DASHURIA PËR ATDHE ËSHTË INSTINKT

nga Namir Lapardhaja

(Mësimet e një takimi të rrallë mes Vexhi Buharasë dhe Islam Vrionit)

Në të nëntëmbëdhjetin vit të jetës, Vexhi Buharaja dëgjoi se patrioti Islam Vrioni jetonte në vetmi të thellë, larg vëmendjes së njerëzve dhe në moshë të thyer, në fshatin Çiflik të Lushnjes. Përgjatë viteve të shkollimit në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës, i riu i talentuar dhe poligloti i ardhshëm, e kishte bërë me dhjetëra herë rrugën Berat-Lushnje. Shpesh, ai kishte udhëtuar i vetmuar, në shoqërinë e shumë librave dhe pak plaçkave që i duheshin gjatë kohës së qëndrimit në konvikt. Rrugëtimi drejt qytetit fushor të Myzeqesë zgjaste pak orë dhe vijonte më tej me mjete të rastit drejt kryeqytetit, i cili, krahasuar me ambientin nga vinte, ishte i zhurmshëm, me një intensitet të lartë jete.

Edhe pse i ri në moshë, Vexhiu kishte spikatur në mjediset letrare të kohës, duke qenë fituesi i një konkursi në poezi, organizuar në atë periudhë nga gazeta “Tomorri”. Si nxënësi i një personaliteti të shquar, Hafëz Ali Korçës, ai kishte krijuar një respekt të veçantë për Islam Vrionin. Ashtu siç kishte ndjekur rregullisht shtypin, duke u mahnitur pas një atdhetari të klasit të parë, pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës, pjesëtar të një plejade të fundit të atyre që e donin atdheun pa kushte. Buharaja i ri e dinte se Vrioni kishte qenë themelues i së parës gazetë lokale në vitet ’20 në Berat, “Ideja kombëtare”.

Etja për dije, dëshira për ta njohur nga afër, kureshtja rinore dhe intelektuale, bën që një ditë vere, në vapën dhe pluhurin e rrugës së vetme automobilistike, Vexhiu të nisej drejt Çiflikut me të atin, Ibrahimin, i cili kishte pasur një njohje të hershme me Islam Beun gjatë kohës kur ky i fundit kishte mbajtur, për një periudhë të shkurtër, postin e kryetarit të bashkisë së Beratit. Vitet rridhnin pa u ndjerë, kohët ndryshonin, konfliktet dhe mëritë mes pjesëtarëve të një dere të madhe si ajo e Vrionasve, kishin bërë që Islami të jetonte i veçuar nga njerëzit.

Por sado që koha mbulon me pluhurin e harresës, atë e bir nisen pikërisht për të kujtuar atë që njerëzit e kishin harruar. Vera e vitit 1939, kur është zhvilluar ky takim, nuk ishte e zakonshme për vendin. Në prillin e atij viti, Italia fashiste kishte zbarkuar nga deti dhe ajri, duke e pushtuar zyrtarisht Shqipërinë. Mbreti ishte larguar, rezistenca e paktë e popullit të paorganizuar kishte qenë sporadike, ndërsa njerëzit prisnin me sy nga qielli se çdo të sillte e nesërmja. Kur këta dy udhëtarë ia kanë behur shtëpisë modeste, nuk është çudi që fytyra e rrudhur dhe e tharë nga pesha e viteve mbi shpinën e plakut të jetë përshkuar nga një habi e lehtë, shoqëruar nga një mori pyetjesh të njëpasnjëshme. Në këtë situatë pezulltie, i pari që ka thyer akujt e ka përshëndetur me “paqe” ka qenë Ibrahimi, si më i madhi në moshë i dy mysafirëve. Ai ka rendur të prezantohet dhe, teksa ka dëgjuar mbiemrin Buharaja, menjëherë në kujtesën e të zotit të shtëpisë ka ardhur në ndihmë një gojëdhënë e dikurshme për një familje në Berat, pjesëtarët e së cilës e kanë folur persishten mjaft bukur si në Buhara.

Çudia e të zotit të shtëpisë ka ardhur më tepër nga momenti i vizitës se sa nga miqtë, të cilët kanë nxituar të sqarojnë arsyet e tyre. Ata kishin udhëtuar prej Berati, në një kohë aspak të favorshme, vetëm për të takuar një ndër përfaqësuesit më të kulturuar dhe më të shkolluar të derës së madhe të vrionasve. Pasi ka mësuar motivet e vizitës, Islami i ka uruar mirëseardhjen, i ka futur brenda, ka kërkuar prej së shoqes të qerasë miqtë dhe mes tyre ka nisur një bisedë e gjatë me orë të tëra. Kanë kaluar plot tri orë, që djalit të ri nuk i janë dukur më shumë se tre minuta. Është relativizimi i çastit që përjeton natyra njerëzore kur do të mos përfundojë një përjetim kënaqësie.

Si një ëndërr e bukur që gjithsekush nuk do të donte të mbaronte kurrë, ashtu edhe ajo bisedë ka vijuar me shpejtësinë e ëndërritjeve të pragmëngjesit. Kështu, një pasdreke vere të vitit ’39, historia do të shënonte një takim të rrallë mes dy beratasve të mëdhenj, atje në një fshat të humbur mes kodrinave të Myzeqesë, në një shtëpi pa shkëlqimin e merituar të pjesëtarëve që kishte nën çati: i pari, vetëm 19 vjeç, poet e gjuhëtar i ardhshëm, orientalist e historian, filozof e poliglot, njohës i tetë gjuhëve të huaja, të lindjes dhe të perëndimit, përkthyes i mëvonshëm i “Gjylistanit dhe Bostanit”, i “Shahnamesë” dhe i “Ëndërrimeve”, kurse i dyti plot 74 vjeç, studiues i Shkencave Politike në zemrën e Perandorisë Osmane, mësues i shkollës shqipe, njohës i arabishtes, turqishtes, persishtes, frëngjishtes, greqishtes së vjetër dhe disa gjuhëve të tjera, i filozofisë dhe i arteve, i letërsisë dhe i historisë.

Siç na ka rrëfyer më vonë Vexhiu, për tri orë që kanë qëndruar, i janë qetësuar veshët nga poteret e fjalët se sa shkon misri e sa gruri, se kush është i mirë e kush është i keq. Buharaja i ri ka qëndruar përpara një mendimtari dhe filozofi të madh, që ka folur për filozofinë e Sokratit dhe të Platonit, të Ibn Rushdit (Averroes), Farabiut e Kantit. Kanë folur për Kajamin e Saadinë, Firdeusinë e Shirazinë, Sulejman Naibin dhe Nezirin, De Radën, Naimin, Fishtën, Lasgushin dhe Ali Asllanin. Ndërsa plaku vetmitar ka ligjëruar, Vexhiu i ri dhe ati i tij kanë dëgjuar me respekt. Edhe ato që kanë ditur, edhe të tjera që kanë mësuar prej tij. Atmosfera e takimit duhet të ketë qenë e ngrohtë, ku kënaqësia estetike dhe thellësia intelektuale kanë mbizotëruar.

Ndërsa miqtë bëhen gati të çohen, njeriu i urtë e plotë mendje të gjallë, ka kapur prej krahu djalin e ri dhe i është drejtuar: “Dëgjo, biri im! Dashuria për atdhe është një instinkt natyral që s’mund të ndahet nga njeriu. Njeriu me këtë lind, me këtë rron dhe me këtë vdes. Prandaj, sado që Islamizmi predikon vëllazërimin botëror, prapëseprapë nuk i lufton instinktet e mira që ziejnë në natyrën e njeriut, përkundrazi i forcon më tepër, i zbut dhe i drejton më mirë…”

Këtë këshillë të mençur, Buharaja na e ka sjellë të freskët nëpërmjet një shkrimi, vetëm dy vjet pas këtij takimi. Islam Vrioni kishte pak muaj që kishte ndërruar jetë. Nën pseudonimin letrar Lalëzari, njëzetenjëvjeçari Vexhi Buharaja botoi në revistën “Kultura Islame” artikullin me titull “Islam Vrioni ndrroi jetë”. “’Islam Vrioni ndrroi jetë’ më tingëlloi në veshë një zë gjysmak kur para tre muajsh zbrita në qytetin t’im…Nuk desha t’a besonjë dhe zura t’ia detyronj gabimit të veshëve apo ndonjë fenomeni spiritik një zë të tillë. Nuk besova… Më vinte sikur ishnja n’ëndërr… ‘Islam Vrioni ndrroi jetë’ u dëgjua një zë tjetër në udhët e lagjes sime… Por unë prapë nuk besonja – pandenja se ishnja n’ëndërr dhe prisja të më dilte gjumi dhe bashkë me këtë të më shdukesh këjo ëndërr tmerronjëse…”

Kështu e nis ai artikullin për Islam Vrionin. Më shumë se një përkujtim, ai i përngjan një elegjie të vërtetë për një ndër personalitetet më të rëndësishëm të historisë moderne të Beratit. Dashuria, përunjësia, respekti, vlerësimi dhe admirimi përshkojnë të gjithë shkrimin. Vexhiu flet për Islamin si njeri e si atdhetar, si dijetar dhe njeri i përkushtuar ndaj Zotit dhe së mirës. Në fund, artikulli mbyllet me një kujtesë për trashëgimtarin e familjes, Memduh Vrionin, të cilit i kujton se do t’i bënte një shërbim të veçantë kulturës dhe shoqërisë në qoftë se veprat e të ndjerit Islam Bej do t’i nxirrte në dritë. “Veç kësaj, – vijon ai, – do të shfaqej edhe thellësia e mendjes, prehtësia e gjykimit dhe logjika e fortë e të ndjerit.”

As Buaharja në atë kohë, as pasardhësi i Islam Beut, nuk e kanë ditur se pas viteve ’45 një tjetër murtajë do të kaplonte vendin. I harruar në gjallje të tij, Islam Vrioni do të vijonte të mbulohej nga pluhuri i harresës, kurse i biri me familjen do të kalonte në kalvarin e vuajtjeve dhe të persekutimeve, duke e shoqëruar deri në vdekje “damka” e mbiemrit.

© 2020, Namir Lapardhaja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Comment

  1. Nje pjese e Vrionasve -me te degjuar e kam- pergjate viteve te socializmit ndrruan mbiemrin per ti shpetuar internimeve dhe burgjeve.

Comments are closed.