NË FILLIM ISHTE RADIOJA

Ndonjë prej jush që lexoni – i rritur në vitet 1950-1960, do ta mbajë mend të ketë parë, në dhoma konviktesh, spitalesh a kampesh pushimi, një aparat të pazakontë të montuar ose të varur në mur, diçka si radio, me një buton të vetëm për volumin. Sot do të na ngjante me një altoparlant Bluetooth. Kish funksione të radios sepse lëshonte zë e muzikë, por radio nuk ishte; ngjante më tepër me një altoparlant të glorifikuar, që riprodhonte programin e radios anembanë ndërtesës e më tutje. Sinjali i vinte nga një qendër zëri e përtejme, e cila kapte, si radio e zakonshme, me frekuencat e Radio Tiranës. Por sistemi mund të përdorej edhe për informim dhe udhëzim të publikut, duke e këmbyer sinjalin e radios me zërin “live” nga një mikrofon në qendër, ku një autoritet mund të jepte urdhra, informacione praktike ose këshilla e porosi ideologjike. Njëlloj mund të ndodhte që ky sistem transmetimi të mos përcillte emisionin e radios shtetërore, por të ndiqte programin e vet, të bazuar në regjistrime zakonisht muzikore (pllaka ose shirit magnetofoni). Përdoruesi mund ta ngrinte volumin ose ta ulte në zero, por nuk mund të ndërronte kanalin dhe as ta fikte aparatin krejt, meqë ky furnizohej me energji nga e njëjta kabllo që i sillte edhe sinjalin. Ishte, pra, një altoparlant i detyruar ose radio me një kanal të vetëm.

Pajisja, e një teknologjie të cilën me gjasë e patën sjellë në Shqipëri sovjetikët, në rusisht njihej si “pikë radio”, ose pадиоточка. Radiotoçka ishte terminali i një sistemi të radiopërhapjes me tel; i njohur me emrin “radiopërhapje me tel, me program unik” (Однопрограммное проводное вещание) ai filloi të instalohej masivisht, pas vitit 1925, në pallatet e banimit në Bashkimin Sovjetik. Vetë teknologjia e përdorur, edhe pse idealisht parashikonte një aparat të instaluar në çdo apartament banimi (ku rëndom jetonin disa familje së bashku), favorizonte de facto konsumin kolektiv të programeve radio. Dhe meqë shumë qytetarë nuk kishin aparate të tilla në shtëpi, këta do të mblidheshin për ta dëgjuar radion në vende publike, si në sheshe ose në mensa.

Edhe pse në vitet 1930 filluan të shiten në tregun sovjetik edhe radiot konvencionale (pa tel), familjet që kishin blerë të tilla duhet t’i regjistronin pranë organeve të sigurimit (NKVD). Fill pas sulmit hitlerian kundër Bashkimit Sovjetik në qershor të vitit 1941, regjimi i Moskës ua sekuestroi të gjitha aparatet radio standard qytetarëve privatë, që këta të mos dëgjonin stacionet që transmetonin nga territori tashmë në duart e nazistëve, dhe ashtu radiotoçka mbeti i vetmi burim i informacionit sovjetik për publikun, përtej shtypit të shkruar.[1]

Radiotoçka ishte zgjatimi kapilar i një qendre transmetimi të ngjashme me institucionin e qendrës së zërit në Shqipërinë totalitare, të cilën Fjalori i GJSSH e përkufizon kështu: “dhomë me pajisje të posaçme në një ndërmarrje, në një shkollë, në një shtëpi pushimi etj., që shërben për të dhënë njoftime, lajme, muzikë etj. me anë të radios ose me të folur.” Fabrikat, barakat e ndërtuesve të veprave dhe të vullnetarëve (në hekurudhë), fermat dhe kooperativat bujqësore, konviktet, fjetoret, kapanonët në kampet e pushimit, pajiseshin me qendra të tilla, të cilat furnizonin me material sistemin e adresimit publik (altoparlantët) në hapësirën e ndërmarrjes ose të institucionit. Atje ku nuk kishte radiotoçka, funksioni i këtyre u kalonte altoparlantëve. Regjimi pat vendosur altoparlantë të fuqishëm deri edhe në plazhin e Durrësit, të cilët transmetonin pa pushim emisione të Radio Tiranës dhe muzikë popullore, kryesisht për të shurdhuar dhe mbytur radiot private të qytetarëve, që sintonizoheshin në kanalet italiane dhe jugosllave. Zëri i altoparlantit depërtonte lehtë edhe në kabinat e plazhit, çfarë e bënte të panevojshme radiotoçkën.

Sistemi i radiopërhapjes me tel, i nyjëtuar në një qendër zëri dhe një numër të pakufizuar terminalesh, i përshtatej mirë konceptit të komunikimit totalitar, sa kohë që informacioni vinte nga një burim i vetëm dhe i transmetohej një aparati marrës me një kanal; por edhe në mënyrë të tillë që një numër i madh njerëzish të konsumonin të njëjtin material radiofonik, në të njëjtën kohë, duke u sinkronizuar totalisht. Edhe kur qytetarët nuk e dëgjonin aktivisht radion, sistemi mundësonte sinkronizimin e sfondit, duke e shndërruar transmetimin radio në një kolonë zanore të jetës publike.[2]

Në vendbanime kolektive, si në fjetore e kazerma, muzika ishte jo vetëm e pranishme në sfond, por edhe shërbente si amplifikator i jetës së bashku. Më kujtohet, nga hera e parë kur kam shkuar në stërvitje ushtarake (zbor) në pranverë të vitit 1976, që fill pas zgjimit në mëngjes altoparlantët e qendrës së zërit të repartit, të lidhur me radio Tiranën, transmetonin me volum të lartë programe me muzikë folk, të alternuara me marshe ushtarake, pjesë të luajtura me bandë, këngë masash, këngë partizane; nuk mungonte emisioni i gjimnastikës së mëngjesit në radio, me një burrë fizkulturist që ua mbante ritmin ushtrimeve duke numëruar, teksa një piano luante në sfond. Kjo muzikë kish për efekt të menjëhershëm, dhe me siguri të dëshiruar, asgjësimin e egos, paralizën e vetëdijes individuale.

Orendi shtëpiake e detyruar në një shtet totalitar si Bashkimi Sovjetik, radiotoçka i ka disa gjëra të përbashkëta me tele-ekranet e përshkruara në romanin 1984, të George Orwell-it; sepse edhe këto të fundit janë kudo të pranishme, kanë një kanal të vetëm dhe transmetojnë propagandë haptazi. Natyrisht, tele-ekranet në atë vepër kanë për funksion kryesor përgjimin dhe mbikëqyrjen e jetës private; por edhe radiotoçka-t, në banesat kolektive sovjetike, ku disa familje jetonin në të njëjtin apartament, e ndihmonin përgjimin dhe raportimin reciprok, duke i mbledhur njerëzit bashkë. Orwell-i vetë nuk e pat vizituar kurrë Bashkimin Sovjetik, por me siguri do t’i kenë rrëfyer të tjerët, për këtë lloj teknologjie të çuditshme, që e dallonte realitetin e atjeshëm nga ai Perëndimor.

 

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Bradley Trinkner, Bolshevik Voices: Radio Broadcasting in the Soviet Union, 1917-1991, Rowan University, 2014.

[2] Veç Bashkimit Sovjetik, sistemi i radiopërhapjes me tel u adoptua edhe në të gjitha vendet e Bllokut Socialist, pas Luftës II Botërore, përfshi edhe RP të Kinës. Teknologjia gjeti përdorim edhe në Perëndim, p.sh. si filodiffusione në Itali, ku sinjali radio përcillej nga rrjeti i telefonisë me tel.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin