SHËTITJE NË KOZMOS

SpaceshipKur dua të kuptoj se çfarë ka shkuar pikërisht keq me Shqipërinë, gjatë këtyre 20 e kusur vjetëve, vij e vij rrotull pastaj gjithnjë kthehem te tranzicioni – si proces shndërrimesh, si periudhë kohore dhe si një lloj zhvendosjeje në raport me veten dhe të tjerët.

Sido që ta marrim, tranzicioni kërkon strukturat e veta, politike dhe sociale, sikurse kërkon drejtuesit e vet, ose kapitenët që ta tragetojnë shoqërinë shqiptare dhe shtetin drejt bregut të dëshiruar. Këto struktura janë specifike, dhe çfarë i bën specifike është karakteri i tyre navigacional – meqë është fjala gjithnjë për një udhëtim, të një shteti dhe një shoqërie të tërë.

Tani, kur tranzicioni zgjatet përtej një afati të arsyeshëm, të themi 4-5 vjet, atëherë fare arsyeshëm strukturat e komandimit në fjalë – si p.sh. ndërfaqet me botën, ose mekanizmat e përfitimit të parave nga donatorët, ose embrionet e shoqërisë civile të sjella nga përtej detit – do të konsolidohen deri në atë shkallë, sa të përftojnë brenda vetes mekanizma të vetëmbrojtjes.

Nëse thelbi i tranzicionit është që të jetë tranzitor, kjo bie ndesh me vullnetin e strukturave për t’u vetëmbrojtur; meqë grupet e interesit, të lidhura me paratë përkatëse, burimet ekonomike, dhe raportet – derimësot perverse – midis shoqërisë civile dhe shtetit – kurrsesi nuk do të pranojnë që të shuhen, pa çka se kjo ishte brendashkruar në kodin e tyre gjenetik.

Çfarë ndodh, në këto rrethana, është që tranzicioni shenjtërohet si i natyrshëm dhe i amshuar; dhe strukturat dhe institucionet e përgjegjshme për këtë proces, tani refuzojnë të lëshojnë pushtetin, privilegjet dhe statusin prej elitash.

Këtu më vjen në mend një trop i rëndomtë, në letërsinë fantashkencore – ai i anijes kozmike (spaceship) si univers i mbyllur.

Tropi mund të përmblidhet pak a shumë kështu: njerëzimi dërgon drejt yjeve një anije kozmike gjigante, me ekuipazh prej disa dhjetëra mijëra vetësh; meqë udhëtimi do të zgjatë disa breza, shumë breza; dhe vetëm stërnipët e atyre që po nisen, do të mund të mbërrijnë në destinacion.

Mirëpo askush nuk e ka parashikuar dot dinamikën e kësaj popullsie artificiale, të mbyllur në një guaskë metalike; ndodhin trazira, përplasje, përmbysje; hierarkitë e vjetra shpërbëhen dhe kontrollin e anijes e marrin joekspertët; ose të gjithë ata që nuk e mbajnë mend mirë se çfarë është anija dhe ç’destinacion ka.

Edhe pse anija vetë nuk ka nevojë për shumë mirëmbajtje dhe e vazhdon inercialisht udhëtimin ndëryjor, brezat që ndërrohen sa vjen e humbasin krejt lidhjen kulturore dhe shpirtërore me Tokën; jeta sociale egërsohet dhe degradon në padije, misticizëm dhe dhunë.

Vjen pastaj një moment, kur këta mijëra vetë që zhvendosen verbërisht mes yjeve, anijen nuk e këqyrin më si anije ose mjet transporti, por si universin vetë; ose vendin ku, sipas mitit të zhvilluar rishtas, kanë jetuar gjithnjë, madje janë krijuar. Kujtesa e tyre për Tokën ka humbur tashmë; teknologjinë e anijes askush nuk e kupton dot; ekuipazhi dikur krenaria e qytetërimit tokësor tani është katandisur në gjithfarë fisesh dhe bandash të armatosura, që luftojnë mes tyre për kontroll ndaj korridoreve dhe kateve të shumta të anijes.

Deri këtu tropi, që e ndesh në më shumë se një vepër fantashkencore. Në lidhje me sa po thoshja për tranzicionin, do të shtoja, në këtë pikë të argumentit, se ky, si zhvendosje e dëshiruar nga pika A në pikën B, vjen e bëhet absolut, që nga momenti kur nuk perceptohet më si zhvendosje, ose kur përfundon i tejpashëm.

Të gjitha ato struktura dhe mekanizma, që deri dje kishin kuptim dhe domethënie në kontekstin e përkohshmërisë, tani nuk mund të kuptohen më; dhe elitat, edhe ato viktima të këtij procesi mistifikues, predikojnë nënshtrimin pa kushte ndaj tyre, jo arsyen kritike; sepse këto elita janë vetë produkt i proceseve të tranzicionit; dhe në mitologjinë e tyre fundi i tranzicionit është i barasvlershëm me fundin e botës, ashtu siç e njohim.

Nuk ka komente

  1. këto elita janë vetë produkt i proceseve të tranzicionit; dhe në mitologjinë e tyre fundi i tranzicionit është i barasvlershëm me fundin e botës

    Kjo shpjegon 2 gjera:
    1) pse ne Shqiperi keto elita kane nga 2 ose 3 pasaporta
    2) fundi i botes eshte gjithmone dicka e deshirueshme dhe kathartike

  2. Analogjia qendron, deri ne nje fare pike ( si cdo analogji ne fund te fundit, kemi thene ). Psh mbetet per tu sqaruar, cili eshte momenti “zero”, ose nisja e anijes ne kete rast. Nese me nisje nenkuptohet fillmi i viteve 90 ( apo dicka me heret ), eshte me se paku e dyshimte nese ky ekuipazh fillestar ishte realisht “krenaria e qyteterimit tokesor”.

  3. Shpesh kam menduar qe edhe sikur te riktheheshim ne zanafillen e tranzicionit, kjo histori do perseritej shume e ngjashme, pavaresisht ndonje ngjyrimi te lehte qe i jep temperamenti dhe formimi i kapitenit te rastesishem; ideja e anijes i shkon shume, ndonje kapiten mbase do evitonte perplasjet ballasi me dallge te evitueshme, apo gjera te tilla. Dhe cdo ekip komandimi do kalonte ne fazen e shtjelluar nga xha xhai, ne mungese te pronarit, punedhenesit.
    Me ka bere pershtypje ngjashmeria e dinamikes se pushtetit ne vendet ish komuniste – ekipet e lundrimit kane rene pothuaj te gjitha ne guacken rezistente ndaj ndryshimit, dhe arsyeja me bindese qe kam menduar ka qene pikerisht mungesa e shtreses se pasur, kapitalit te qendrueshem, qe ka arritur ne zonen e pakonkurrueshmerise (ku synojne te shkojne keta kapitenet tane). Ne vendet me shtet me tradite te konsoliduar kam menduar se eshte kjo shtrese qe garanton qe kapitenet te zgjidhen e te hiqen.

  4. Po sikur kete 23 vjecar (tranzicioni qe vazhdon me dekada persa kohe nuk po diskutojme per Epoka Gjeologjike eshte kunderthenie ne terma) te provojme ta quajme dicka tjeter? P.Sh. proces.
    Dhe ky proces ka ngjashmeri te theksuara ne the gjitha vendet e Lindjes.
    A duhet te na habise fakti qe nje kategori njerzish e sheh kete si nje terren per te krijuar nje mireqenie materiale me pak sforcim?
    Do te ishte llogjike qe kjo kategori te ishte e interesuar qe ky proces (i shitur si tranzicion) te vazhdoje pafundesisht.
    Fundi sigurisht do te vije ne momentin qe asgje publike te mos kete mbetur me per tu shitur.

  5. Unë dalëngadalë kam arritur në bindjen, se ajo periudhe kohore që shpesh perceptohet si tranzicion nuk ka asnjë domethënie konkrete, me përjashtim të faktit, që ne kemi rënë dakord që një periudhë kohore ta quajmë “tranzicion”. Pre i kemi vënë një emër diçkaje pa u thelluar në gjykimin, nëse nga ana përmbajtësore edhe e meriton këtë emër. Pak a shumë sikur t’i vësh emrin “Fitim” një fëmije apo një ndërmarrjeje dhe të presësh fitimin.

    Në fakt, si si në rastin e “tranzicion-it”, janë po aq pak kuptim që të quajmë edhe demokracinë “demokraci” apo socializmin “socializëm”, apo edhe më tej akoma pavarësinë “pavarësi” apo çlirimin “çlirim”. Të gjitha këto janë disa iluzione të cilat i vadisim mirë e bukur, duke u ndërgjegjësuar shumë rrallë, që të gjitha këto procese nuk kanë ndodhur asnjëherë, por janë thjeshtë disa projektime bërë në një sfond historik bosh të një shoqërie që vegjeton në periferi të epokës apo epokave, pa ju qasur dot as trendeve bashkëkohore të të bërit të gjërave, as formave të mirënjohura të ndërtimeve të shteteve, qofshin këto diktatoriale apo demokratike, thjeshtë se nuk u poq dot atëherë kur ishte furra e nxehtë ku u poqën shtetet e tjera.

    Është gjë turp kjo? Fare! Turp është vetëm të mos pranosh t’i quash gjërat me emrin e tyre; por edhe ky nuk është ndonjë turp i madh, e aq më tepër që çështja nuk shtrohet se çfarë është turp apo nuk është turp, pasi edhe kjo nuk zgjidh gjë.

    “Tranzicioni” as filloi ndonjë herë e as ka për të mbaruar. Shqiptarët jetojnë të njëjtën gjendje prej shumë dekadash, pa qenë në gjendje të prodhojnë brenda vetes e të sekretojnë atë tharmin e nevojshëm për t’i venë gjërat në lëvizje.

    Ndoshta gjërat mund të ndryshojnë, ku të kryhet një përmbysje e një mendësie patriarkale e hipokrite, e cila është, siç ishte edhe dje, ende shtylla kurrizore e moralit bashkëkohor shqiptar. Dhe kjo nuk bëhet as në facebook e nuk e bën dot as Rama. Kjo përmbysje o lind kështu natyrshëm nga halli, o nuk ka për të lindur asnjëherë e Shqipëria bëhet në rastin më të mirë një shtet si puna e Greqisë së sotme.

  6. I goditur ai tropi i anijes kozmike, veçse tingellon paksa sublimues. Ne ndryshim nga banoret e saj qe e humben fillin per shkak te udhetimit te gjate, varka jone mbeti ne batak pa u nisur akoma. Tek e fundit vozitesit e saj nuk kishin nevoje te shkonin shume larg, sepse ishin
    afer detit te palare / afer drites te papare.
    Pse? Sepse ashtu u pelqen. Sepse te vozitesh eshte e lodhshme, te keputen krahet.
    Ne jemi si ai femija qe, kur e zgjon prindi ne mengjes per te shkuar ne shkolle, mermerit: “Me ler rehat, kam gjume” dhe kthehet nga ana tjeter.

  7. Problemi është se tashmë tranzicioni neve na duket si gjendje normale. U mësuam me të deri në atë pikë, sa nuk na bën më përshtypje. Ndërkohë që tranzicioni, me përkufizim, duhet të jetë me kohëzgjatje të caktuar, mundësisht jo shumë e gjatë.
    Po unë kam frikë se elitat e dinë këtë. Nëse është e vërtetë, atëherë duhet të marrim vesh se kush spekulon (si rrjedhim kush fiton) me këtë të bekuar tranzicion pafund.

  8. Une po mendoja qe asgje nuk e provon me se miri lodhjen nga hallakatja e gjate neper hapesire, se disa akte te izoluara defektimi, shpesh te mbetura ne tentative, nga ana e disa vozitesve, individe te cilet, per arsye nga me te ndryshmet, e kane akoma te gjalle kujtimin e tokes.

    Do te permendja ketu nismen e paradokoheshme te Lubonjes per ‘voten e bardhe’, mes te tjerash.

    p.s. Llagepi i ri eshte imi, ish-Evdotese.

  9. Parite e vjetra jane shume te ngadalta ne modifikim, dominojne ne menyre absolute, me hir a me pahir hyrjet e reja qe i kerkon koha ose sistemi i ri.
    1912-1945, plot 33 vjet transizion nga bejlerlleku gatifeudal, ekonomi dhe politike, ne kapitalizem e shtet-komb. Stabilizim i tranzicionit ne sistem nga Zogu ne 1925.
    1990-2013, 23 vjet transizion, stabilizim i transizionit ne sistem ne 1998.

    Vetem Enveri arriti t’i jape fund nje proçesi tranzicioni, diku ne 1960 (koperativat), pas 15 vjetesh, duke shkaterruar pothuaj gjithe parite e vjetra.

    Mund te supozohet se duhet edhe 20-30 vjet kohe qe parite t’i pershtaten kohes dhe te luajne rolin udheheqes te masave ne vend te atij sundues.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: