KRONISTI I HËNËS

Qëllon që një gazetar të bëhet i famshëm dhe të zërë vend në histori jo për çfarë ka bërë dhe si, por për ku ka qenë, në momentin e duhur. Ashtu emri i tij, si kronikan momentesh unike, do t’u bashkëngjitet ngjarjeve të mëdha, aq sa prej tyre nuk do të mund të ndahet dot më.

Ashtu e pat zënë një vend mes të shquarve Juri Levitan, folësi kryesor i radio Moskës, prej zërit të së cilit njerëzit mësuan, mes të tjerash, për sulmin gjerman kundër BRSS në 22 qershor 1941, dorëzimin e Gjermanisë naziste në 9 maj 1945, vdekjen e Stalinit në 5 mars 1953 dhe fluturimin e parë të njeriut në kozmos, në 12 prill 1961.

Këtë sukses ai ia pat detyruar një telefonate të Stalinit, i cili qëlloi që ia dëgjoi zërin në 1934 dhe menjëherë i telefonoi stacionit, për të kërkuar që tash e tutje Levitani t’i lexonte lajmet që lidheshin me liderin sovjetik. Kaq mjaftoi që Levitani të konsiderohej, nga ai moment e më tej, personaliteti kryesor i radios sovjetike.

Një folës lajmesh nuk ka ndikim në ato që kanë ndodhur, por i fortë mbetet ndikimi i tij në jetët e njerëzve, të cilët mësojnë për çfarë ndodh nëpërmjet tij. Gazetari që lexon lajmet, në radio ose në televizion, hyn në rolin arketipal të rrëfimtarit, i cili ndërton për ne botën përtej perceptimit imediat, duke na e rrëfyer.

Për brezin tim, këtë rol gati mitologjik e pati telekronisti italian Tito Stagno, i cili ndërroi jetë sot, në moshën 92 vjeç.

Fytyrë e njohur e RAI-t në vitet 1969, Stagno-n do ta mbajmë mend si njeriun që na lajmëroi – edhe ne të largëtit e Shqipërisë – për zbarkimin e parë të njeriut në Hënë, në korrik të vitit 1969, nëpërmjet një kronike televizive të pandërprerë, që vazhdoi deri thellë në orët e natës.

Zëri i tij më shoqërohet në mendje, njëlloj si fytyra e tij me syzet intelektuale dhe flokët biondë të krehur anash, me “njeriun teknologjik”, mësuesin që shpjegon mrekullitë e një udhëtimi në hapësirë dhe njëherazi mrekullohet me to sërish, shoqëruesin magjik, që na hapi dyert e qiellit dhe arriti të bashkojë, për ne, shkencën me fantashkencën.

Mbaj mend që kur dilte në ekran, unë fëmija bëhesha gjithnjë gati për lajmin e ri, detyrimisht mahnitës. Italishten ende e kuptoja keq aso kohe, sepse isha vetëm 10 vjeç; por ato që s’kuptoja i plotësoja me fantazi dhe ashtu i përjetoja edhe më fort.

Më kujtohet edhe që emri i tij, Tito, më kujtonte Titon tjetër, “të ligun”; dhe që më dukej sikur kjo koincidencë njëfarësoj e rrezikonte – atë si rrëfyes të udhëtimeve drejt Hënës, dhe dritaren aq të brishtë, nga ku shihja unë.

Zbritjen e Armstrong-ut në truallin e Hënës RAI e transmetonte live; në teori, pamjet flisnin vetë dhe nuk kishin nevojë për t’u rrëfyer; e megjithatë, telekronika e Stagno-s duket tani e domosdoshme, që eventi të ndodhte edhe për ne. Ai event duhej sjellë në ekzistencë nëpërmjet rrëfimit.

Ato ditë televizioni ia kish kushtuar misionit Apollo 11, dhe midis lajmeve dhe bisedave në studio, transmetonte edhe filma fantashkencorë – mbaj mend akoma që të kem parë pjesë nga filmi War of the Worlds, bardhezi (pastaj më hoqën nga ekrani, sepse filmi u gjykua tepër horror për mua); dhe filmin tjetër, The Day the Earth Stood Still, ku më erdhi jashtëzakonisht keq për protagonistin.

Momenti kur fantazitë shkencore të njerëzimit u bënë realitet, dhe një astronaut shkeli për herë të parë Hënën, ishte për mua edhe momenti kur unë do të apasionohesha përfundimisht pas fantashkencës.

Tito Stagno, gazetar dhe kronist kompetent, u gjend në vendin e duhur dhe në momentin e duhur; por këtë ia detyronte edhe interesit që kish pasur, prej vitesh, për aventurën hapësinore amerikane. E meritonte rastësinë e famës – dhe ashtu nuk zhgënjeu.

Ishte një nga emrat dhe personalitetet e kulturës që e lidhën brezin tim me Italinë, duke na dhuruar kujtesë të përbashkët, çfarë i afron njerëzit dhe i bën ta duan njëri-tjetrin.

Dhe, tani që e mendoj pas shumë vjetësh, më duket sikur ajo mrekulli që bëri televizioni ato vite, duke na nxjerrë ne të Shqipërisë totalitare nga izolimi dhe duke na përfshirë në jetën e Europës dhe të Perëndimit, ishte edhe më e vyer – njerëzisht – se arritja mirëfilli teknologjike e Apollos, që edhe ajo njëfarësoj e bashkoi botën, përtej ideologjive, mureve dhe telave me gjemba.

Nëse ka pasur një arsye më tepër për ta gëzuar jetën atë kohë…

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin