SHQIPJA TOTALITARE (XIV)

Duke i qëndruar besnik emrit të vet, totalitarizmi shqiptar u shtri në mënyrë kapilare në jetën sociale, duke mos lënë aspekt e nivel pa prekur e shndërruar; që nga veprimtaria shtetërore dhe administrative, deri në jetën e përditshme. Në aspektin gjuhësor kjo gjithëpërfshirje u pasqyrua jo vetëm në homogjenizimin gjuhësor të vendit, ose të ashtuquajturin standardizim të gjuhës, por edhe në një depërtim masiv të leksikut të ligjërimit publik nga një mori termash e shprehjesh të reja, të cilat u referoheshin praktikave, institucioneve dhe kategorive të reja sociale që kishte sjellë në ekzistencë regjimi komunist.

Ky ishte një leksik i specializuar e specifik, ose një zhargon teknik e i drunjtë, pjesërisht i ndikuar nga ligjërimi burokratik sovjetik dhe pjesërisht nga vetë eksperienca e krijimit dhe e konsolidimit të shtetit totalitar. Shto këtu edhe që, për një kohë të gjatë, totalitarizmi vetë ishte në kërkim të formave dhe të mënyrave të reja të homogjenizimit dhe të transformimit social, të cilat e kishin të domosdoshme të identifikoheshin me emrat përkatëse, të sajuara rishtaz, të huazuara ose të adoptuara nëpërmjet riaftësimit semantik. Për shembull, stërvitja ushtarake e rezervistëve, që në fillim u quajt zbor, ose me një fjalë të huazuar nga gjuhët sllave, më pas do të ripagëzohej mbledhje mësimore, ndërsa institucioni që e realizonte këtë veprimtari do të quhej shkollë e lirë ushtarake.

Ekzistenca e një leksiku të specializuar i bashkëlidhej krijimit të një kaste ekspertësh të cilët ishin në gjendje t’i përdorin lirisht këto terma, duke u diferencuar qartë nga pjesa tjetër e vdekëtarëve, të cilët mund të thoshin dot me siguri se kur duhej përdorur termi revizionizmi sovjetik e kur duhej përdorur, përkundrazi, termi sivëlla socialimperializmi sovjetik; ose, të dallonin midis imperializmit ndërkombëtar, neokolonialistëve dhe borgjezisë ndërkombëtare. Zotërimi aktivisht i këtij leksiku vlente edhe si kusht për t’u pranuar në radhët e kastës ekskluzive që e riprodhonte totalitarizmin duke e folur si zhargon, ose duke e mbjellur e selitur pareshtur në ligjërimin publik.

Që me shtetin e parë socialist, ose Bashkimin Sovjetik të Leninit e të Stalinit, zotat e ligjërimit totalitar kërkuan t’i japin institucioneve të tyre karakter unik, jo vetëm nëpërmjet adoptimit të formave të reja organizative, por edhe e sidomos duke i quajtur me emra të rinj e të posaçëm, të cilët do të shërbenin si bazë për koagulimin e koncepteve dhe të kategorive përkatëse. Ky vullnet për t’i prerë urat me traditën dhe të kaluarën do të frymëzonte, bie fjala, zëvendësimin e termit ministër me termin komisar (çka më pas do të korrigjohej prapë), ose, në Shqipëri, zëvendësimin e termit bashki me komitet ekzekutiv, parlament me kuvend popullor, punë botore me komunale, xhandar me polic e kështu me radhë. Ndryshe nga reforma institucionale e mirëfilltë, riemërtimi kushton më pak, edhe ose efekti në publik është pothuajse i njëjtë.

Megjithatë, institucionet e shtetit totalitar, në shumë pikëpamje, ishin thelbësisht të ndryshme nga ato të shteteve demokratike, republika ose monarki, përvojën e të cilave kishte ndjekur Shqipëria (dhe shqipja) deri në vitin 1939. Prandaj revolucioni terminologjik nuk diktohej thjesht nga dëshira për makijazh të ri, por edhe nga nevoja për t’u vënë emra formave dhe metodave të huazuara prej sovjetikëve.

Terma të tillë si plenum, aktiv, byro (politike), presidium, aparat (i KQ), degë (e brendshme), vatër (kulture), organizatë (bazë), kolektiv (punonjës), Fronti (demokratik), sekretariat, bashkimet profesionale, komisioni qendror i revizionimit, brigadë (kooperativiste), pasuria e shtetit, hetuesia, dega e brendshme, kontrolli punëtor, shtëpia e pushimit, shtëpia e lindjes, shtëpia e pionierit, këshilli i lagjes, qendra e punës, kuotizacioni, kampi ditor, shtabi i çetës, kooperativat e konsumit, organet e diktaturës, komiteti i partisë, komiteti i rinisë e kështu me radhë, u përgjigjeshin strukturave të reja të jetës politike e të organizimit të kastës në pushtet, e cila parapëlqente ta quante veten parti (por që organizohej e funksiononte më shumë si urdhër kalorsiak ose religjioz).

Këtyre strukturave u përgjigjeshin një numër i madh praktikash e kategorish të jetës sociale e të veprimtarive publike, të cilat ndryshe nga strukturat vetë përfshinin një numër të madh qytetarësh: formë (edukimi), mbledhje mësimore, tufëzim, kolektivizim, libër shtëpie, dydynymëshi, oborri kooperativist, hap toka të reja, zbres në bazë (në terren), brumos, çetë vullnetare, çetë pionierësh, revolucionarizim, rishikim i dokumenteve, mbrëmje tematiko-dëfrimi, mbledhje mësimore, leje krijuese, qarkullimi i kuadrit, punë fizike, aksion (me goditje të përqendruar), centralizëm (demokratik), boshti ideologjik, trekëndëshi revolucionar (mësim, punë prodhuese, kalitje fizike dhe ushtarake), partishmëri, militantizëm, frymë revolucionare e kështu me radhë. Terma e shprehje si ideshmëri, kauzë, edukim ideopolitik, përmbajtja ideore, interesi i përgjithshëm, autokritikë, metoda e bindjes, tabani kombëtar, shtrëngatë revolucionare, tendenciozitet klasor, metoda e shtrëngimit, punë sqaruese, botëkuptimi marksist-leninist, metodë revolucionare, revolucionarizimi (i mëtejshëm) i jetës së vendit, repart i klasës punëtore, etj. lidheshin më tepër me ideologjinë e me metodën e punës në terren, ndërsa shprehje të tjera si shembulli i të përparuarve, emulacion, masivitet, masivizim, llogaridhënie, mësimet e Partisë, uniteti Parti-Popull, porositë e Partisë, riedukim, stafeta e revolucionit, shëndetësia popullore, mendimi krijues i masave, vetedukim, pasaportizim, ora politike, vetëmbrojtja popullore, punë vullnetare, kishin të bënin me burokratizimin e jetës publike.

Një grup terminologjik më vete përfaqësonin dokumentet karakteristike për kohën: triskë (fronti), teserë (partie), fletë-hyrje, fletë-rrufe. Të tjera shprehje kishin të bënin me praktikën e vëzhgimit të jetës private, ose të “qëndrimit” të njerëzve, të cilët sipas rastit kishin nga një dosje në organet e Sigurimit, ose një karakteristikë në zyrën e Kuadrit, ku u analizohej sidomos prejardhja shoqërore, por edhe u arkivoheshin vërejtjet me shënim në biografi ose, për komunistët, vërejtjet me shënim në kartë të regjistrimit.

Totalitarizmi riprodhohej nëpërmjet angazhimit të masave në veprimtari sociale frenetike, shumica e të cilave kishin natyrë rituale: mbledhje e kolektivit, mbledhje e lagjes, mbledhje e bllokut, mbledhje rinie, mbledhje e organizatës, mbledhje partie. Përkundrazi, veprimtaritë artistike e sportive masive e ruanin njëfarë përmbajtjeje, sado të politizuar: dekada (e majit), koncertet e majit, olimpiada (e teatrove amatore), spartakiada, manifestimi.

Veprimtaria politike e shtetit totalitar, në të gjitha aspektet e jetës sociale: në punë, në shkollë e në shtëpi, nuk mund të realizohej veçse nëpërmjet njerëzve të cilët i përkushtoheshin, mbi bazë profesionale ose vullnetare; e të cilët kundërshenjoheshin nga emërtimet përkatëse: sulmues, stakanovist, racionalizator, punonjës pararojë, hero i punës socialiste, kandidat partie, mësues i popullit, artist i merituar, qitës i dalluar, aksionist, sulmues, masovik, operativi (i lagjes), agjitator, propagandist, ndërtues (i veprave të pesëvjeçarit), shef kuadri, udhëheqëse çete, komisar, kryetarja e Gruas, sekretari i Rinisë, ndihmësgjyqtar, aktivist, korrespondent vullnetar, kryetari i Frontit, kryetari i Lagjes, sekretari i parë, i deleguari i Komitetit, shefi i degës, brigadieri (i kooperativës), i dërguari i posaçëm, komandant çete. Siç ndodh rëndom në raste të tilla, individët ashtu të emërtuar do të vinin duke u identifikuar me rolin e tyre, sidomos në sytë dhe në ligjërimin e publikut, deri në atë pikë sa identifikimin ta besonin edhe ata vetë; meqë pikërisht roli ishte faktori themelor ndërmjetësues i pjesëmarrjes së individit në procesin historik të ndërtimit të socializmit dhe vetëdijësimit të “masave punonjëse”; ose ndërfytyra (interface) e individit me pushtetin si forcë promovuese e revolucionit social dhe e luftës së klasave.

Po këtu mund të përmenden edhe emërtimet e klasave, të kategorive e të shtresave të cilat përbënin shoqërinë, sipas vizionit marksist: fshatarësia punonjëse (kooperativiste), klasa punëtore, klasat e përmbysura, rinia antifashiste, brezi i ri, inteligencia, fshatarët e pasur, të lëkundurit, nacionalistët e ndershëm, zanatçinjtë, kulakët, armiqtë e klasës, borgjezia, afendikoi, tregtarët e vegjël, çifligarët, kolaboracionistët; ose të grup-moshave të shkollarëve: yllkat, debatikasit, fatosët, pionierët (e Enverit). Si fëmijë, misioni yt natyral ishe të rriteshe, të respektoje prindërit, të luaje me shokët e të mësoje në shkollë; por si fatos, të duhej të përgatiteshe për t’u bërë pionier (i Enverit), e kështu me radhë. Po ashtu, dikush që kategorizohej si kulak në aktet zyrtare e kish pak a shumë të vulosur fatin e vet në shoqëri, i destinuar siç ishte të mbetej në hije, ai dhe fëmijët e tij. Emërtimi ishte edhe e sidomos gjykim.

Përtej aspektit thjesht politik, ose pjesëmarrjes në riprodhimin e marrëdhënieve të pushtetit politik dhe ekonomik, edhe jeta sociale e përditshme, në krejt banalitetin e saj, mbetej e përshkuar nga elemente kthjelltësisht të ngjyrosura politikisht, sikurse duket edhe nga terma të tillë si dhoma e Partisë, këndi i kuq, kinoditari, stemat, fletëlavdërimet, tabela e nderit, gazeta e murit, që shenjonin vende të posaçme për komunikim me publikun, ose të tjerë terma si gjellëtore, mëngjesore, konsultore, dispanseri, turizmi (në kuptimin “hotel”), shtëpi e fëmijës, shtëpi e pritjes, radioamatorizëm, SMT, kooperativë e tipit të lartë, dyqan artikujsh të përzier, (shitëse) solidare, baza (e luftës nacional-çlirimtare), shall pionieri, shall aksionisti, ndërtim-gjelbërimi, punë me metal, rrobe të gatshme, bazë materiale, kamp pushimi, kamp punëtorësh, etj., të cilët njëfarësoj lidheshin me forma specifike të së përditshmes totalitare. Mjaft të kujtoj edhe një term si salét, i cili i referohej një dhomë të posaçme në hotelet turistike të provincës, ku shkonin për të drekuar e darkuar kuadrot e partisë e të pushtetit në rreth; e ku priteshin mysafirët e shquar nga Tirana. Të haje e të pije në salét ishte privilegj e shenjë e të qenit në krye.

Depërtimi i zhargonit teknik në ligjërimin publik krahas me ritualizimin mbytës të jetës sociale, ia dhanë edhe shqipes totalitare natyrën e një langue de bois, siç është quajtur dikur rusishtja sovjetike. Termat që u referoheshin institucioneve, strukturave dhe praktikave totalitare ndihmonin kështu për politizimin e mëtejshëm të së përditshmes, duke përforcuar përshtypjen se jeta në Shqipërinë socialiste nuk ishte asgjë më tepër sesa pjesëmarrje e gjithanshme dhe e vetëdijshme në procesin politik të riprodhimit të totalitarizmit vetë.

6 Komente

  1. Xhaxhai, prurja eshte shume shume interesante. Mendoj se nje nga pikat kryesore per tu shtjelluar me tej do te ishte angazhimi i individeve brenda statusit qe i ngarkohej “nga lart”. Si perceptohej, si zhvillohej, si tejkalohej roli gjate diktatures. Pershendetje. Arber Shtembari.

    1. Falemnderit! Me këtë rast, dua të njoftoj të interesuarit se libri im “Shqipja Totalitare”, botuar nga Çabej në kolanën Excipere nën kujdesin e Ledi Shamku-Shkrelit, ka dalë nga shtypi tashmë dhe do të prezantohet në Panairin e Librit në Tiranë. Një pjesë e librit mbështetet në materiale të diskutuara në blog, por një pjesë tjetër është e pabotuar.

        1. Falemnderit! ShT nuk ka natyrë akademike, por e kam pajisur studimin me një aparat teorik të domosdoshëm, si dhe kam shfrytëzuar disa studime të njohura që i janë bërë rusishtes dhe kulturës sovjetike në vitet e Stalinit dhe të Brezhnjevit (për shqipen të tilla pothuajse nuk ekzistojnë). Panairi i Librit është dikur këtë muaj, por nuk e di me saktësi kur.

  2. XhaXhait, shume urime dhe suksese!!
    Ndoshta, nderkaq e keni mesuar, por, Panairi i librit ne Tirane, hapet nga data 12-16 Nentor,2009.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: