XHUPI I AZEMIT

nga A.A.B.

Vera e sivjetshme mbaroi. Bashkë me rënien e gjetheve të para, në Tiranën diskursive ka filluar përsëri prodhimi i salsiçeve. Habi të pazakontë bën fakti që vendin e nderit mes ‘eventeve’ që përurojnë fillimin e sezonit të ri ia kishin taksur përvjetorit të 20-të të vdekjes së Azem Hajdarit. Lëmë për njëherë tjetër shqyrtimin e ndjenjës morbide që shtyn elitat shqiptare të 2018-s drejt festimit të vdekjeve të ndryshme (të mos harrojmë këtu Yllin e Mëngjesit, Gjergjin tonë) dhe ndalemi pak tek Hajdari, i cili është zgjedhje kureshtare për një ceremoni përkujtimore të profilit të lartë.

Diskutimi i jetës apo rolit historik të deputetit Hajdari gjatë viteve të tranzicionit shqiptar nuk ka rëndësi për këtë tekst; do të kufizohemi tek përdorimi i tij politik dhe kulturor në ditët e sotme. Vëmendjen drejt kësaj teme ma tërhoqi këmbëngulja tinëzare e disa mediave televizive, gjatë gjithë këtyre ditëve, për ta sfumuar njëfarësoj atentatin e mirënjohur të shtatorit ’98, përgjegjës për vrasjen në fjalë, me mantra-n televizive “vdekja e Azem Hajdarit”. Pse, lind pyetja, ekziston nevoja që të krijohet një narrativë e re publike që e largon syrin publik nga rrethanat specifike të vdekjes së A. Hajdarit? Vështirë se e përligj ndonjë teori konspirative, paçka se do të ketë gjithmonë vullnetarë për t’i parashtruar publikisht.

Jo, për mua kjo ka të bëjë me një restaurim, po të më lejohet zgjedhja e kësaj foljeje, të Hajdarit. Dikush, diku ka vendosur që personazhi Azem Hajdari, i thirrur drejt e nga paradhoma e historisë, mund të jetë i dobishëm. Kjo dobishmëri mund të jetë për opozitën, pozitën ose ata ndërmjet. Pak rëndësi ka. Thelbësore është që A. Hajdari është personazh deri diku i njohur dhe, në formë të filtruar, mëse i pranueshëm për sensibilitetet politike të pushtetit sot. Për më tepër, ekziston dhe mundësia që një eksperiment i tillë i ndërhyrjeve restauruese jo vetëm në objekte, por edhe në figura historike, të jetë një sukses. Vdekja e Hajdarit, duke qenë tipari më kontroversial i figurës së tij, duhet të jetë dhe nga elementët e parë biografikë që largohen.

The powers that be, për çfarëdo arsyeje, dëshirojnë t’ia dhurojnë Azem Hajdarin lëmit socio-kulturor të mit-krijimit[1] bashkëkohor. I ndjeri ka kohë[2] tanimë që po zhvishet—ngadalë, por me kujdes—nga ngarkesa e tij konkrete ideologjike, brenda dhe jashtë formacionit politik tek i cili bënte pjesë, në favor të një anti-komunizmi të përgjithshëm e shumë herë më i përtypshëm nga publiku—që vetë-identifikohet gjithnjë e më shumë se i tillë, në dëm të të qenit elektorat—i sotëm.

Për sa i takon mit-bërjes—shpresoj të falet një digresion i shkurtër ilustrues —mbaj mend të kem dëgjuar me një lloj tronditjeje një pedagog timin të historisë urbane që na shpjegonte, gjatë një leksioni jashtë klase, sesi monumenti në qendër të place de la Concorde në Paris ishte zgjedhur pikërisht sepse nuk mbartte kurrfarë kuptimi në sytë e publikut urban që e sodiste përditë. Obelisku i Luksorit, dhuratë e Mehmet Ali Pashait për Luigj-Filipin dhe jo kujtim i ndonjë aventure të harruar koloniale, siç pandehin ca, gjendet aty ku është pikërisht për të shkarkuar ngarkesën që mbart sheshi.

Sa për të shmangur ndonjë keqkomunikim të mundshëm, sqaroj se Concorde-i ishte kaq i rëndësishëm pikërisht sepse ishte bujtar i gijotinës në Paris gjatë Terrorit, vendi ku iu pre koka Luigjit XVI dhe Maria-Antuanetës, njëlloj si Dantonit, Sën-Zhystit e Robespierit—emblemë gjakatare e Revolucionit. Menjëherë pas rikthimit të Burbonëve në 1815-n, u hartua një plan dritëshkurtër për ta kthyer të gjithë sheshin në një memorial për mbretin e vrarë, që kish për të shkaktuar një përmbysje të re shoqërore dhe një shndërrim tjetër të sheshit, e që u braktis shpejt.

Zgjidhja, elegante por eurocentrike, u gjet tek obelisku në fjalë, dhuruar në çastin e fundit Francës në shkëmbim të një sahati për kullën e orës të xhamisë së Mehmet Aliut në Kajro. Le Roi-citoyen, në këtë mënyrë zhvendoste vëmendjen e shtetasve të tij, të njohur për politizim të skajshëm, drejt lëndinave më të gjelbra e më ndjellëse të imperializmit kolonial. Fun fact: brenda tridhjetë vjetësh, financat egjiptiane do të ishin nën kontrollin e europianëve dhe vetë Egjipti shpejt do të bëhej protektorat britanik.

Për ta thënë më konkretisht, por pa hyrë në hollësitë e Barthes-it, mit-bërja është një proces ideologjizues. Metoda tipike e funksionimit të saj është kjo: merret një filan gjë, zakonisht me receptivitet mjaft të gjerë dhe njëfarësoj abstrakte—pra, ose fillimisht abstrakte, ose e nxjerrë nga konteksti aq sa të lexohet si abstrakte nga audienca e saj—dhe rifutet në ligjërim brenda një konteksti të ri kuptimor. Ky riciklim semantik, po të jemi pak dorëlëshuar në përdorimin e termave, i jep një figurave apo koncepteve të njohura një ngjyrë të re apo një interpretim krejt të ri. Shembull drastik vendas i tij mund është rishpikja e konceptit të kapitalizmit për publikun shqiptar mes viteve, të themi, 1989 e 1992-3.

I pafajshëm në dukje, fenomeni shërben për të modifikuar botë-vështrimin dhe bindjet e publikut me qëllim shtyrjen e tij drejt disa zgjedhjeve të paracaktuara. Një palë konstrukte socio-kulturore zëvendësohen me një palë të dytë, as më pak e as më shumë të vlefshme nga të parat. Në kontekstin origjinal, atë të reklamave, të cilin Barthes-i e trajton gjerësisht, mit-bërja nuk është veçanërisht problematike: ajo shtyn njerëzit të blejnë disa mallra dhe shërbime në vend të disa të disa të tjerave, e shumta mund të kushtëzojë një refleks ‘kapitalist’ tek audienca. Në një kontekst shtetëror-politik, ama, mund të jetë potencialisht katastrofike, që është pikërisht dhe makthi i përshkruar prej Orwell-it te 1984-a.

Për t’u rikthyer në shtjellën kryesore të diskutimit, një qasje e ngjashme po përdoret në shugurimin e Azem Hajdarit në Valhallën kombëtare, e cila, duke qenë se është themeluar për së dyti pas rënies së diktaturës, mbetet ende ca bosh. Këtë e them pa i hyrë në hak viktimave të regjimit hoxhaist, dëshmorëve të atdheut dhe heronjve të rizbuluar të “para-Luftës” që janë pasaportizuar në historinë e Shqipërisë nga viti 1991 e pas. Këta të dytët, sidomos, kanë një zakon të keq të anojnë më tepër nga mjegullinat historike të Shqipërisë[3] mesjetare dhe otomane e janë ca më të vështirë për t’u sjellë në binarë zyrtarë.

Kështu, figura e Hajdarit, si figurë dhe jo si personazh i viteve ’90, relativisht e afërt në kohë, me jehona të shumta e të kapshme populiste, është i ardhur sikur me porosi për në Panteonin e rralluar kombëtar[4]. E fshehur pas brerores e “udhëheqësit të Lëvizjes Studentore” të dhjetorit ’90, përshkrim evokues por i vagullt, për të mos thënë i pakuptimtë, figura Azem Hajdari vjen herën e dytë në vetëm dy dimensione: hajmali politike, shenjt mbrojtës dhe Matteotti i Partisë Demokratike së demoralizuar dhe demoralizuese; njëkohësisht mishërimi simbolik i çastit epokal të ‘rrëzimit’ të diktaturës, i ngrirë përjetësisht me azot, njëlloj siç janë ngrirë ‘dhjetoristët’ në jetën publike të vendit.

Për ceremoninë zyrtare të kanonizimit ishte zgjedhur mbledhja pompoze përkujtimore, e cila, për habi, qe pagëzuar simpozium, mbajtur në hotel “The Plaza Tirana” pa pikën e auto-ironisë—apo vetëdijes—prej organizuesve. Katallanët e politikës së sotme në Shqipëri, shokë shkolle dhe ‘dhjetoristë’ që të gjithë, po të besojmë lajmet, u grumbulluan atje për t’u takuar faqe popullit televiziv, bërë qokat e rastit me gravitas-in që i karakterizon dhe ndarë kujtime me njëri-tjetrin. Duke qenë se, për nga vetë natyra dhe folësit e zgjedhur, raste të këtilla janë solemne, por masturbatore, nuk i ndoqa fjalimet.

Para se të ndërroja kanal, objektivi i kamerës shkau pak çaste mbi objektet që përbënin ekspozitën që shoqëronte simpoziumin: sende vetjake të Azem Hajdarit, të huazuara nga familja për rastin, ma do mendja. Aty, midis tyre, mbyllur në një kuti xhami, e sterilizuar, një xhup i zi lëkure. Më vonë lexoj, në mbulimin entuziast që i është bërë ‘simpoziumit’, që është i atyre ditëve: dëshmi tamam legjendare e atij dhjetori me erë e me suferinë, copëz e prekshme historie, e me gjasë ekspozitë e ardhshme e ndonjë eksperience interaktive muzeale të ardhshme, a kush-e-di ç’dreqin do të qullosin deri atëherë.

Por, përtej këtyre leximeve, të cilat janë në njëfarë kuptimi të autorizuara, vura rë edhe një metaforë, ndoshta aksidentale, por të kuruar plot dashuri: një xhup të shëmtuar, të rrudhur e të vjetër, një xhup të zi, që ka për detyrë të qelbet era skamje dhe diktaturë, edhe që matanë xhamit; por, mbi të gjitha, një xhup të zbrazët, veshur një këmbaleci dërrase. Ai pret që të gjithë të vihen radhë për ta parë, t’i ndalen një çast përbri, aq sa për të parë pasqyrimin e tyre mbi qelq, edhe ata veshës të xhupit, e pastaj të zhduken në rrëmetin e Tiranës, që të gjithë Azemë me veti shoqërimi.

Ja një vizion distopik për të cilin nuk ka nevojë të lodheni fare.

© 2018, autori

 


[1] Zgjedh këtë neologjizëm për t’i mëshuar kuptimit barthes-ian të procesit.  Për më tepër shiko Roland Barthes, Mythologies, Pjesa II “Le mythe, aujourd’hui”, ff. 181-233. Nyja: https://monoskop.org/images/9/9b/Barthes_Roland_Mythologies_1957.pdf

[2] Në mos u gabofsha, Hajdarit iu ngrit një shtatore e re në QS në 2012-n u rivarros në Varrezën e Dëshmorëve të Kombit në 2013-n.

[3] Emërtesë që e përdor me rezerva të forta në këtë rast.

[4] Pun intended, për fat të keq.

6 Komente

  1. Dhembeli
    Kjo parti ne fillim i veshi pardesyne e bardhe ,…me pastaj i vuri thesin ne koke ,… e dergoi edhe ne” cmendine”, …pastaj e veshi me xhupin e zi dhe qe te trimeroi te ngjajshmit, ja ruan ne eter….
    Me pelqeu ,shkrim i goditur.

  2. Sa ke humb mor derzi.Tu ka pertha damari frymzues i krijimit,shkrim i adhurueshem nder me te miret,me pikveshtrime,te llollojta,pikzuese,alarmuese per nje shoqeri,te prirur drejt idhujtarise,qe nuk perkon me realitetin!

  3. Me sa di une, (ndoshta gabimisht), Sen Zhystit nuk i eshte prere koka ne revolucionin francez, biles -nese s’gaboj serisht- ka qene nder gati te vetmit, ose te rallet, qe i shpetoi terroreve te ndryshem te ketij revolucioni.

    1. Neqoftese Wikipedia nuk genjen (me dashje, apo pa dashje) Saint- Just eshte egzekutuar ( me prerje koke ne gijotine) ne te njejten dite me Robespierre, kur ka qene vetem 26 vjeç.

  4. r.th.,

    Siç shkruan duledupicard më lart, Sën-Zhystit i është prerë koka të nesërmen e ngjarjeve të 9 Termidorit, bashkë me Robespierin e itharë të tjerë të tyre. Legjenda e do që të ketë qënë i vetmi mes të dënuarve që nuk u përpoq të vetëvritej. Rrjedhimisht, besoj se duhet të jeni ngatërruar.

    Megjithatë, udhëheqës revolucionarë nga ata ’89-s që i mbijetuan Terrorit ka patur jo pak – abatët Fushe dhe Siejes, ipeshkëv Talejrandi dhe vikont Barrasi, sa për të përmendur ata që lulëzuan nën Termidorin dhe Direktoratin. Franca, me pak përjashtime nam-mëdha (Dantoni, Demulëni), ricikloi një pjesë të madhe të protagonistëve të Revolucionit, të cilët qëndruan në jetën publike për dekada me rradhë.

  5. E vertete! Sapo e pashe tek Vikipedia, (dhe besoj qe ne keto raste vikipedia eshte e sakte), Sen Zhysti qenka denuar me vdekje. E paskam ditur gabim per vite me radhe. Biles tani po nis edhe te dyshoj nese shprehja “Me jepni nje fakt ta interpretoj ne dy menyra”, i perket ose jo Sen Zhystit. Nese ndonjeri e di sakte kush e ka thene kete shprehje, i lutem te ma sqaroje, se kam frike mos e kam ngaterruar me ndonje emer te ngjashem me te Sen Zhystit. Flm!
    T’me fali Ardiani qe dola nga tema e shkrimit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin