ZOGU I SHPUPLUAR

Shkrimtari polak-amerikan Jerzy Kosinski u lind më 14 qershor 1933 në Lodz të Polonisë, në një familje hebrenjsh: emri i tij, si fëmijë ishte Josef Lewinkopf.

Vitet e Luftës familja mbijetoi falë ndihmës së fshatarëve në Poloninë qendrore, të cilët ofruan strehë dhe mbrojtje, madje një prift lëshoi për Jerzyn edhe një certifikatë pagëzimi të rreme.

Pas Luftës, Kosinski vazhdoi studimet universitare në Universitetin e Lodz-it dhe pastaj studioi edhe në Bashkimin Sovjetik.

Me dokumente të rreme, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara, në 1957, dhe si u vendos në New York, mbijetoi disa vjet me punë të rëndomta.

Në 1965 Kosinski botoi në anglisht romanin e tij të parë The Painted Bird (Zogu i pikturuar), ku përshkruhen peripecitë e një djali të vogël diku në Europën lindore, gjatë Luftës II Botërore, i cili bie viktimë abuzimesh dhe mizorish të tmerrshme nga ata që e strehojnë.

Libri u përshëndet si kryevepër nga establishmenti letrar në SHBA dhe gjetiu. Librin e lëvdoi mes të tjerash edhe nobelisti Elie Wiesel (emër i njohur në literaturën me temë Holokaustin), për “sinqeritetin dhe ndjeshmërinë”; ndërsa revista Time e përfshiu në 100 romanet më të mira anglisht, të viteve 1923-2005.

Megjithatë, kur u përkthye teksti në polonisht, tërhoqi detyrimisht vëmendjen edhe të atyre që i kishin dhënë strehë familjes Kosinski gjatë luftës dhe që gjetën, në tekst, emrat e fëmijëve të tjerë hebrenj që kishin shpëtuar nga vdekja e sigurt, por që në roman ishin paraqitur si viktima abuzimesh, nga personazhe të bazuar në fshatarët polakë.

Sipas kritikut letrar D.G. Myers, Kosinski e paraqiti për vite me radhë romanin The Painted Bird si histori të vërtetë të eksperiencave të tij gjatë Holokaustit. Nga ana e vet, autori u mbrojt duke shpjeguar se “autenticiteti i librit nuk mund të provohet duke e krahasuar me fakte nga jeta dhe prejardhja ime; unë kam bindjen se fiksioni dhe autobiografia janë dy forma letrare krejt të ndryshme mes tyre.”

Të tjerë kritikë akuzuan se Kosinski e pat shkruar romanin në polonisht dhe pastaj dikush tjetër ia kish përkthyer në anglisht.

Kosinski shkroi edhe vepra të tjera, por nuk e mori dot kurrë veten, nga akuza si mashtrues. Vepra e tij The Painted Bird u prezantua që në fillim si roman, por autori dhe miqtë e tij të shumtë nuk e fshehën asnjëherë që bëhej fjalë për një roman me elemente të forta autobiografike, ku Kosinski – fëmijë në Poloni gjatë Luftës II botërore – rrëfente peripecitë e veta, si hebre i persekutuar dhe i rrezikuar për vdekje nga nazistët.

U tha edhe se Kosinski, që para se ta botonte romanin, i kish rrëfyer incidentet që përshkruhen atje sikur t’i kishin ndodhur atij vetë në Poloni, në dreka dhe darka me rrethin e miqve të tij në New York.

Çfarë e fundosi autorin, nuk ishte aq përzierja e autobiografisë me fiction-in: tek e fundit, The Painted Bird ishte prezantuar që në krye si roman. Por Kosinski dhe botuesit e tij e kishin të qartë se libri do të përfitonte shumë, po të paraqitej si “i jetuar” dhe po të lihej të kuptohej se autori rrëfente atje jetën e vet, në Poloninë e pushtuar prej nazistëve, ku hebrenjtë përndiqeshin kudo.

Ajo çfarë bëri Kosinski, ishte se la aq “të vërteta” në roman, sa të ngjallte zemëratën e polakëve etnikë që e kishin strehuar atë dhe familjen; të cilët u ndien të keqpërfaqësuar dhe të nëpërkëmbur.

Nuk ishte, pra, trillimi në rrëfim që i krijoi librit probleme, por elementet e vërteta, të cilat e mbulonin trillimin me një suva vërtetësie.

Edhe tema e romanit – Holokausti i parë me sytë e një fëmije – e ngacmoi ndjeshmërinë morale të lexuesit në SHBA; meqë para këtij lexuesi u zbulua një dëshmitar i rremë ngjarjesh, për të cilat kishte plot dëshmitarë të mirëfilltë.

Lidhur me këtë skandal, eseisti Eliot Weinberger është shprehur se “autorësia përcakton pritjen e veprës” (authorship defines reception); dhe se suksesi i The Painted Bird ishte rezultat jo i meritave intrinseke të tekstit, por i biografisë – për më tepër të trilluar – të autorit të saj; në një kontekst kulturor ku letërsia autobiografike dhe gjysmë-autobiografike për tema të Holokaustit po gjente jehonë të madhe në Perëndim.

Çështja ishte nëse The Painted Bird duhej marrë apo jo “literalisht”; dhe shumë kritikë të romanit dhe të autorit Kosinski besuan se ky ishte përpjekur që të përfitonte nga ambiguiteti i statusit të rrëfimit në libër – duke e shitur për aq fiction, sa të mbrohej ndaj verifikimit faktual, por edhe aq faktik sa ta bindte lexuesin se rrëfimi ishte autentik.

Sikurse pati kritikë që sugjeruan se Kosinski i pat dhënë lexuesit amerikan të ndjeshëm ndaj Holokaustit ekzaktësisht çfarë kërkonte dhe priste ai lexues nga libra të kësaj natyre (jo rastësisht, The Painted Bird e krahasuan deri edhe me Ditarin e Anne Frank-ut).

Sido që ta shohim, suksesin e Kosinskit shkrimtar në SHBA dhe autor romanesh, mes të cilave edhe The Painted Bird, nuk e ndan dot nga autobiografia e tij (pjesërisht fiktive) si fëmijë viktimë e dhunës anti-semite në Poloni, që tani rrëfen jetën e vet. Ndonëse autenticiteti i atij romani – që gjithashtu është diskutuar – nuk duhet të ketë lidhje me autenticitetin e Kosinskit vetë, si subjekt real dhe si autor tekstesh. Me arsye, do të mund të argumentonim se edhe autobiografia e Kosinskit, në atë masë që ndihmoi për suksesin e romanit të tij të parë, ishte njëlloj fiksionale – një narrativë shoqëruese e një narrative tjetër; ngjashëm me, të themi, rolin që luajti pastaj romani The Painted Bird në produksionin e filmit me të njëjtin titull.

Ka edhe ndonjë kritik, pastaj, që ka sugjeruar se e vetmja mënyrë, për Kosinskin, që vepra e tij The Painted Bird, me narrativën e tij groteske plot incidente të vështira për t’u besuar, të merrej seriozisht, ishte që romani të zhvishej nga fiksionaliteti dhe të paraqitej si “autentik”, ose “i jetuar”; pra që sendërgjia autobiografike u kushtëzua nga një deformim i recepsionit letrar në SHBA, jo nga ndonjë ambicie jashtë-letrare e autorit.

Pyetja që do të më pëlqente të shtroja, në këtë mes, është nëse është vërtet e mundshme që jeta e një autori dhe domethënia e tij si subjekt do të arrijnë dot t’i shpëtojnë deri në fund të qenit forgery, ose falsitetit. The jury is still out on this one, për ta thënë amerikanisht.

Jerzy Kosinski vdiq si sot, para 20 vjetësh e 3 muajsh, më 3 maj 1991.

 

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Shkrimi më sipër bazohet në materiale që gjenden lirisht online; kjo faqe i përmbledh mirë ngjarjet kryesore në biografinë e Kosinskit; hollësi të mëtejshme do t’i gjeni në Jerzy Kosinsky, a Biography, nga James Park Sloan (Crossroad Press, 2020); lexoni edhe këtu dhe këtu.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin