PAMJE TË LIRISË (I)

(shënime)

Ka konfuzion të madh, siç mund të pritej, me përdorimin dhe kuptimin e fjalës LIRI në shqipen e – të themi – këtyre 150 vjetëve të fundit. Në kontekstin kur po krijohej vetëdija kombëtare, liria shënjonte gjendjen e një populli a kombi që nuk sundohej nga i huaji, çfarë do të thotë se koncepti i afrohej shumë atij të pavarësisë. Ideja ishte se një komb i lirë, do të ishte në gjendje të zhvillohej në mënyrë harmonike dhe organike, ndryshe nga një komb në skllavëri. Kjo nënkuptonte edhe idenë tjetër, se një subjekt individual nuk mund të gëzonte liri, brenda një kolektivi të cilit liria i ishte mohuar.

Këtë koncept e trashëgoi pastaj propaganda e Frontit Na-Çl, gjatë Luftës II Botërore, në raport me pushtuesin italian dhe atë gjerman: thuhej se shqiptarët, “të bashkuar”, luftonin për LIRI. Sërish, kjo liri i referohej një subjekti kolektiv – popullit shqiptar, i cili do të çlirohej nga thundra çizmja zgjedha vargonjtë hekurat zinxhirët (zgjidhni metaforën që dëshironi). U tha pastaj se në 29 nëntor të vitit 1944, “fituam LIRINË”, që në thelb nuk ishte veçse liria për të qenë të pavarur, si komb, duke hedhur tej zgjedhën e të huajit, një ideal i vjetër të paktën sa Rilindja Kombëtare. Për t’u shënuar se ky kuptim specifik i lirisë përkon mjaft me kuptimin që i jepnin lirisë në lashtësinë greko-romake, veçanërisht brenda binomit skllav vs. pronar (pronari e detyron skllavin të punojë për të, e vë në zgjedhë; por edhe mund t’i japë “lirinë”), vetëm se në këtë rast të dyja skajet e binomit ishin kolektiva, jo individë.

Këtij lloj diskursi i nënvendosej supozimi se, brenda një kombi të lirë, edhe individi do të ishte i lirë; sipas një koncepti kombëtarist primitiv, është i huaji ai që të skllavëron dhe ta heq lirinë, edhe si komb edhe si individ. Dhe në fakt për “shqiptarët që jetojnë të lirë” regjimi i Hoxhës vazhdoi të fliste deri sa dha shpirt, duke e bërë të vetin diskursin karakteristik të Rilindjes Kombëtare, por duke i mëshuar kuptimeve të sovranitetit dhe të vetëvendosjes/ vetëqeverisjes (duke qenë tashmë shqiptari “zot i fateve të veta”).

Krahas me këtë, dhe duke filluar sidomos nga vitet 1930, zuri fill tek ne edhe një tjetër kuptim i fjalës LIRI, si gjendje e kujt i ka anuluar marrëdhëniet me shfrytëzuesit – në teori kapitalistët si pronarë të mjeteve të prodhimit, por në kontekstin shqiptar edhe shtresa e bejlerëve si pronarë të mëdhenj të tokave; dhe pastaj, edhe shtetin që u shërbente interesave të klasës “sunduese”. Propaganda e Frontit Na-Çl, dhe më parë e PKSh-së vetë, i përzien këto dy koncepte, duke e përdorur dora-dorës lirinë kombëtariste për të futur tinëzisht konceptin e çlirimit nga klasat shfrytëzuese, me pretekstin ndonjëherë të zhurmshëm se këto po bashkëpunonin me pushtuesin e huaj.

E kotë të shtoj se edhe kjo liri e vegjëlisë, në raport me shfrytëzuesit, i referohej një kolektivi – dhe pikërisht një klase – dhe jo subjektit individual.

Përtej disa konteksteve banale, p.sh. kur thuhej, për një të burgosur, se “fitoi LIRINË”, nuk më duket se në ligjërimin publik shqip, përtej teksteve juridike (kushtetutës) flitej ndonjëherë seriozisht për lirinë e subjektit individual; theksi mbetej te liria si diçka që mund ta gëzonte vetëm një kolektiv, qoftë ky kombi, qoftë klasa (edhe shqiptari, në shprehjen “shqiptari fitoi lirinë”, nuk ishte veçse një lloj sinekdoke). Vërtet që kushtetuta fliste, sa për sy e faqe, për liritë dhe të drejtat e njeriut, por individi, në Shqipërinë totalitare, nuk kishte asnjë liri për të qenë: as lirinë e fjalës, as lirinë e ushtrimit të fesë, as lirinë e të mbledhurit dhe të formimit të shoqatave, as lirinë për të pasur një pronë të vetën, as lirinë për të pasur një veprimtari ekonomike të vetën, as lirinë për të lidhur kontrata, as lirinë që të zgjidhte për të jetuar aty ku dëshironte, as lirinë për të udhëtuar jashtë kufijve shtetërorë e kështu me radhë.

Në rrafshin filozofik, pëlqehej dhe ish adoptuar një formulë e Engelsit, të cilën ky e kish marrë nga Hegeli: “Liria është njohje e domosdoshmërisë”.

Shqiptari “i rrugës”, nga ana e vet, me konceptin e vet intuitiv për lirinë si “të bësh ç’të duash”, ia ndiente kësaj në çdo hap mungesën; madje aq sa edhe vetëdija e të jetuarit në totalitarizëm erdhi dhe u kristalizua si një koleksion lirish të munguara ose të mohuara; kjo nuk ishte veçse vetëdija e dikujt që jetonte në një burg të madh sa vetë shteti, pavarësisht propagandës për “Shqipërinë e lirë buzë Adriatikut”. Ndoshta i vetmi që mund të gëzonte liri të mirëfilltë në ato vite ishte Enver Hoxha (si titullar i sovranitetit, të ngjashëm me atë të një monarku), kur vendoste dhe vepronte në mënyrë të papenguar e të pakushtëzuar nga ndonjë agjenci tjetër, sidomos e huaj, i udhëzuar nga arsyeja e vet (paranoide, despotike).

Një nga kërkesat elementare, por themelore, e atyre që morën në sy të futen në ambasada në Tiranën e verës së vitit 1990 ishte ajo për LIRI-DEMOKRACI. Vetë gjesti i tyre, si kapërcim simbolik dhe kolektiv i një kufiri të barasvlershëm me atë shtetërorin, linte të kuptoje se për këta mijëra qytetarë liria mishërohej, para së gjithash, në të drejtën për të ikur nga Shqipëria, ose për të dalë nga “burgu” i regjimit totalitar. Ashtu, ky gjakim vazhdonte përpjekjet, herë të realizuara herë jo, të atyre mijëra qytetarëve të tjerë të Shqipërisë që, në rrjedhë të viteve, ishin orvatur të arratiseshin duke kapërcyer kufirin, ndonjëherë duke lënë kokën, ose duke përfunduar në burg. Përndryshe, në Shqipërinë totalitare ishte rritur më shumë se një brez që pengimin e lirisë e përjetonte të reduktuar, sepse vetë ideja e lirisë, nën atë regjim, ishte sheshuar dhe reduktuar në një slogan abstrakt.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin