HESHTJE E KRISTALTË

Më 19 korrik Gazeta Idea publikon një shpallje gjykate për gjyq ndërmjet qeverisë shqiptare dhe institucionit të arsimit të lartë privat “Universitetit Kristal”. “Kristal” ankimon në gjyq vendimin e Këshillit të Ministrave për pezullimin e përkohshëm të licensës. Vendimi i Këshillit të Ministrave dhe i Ministrisë së Arsimit ngelet kështu në gjykimin e një gjykatësi të shkallës së parë, aspak kompetent për sistemin e arsimit të lartë, dhe po, duke e paragjykuar, ndoshta i ngarkuar posaçërisht me këtë çështje.

“Çështja që mban numrin 14184, është regjistruar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës më 29.06.2012 ku shoqëria ‘Kristal’ sh.p.k padit Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë me objekt: ‘Shfuqizimi tërësisht i vendimit nr 354 datë 23.05.2012 të Këshillit të Ministrave për pezullimin e pjesshëm dhe të përkohshëm të licencës së shkollës së lartë universitare jo publike ‘Universiteti Kristal’” [Gazeta Idea].

“Kristal-it” iu pezullua përkohësisht licenca sipas propozimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila kishte ushtruar një kontroll në sekretaritë mësimore të institucionit. Ministria vendosi nën trysninë e madhe të publikut në vend shkaktuar nga debati i gjerë për rastin “Renzo Bossi” [Diplomë për Troftën]. Rasti i tij u diskutua gjerësisht në mediat shqiptare vetëm pas zhurmës së madhe në mediat italiane.

Edhe Prokuroria e Tiranës ndërmori hetimet e saj. Sipas Gazetës Shqip, “burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se janë të paktën tri raste të hetuara dhe gjykuara për lëshimin e diplomave universitare në mënyrë arbitrare. Disa persona janë dënuar, midis të cilëve edhe një shtetas francez, ndërsa në hetim është rasti i universitetit privat “Kristal”, ku është vërtetuar se dy shtetas italianë kanë marrë diplomë nga ky universitet.” Dhe po sipas kësaj gazete “Gjykata e Tiranës ka dënuar dy të moshuar, të cilët jepnin diploma universiteti kundrejt pagesës, e cila shkonte deri në 12 mijë euro. Në këtë rast diplomat ishin shtetërore…”

Mjafton të vëzhgohet sesi paraqiten lajmet në dy gazetat e mësipërme që mëtojnë gazetari investigative, për të kuptuar se, pas zhurmës dhe gallatës së rastit “Bossi,” publiku gjendet ende në terr informativ.

Rasti i gjyqit të “Kristal sh.p.k” ndaj Qeverisë së Shqipërisë ndiqet vetëm nga këto dy gazeta. Më pas mbi zhvillimet e mëtejshme edhe ato heshtin. Nga burime pranë gjykatës së Tiranës mësohet se kjo prokurori i ka mbyllur hetimet për rastin “Bossi” dhe të tjera shkelje në këtë institucion. Për këtë nuk njofton asnjë gazetë.

Në rastin e gjykimit të dy personave të moshuar (sic – atributi nuk përbën informacion) nuk përmendet universiteti shtetëror, dhe i vetmi burim është Prokuroria e Tiranës dhe jo gjykata.  Ndërsa për të njëjtin rast Gazeta Panorama tregon se ata shisnin diploma të një universiteti privat dhe jo shtetëror; dhe gjasat sipas disa burimeve janë që ky të jetë “Kristali”.  Pra prokuroria dhe Gazeta Shqip në rastin më të mirë keqinformojnë. Sërish, nëse këta dy persona janë gjykuar dhe dënuar, po bashkëpunëtorët e tyre? Nuk sqarohet se nëse këto diploma 12 000 euro ishin apo jo të rreme (çmimi nënkupton vërtetësinë e tyre). Me kast informacioni është i cunguar.

Gjasat dhe thashethemet janë që Ahmet Muça, “Meti i Kristal-it”, ka hedhur një sasi të madhe parash për mbulimin dhe heshtjen e asaj që do të ndodhë. “Meti i Kristal-it”, administratori, luan me kënaqësi poker. Nuk përbën habi që të ketë humbur disa miliona euro në tavolinën e kumarit me gazetarë e politikanë të të dyja kaheve (një mënyrë e mirë për të pastruar paratë e korrupsionit dhe fshehur burimin).

Vullneti për të heshtur nuk i ka munguar as klasës politike. Deputetë si Skënder Hasa (PS), Bedri Hoxha (PD), Ndue Paluca (PD), Rrahim Çota (PD), Artan Gaçi (PS) përmenden se janë diplomuar nga “Kristal”, edhe përpara licencimit dhe akreditimit të këtij institucioni [Gazeta Idea], por janë gati 18 raste të tilla.  E si për të pastruar ajrin, fill pas pezullimit të përkohshëm të “Kristal”, dy eksponentë të rëndësishëm të Lidhjes Socialiste për Integrim shkojnë e sajdisen në këtë institucion [Gazeta Idea].

Mbizotëron një heshtje e madhe mbi çështjen “Kristal”, e cila nuk duhet të përfundonte me pezullimin e përkohshëm të licensës, por të vazhdohej me ndjekjen nga prokuroria. Në të vërtetë, si administrata qendrore dhe sistemi i drejtësisë rezultojnë të kapura nëpër fijet e interesave të biznesit privat. Gjyqi i heshtur ndaj vendimit të qeverisë është loja e radhës për të mjelur biznesin e fëlliqur apo të pastër: ndërmerren masa administrative në sy të publikut, për t’i bërë këto masa më pas “mall” shkëmbimi dhe pazaresh nëpër gjyqe e nëntavolina burokratësh.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin