MBRETI MARTOHET SËRISH

Një ushtar që arrin rreshtin e fundit, gradohet vetvetiu në figurë – i takon lojtarit të zgjedhë se në ç’figurë, dhe lojtari zgjedh zakonisht damën, që është edhe më e fuqishmja. Bashkë me këtë rregull, fëmijët mësojnë edhe meritokracinë – ose që shahu nuk është, në analizë të fundit, lojë tërësisht feudale, e bazuar në hierarki të shtangëta. Dje ushtar, sot mbretëreshë – përtej implikimeve kaq gay të këtij fakti shahistik, vjen edhe një e vërtetë tjetër: se ky lloj katapultimi drejt lavdisë u ofrohet vetëm ushtarëve të thjeshtë (gurëve), këmbëzbathurve të vijës së parë. Asnjë nga figurat nuk e ka privilegjin e gradimit; janë të mbyllura përjetë në qelinë e funksionit të tyre; i cili është edhe identiteti i tyre. Kali? Ai që lëviz në formë L-je dhe kapërcen mbi gurët e tjerë. Ndërsa për ushtarin, përtej përkufizimit të lëvizjes duhet shtuar edhe projeksioni: në qoftë se arrin në rreshtin e fundit… Një identitet pjesërisht i themeluar mbi shpresën, çfarë mbase edhe kompenson disi për statusin plebeas në fillim të lojës.

Ushtari zakonisht gradohet në mbretëreshë; por jo rrallë, kjo ndodh kur në fushë ka mbijetuar edhe mbretëresha fillestare – ajo “e para”, gruaja e hershme e mbretit, shoqja e tij e jetës. Logjikisht, pas disa pak lëvizjesh, dy mbretëreshat nuk i dallon dot nga njëra-tjetra, si të ishin instancime të së njëjtës figurë abstrakte. Edhe pse, mjaft të shohësh për së largu sjelljen e mbretëreshës së re, të sapo-mirëpritur në fushë, në një lojë ku simotra e saj tashmë ka dalë nga skena, për t’i kuptuar dallimet. E vjetra është më e kujdesshme, më dyshuese, më e matur, preferon të rrijë e fshehur pas ushtarëve dhe figurave të tjera, afër bashkëshortit, aq fotozhenike sa edhe në pozicionin fillestar të gurëve, si prej fotografie në studio. Kur kuturiset ndonjëherë përjashta, në mejdan, vjen dhe i ngjan asaj mbretëreshës tjetër, matkës së bletëve, që ka dalë për të roitur. E ushtron pushtetin e vet nga larg, radiografikisht; e projekton forcën si raketat balistike të superfuqive; edhe pa u larguar kjo nga dy rreshtat e parë, kundërshtari ia ndien kërcënimin, si nxehtësi në fytyrë. Ndërsa e reja, përkundrazi, është agresive, arrogante, e vrazhdë, e papërmbajtur; lëviz në tabelë me hapa të mëdhenj, të shkujdesur; pa pasur frikë se mund t’i shpërfaqen shalët lakuriqe. Ndryshe nga simotra e vet, kjo e dyta është e gjitha energji kinetike. E vetëdijshme për origjinën e vet muzhike, dyshuese se këtë ia dinë edhe të tjerët, nuk kursehet së provuari aftësitë e veta luftarake dhe nuk mëshiron kënd. Shpesh, e vetmja mënyrë, që loja të vazhdojë me mbretëreshën e re në fushë, është që edhe kundërshtari të ketë një të tillë për vete: dy nuse të reja, në një gjeografi të plakur, ku njërit prej mbretërve po i vjen rrotull gijotina.

Si rregull, tabelat e shahut shiten me 32 gurë vetëm; prandaj kur rosaku i vogël i shëmtuar arrin rreshtin e fundit dhe shndërrohet në mjellmë duke qenë mjellma tjetër ende gjallë, lojtarëve u duhet të gjejnë një zgjidhje “rrethanore” për figurën e re. Ashtu të renë do ta përfaqësojë një torre përmbys, a ndonjë send tjetër çfarëdo: një zar, një çakmak, një kopsë, një gishtëz rrobaqepësi, një kapak stilografi, një skulpturë me tul buke – në konfirmim edhe të interpretimit saussurean të shahut. E reja vjen me fuqitë e damës, por ende nuk vishet e krekoset dot si kolegia e saj – nuk i ka marrë ende privilegjet e uniformës (shpesh duhet të jetë “vrarë” tjetra, që t’i gëzojë). Kjo edhe ia ul statusin vetvetiu: i zoti ndonjëherë e keqtrajton, e ekspozon egërsisht ndaj rrezikut, e “dhuron” për ta përshpejtuar fitoren, sikur ta dinte se kjo nuk është royalty “mirëfilli” si ajo e para, por vetëm një surrogat, për të mos thënë sozi e tjetrës. Pa çka se jo rrallë është kjo e dyta, megjithë prejardhjen e saj jo-blu, që arrin ta shijojë fitoren në fushë, ndërsa ajo tjetra, pavarësisht heroizmit dhe “autoktonisë” në fushë, prehet tashmë në varr.

Dy dama në fushë janë, megjithatë, abominacion; si dy matka në një zgjua bletësh, ose dy Papë në Vatikan. Aq e madhe është fuqia që rrezatojnë, sa mund të djegin njëra-tjetrën. Problemistët e shahut ndonjëherë zbaviten duke sendërgjuar fusha të mbushura me mbretëresha – si tavani i një shpelle të keqe, i mbushur me merimanga: po të ishte e mundur që të deshifrohej pamja, si të ishte mbishkrim, nuk do të dilte që andej asgjë veç ndonjë formule për të ndjellë keq, magji e zezë. Shahu nuk i përballon dot gjatë shëmti të tilla; dhe nuk ka gjë tjetër, që mund ta shpërbëjë realitetin e një loje, se abuzimi me meritokracinë, gradimi i tepruar, poligamia. Prandaj edhe gradimi funksionon më mirë si kërcënim: kur një ushtar i afrohet rreshtit të fundit, është momenti që kundërshtari të dorëzohet; kur janë dy ushtarë ngjyrash të kundërta, njëkohësisht gati për t’u graduar, është momenti për të lidhur paqen. Me logjikën e universit shahistik, është më mirë që ushtarët veç ta shpresojnë jo ta shijojnë gradimin, pa çka se prej tyre vetëm njëri nga tetë, nëse i buzëqesh fati, do ta realizojë.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

4 Komente

  1. Shah

    Plak tani hiqem branë
    në Torren time të fildishtë.

    Mallin
    e pranverave të shkuara
    e nuhas nënkresave
    këmishave çorapeve
    të sime shoqeje.

    E rrëmbeva vajzë
    për të ngushëlluar
    shqisat e mia të mysta
    dhe për të më gatuar
    byrekun e preferuar.

    Tani është ajo
    që u prin
    ushtrive të mia.

    Vetë e shtron
    Kalin e hazdisur
    Oficerët dridhen
    kur u klith urdhërat.

    Ushtarët e dëshërojnë
    fshehurisht
    dhe me të në mend
    masturbohen
    netëve me shi
    kur nga balta e llomi
    fushata zvarriset
    në mjegullat e meslojës
    përpara Zeitnot-it
    të humbjes…
    të vdekjes.

  2. Shahu vjen nga chaturanga, fjale e cila eshte shpjeguar me shqipen kater anet, ne perpjekjet per lidhjet me sanskritishten. Keshtu qe indo-arianet kane pasur :
    karrot , qe u kthyen ne torre
    elefantin/ alfil, qe u kthye ne fil/oficer
    vezirin apo spahbed-in si njihej tek iranianet sasanide, qe dha mbretereshen
    Pra mbreteresha eshte keqinterpretim per shefin e shtabit te pergjithshem ose komandantin e forcave te armatosura ( Spiro Moisiu i partizaneve 1943-1944). Per t’u besuar nga forma e gurit, meqe duket sikur ka nje kurore dhe kurore pervec mbretit mban edhe mbreteresha.

    Ndersa modeli indo-arian, si ai iranian/arian e me vone gjithe persianatet, kane pasur nje vezir ose nje kryegjeneral, komandant te rendesishem ushtarak, modelet europiane feudale nuk e kane pasur nje figure te tille, si te dyte vetem pas mbretit/feudalit. Jo se nuk kane pasur kryekomandante ushtarake, por roli nuk ka qene asnjehere si i dyte pas mbretit edhe ne paqe krahas luftes.

    Ndoshta prandaj ne Europen mesjetare, askush nuk e kuptoi qe figura eshte e gjeneralisimos, ose u vendos arbitrarisht me vullnet nga lart qe nje figure kaq e fuqishme, te mos percillte edhe vete ideologjine e persianateve, ku pas mbretit/sulltanit ka nje vezir fuqiplote, qe qeveris dhe eshte i dyte vetem pas mbretit si ne lufte dhe ne paqe. Perndryshe nje mbretereshe e forte si ne shah, nuk perbente ndonje rrezik serioz per rolin ideologjik te mbretit apo feudalit ne feudalizmin europian.

    Nderkohe qe torra, karroja e luftes vendoset ne krahe, si e kishte zakonisht vendin ne formacionet e lashtesise, me synim sulmin e carjen e drejte dhe me pas krahemarrjen.
    Fakti qe e quajme torre/kala dhe ngjan si fortese, ka krijuar nje imazh dhe perdorim te gabuar te gurit tek amatoret, si gur statik dhe mbrojtes, pa ndonje rol te posacem nga krahet, ku edhe vendoset ne fillim te lojes/betejes. Kuptohet qe ka edhe lojtare qe dine ta luajne gurin, po shumica e nderron me qejf, sapo ofrohet mundesia.

    Ne njefare menyre puna e dy mbretereshave si aberracion, bie me shume ne sy, kur kemi dy vezire, dy gjeneralisimi, dy shefa shtabi. Edhe spartanet qe vepruan me dy mbreter, e ndane mendjen qe 2 mbreterit nuk do te ishin asnjehere bashke ne ndonje beteje. Po ashtu edhe Roma me dy konsujt, kishte dicka te ngjashme, 2 konsujt duhet te kishin secili legjionet e veta dhe te perpiqeshin te mos benin asnjehere beteje te perbashket ( humbja e famshme e Kanes ishte nje beteje me dy konsujt bashke).

    Interesante nga pikepamja e modelit demokratik te shtetit, qe modeli origjinal i shahut, i persianateve, do prodhonte politikisht republika gjysem-presidenciale, me presidentin ne vend te mbretit dhe kryeministrin ne vend te vezirit mbretereshe.

    1. Hahaha, shpjegim fantastik Irae. Se shkrimi i Vehbiut per ushtarin transgender qe grindet ne fushen e lojes si dikur Tore Bytha ne autobuzin e Kamzes, per pak ma hoqi qejfin e lojes. 🙂

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin