E KALTËR E THELLË

Rastësisht ndesha, këto ditë, në një koment të ish-kampionit të botës Kasparov, gjatë një interviste dhënë në 1999 revistës Jeux & Stratégie në lidhje me kompjuterët që luajnë shah (cituar nga i palodhuri Edward Winter).

Starry-NightThoshte Kasparovi në atë intervistë [përkthimi im, 2Xh]:

Pyetje: Dy mjeshtra të mëdhenj, nga më të fortët, janë mundur tashmë prej kompjuterëve që luajnë shah: Portisch nga “Leonardo” dhe Larsen nga “Deep Thought”. Dihet se ju keni pikëpamjet tuaja të forta për këtë temë. A do të vijë dita kur një kompjuter të bëhet kampion bote?

Kasparov: Qesharake! Makina gjithnjë makinë mbetet, domethënë një vegël që i ndihmon lojtarët të punojnë dhe të përgatiten. Mua një makinë s’ka për të më mundur kurrë! Kurrë s’ka për t’u shpikur ndonjëherë ai program që të tejkalojë inteligjencën e njeriut. Dhe kur them inteligjencë, kam parasysh edhe intuitën dhe imagjinatën. E përfytyroni dot një makinë që të shkruajë një roman ose poezi? Ose, më mirë akoma, e përfytyroni dot një makinë që ta bëjë këtë intervistë në vend tuaj? Ose mua që t’u përgjigjem pyetjeve të saj?

Kjo në 1989. “Mua një makinë s’ka për të më mundur kurrë,” thoshte Kasparovi atëherë. Vetëm tetë vjet më pas, në 11 maj 1997, kompjuteri Deep Blue fitoi një match me kampionin e botës Kasparov, me rezultatin 2:1 (dhe tri barazime).

Disa vite më vonë, në 2006, Deep Fritz, një program që luan shah dhe që mund të instalohet në një desktop të zakonshëm, mundi kampionin e botës Vladimir Kramnik me rezultatin 4:2.

Tani, për t’u kthyer te deklarata e Kasparovit, s’më mbetet veç të shtoj se njerëzit e mëdhenj janë të tillë ngaqë edhe të trashat i këputin të rënda. Kasparovi, ndoshta shahisti më i fortë i të gjitha kohërave, nuk arriti dot të parashikojë çka ishte një zhvillim inkremental, krejt i zakonshëm, i teknologjisë së harduerit dhe të softuerit. Duket sikur ai e konsideron shahun si shprehjen sublime të inteligjencës njerëzore – çka është të paktën e tepruar; duket edhe sikur e tepron rolin e intuitës dhe të imagjinatës në shah.

Nga kjo pikëpamje, fitoren e Deep Blue nuk mund veçse ta përshëndesësh; sepse ajo ia theu hubris-in një megalomani; duke treguar se, së paku në atë kontekst, të jesh shahist i madh, madje më i madhi që ka luajtur ndonjëherë, nuk do të thotë të jesh doemos shumë inteligjent.

Lojërat e Kasparovit janë të mrekullueshme; për kë arrin t’i ndjekë, qoftë edhe në nivel të një lojtari klubi, ato ofrojnë kënaqësi intelektuale dhe estetike të papërsëritshme. Ka një harmoni në tabelë dhe në lëvizjet, një drejtpeshim të ngjashëm me atë të një simfonie, një koreografi si prej baleti dhe çdo lëvizje e re nga kampioni është edhe materializim, në trajtë raportesh të thjeshta gjeometrike, i vullnetit njerëzor për të fituar.

Mua ato lojëra më duken të bukura; madje mishërim i kulluar i së bukurës, njëlloj si vepra arti – të themi një sonatë ose një pikturë ose një valle.

Përkundrazi, nuk besoj se do të kisha ndonjë interes çfarëdo, që të shfletoja një libër me lojërat më të mira të Deep Blue ose edhe të Deep Fritz dhe të deep-ave të tjerë; dhe aq më pak të admiroja lëvizjet e forta ose fitimtare të këtij apo atij kompjuteri ose programi.

Nuk ka dyshim se kompjuteri, i programuar saktë, mund të luajë shumë mirë dhe të mundë metodikisht shahistët më të mirë të planetit – meqë kompjuteri nuk bën gabime me përkufizim; ndërsa njeriu bën.

Dhe këtu do të shtoja, në vijë të një arsyetimi besoj të lehtë për t’u ndjekur, se mos kushedi edhe vetë bukuria, të paktën në rastin e shahut, lidhet me papërsosmërinë e llogaritjes, dizekuilibrin, imbalancën – me fjalë të tjera, gabimin.

Gabimin në shah këtu kushedi mund ta krahasojmë me atë grimcën e papastërtisë, ose më ngjashëm akoma, me atë parazit mikroskopik që depërton në guaskën e Pinctada margaritifera dhe e detyron moluskun të mbrohet, duke e mbuluar me një shtresë karbonati të kalciumit, hap pas hapi, derisa të formohet perla (një lloj cisti, tek e fundit), që përndryshe na mahnit me bukurinë e vet.

Sot besoj është e mundshme, për një kompjuter, që të hartojë poezi të përsosura nga ana metrike; ose të kompozojë pjesë të strukturuara mirë dhe të padallueshme, për veshin profan, nga krijimet njerëzore. Nesër kushedi do të ketë programe që të pikturojnë si Dali-ja ose Picasso-ja – por a do të tërheqin vallë veprat e tyre vizitorë në galeritë, për të mos folur për blerësit milionerë?

(Shumëve prej nesh u pëlqen të shohin fraktale, të cilat vetëm një kompjuter mund t’i përftojë; por nëse bukuria e një fraktali duhet krahasuar me bukurinë e Hënës në qiell, të një fluture a të Grand Canyon-it; apo me bukurinë e qiellit me yje të Van Gogh-ut, për këtë mund të diskutojmë.)

Natyrisht, gjithnjë mund të pyesim nëse këta kompjuterë apo këto programe kompozojnë vërtet poema, minuete dhe portrete, apo thjesht ekzekutojnë mekanikisht disa komanda, të cilat na bëjmë ne njerëzve të besojmë se përtej ekranit, në procesor, po ndodh diçka krijuese, ose po i shtohet universit diçka e re: një lojë, një pjesë muzikore, një pikturë.

këtë faqe, shkrimtari holandez Tim Krabbé pat mbledhur disa shembuj, për të treguar se kompjuterët, në fakt, nuk luajnë shah; kalkulojnë, kushedi edhe zgjedhin mes alternativave – por nuk luajnë, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale.

Shembujt e Krabbé-s, për kë është në gjendje t’i ndjekë, janë për të qeshur me lot; por lexuesi i kujdesshëm nuk mund të mos vërë re se, edhe kur kompjuteri bën budallallëqe në fushë, kjo shpjegohet me një gabim të programuesit, jo të kompjuterit vetë.

Shembujt e Krabbé janë tashmë të vjetruar; programet e sotme që luajnë shah janë në gjendje t’i kapërcejnë situata të tilla me lehtësi (megjithatë, shihni edhe këtu, nëse keni kohë dhe kuriozitet); pa çka se kjo nuk i jep dot përgjigje pyetjes nëse këto programe luajnë vërtet, apo – sikurse thoshte Kasparovi në pjesën jo megalomane të intervistës – janë thjesht vegla që ndihmojnë shahistin, njëlloj siç ndihmon shati fshatarin, ose kaçavida elektriçistin.

Kushedi estetika do të ndihmonte për t’i dhënë një përgjigje laterale kësaj sfide.

Nuk ka komente

  1. Me sa mbaj mend, Kasparov ishte në disfavor ndaj Deep Blue mbasi programuesit mund të studionin lojërat e Kasparov, ama atij nuk iu dhanë shembuj të Deep Blue. Gjithashtu në fund të ndeshjeve IBM çmontoi Deep Blue dhe nuk pranoi të bënte publike filet log të programit (e bënë më vonë), gjë që e shtyu Kasparovin të dyshojë se kishte pasur ndërhyrje njerëzore gjatë lojërave.
    Kramnik u tregua më dinak dhe përmbysi situatën duke siguruar një kopje të Deep Fritz, të cilën mund ta përdorte për të verifikuar përgjigjet ndaj lëvizjeve të tij. Ama mbas lojës së parë barazim, humbi të dytën me të ashtuquajturën ‘gafën e shekullit’ (nuk pa një mat në një lëvizje), dhe më pas u çorientua.
    Është e qartë se kompjuteri mund të llogarisë më thellë se njeriu, gjë që deri diku e mekanizon lojën. Për shembull nuk mund të ketë më fitore à la Bobby Fischer, të paktën jo ato që kemi parë. Ama është akoma i dobët ndaj disa taktikave specifike (lojë konservatore për të ndërtuar një avantazh afatgjatë), si dhe ndaj disa risive à la Bobby Fischer që nuk janë parë akoma dhe rrjedhimisht nuk janë integruar në programim.
    Si përfundim programet e shahut kanë akoma për të mësuar, të paktën gjersa loja e shahut të ‘zgjidhet’ numerikisht. Dmth të llogariten të gjitha përmutacionet e mundshme për 32 gurë (për momentin kjo është arritur vetëm për 6 gurë).

  2. Mua më ngushëllon gjithnjë fakti se kompjuterët jo vetëm nuk luajnë, por as gëzohen kur fitojnë, e as nxehen kur humbasin. Mund edhe ta mposhtin njeriun me kalkulime e algoritma gjithfarësoji, por në fushën e ndjenjave nuk do t’i afrohen kurrë.
    Në kujtimet e mia të fëmijërisë, ruaj skena fantastike, midis të cilave inatosjet e shahistëve amatorë (pothuajse profesionistë për nga aftësia) të lagjes sime.
    E pra, besoj se nuk do të shoh ndonjëherë kompjuter që t’i bjerë me shkelm kutisë së shahut e ta shajë me soj e sorollop. Pa e hequr cigaren nga goja.

  3. WSJ ka nje artikull mbi produktivitetin qe po rritet nga perdorimi i kompjuterave dhe qe mund ta lexoni ketu: http://online.wsj.com/article/SB10001424127887323982704578455163211575512.html

    Por, ne lidhje me kete post, ky artikull ka nje citim nga Marc Andreessen ku e pershkruan te ardhmen si nje bote me dy klasa (jo ato qe kemi mesuar ne marksizem): ne njeren bejne pjese ata qe programojne makinat dhe ne tjetren ata qe programohen nga makinat. Ne fund te fundit, te gjithe “deep”-at jane te programuar na njerezit…

  4. XhXh: “…por lexuesi i kujdesshëm nuk mund të mos vërë re se, edhe kur kompjuteri bën budallallëqe në fushë, kjo shpjegohet me një gabim të programuesit, jo të kompjuterit vetë.”

    Kjo permbledh bukur esencen e inteligjences artificiale. Eshte aq e mire sa c’eshte programuesi njerezor i saj.

    Makina nuk shkon pertej programit, kurse ne si njerez megjithese deri diku jemi te programuar, jemi ne gjendje te perdorim ne menyre individuale infon duke i shtuar dicka te re, duke perdorur aftesine krijuese qe shkon pertej te programuares.

    Kjo do t’i mungoje gjithmone inteligjences artificiale, ku edhe krijimi me mbreselenes do te na kujtoi artificialitetin e tij.

    1. Ne inteligjencen artificiale ka kohe qe algoritmet nuk programohen ne kuptimin klasik. Ato trajnohen duke u ushqyer me te dhena. Shume ngjashem me “trajnimin” qe ju behet bebeve nga prinderit kur i tregojne nje liber me figura kafshesh dhe mbas pak rastesh bebet jane ne gjendje te gjejne dhelpren dhe ujkun ne figura qe nuk i kishin pare me pare. Perceptimi i algoritmeve inteligjente ku programet kane nga nje programues nga mbrapa qe i ka programuar me pare te gjitha skenaret logjike me te cilat programi mund te perballet eshte i tejkaluar tashme. Ky perceptim ishte ne fakt mbizoterues deri para 2-tre dekadave kur pionieret e inteligjences artificiale akoma besonin se do te ishin ne gjendje te krijonin kompjutera qe zgjidhnin ekuacione logjike aq shpejt sa te mposhtnin cdo lloj problemi te mundshem nese do te ishin te fuqishem sa duhet. Vete kjo paradigme logjike eshte tejkaluar me kohe dhe statistika dhe probabilizmi te cilet e pranojne dhe shfrytezojne gabimin, mbizoterojne te pakten prej 25+ vitesh ne AI.

      Nese kthehemi tek shahu une nuk mendoj se eshte akoma domen i pershtatshem per AI. Mund te kete qene kohe me pare kur kompjuterat ishin shume te kufizuar e ku ju duhej te vepronin nen pasiguri. Ne fakt sjellja nen kufizime nga me te ndryshmet eshte shume me interesante per tu studiuar ne aspetin e inteligjences. Mirepo tashme nje algoritem fare joelegant i tipit “brute force” nga nje laptop i thjeshte mund te zhdepe paq Kasparovet e sotem dhe te ardhshem. Pikerisht pse shahu eshte i kufizuar vete si domen matematik ai mund te jete relevant si loje vetem kur kompjuterat te ndalohen fare ose te kufizohen masivisht.

      Nuk mund te mos kem nje lloj dezhavuje kur lexoj se sot estetika dhe eleganca nuk mund te kuptohen dhe krijohen nga kompjuterat. Keto shprehje jane ne fakt shume te ngjashme me ato te Kasparovit ne 89-ten. Nuk ka aresye pse mos te jemi ne gjendje te mos i trajnojme algoritmet te kuptojne estetiken dhe elegancen nese kemi te dhena te mjaftueshme. Ne fakt faza e kuptimit te estetikes dhe elegances ka ndodhur dhe po ndodh qe sot. Nese e mendojme thelle, algoritmet e rekomandimit te filmave dhe muzikes qe perdoren nga Netflix, Amazon etj. nuk jane asgje tjeter. Qe tani e vetmja konkurence serioze ndaj ketyre algoritmeve jane algoritmet sociale (rekomandimet qe marrim nga shoket ose nga njerez qe ndjekim per njeren ose tjetren teme).

      1. Eni, një nga lidhjet në shkrimin më lart, çon te një ndeshje e komentuar e kampionit amerikan Nakamura, me një program shahu të nivelit të lartë.

        Nakamura gjithnjë ka pretenduar se mund të përdorë sisteme “anti-kompjuter” – dhe loja në fjalë pretendon ta shembëllzojë këtë.

        Nuk di nëse pate kohë ta shohësh me kujdes se çfarë ndodhi në atë lojë.

        U arrit një pozicion i bllokuar (qëllimisht), ku megjithatë kompjuteri kishte avantazh material ndaj Nakamurës (por që nuk e përdorte dot, për shkak të bllokimit).

        Tani, kur pozicioni është i bllokuar, herët a vonë do të përsëritet; dhe në shah ka një rregull që, kur përsëritet tre herë pozicioni, ndeshja quhet e përfunduar barazim.

        Programin në fjalë e kishin “udhëzuar” që të mos e pranonte përsëritjen e pozicionit në qoftë se ishte në avantazh material, për të shmangur barazimin.

        Prandaj në vend që të përsëriste pozicionin, programi preferoi ta hapte lojën, edhe pse kjo i kushtoi humbjen.

        Gabimi i programuesit, në këtë mes, është se nuk pati parashikuar sjelljen e programit në kushtet kur loja është e bllokuar.

        Gjithsesi, unë nuk besoj se programet (ose kompjuterët) luajnë vërtet – thjesht “duken sikur” luajnë; po aq sa ç’duket sikur “flet” automati i kompanisë së kartës së kreditit.

        Këtu ka një keqkuptim të madh – që lidhet, kam frikë, edhe me një infantilizëm të madh, shoqërues i pashmangshëm i progresit teknologjik.

        1. Pikerisht xhaxha prandaj them se shahu nuk eshte i pershtatshem si etalon ndaj inteligjences artificiale. Shahu, duke qene tejet i kufizuar dhe i rregulluar si univers matematikor eshte perfekt per algoritmet qe po i quaj “logjike” ato te tejprogramuara qe permend me siper ku pak a shume programuesi i parashikon gjithe skenaret dhe programon strategjine a aksionit. Dhe aty ke shume te drejte, ato programe nuk luajne, nuk marrin risqe sepse nuk kane nevoje pasi mund te llogarisin tere universin ku veprojne. Per mua keto lloj programesh nuk jane inteligjente, nuk dine te mesojne dhe nuk dine te levizin nen te panjohuren. Te vesh nje kompjuter te luaj me nje njeri shah eshte si te fusesh nje arkitekt te nje labirinti ne krijesen e vet bashke me dike tjeter e ta shpallesh si me inteligjent kur ai del i pari.

          Mirepo ka kohe qe eshte zhvilluar nje brez tjeter algoritmesh qe merr risqe e qe mund te levize nder te panjohuren (ne fakt jo krejt, keto lloj algoritmesh ekstrapolojne nga te dhenat me te cilat jane ushqyer me pare). Keto jane algoritmet qe mund te veprojne ne universe qe nuk mund ti llogarisin krejt, dhe qe bejne te mundur sot interpretimin e gjuhes se shkruar apo te folur automatikisht etj. Dhe ketu duhet thene se keto algoritme i afrohen njerezve por kane akoma mangesi (te medha). Keto duhet te jene baza e krahasimit te njerezve me kompjuterin, jo shahu.

          Per shkencat infantilizmi eshte jo vetem i shendetshem por i domosdoshem. Nese Marvin Minski me shoke nuk do te besonin naivisht se mund te krijonin nje kompjuter “logjik” (pra qe zgjidh ekuacione logjike) me inteligjent se njeriu brenda 5-10 vitesh dhe kjo ne vitet 60 njerezit nuk do kishin shkuar ne Hene nder te tjerash.

          1. Eni, ajo qe quhet sot “artificial general intelligence”(general AI), mendoj qe per kete e ke fjalen kur flet per programet qe trajnohen, ka vite, dekada, qe ka mbetur ne vend.

            Pavarsisht se nuk kane munguar perpjekjet nuk eshte bere e mundur te avancohet drejt makinave qe “mendojne”.

            Makina gjigante e Google na afron ndoshta AI nga me te avancuarat, por nuk shkon me tej se algoritmet(midis tyre edhe te Amazon-it) qe permend me siper, per te na afruar info mbi subjektet qe eksplorojme apo ofertat tregetare per te zgjedhur e blere librat, muziken ne baze te profilit qe i ofrojme e krijojme vete ne motorin kerkues e monitorues.

            Njerezimi nuk ka zbuluar akoma misteret e trurit te cilit i eshte dashur miliona vite evolutive per te qene ai qe eshte sot, jo me te ndertoje AI qe t’i afrohet sadopak sjelljes dhe “drive-s” krijuese emotive te trurit, i cili nepermjet struktures te tij analoge kombinon te ndergjegjeshmes dhe te pandergjegjeshmes per te avancuar inteligjencen njerezore.

            Punera te komplikuara me duken…t’i mbajme ne nivele te kaperdishme e te mos enderrojme nje bote te pamundur.

            1. Read nuk e kisha fjalen per makina qe mendojne. E kisha fjalen per algoritme inteligjente qe mund te kene aplikime ne fusha dhe probleme nga me komplekset dhe te specializuarat. Keto i afrohen ose dhe i tejkalojne njerezit sipas rastit. Algoritmet qe trajnohen (supervised learning algorithms) jane prej shume vitesh algoritmet me te perhapura ne aplikimet inteligjente dhe nuk jane aspak kuriozitete nga general AI.

              Kur nje algoritem te sugjeron ty nje kenge te ngjashme me nje kenge tjeter qe te ka pelqyer te jesh i sigurte qe ka zgjidhur nje problem te veshtire (ka gjetur ato elemente cka ti i quan elegance apo bukuri praktikisht). Jane algoritme te ngjashme me ato qe perdoren per te gjetur e klasifikuar kancerin ne gji. Dhe poashtu te ngjashme me algoritmet qe mund te perdoren per te “gjetur” objekte brenda imazheve (gjetja e objekteve ne nje mizeri me pixel eshte serish problem i veshtire). Interpretimi i imazheve i lejon nje roboti psh te levize ne menyre autonome dhe te kerkoje “ushqim” ne nje ambient qe nuk e njeh. Dua te them qe algoritmet e kerkimit te faqeve nga Google & co. kane lidhje me te madhe sec duket me robotet e ardhshem te NASA-s ne Mars te afte te levizin e ushqehen vete.

              1. Prandaj te solla shembullin e Google qe udheheq ne shume drejtime te AI: te njohjes te zerit, transkriptimin, intepretimit, perkthimit, te dalloj diferencat ne fonemat njerezore dhe te studioje tendencat te zhvillimit te gjuheve natyrale, etj. Kjo eshte arritur nepermjet krijimit te kortekseve kompjuterike artificiale qe imitojne punen e neuroneve njerezore.

                Po ashtu sic shkruan edhe vete, edhe ne interpretimin e imazheve, identifikimin dhe parashikimet mutante te tyre, duke i hapur mundesira pafund qofte mjekesise ashtu edhe studimit te hapsires, kozmosit, etj.

                Perspektiva mahnitese te nje force kompjuterike joemocionale te krijuara nga nje tru emotiv sic eshte ai i njeriut.

                Nuk ka se si mos te biem dakord per sukseset ne AI…

                1. Read, ato per te cilat flet jane rrjetet neuronale artificiale (artificial neural networks, ti quash kortexe eshte pak e guximshme sepse jane shume me pak komplekse se kortexi). Keto algoritme, sot nder me te fuqishmet, trajnohen, nuk i programon kush pra, dhe ka literature te madhe per menyrat se si duhet ti trajnosh. Edhe vete njeriut i duhet ta trajnoje aparatin viziv dhe nuk mund te shohe mire muajt e pare te jetes.

                  Keto algoritme mund ti mesosh bile dhe te luajne shah pa ju a programuar rregullat me pare thjesht duke e ushqyer me te dhena (lojra shahu). Keto po mund ti vesh kunder nje njeriu dhe te shohesh. Do te ishte match me interesant. Po tani qe po e mendoj kam pershtypjen qe algoritmet e trajnuara do ta mesonin se ne shah ju del me mire po te konvergojne drejt algoritmeve logjike e do ta shnderronin veten ne te tilla :).

                2. Prandaj i quajta “kortekseve kumpiuterike” jo njerezore, me teper si eufemizm, sepse bejne nje lloj organizimi te punes te neuroneve artificiale. 🙂

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: