IRONIA E HISTORISË

nga Arbër Zaimi

Historia është shakaxheshë. Më së shumti bën shaka me shpirtrat e bukur e romantikë të liberalëve. Janë të famshme, për fatin e keq të popujve, ironi të tilla historike me protagonistë Woodrow Wilsonin e Neville Chamberlainin. I pari, presidenti amerikan, në 1914 thoshte se Lufta e Madhe do të ishte lufta që do i jepte fund gjithë luftërave. Më pas kjo luftë u njoh si e Para Botërore, që shumë shpejt i hapi rrugë të Dytës, e prej atëherë si zakonisht rrallëherë ka patur ndonjëherë paqe globi. I dyti, kryeministri anglez, në 1938, pasi u kthye nga Berlini, thoshte se Britania kishte nënshkruar me Gjermaninë një paqe. Paqe i thënçin.

Këto ditë, sërish për fat të keq të popujve, historia luajti edhe një herë rreng për një shpirt të bukur. Shumëkujt prej atyre që ndjekin politikën ndërkombëtare, i duket fort ironik fakti se presidenti i sapolarguar i Afganistanit, Ashraf Ghani, në vitin 2012 kishte shkruar një artikull këshillues me subjektin: si të zhvillohet tranzicion i suksesshëm e paqësor i pushtetit në Siri pas rënies së Asadit. Ironik dyfish, se as Bashar al Asadi nuk u rrëzua e nuk pati nevojë për tranzicion, e as Ghani nuk na doli ekspert aq i madh sa mbahej, teksa vetë gjeti fatin që mendonte se do i ndodhte Asadit. Jo vetëm që Ghani ka gabuar me 180 gradë shënjestrën në lidhje me Sirinë e me Asadin, por del se hiç më afër shenjës nuk ka qenë as në raport me një realitet më të afërt, me Afganistanin e tij ku ai ishte president.

«Shpirti i bukur» (schöne seele) është koncept që përdor Hegeli në Fenomenologjinë e tij boll të njohur por pak të lexuar. Për filozofin gjerman shpirti i bukur është ai që konfuzionin a frikërat e veta të brendshme ia mvesh botës së jashtme, pra e kupton dhe e shpjegon përmes paqartësive të veta, dhe pastaj përpiqet të sqarojë konfuzionin që i duket se ka bota por që në fakt është i veti, duke u imponuar të tjerëve «ligjin e zemrës», apo duke nxitur të tjerët të mos kenë frikë (nga frika që në fakt është e vetja). Prognoza që u ofron shpirti i bukur të tjerëve, pasi që e ka ndritur me diagnozën, thuajse gjithnjë është: të «ndjekin zemrën». Pra dëgjoni zemrën, mëshironi, dashuroni, guxoni, bëni më të mirën… Patetizëm që e njohim mirë, tash që rrjetet sociale na i sjellin shpirtrat e bukur përditë para syve tanë publikë, në garën e tyre për të fituar vëmendje e pëlqim.

E pra, Ghani nuk ishte ndonjë mendjetrashë i padijshëm, por një prej politikanëve të konsideruar inteligjentë e me kulturë të lartë, edhe në nivel ndërkombëtar. I arsimuar në universitetet më të mira të SHBA, më pas i angazhuar si profesor po aty për dekada me radhë. Këshilltar e zyrtar i lartë në organizma të Kombeve të Bashkuara e të Bankës Botërore. Një teknokrat i mirëfilltë. Pse ra pushteti e projekti i tij përballë një force që konsiderohet e errët e mesjetare, për vlerat e praktikat që tregon?

Nëse analizojmë, siç po bëhet rëndom, se Afganistani ra për shkak të korrupsionit shtetëror, atëherë jemi duke bërë një analizë prej «shpirti të bukur». Konfuzionin e frikërat tona të brendshme, po ia mveshim botës. Jo vetëm që Ashraf Ghani mbahet si një ndër të rrallët udhëheqës të atij rajoni që nuk është korruptuar, përkundrazi vazhdimisht ka bërë përpjekje politike për të zvogëluar korrupsionin, por nga ana tjetër, korrupsion ka e ka patur edhe te talebanët që e zëvendësuan. Madje edhe te amerikanët, edhe në shtete të tjera, në lindje e në perëndim, ku më pak e ku më shumë, ku haptazi ku fshehurazi. Nuk vendosën 300.000 ushtarët e ushtrisë afgane dhe miliona qytetarë të rrinë pasivë përballë sulmit taleban, për shkak se qeveria e Ghanit ishte e korruptuar – në fakt ajo dallonte prej të tjerave si më pak e korruptuara.

Shpjegimi i dështimit përmes korrupsionit dhe përgjithësisht reduktimi i politikës në luftë kundër korrupsionit është tipik për liberalët. Është edhe pjesë e ideologjisë neoliberale. Kjo e fundit mëton të jetë «alternativa e vetme», siç thoshte dikur Thatcher. Por nëse ka veçse një alternativë, atëherë gjithë përballja politike reduktohet në administrativizëm, gjithë demokracia reduktohet në teknokraci, skenarë të algoritmizuar, brenda një rrafshi gjithnjë të paracaktuar e të përkufizuar prej fuqish jopolitike (tregu, paraja). Konkurrenca e debati mes ideve e përfytyrimeve të ndryshme zhduket, dhe zëvendësohet nga spektakli medial i «luftës kundër korrupsionit», spektakël që si përbindësh i pangopur, vazhdimisht kërkon t´i serviren fytyra të reja teknokratësh pa pikëpyetje qenësore për sistemin, të cilët herët a vonë e humbasin edhe luftën dhe fytyrën, konsumohen, e flaken tej.

Shtojmë se, nuk mund të shpjegohet rënia e Afganistanit në duar të talebanëve për shkak të dështimit në ndërtim të institucioneve shtetërore, si psh. ushtria. Jo, në 20 vite me radhë, nën patronazhin e NATO-s e sidomos të SHBA-ve, u ndërtua një ushtri me 300.000 forca, gati katër herë më e madhe në numër se ajo e talebanëve, dhe sigurisht shumë më profesionale dhe më e pajisur. Po ashtu, edhe institucionet e tjera qeveritare, të cilat për dy dekada kanë përfituar financim dhe trajnim nga vende perëndimore. Nuk kanë munguar as institucionet joqeveritare, OJQ-të, përkundrazi këto janë shumuar si kërpudhat pas shiut menjëherë pas hyrjes së forcave aleate, e për 20 vite me radhë në to kanë punuar shërbyes të informuar nga e gjithë bota. As bursat për të rinjtë në universitetet e mira perëndimore nuk kanë munguar.

E megjithatë ja ku po shohim se qindra mijëra ushtarë afganë të paguar, trajnuar e armatosur mirë nga perëndimorët, fshehurazi paskan pritur vetëm ikjen e tyre, për të dorëzuar armët e disa edhe për t´u bashkuar me talebanët. Me institucionet e tjera po ndodh i njëjti fenomen që Ghani këshillonte të bëhej në Siri pasi të rrëzohej Asadi. Ghani thoshte se duhet gjetur mënyra se si të vazhdojnë institucionet e Asadit pa Asadin, dhe bashkëpunëtorët e Asadit duhet të rekrutoheshin nga perëndimi. Këtë mësim (të lashtë, duhet nënvizuar), e ditkan fort mirë talebanët e pashkolluar në Amerikë, të cilët suksesshëm po rekrutojnë e po integrojnë në «sistemin» e tyre një pjesë të mirë të institucioneve dikur të drejtuara nga Ghani.

Sa për OJQ-të, ato kanë mbetur në mëshirë të fatit. Në respekt të njerëzores urojmë të mos u ndodhë gjë stafeve të tyre – një pjesë e tyre do të tërhiqen prej andej, si bashkëpunëtorë jozyrtarë të shërbimeve e ushtrive perëndimore – por me siguri që qeveria talebane nuk do të dërgojë më fonde tek ta, së paku jo pa ndryshuar agjendë e qëndrime. E nëse do të lejohen të marrin fonde prej jashtë, do të jenë vazhdimisht të dyshuar. Keq kanë mbetur edhe bursistët e universiteteve të huaja, teksa lexoj se vende të ndryshme që kanë akorduar bursat, tani nuk po akordojnë më as viza për ta.

Pse pra dështoi Ghani, dhe i gjithë procesi ndërkombëtar që ai përfaqësonte e që ishte shumë më i madh se vetë Ashrafi? Ç´mund të jetë, nëse jo thjesht për shkak të korrupsionit apo për shkak të dështimit në investim e ndërtim institucionesh?

Pa u zgjatur shumë në shtjellime teorike që ky argument i meriton, por këtu nuk është vendi, përgjigjja ime është kjo: botëkuptimi liberal nuk mund të ndërtojë shtet.

Nëse bëjmë një ndarje në vija të trasha të botëkuptimeve në konservatore, sociale dhe liberale, cilat janë idetë e tyre frymëzuese? Me çka i thërrasin ato njerëzit që të bëhen pjesë e historisë? Konservatorët përdorin fuqinë e madhe të traditës e të kulturës. Përballë një kapitali që mëton të bëhet gjithnjë e më i rrjedhshëm, i lëvizshëm, e i pakapshëm, strukturat shoqërore rrezikojnë të zhbëhen sa hap e mbyll sytë. Kombi, feja, gjinia, klasa, raca, familja, vetë të qenit njeri, pra çdo gjë «e shenjtëruar» bëhet e këmbyeshme në një realitet hipertregtar, ku sendi në vetvete humb vlerë, teksa vlera krijohet prej lëvizjes së pandalshme e të shpejtë të kapitalit. Pra vlerë prej mobilitetit, jo prej sendit, qoftë sendi dhe njeri. Ideologjia neoliberale dhe postmodernizmi si logjikë kulturore e saj, prodhon si gjendje të përhershme të qenit «in between», në tranzicion, as andej as këndej. E në situatë të tillë, vetëm për liberalët është e pakuptueshme se pse mobilizon aq shumë projekti konservator për ruajtje të traditës (psh. pse të varfrit votuan Trumpin, BrExit-in etj.). Në botëkuptimin e majtë, social, socialist apo socialdemokrat, ideja që frymëzon njerëzit është ajo e luftës kundër pabarazive. Teksa sigurisht, dihet që barazia tërësore nuk është e arritshme dhe as e dëshiruar, dekadat e sundimit neoliberal kanë prodhuar pabarazi ekstreme. Një futbollist i famshëm paguhet për një vit aq sa do të mjaftonte për të evakuuar 10.000 afganë nga ata që i shohim tek varen fatkeq në rrotat e aeroplanëve që nisen prej Kabulit. Pesë persona privatë zotërojnë më shumë pasuri, pra edhe pushtet, se gjysma e banorëve të botës mbledhur së bashku. Pabarazia e tillë përthyen çdo ligj. Tajkunët e pasur blejnë media e rrjete sociale, pra blejnë të drejtën e fjalës. Blejnë think-tanke e institute, pra blejnë të drejtën për të pasur të drejtë. Blejnë të drejtën për të hyrë në jetët private të njerëzve të thjeshtë, duke u imponuar atyre shije e sjellje, me mjete të zhvilluara nga shkencëtarë të blerë (ndonjëherë duke i lënë të besojnë se vendimin e marrin vetë – shih “nudge theory”). Në situatë të tillë, vetëm për liberalët është e pakuptueshme se pse frymëzon e majta, me luftën e saj kundër pabarazisë (që është edhe luftë për rishpërndarje sovraniteti, e jo vetëm për rishpërndarje të ardhurash)

Cili është projekti me të cilin liberalët synojnë të joshin masat? Asnjë. Liberalët nuk kanë as respekt e as dëshirë për masat. Pikërisht për këtë arsye Marcuse mendonte se fashizmi në radhë të parë është pjellë e mendimit liberal. Mark Fisher në librin e tij Capitalist Realism e quan neoliberalizmin «stalinizëm të tregut». Porsi stalinizmi, neoliberalizmi pretendon se çdo ekonomi politike tjetër, përveç vetë asaj, është më e keqe, pra e pavlefshme – në thelb neoliberalizmi është monist. Siç mbështetet stalinizmi te burokratët, ashtu edhe neoliberalizmi, vetëm se ky i fundit i quan teknokratë. Këta nuk janë të zgjedhur, por të emëruar, dhe kanë më shumë pushtet e jetëgjatësi se çdo politikan i zgjedhur. A nuk janë sot CEO-të shumë më të fuqishëm se pronarët, teksa indeksimi i kompanive në bursë bën pronar këdo, por teksa krijon miliona pronarë aksionesh të vogla, zhbën vetë institucionin e pronarit dhe ngre atë të menaxherit e të bordeve? Ngjashmëri tjetër markante është se këta teknokratë bordesh vlerësojnë, vënë nota, për kompanitë, për tregjet, për produktet, për hotelet, për sistemet gjyqësore, për lirinë e fjalës, për restorantet, madje edhe për vetë shtetet. U ulet e u ngrihet nota shteteve, nëse sillen mirë. Çfarë prodhon ky sistem me theksin te nota? Të njëjtin fenomen që prodhohet te sistemet arsimore kur theksohet e njëjta: kemi fëmijë që nuk janë të interesuar për dijen por për notën, dhe nisin të bëjnë hile. Ashtu edhe shtetet. Fiksimi me notën është fiksim për t´u dukur mirë. Si ishte ajo shakaja sovjetike? Ne bëjmë sikur punojmë, ata bëjnë sikur paguajnë. Edhe këtë lojë, me “bëjmë sikur”, talebanët e kanë kuptuar. Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, teksa priste zyrtarisht në kinë Mulla Abdul Ghani Baradarin në fund të korrikut i jepte atij porosinë se talebanët duhet të investojnë më shumë në imazhin e tyre ndërkombëtar. Dhe deklaratat e para të talebanëve pas marrjes së pushtetit duket se janë pikërisht kështu: askujt nuk i rrezikohet prona, askujt nuk i rrezikohet jeta, ne nuk jemi përbindësha. Lojën për imazh dinë ta luajnë të gjithë, e luante edhe qeveria e shkuar e Afganistanit. Por, ashtu siç talebanët nuk bëjnë dot demokraci që respekton të drejtat e njeriut me “bëjmë sikur”, as liberalët si Ghani nuk ndërtojnë dot shtet me taktika marketingu.

Një projekt që liberalët e kanë përdorur për të mobilizuar masat, ka qenë ai i demokracisë. Por pabarazia e madhe e përmendur më sipër, nuk lejon hapësirë për öffentlichkeit-in habermasian. Nuk ka një terren të përbashkët ku njeriu i zakonshëm të mund të ballafaqojë ide e qëndrime me miliarderin, me gjeneralin, me ambasadorin, me presidentin e një superfuqie. Kjo pabarazi prodhon një hendek aq të madh, sa që ata që gjenden në dy anët e hendekut, jo vetëm që nuk diskutojnë dot me njëri-tjetrin për të marrë vendime të përbashkëta, por as nuk e marrin dot vesh njëri-tjetrin, madje as nuk e luftojnë dot njëri-tjetrin – siç pamë në Afganistan – sepse hendeku mes tyre është hendek mes teknologjish që nuk i përkasin më së njëjtës epoke.

Është pikërisht pabarazia ekstreme, shtuar me individualizmin që promovohet si vlerë e çmuar, ajo që pamundëson ndjenjën e përkatësisë në një bashkësi, pamundëson atë që quhet në gjuhë ushtarake «esprit de corps». Kjo i mungonte ushtrisë e institucioneve afgane. Sado të pajisura e të mirëinvestuara, ato ishin si gjymtyrë të cilat edhe pse në vetvete të forta e të shëndosha, nuk mund t´i bashkosh në tavolinën e kirurgut për të krijuar një trup të gjallë.

Kjo pra, fryma kolektive, ajo që lëviz historinë, është sekreti. Nuk ka asgjë mistike në të, ajo është krejt racionale. Thjesht liberalët nuk e kuptojnë dot, sepse nuk përputhet me racionalitetin individualist. Por historia i kupton ata, ndaj u bën shakara.

 

(c) 2021, Arbër Zaimi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Rreth Autorit

Arbër Zaimi është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka studiuar Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, dhe është lexues i etshëm i filozofisë. Përkthyes, publicist, i interesuar ndër të tjera për kapacitetet emancipuese e kritike, në politikë e kulturë. Jeton në Tiranë e Prishtinë.

Author Archive Page

1 Koment

  1. Analize e mrekullueshme e gjendjes se Afganistanit kjo e Arber Zaimit! Larg shume gjerave skematike dhe shpjegimeve naive qe jepen keto dite edhe nga gazetare te njohur ne bote. Me pelqen sidomos fokusi kritik i Z. ne simplicitetin e korupsionit lokal si shkak baze i deshtimit amerikan e perendimor.
    Por menyra se si formohet ajo ndjenja e kolektivitetit (qe per mua eshte politik aq sa edhe kulturor si proces, sido qe Arberi e perjashton faktorin e fundit), levizja pertej respektit te stermadh ndaj individit ne emer te grupit, ndjenjes se te perkiturit ne ideale komunitare dhe perfshirjes ne levizje ne emer te se ardhmes se gjithe shoqerise, jane pa pergjigje. Jane aq te veshtira te realizohen praktikisht keto ide, pa rene ne hone te erreta te atyre qe me pare e provuan ate rruge ferri.

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: