VIRUSI I BRONZIT

Nga Idlir Azizaj

 

                                                                     Porse në qiell e në tokë, Horac,
ndodh më shumë nga ç’tregojnë gazetat
R.
Tagore

Shprehja popullore « Çdo e keqe ka pas një të mirë pas» duket daton me vizitën e njeriut Grenell në Prishtinë. Me mishin rreth shpirtit ai përcolli in persona porosinë e madhe të D. Trump për heqjen e plotë të tarifës doganore me Serbinë. Prandaj mbeti te kjo shprehje lokale një nuancë e urdhrit të ethshëm : U bëftë dritë ! (hocus-pocus), e lëshuar kur nocioni i dritës s’ekzisonte ende, përkrah epshit të pashpjegueshëm për të.

Ungjilli i Grenellit për taksën qe veç dy gisht i shkurtër. Aq i kondensuar e i përpiktë, sa për honor njerëzit e quajtën po shkurt « Gishto Gospel ». E po aq shpejt nisën edhe interpretimet e tekstit të shenjtë, për të mos i shpëtuar manisë për këndvështrime.

Kështu lindi gëzimi i parë : se më këtë dërgatë, në rang mjekësor, urdhëresa « instruktonte » kosovarët t’i hapnin dyert hedhjes së coronavirusit Serbisë. Gaz që s’mund të mos përjetohej « në kuadrin » e magjepsjes që i shkaktoi Trumpi gjithë komunitetit mjekësor asokohe, lidhur me dijen e tij të thellë rreth virusit.

Por ky ngazëllim i shkoqitësve bashkëkohorë u shua shpejt. Me gjithë optimizmin e rastit, mbetej fakt se qasjet mjekësore janë të mënjanueshme në vise kaq legjendare. Veçanërisht në Kosovë, ku burrëria ishte vetë njëfarë virusi. Sajë tij vetë historia lokale dukej e imunizuar gjer në amshim.

Atë ditë u kuptua se virusi ndërkombëtar Covid-19 s’ish aspak aktualitet në Kosovë. Por diçka duhej gjithsesi si aktuale, si përherë e kudo. Atëherë doli nga skutat e situatës dhe lajmi për një virus tjetër që kish prekur vendin.

Historia e një gide të Muzeut historik kombëtar shpejt u përhap. Për shkak se pasoi menjëherë soditjen që i bëri Grenelli bustit të Adem Jasharit. Aspak nuk lidhej nderimi i tij emrit të myslimanizuar të plakut të lashtë Adam. Porse busti, që me gjasë përmblidhte në vete praninë (ose vetë mungesën) e familjarëve të parënë të heroit, ilustronte disi moshën gjigande 930 vjeçe që i atribuonte Bibla bashkëshortit të Evës. (Kjo e fundit, si shemër e Lilit, mbetej në histori veç si film mediokër i Joseph Loseyt.)

Por, gida e muzeut, burrë imcak, paçka se hallkë e zinxhirit të gjatë albanologjik, ishte prekur nga një virus i pazakontë. Atë ditë ai u fry, u bymye. E ndoshta për të frenuar plasjen e mundshme, lëkura iu trash, e nisi të shndërrohej në bronz.

Në fillim familjarët e tij u shastisën. Mandej të gjithë ishin dakord se kish habi në këtë shndërrim. Të gjitha pretendimet e familjes së gidës për ndonjë jetë më « madhore » ranë ; ata kërkonin veç kthimin e familjarit në normalitet. Po aq fëmijët e tij, edhe pse të infektuar nga bota e lodrave e filmave, tashmë që Netflixi ishte bërë Poseidoni i kinemasë, e refuzuan këtë baba të ri. Se i atillë as e nxite shtëpia, as mund të hynte në apartament, të sillte rrogën apo t’i vinte në gjumë.

Reagimi i pjesës tjetër të popullsisë mbetej në atë çka vetë mjekësia e emërton si « jatrizmë » : habia ishte njëlloj e madhe, porse efekti anësor, si përherë në një botë individualiste euroatlantike, nuk ishte i njëllojtë. Pluralizmi, sado i brishtë, ndante me thikë idetë dhe ndjesitë.

Kjo ngjarje flurudhë u ra vërtet në kokë familjarëve dhe mandej popullatës në përgjithësi. Autoriteti shtetëror u mundua të hapë gojë para këtij « evenimenti », por pa frut. Koha e parcelizuar e fushatës kish marrë fund. Por ndihej pafuqia ndaj prurjeve historiko-natyrore. Mbi gjithçka pllakoste argumenti i Lukrecit, që ngjarjen (evenimentin) e vinte përherë në familjen e erës. « Sepse lufta, liria, skamja e pasuria natyrën as që e cenojnë » thotë kënga e tij De rerum. Atë ditë u ndie dhe më pasuria e vobektë e politikës për zbulime dhe risi. Porse e madhe është dhe mania e skajshme e shoqërisë për sadopak përshpirtshmëri. Edhe atë ditë ajo kish trajtën e gojës së Ciceronit.

Atë ditë u shtua dhe dëshira e fshehtë kolektive për t’u lidhur me popuj të tjerë. Çka krijon e bart legjendat. Endja për mistere u rrit po aq. Dhe sërish njerëzia u kthye me fytyrë kah politika, si përherë kur enigma të tilla shfaqeshin në trup të shoqërisë. Dhe në vendet shumë të politizuara kjo ishte natyrë e dytë.

Kështu, mes boshllëqeve të shpirtit të bardhë kolektiv (ku çdo popull lë pak vend për epitafin e vet) rrodhi dhe shkoqitja tjetër e enigmës së gidës së bërë bronz : sajë peshës aktuale të LDKsë në peizazhin qeveritar – ku duhet per vias rectas të mos lulëzojnë natyrat jo të qeta – këtij shndërrimi në bronz iu gjet ana. Ai s’mund të qe veçse një formë e ere e gandizmit politik lokal. Një trashëgim i pazakontë, po gjithsesi fillrojtës i asaj rezistence kult. Kështu u shkoqit vetiu dhe enigma e përmasave ekstra të fotos një pallat e lartë e ish liderit Rugova në sheshin qendror të Prishtinës : imazhi i skalitur i njeriut në këmbë, me hapin e ngrirë, por të hedhur, sepse mbi një troll fotografik. Krejt mitologjia e errët që Roland Barthesi paskësh drejtuar doktoratën e Rugovës, përhapej assez claire në atë fotografi.

Në ndiqte këtë demarsh presidencial gida-bronz këtë s’e thoshte dot njeri sigurt. Porse nuk vihej në diskutim endja e tij nëpër qytet. Sepse ai qarkullonte e përshkonte, pa u futur dot në banesë a lokale.

Adhurimi i popullatës për të shtohej me orë. Dhe arsyeja nuk ishte legjendare, po thjesht fizike : ndryshe nga bustet e shtatoret e konsakruara të historisë, gida … djersinte. Kjo veti njerëzore e të gjallit iu përngjit modestisë së kësaj krijese të veçantë. Refuzimi i tij për të kaluar me zor sinorët olimpikë të historisë së vendit, i vuri meshkujt në punë e mund. Secili prej tyre i hyri punës. Ata mendoheshin thellë ; dhe djersa u kullonte e u lagte gishtat ; e me t’u ulur ata poshtë, ajo shndërrohej në bojë shkrimi ; e me të secili rropatej të ushqente e të mbante gjallë nga një revistë politike e konceptuale.

Por pati dhe të tjerë, të parrahur ende me universin aq bashkëkohor të konceptit. Ata i ranë më shkurt, e ia faturuan djersën e gidës-bronz sikletit që ai ndjente lidhur me qëndrimin e familjes së vet. Sepse vërtetë që familja refuzonte ta shihte babanë, birin e bashkëshortin e vet në « optikën e çështjes kombëtare » (sikundër fëmijët babanë me imazh të turbull në filmin e Woody Allenit « Decostrucing Harry »). Ata i refuzonin ato syze çuditërisht. Thjesht e merrnin ashtu si ish : madhor e shtator, i pabanesshëm, i pafutshëm dot në shtëpi.

***

Pikërisht kësi ndodhish lypin nevojën e praninë e ardhjen e një këshilltari sublim. Dhe nuk bën që arësyetorë të këtij rangu të jenë pjellë e rastësisë. Duhet të këtë për ta motiv ; e shpesh motivi (në rang pikture themi) të jenë vetë ata.

Ardhja e këtij këshilltari ndolli doemos kureshtjen e popullatës. Veçanërisht kur doli në pah dhe detaji tjetër : ai po sillte në valixhe edhe shqiponjën që kishte humbur nga Flamuri natyral. Dhe e kish gjetur atë pas kërkimesh e studimesh territori, pikërisht mes sheshit të Tiranës. Të strukur e të hutuar ndër manifestuesit e prirur nga Ilir Meta, e duke kënduar nën zë mbyturazi : I gjithë populli president ! Me siguri për kontrapunkt asaj monotonisë moniste, I gjithë populli ushtar !

Ai kishte rrugëtuar në kushte të zorshme. Porosia e pazbatuar e rilindësve e kish rënduar qiellin mes dy kufijve (Shqipëri e Kosovë) ; retë ishin errur e vrenjtur si rrjedhim ; e shiu gjym binte e fshinte dhe gërmat shqip e serbisht të tabelave të rrugëve. Në trollin e Kosovës, ku ai po shkelte me mund e me intuitë tashmë, ato germa linin poshtë grafiti që normalisht e bymejnë apo e tkurrin kuptimin e fjalës. Prandaj legjenda përmend me këtë rast një shtegtim përmasor, as me dimensione të mëdha, a të vogla, po thjesht « përmasor ». Sepse këshilltari shoqërohej dhe nga një shpurë e sajuar, ku mes tjerësh dalloheshin : Bora-Bora (ose Pora-Pora më tahitisht), Loba-Loba, Aut-Aut, Padam-Padam, Mushi-Mushi, Meli-Melo, Vende-Vende, Copë-Copë, etj.

Ky rrugëtim « demonshthurës » i këshilltarit ekzaltoi mbarë shpirtrat njerëzorë. «Madje dhe atë të Baton Haxhiut », shton legjenda. Rrallë kish ndodhur ndonjë ekskursion si ky me ngarkesa aq ornitologjike e historike e histrionike. Prandaj popullata kish dalë të këqyrte e ta priste. Sipas gazetave, që dihet se i fryjnë disi ngjarjet, kjo avitje e popullatës drejt këshilltarit jepej si një mal, i cili : « me kurrizin e fryrë si fugë/ me barkun te goja e horizontin përpjetë / shkonte drejt tij/jo për ta prekur në sedër/ veç sa ta prekë/ e për të lypur aty ndanë një fytyrë të vet ». Këtë lloj shtriqjeje duhet të ketë përfytyruar dhe gjeografi Pomponius Mela, teksa e shihte botën si një « shtazë të hapur shtatsh , vastum animalis».

Pastaj gazetat shtonin dhe detajet mbi veprën e plotë të këshilltarit. Që ishte e disponueshme krejt në facebook. Mijëra e mijëra faqe me postime nga dhjetë rreshta gëlonin anembanë hapësirës FB. E për t’i shtuar seriozitetin e gravitetin kësaj vepre, ai kish bërë kujdes të shmangte çdo varg poetik, asfare këngë.

Popullata e aviti kështu veshin nga i ardhuri. Dhe ai do fliste mirë lidhur me gidën-bronz, që edhe ai, i pabanesshëm si qe katandisur, rrinte mes turmës. Nuk ishte çudi kështu që ai e nisi me pelegrinazhin që sa kish bërë te statuja e A. Jasharit mu te lagjja e Ambasadave në Tiranë. Dhe iu drejtua direkt në trumë gidës-bronz se ky pelegrinazh i kish aftësuar shpjegimin e enigmës së tij. Të atij që ai e shihte tashmë si shenjë. Ose thjesht Shenjë.

***

Kështu u vendos të realizohej shkrirja e dy busteve të heroit, atij në Tiranë e në Kosovë. Heronjtë vetiu e lënë veten të përdoren, ndaj duhej shtuar vlera e tyre e përdorimit. U diskutua çështja e çmontimit dhe transportimit nga Tirana. Por u gjykua se shkrirja ishte e bëshme. Pasi vetë kauza ishte mëse e bëshme. E gjitha kjo justifikohej me argumentin se : shtatorja rezultante do të ndihte në « devijimin, e mandej përfshirjen brenda kësaj materieje, të të gjitha flukseve të memories kombëtare kolektive ».

Mandej këshilltari u mor nga afër me familjen e njeriut-bronz që ende refuzonte ta shihte në optikën e kërkuar « kombjare ». Biles ai u kujdes që familjes t’i ofrohej një qëndrim disa-javor reflektimi në Tiranë. Aty mori dhenë dhe dallimi thelbësor mes dy vendeve tona të një gjaku, sesi Kosova, paçka ndryshimeve politike, nuk njihte fazë tranzicioni, si ajo famëkeqja e Shqipërisë.

***

Që nga ajo ditë një virus i ri, i quajtur « virus i bronzit » zëvendësoi krejt rrezikun ndërkombëtar të Covid-19. Prania a shtatores gjigande tashmë emetonte njëlloj lënde, që me siguri lëshohej prej myshkut të bronzit. Ky hidrokarbur i bakrit ndikonte në daljen e substancave që ua bënin banorëve lëkurën e fortë, të koracuar ; por prapë me tipare njerëzore, si djersitja. Simptomë që mjekësia e quajti (për mungesë kohe) Trepçaderma.

Disa njerëz të tjerë nisën të bymehen e t’u zinte lëkura bronz. Për të mbajtur njëfarë normaliteti në jetë gida gjeti rast të vazhdonte profesionin. Ai shoqëronte njerëzit e « rinj » në rrugët e qyteteve. Që kishin të gjitha emra heronjsh e dëshmorësh. Disa prej tyre kishin lënë jetën dhe në larje hesapesh, apo në intriga të pasqaruara. Por perspektiva e viktimizimit historik i kishte qafuar të gjithë me shallin e çeliktë të jetës që është luftë.

Derisa në ditë më vonë gida nisi të lartohej dhe më. E shkonte kuturu drejt ndonjë qielli ende të panjohur. Koka orbitë i depërtonte në një Urbi, ku veç ai mund të dallonte emrat e rrugëve : Thëllëza korrozive, Kroni i plasaritur, Flija me petë bakri, e me radhë. I kësaj periudhë është dhe një hit i grupit metalar të Prishtinës, « Wagneroshat », që në difuzion radiofonik e kompensonte kështu vertikalen e gidës-bronz :

…e për ta bërë më korrekt ktë lodrim kodosh
u mvesh emri krejt në bronz
lartuar drejt qiellit, sa t’i varej përmbi ca më ndrysh,
e t’ja lëshojë një top bore për sy …

E me atë sy të « ftohtë » e detyroi ai këmos ta shihte nga lart realitetin historik. Ashtu si « sheh » atomi tabanin që do ta presë. Kështu, u kuptua dhe kyçi i urdhëresës së emisarit amerikan Grenell dhe zgjidhja e broftë financiare që i ofronte ai konfliktit historik mes Kosovës e Serbisë. Për ta thjeshtuar sa më bukur praninë amerikane në rajon, plani kërkonte që serbë e shqiptarë të hiqnin përfundimisht rasat (dhanore, kallëzore …). Ndër veti njëherë, mes veti më pas. Çka Euleksi, sajë dokumentacionit të aplikuar artificialisht në këto dy gjuhë, s’e kish mbërritur dot. Megjithatë, ky minidështim ndërkombëtar iu faturua hendeqeve të vockla të trashëguara nga plani Ahtisaari.

Ky detaj del kalimthi dhe në filmin e frymëzuar nga figura e gidës, me titull « Njeriu i bymyer në bronz ». Me këtë krijim artistik, kinemaja jonë sillte dhe një version sivëllam të filmit amerikan « Njeriu që tkurrej »*. Filmi ynë mesa duket joshi veçanërisht komunitetin serb të Kosovës. Këtë e konfirmoi ngërdheshja e partisë minoritare « Lista serbe », që e çoi më në ekstrem qëndrimin e vet politik. Duke parë virusin që kaploi banorët shqiptarë, e për t’u mos ndier pjesë e simptomës, ajo me ngulm evokoi statusin e vet si pakicë.

Asokohe dhe coronavirusi i parë marshonte pa doganë nga Hani Hotit – ardhur prej Italisë – drejt e në tokat shqipe.

© 2020, Idlir Azizaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

*Shënim : The incredible shrinking man, është film fantashkencor-horror i Jack Clayton, bazuar te novela e R. Matheson : një bashkëshort preket nga një re atomike, dhe si pasojë fillon çuditërisht e tkurret derisa bëhet një gisht.

Imazhi në kopertinë: By Agron Beqiri – Own work, CC BY-SA 3.0, https://commons.wikimedia.org/w/index.php?curid=31018908

2 Komente

  1. Çdo sport ( aq më tepër një analizë politike) ka mjetet shprehëse koresponduese që e vënë në lëvizje dhe i japin jetë. Nuk mund të shkosh për peshkim duke lënë në shtëpi grepat dhe kallamin e marrë me vehte raketat dhe topat e pingpongut. Vetëm edhe sikur ta mendosh kjo të lodh. Eksperimentet impresioniste në këtë rast jo gjithmonë sigurojnë sukses. Nuk po flas pastaj për dobinë që duhet të burojë nga çdo aktivitet sportiv. Dhe kur e krahason me mrekullinë e paraqitur disa ditë më parë nga po i njëjti autor, vërtetë njeriut i vjen keq për hendekun që i ndan.

  2. Histori e vjeter kjo qysh nga antikiteti, tek besimtaret e pershpirtme thane te habitur: mos ky lajm qiellor nuk vjen nga i Miri atje lart, por ose derguesin e kane kapur rruges djajte, ose vete i Ligu i mashtron ata duke u hequr si i Miri. Me pak me teper dije nuk kish per te mbetur puna tek siguria e derguesit, nese esht vete Hermesi, apo tjeter, nese esht Gabrieli apo Xhebraili!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin