NJË VIT QOKA, NJË VIT HESHTJE

Të dashur miq, si sot para një viti u botua libri im “Gjuha e thyer, gjuha që thyen, Shënime për lirinë dhe vargonjtë e fjalës publike në Shqipërinë totalitare”; një libër që për mua zë vend të rëndësishëm mes eseve dhe studimeve që i kam kushtuar komunikimit publik gjatë asaj periudhe historike.

Libri u prit mirë nga lexuesi – po të gjykoj nga shitjet. Mediat treguan interes, po të gjykoj nga ftesat për ta prezantuar librin në televizion. Por ata që dëshiroja të tregonin më shumë interes – kolegët e mi, njerëz që merren me çështje të fjalës publike nga mëngjesi deri në darkë – përgjithësisht heshtën. Nuk them dot se e pritën librin me indiferencë; them se shumë prej tyre do të donin që ky libër të mos ishte botuar.

Nuk i festoj përvjetorët, e kam zët kalendarin. Por po ia lejoj vetes të kujtoj një datë, ashtu siç kujtoj datat e ngjarjeve të hidhura. Sepse libri ishte – dhe është – gëzim i madh për mua dhe njerëzit e afërt për mua; por është edhe burim hidhërimi, kur mendoj si do të kishte ndihmuar në përplasjet “dialogjike”, ku tashmë është kapur në çark kultura jonë publike prej dekadash.

Aq sa tani mund ta them haptazi: këto debate, përfshi edhe këtë të tanishmin për fjalën e lirë dhe identitetin e shkrimtarit në totalitarizëm – që është hapur mes Fatos Lubonjës dhe gazetës “Panorama” – i shërbejnë kryesisht riprodhimit të statu quo-së, sa kohë që nuk marrin mundimin të ndërtojnë mbi çfarë është arritur tashmë.

Me gjithë përpjekjet e çmuara që bëhen nga një grusht njerëzish, ku përfshij edhe botuesin tim Çabej, për të mbajtur të ndezur dritat, industria e librit shqip gjithnjë e më tepër nuk ka të bëjë me kulturën, as me leximin, por me mirëmbajtjen e hierarkive, qokat mes grupeve të interesit dhe financat private të enteve botuese: modeli ka dështuar, bashkë me shtetin që do të duhej të ndërhynte për ta korrigjuar.

Çfarë mund të bëjmë për t’i shpëtuar kësaj flame? Si qytetarë, shoqëri civile dhe sidomos, si NJERËZ TË LIRË, mund të mbajmë gjallë njëri-tjetrin: në lexim kjo mund të bëhet shumë më lehtë se, të them, në muzikë klasike ose në balet. Revista “Peizazhe të fjalës”, të cilën e drejtoj prej vitesh, është përpjekur të paraqitë, promovojë dhe analizojë një numër të madh veprash dhe autorësh bashkëkohorë, duke u vënë në dispozicion të kolegëve dhe mbështetësve të tyre. Kjo ka qenë e synuar prej nesh – dhe pikërisht, shkallmimi i monologut serial, ku është kapur peng ligjërimi kulturor bashkëkohor në trevat shqip.

Ju falënderoj të gjithë juve që na mbështetni; poshtë hierarkitë e dhomave me buxhak, poshtë presidiumet para kamerave, poshtë festivalet e qokave!

© 2020, Ardian Vehbiu.

1 Koment

  1. Pikës i ke rënë Ardian!
    Po ke parë ti që edhe libri im më bën të mendoj të njëjtën gjë, respektivisht si për veten, edhe për librin, edhe për “miqtë”, sidomos edhe për “intelektualët”, se për “studiuesit” nuk e di se ku fshihen!
    Me sa duket qenka sëmundje e përgjithshme!

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: