FJALË BEQARE

Vite më parë, pata shkruar për fjalën zyshë (Fjalë pa dashje), duke shënuar prejardhjen e saj nga zonjushë, gjithë duke qenë kjo e fundit një formim nga zonjë, me prapashtesën zvogëluese -ushë.

Për nga forma, zonjushë të kujton italishten signorina, por edhe më shumë gjermanishten Fräulein, nga Frau “grua”, por edhe “zonjë” (si titull me të cilin i drejtohemi me nderim një gruaje), nëpërmjet prapashtesës zvogëluese –lein.

Te një faqe online kushtuar gjermanishtes (German Language Blog), lexoj se kjo Fräulein, së bashku me sinonimin e saj Jungfrau (literalisht, “grua e re”, por edhe “virgjëreshë”), përdoreshin vetëm për t’iu drejtuar grave të pamartuara të oborrit mbretëror ose aristokratik.

Por, me kohë, Fräulein e gjermanishtes filloi të specializohej si titull për mësueset, kryesisht për shkak të një dekreti ministerial të njohur me emrin Lehrerinnenzölibat (beqaria për mësueset), të miratuar në Gjermani vitin 1880, sipas të cilit një mësuese nuk lejohej të martohej; baza e këtij dekreti ishte bindja se punësimi (Berufstätigkeit) për gratë shihej si diçka që i përkiste periudhës para martesës, meqë një grua e martuar nuk do të ishte në gjendje të përballonte edhe punën, edhe familjen.

Këto rregulla, që pak a shumë i detyronin gratë e martuara të rrinin në shtëpi vazhduan të veprojnë deri në vitin 1957.

Në fillimet e veta, kërkesa për beqarinë e mësueseve shihej si emancipuese – meqë ashtu gruaja do t’i kushtohej profesionit, pa u rënduar nga detyrimet familjare. Por në të njëjtën kohë, mësuesja beqare fitonte disa ngjashmëri, jo të parëndësishme, me murgeshën katolike.

Ky personazh, i mësueses në moshë të re, të pamartuar, që ia kushton jetën e vet fëmijëve të shkollës, i ka rezistuar kohës dhe njëfarësoj vazhdon t’i bashkëlidhë profesionit një farë virtyti të vetvetishëm.

Edhe në traditën kulturore shqipe, në letërsi, teatër dhe film, e ndeshim këtë mësuese të dëlirë, të rrethuar nga vocërrakët, si figurë që mishëron moralitetin absolut të kombit, brenda një hierarkie vlerash të diktuar nga Rilindja Kombëtare.

Si e pamartuar (“zonjushë”) ajo nuk mund të ketë fëmijë, çfarë edhe e bën “nënën” simbolike të nxënësve të vegjël. Këto zhvillime kuptimore nuk ndeshen, në rastin e burrave mësues.

Ngjashëm me kontraksionin zonjushë > zyshë edhe gjermanishtja Fräulein përfundoi në një Frollein, formë e cila përdorej për t’iu drejtuar një vajze të pamartuar por edhe një mësuese, në kapërcyellin mes shekujve 19 dhe 20.

Nëse në Shqipërinë e pas 1945-ës, fjalët zoti, zotni dhe zonja, si forma të adresimit, u kufizuan shumë në përdorim – duke mbijetuar praktikisht si historizma – fjala zonjushë për “vajzë e pamartuar” doli edhe ajo nga përdorimi, përveçse kur përdorej për t’iu drejtuar një mësueseje.

Në atë kohë do të ketë ndodhur edhe specializimi i formës zyshë për mësuese.[i]

Sot fjala zyshë e ka ruajtur një farë semantike relacionale: e përdor fëmija ose nxënësi, për mësuesen e vet; përndryshe, nëse këtë e thotë një i rritur, gjasat janë që t’i referohet mësueses së fëmijës së vet ose të një fëmije tjetër të pranishme në kontekst; përndryshe nuk ka gjasa që drejtori i një shkolle t’i quajë mësueset e veta zysha, në kontekste që nuk kanë lidhje me fëmijët.

Në Gjermani, përdorimi formal i Fräulein si titull u ndalua me ligj më 16 shkurt 1971. Që nga ajo kohë, i vetmi titull formalisht i lejueshëm për gratë dhe vajzat në moshë të rritur do të ishte Frau, pavarësisht nga statusi i tyre martesor.

 

© 2021, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.™


[i] Më pat shkruar dikur një koleg, Bledar Bruka, se një shkollat e Kukësit përdoret një fjalë e barazvlefshme me zyshë, për mësuesin e gjinisë mashkullore – fjala sni, të cilën ai me të drejtë e shpjegonte si shkurtim të zotni; p.sh. sni Petriti, ose do të flas me sni Petritin. Por ndryshe nga zyshë, kjo sni nuk ka fituar dot status leksikor të pavarur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin