MBRAPSHTI FOTOGRAFIKE (II)

Gazeta “Shekulli” botonte sot, në krye të faqes, një foto të patriarkut totalitar Hysni Kapo nxjerrë dikur në vitet 1970, ku shfaqet edhe kryeministri i sotëm Berisha, në rolin e një figuranti entuziast.

Në vështrim të parë, duket sikur kjo foto ka për synim të goditë kreun e PD-së nëpërmjet bashkëlidhjes me krerët komunistë të djeshëm (guilt by association), në kontekstin e një fushate elektorale që nuk shquhet për delikatesë dhe burrni.

Megjithatë, fotos mund t’i jepet një lexim tjetër.

BerishaKapoJu ftoj t’i hidhni një sy dekorit gjelbëror në sfond, mjedisit prej shtëpie të pritjes në provincë, karrikeve të buta prej cohe, kostumit të Berishës pas gjase prej poliesteri të cilit gati mund t’ia dëgjosh fëshfërimën plastike, jakave të këmishës së Hysni Kapos të nxjerra jashtë xhaketës, faktit që, përveç patriarkut, vetëm mjekët Sali dhe Sabit ia lejojnë vetes të mos mbajnë kravatë, mënyra vëllazërore si ia shtrëngojnë duart Hysniut dy miqtë e vet në krah, këmishët e bardha të të gjithë burrave, thjeshtësiakoreane e veshjeve të dy grave në rreshtin e dytë…

Shiheni foton edhe një herë – vallë nuk duket si e kompozuar nga dy shtresa, prej të cilave njëra përmban ngjyrën e gjelbër të kaçubeve në sfond, ndërsa tjetra, bardhezi, duket si e shkëputur nga një foto tjetër, e vjetër dhe e zbërdhylur, e cila i ka mbijetuar viteve vetëm e vetëm për shkak të rëndësisë së personave të fotografuar?

E kundruar nga ky kënd, fotoja mua më mbishenjon, para së gjithash, [v]jetërsi, ose jetërsim nëpërmjet vjetërimit. I referohet një bote tashmë të kapërcyer e të arkeologjizuar, e cila mund të qëmtohet vetëm nëpërmjet fotove të tilla, automatikisht muzeale, të cilat tanimë e përfaqësojnë të shkuarën duke u identifikuar me të.

Për këtë arsye e dëmton fotoja Berishën: jo sepse ai ka dalë atje me Hysni Kapon (të cilin gjysma e Shqipërisë as që e njeh fare, ose e kujton për ndonjë këngëtar lirik të Ansamblit të dikurshëm të Ushtrisë); as sepse ai ka shërbyer si mjek pranë Udhëheqjes – meqë mjeku nuk i pyet të sëmurët paraprakisht për profilet e tyre politike ose ideologjike, por interesohet kryesisht për nivelin e sheqerit në gjak ose diametrin e aortës; por sepse ai, Berisha ynë i NATO-s, figuron atje, pjesë integrale e asaj bote bardhezi, të perënduar e të kapërcyer; çka e shndërron protagonizmin e tij të sotëm në dukuri anakronike, ose anomali.

9 Comments

  1. Jam dakord me shpjegimin e bërë këtu, por më duket se fotoja e vëndosur në fb kishte qëllime të tjera; të ulëta apo fisnike qofshin këto. Fakti që është ndërtuar një shpjegim me anën e ndërhyrjes grafike në imazh, tregon dhe shpejtësinë, paditurinë dhe mjeshtërinë konfuze të autorit.
    Këto praktika, të panjohura për publikun shqiptar, po bëhën të rregullta në çdo gazetë që nuk ishpeton aspak VIP-zimit të jetës publike të disa fytyrave shumë të kërkuara për mirë apo për keq nga publiku.

    Ditë më parë, në kontratën fb të FRD (forumi rinon demoktratik), pashë një fotografi të Edi Ramës me spaghtti në gojë. Fotografi e njohur, e cila është botuar në një kontekst krejt tjetër në vitet 90 (më duket është botuar në kopertinën e revostës Klan apo XXXL). Në atë kohë Edi Rama akoma vazhdonte të krijonte, të bënte piktura, të ekspozonte, dhe fotografia e menduar ndoshta si një performancë e vetë artistit ER, ka një vlerë estetike, mund të interpretohet. Por ja që vite më pas, kur ER gjëndet nën reflektoret e të gjithë fotografëve, të mediave, kur ai bën një publik kur del për të folur, fotografia përdoret për qëllime të ulëta, vulgare, krejtësisht politike.
    Pra fotografia bëhet një armë në duart e kundërshtarëve si mjet komunikimi dhe sqarimi njëkohësisht.
    E njëjta gjë po ndodh në Itali, ku Villa Certosa është fotografuar me shumë vëmendje dhe qëllim për të sulmuar SB.
    Të kthehem tek imazhi i Shekullit, që për mendimin tim po kthehet pak e nga pak në një gazetë pa shumë thelb (në mendim, interpretim) edhe pse shumë intelektualë prezantohen me shkrime të këndshme. Ky imazh tregon së pari hyrjen e banalitetit edhe në shtypin e shkruar ku politika, filozofia, arti dhe kronika e zezë përtypen me salca të hidhura dhe të sheqerosura. Banalizimi mund t’i përshtatet më shumë TV se sa një gazetë që përkrahet nga gazetarë dhe mendimtarë të denjë për punën e tyre. Nuk është qëllimi i temës së hapur nga XH2 për të kritikuar Shekullin, por unë e lexoj në këtë mënyrë këtë fotografi e gjetur foshnjërisht tek një kënd gazetë të rëndësishme.

    1. Asnjan’s, më duket se emri An’s do të të shkonte më shumë. Fotoja flet vetë. Berisha ka dalë në foto me çunat dhe gocat trendy të Bllokut në vitet ’70.
      Ç’është e vërteta, cili do ishte ai njeri (përveç kryeministrit, natyrisht) që do t’i shkonte ndërmend t’ia hidhte Berishës foton në Internet nëse ky i fundit nuk do të merrej me politikë! Po ta studioni foton në fjalë – d.m.th. shiheni nja pesë sekonda me vëmendje – do arrini të dalloni konturet e aurës që rrethon profilin e zotit Berisha (që po rrezaton energji të jashtëzakonshme; por kjo nuk duket këtu, sepse teknologjia me të cilën kanë larë foton, s’ishte edhe aq e avancuar në vitet ’70).

  2. Pra me nje fjale si do ta sjellesh nuk ben publicitet pozitiv per Berishen.Madje mendoj se interpretimi qe i beni fotos eshte shume here me negativ per Berishen se sa afersia e tij me nomenklaturen komuniste.

  3. Nuk e di sesa perforcon kjo foto mendimin reth te vjetres&sali berishes.Edhe sikur te jete montazh fotoshopesk mua me pelqeu subteksti i artikullit.Vjetersia tek Saliu shihet hapur ne mentalitetin e drejtimit te tij.Biles shume me negativ sepse ai tip te con ne skutat e bjeshkeve te nemuna jo te ketij shekulli,ose te atij t’kaluara por te shekujve kur nuk ishte shpikur ende rrota.Nuk e di por shume here Saliu me duket nje indiano-afrikano-aziatik tipik.

  4. Kjo foto tregon shume mire se ambiciozi komunist donte me cdo kusht, bile qe atehere, te ngjitej ne majat e kartelit te Partise.

    Per Berishen kemi thene dhe sterthene me qindra here por mendoj se ai tashme duhet te/do te shihet pertej te majtes dhe te djathtes. Drejt nje fitoreje te hamendesuar per kater vite te tjera, ai tashme duhet te shihet si nje fenomen dhe jo si individ.

    Kush mund te thote se ne kete moment ai nuk po mendon per nje kater vjetesh tjeter pas 28 qershorit? Nuk ka gje qe te mos e arije Ai.

    Nderkohe, une po mendoj se si koha dhe historia do ta vendose Saliun midis Enverit, Ahmetit dhe Gjergjit. Kaq kemi deri tani. Gjergji i sajuar, Ahmeti i orkesturar dhe Enveri i emeruar. Rjeshtimin ta bejne historianet.

  5. Nga Nipi,
    per Xha Xhain dhe te tjeret:
    qe te mos merremi me fotot e SB (Sali Berishes dhe jo te Silvio Berluskonit), kur do te dale “ne pension”, se mjaft punoi per shtetin dhe per kombin?
    Dyshimi im eshte se do te siguroje heqjen e vizave nga BE, pasi te jape liçencen per ndonje central berthamor, qe do ta helmoje Shqiperine perjetesisht, me keq se sa copetimi i 1913-s.
    Rrofte Shqiperia etnike!
    Nipi

Comments are closed.