APOTEOZA E SHEMBJES

Është bërë publik një “Projektvendim” i Bashkisë së Tiranës, i nënshkruar nga kryetari Erion Veliaj, për “shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar,” si akt i fundit i një drame të fundit që po luhet në truallin e atij Institucioni. Tani që pronësia mbi truallin u transferua, si një letër bixhozi çfarëdo, nga njëra dorë autoritare në tjetrën, me sa duket vullneti i asaj pjese të shoqërisë civile, që kërkonte dhe aq gjatë luftoi për ruajtjen e ndërtesës, do të shpërfillet përfundimisht.

E kam shkruar më parë (NJË ZGJIDHJE PËR TEATRIN) dhe po e përsërit, se arsyet teknike që janë sjellë për amortizimin e ndërtesës së Teatrit, përligjin ndërhyrjet restauruese nga ana e “pronarëve” të saj, por jo prishjen. Ndërtesa mund të ngrihej nga e para, mbase edhe me teknologji të ngjashme, pa i prekur asgjë formës së saj, strukturës, konfigurimit, manipulimit që ajo i bën hapësirës, raporteve që ka vendosur me publikun në kohë dhe me qytetin; dhe pamjes në kontekstin urban të qendrës së Tiranës. Edhe pse arkitektë dhe historianë të kulturës kanë vënë në dukje vlerat edhe historike të ndërtesës si të tillë, mbase vjetrimi i saj mund ta përligjte restaurimin me themel – por jo prishjen.

Rrafshimi i këtij monumenti kulture dhe simboli për jetën kulturore të Shqipërisë dhe zëvendësimi i tij me një ndërtesë tjetër, si gjest tipik modernist i krahasueshëm me prishjen e Stadiumit Kombëtar dhe të monumenteve të tjera urbane në Tiranë është edhe më fashist, për nga frymëzimi dhe filozofia, se motivet që patën çuar në ngritjen e ndërtesës dikur.

Vlerat dhe magnetizmin selisë së Teatrit Kombëtar nuk ia kanë dhënë materialet e përdorura nga ndërtuesit fillestarë, por ngjarjet kulturore që kanë ndodhur aty, në rrjedhë të viteve dhe që i kanë blatuar një aurë të vyer, e cila nuk do të mund të zëvendësohet dot. Por restaurimi i imtë i ndërtesës, për t’ia ruajtur formën dhe strukturën, do t’i jepte asaj selie një jetë të re, për shekullin XXI dhe më pas.

Përndryshe, “shembja” tani e ndërtesës së Teatrit, kësaj copëze të Tiranës kulturore ku për dhjetëra vjet u ruajt sadopak diçka e mirë dhe e çmuar, në mes të së keqes, vjen edhe si konkluzioni logjik i kitsch-it kulturor të pashembullt, me të cilën u trajtua trashëgimia kulturore në Shqipëri, nga dyshja Rama-Kumbaro.

Që një institucion i pushtetit lokal, si Bashkia, merr tani një vendim për SHEMBJEN e një monumenti kulture, kjo nuk mund veçse të konfirmojë se pushteti i sotëm vazhdon ta adoptojë SHEMBJEN si politikë kulturore dhe urbane të dorës së parë – në bazë të një filozofie të zëvendësimit të vlerave që është pak ta quash të gabuar.

Qendra e Tiranës së sotme është ndarë më dysh mes gërdallave dhe monumenteve të degraduara, nga Pallati i Kulturës te Hotel Dajti dhe Piramida; dhe kontributeve të reja arkitektonike, herë të mbaruara dhe herë të pambaruara, që nuk i thonë asgjë qytetit, sepse nuk arrijnë të hyjnë në lidhje as mes tyre, as me Tiranën ekzistuese. Nuk krijojnë dot as kontekst, as sintaksë. Janë firma e shumicës në pushtet mbi një shgarravinë, që është projekti i tyre për Tiranën nesër. Prandaj te ky obsesion politik nuk mund të mos shohësh dëshpërimin e një projekti, atij të Rilindjes, të dashuruar pas shembjeve dhe tabula rasa-ve; dhe që nuk ka ditur dhe as ka dashur të komunikojë me shoqërinë civile, përveçse me arrogancë.

Këta që do të shembin nesër selinë e Teatrit, nuk e kanë inatin me një ndërtesë historike me gjasë të amortizuar dhe të papërshtatshme për funksionin që duhej të kishte: synimi i tyre është t’i tregojnë publikut të kulturës dhe gjithë qytetarëve se janë gati PËR TA SHEMBUR çdo lloj kundërshtimi sistematik, që u bëhet politikave të tyre, në kulturë dhe gjetiu.

Theksi është pra te SHEMBJA, jo tek Teatri. Prandaj edhe te vendimi bashkiak i tanishëm, sikurse tek i gjithë gjakimi politik që i ka paraprirë, nuk ka asnjë shenjë dashurie për Tiranën, teatrin dhe kulturën bashkëkohore në Shqipëri, madje as edhe të llojit paternalist; por vetëm një vullnet të ftohtë, sadist, për të çuar deri në fund dënimin me vdekje të një monumenti që, të paktën për një pjesë të qytetarëve kulturëdashës, ishte shndërruar në simbol të rezistencës ndaj prishjes dhe harresës.

Për shoqërinë civile, përpjekjet e përditshme, disavjeçare, në mbrojtje të selisë së Teatrit Kombëtar shërbyen edhe si shkollë e shkëlqyer për konstituimin e një lëvizjeje qytetare me frymëmarrje të gjerë. Nëse pushteti synon që me prishjen e godinës së Teatrit, ta shembë edhe gjithë ç’ka arritur të ndërtojë kjo lëvizje, si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe sidomos politike në Shqipëri, atëherë shoqërisë civile nuk i mbetet veç të provojë të kundërtën.

Ky nuk është fundi i teatrit si art; teatri tek e fundit mund të luhet edhe në rrugë, edhe në shtëpi, edhe në park, edhe në një fabrikë a magazinë të braktisur, edhe online (në Facebook). Por mbase do të jetë fundi i një konceptimi specifik të marrëdhënieve mes shtetit dhe kulturës, mes shtetit dhe artistëve, mes shtetit dhe kujtesës historike – ose kur do të kuptohet, në masë, se artistët dhe të gjithë operatorët e kulturës duhet ta marrin vetë në dorë atë që u takon, përfshi këtu edhe administrimin e fondeve publike përkatëse. Për të ardhur keq, megjithatë, që një ballafaqim i tillë erdhi si epilog i një programi kulturor të mbrapshtë, të çuar përpara nga një klasë pushtetarësh tek e cila artistët, krijuesit dhe kulturëdashësit patën shpresuar aq shumë në krye.

© 2020, Peizazhe të fjalës™.

6 Komente

  1. Dukuria ka edhe aspekte jo të neglizhueshme kushtetuese dhe juridike. Teatri Popullor apo Kombëtar është pronësi e shtetit, domethënë e “së tërës”, ku këtu kuptojmë të gjithë shtetasit, qytetarë dhe fshatarë. Transferimi i “së tërës” në pronësi të “një pjese” pa pyetur dhe pa marrë miratimin e “së tërës” apo “pjesëve të tjera” që janë efektivisht pronare nuk mund të mos ngrejë pikëpyetje të rëndësishme të së drejtës kushtetuese dhe administrative.

    E njëjta taktikë, fatkeqësisht, është përdorur para 2-3 vjetëve në transferimin e ish-Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori” – si truall dhe godinë – nga pronësia e Ministrisë së Kulturës [“së tërës”], në pronësi të Bashkisë së Tiranës [“një pjese”], ndërkohë që si trualli shtetëror, ashtu edhe godina përkatëse kanë qenë pronë e shtetit shiptar dhe janë ndërtuar me punën dhe djersën e të gjithë shqiptarëve, nga Tropoja e deri në Libohovë, dhe jo eksluzivisht nga qytetarët e Tiranës.

    Më tej lidhur me Teatrin, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës iu ngrit si shqetësim gjatë seancës së pyetjeve nevoja e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje në lidhje me çështjen e Teatrit gjatë një prezantimi të tij në MIT në fillim të marsit. U hodih edhe ideja e një referendumi – lokal apo kombëtar. Përgjigja e tij ishte se, praktikisht çështjen e Teatrit e kishte ngritur dhe paraqitur gjatë fushatës për zgjedhjet vendore, dhe fakti që kishte fituar mandatin e dytë vërtetonte mbështetjen e gjerë popullore për projektin e Teatrit…

  2. Eshte e dhimbshme te shohesh kete qe po ndodh me Teatrin ne Tirane. Por kjo braktisje dhe goditje e kultures shihet dhe ne qytete te tjera, vec kalon pa u vene re. Teatrin e Elbasanit e keni pare si eshte katandisur? Me keq se nje urinal buze nje super xhamie qe po ndertohet prej vitesh me c’fonde e c’perspektive nje zot e di.. Dikur aty behej nje festival ballkanik, koncerte, maratonat artistike te gjimnazeve… Ne vitet 2000 u ndertua dhe nje kinema ne kete qytet, u zhduk dhe kinemaja ka 3-4 vjet, pa lene gjurme. Askujt s’i kujtohet.. Kishte nje librari historike bri bustit te Kristoforidhit ne qender te qytetit, I erdhi radha edhe asaj te “rinovohej”, tani eshte zevendesuar nga nje banke… Shperfytyrim i skajshem i cdo pjeseze kulture, i cdo pjeseze memorie. Dhimbje. Dhimbje. Dhimbje.

    1. Duhej gjetur nje rruge e mesme .Teatri ka vlera te padiskutueshme sentimentale .Zoti e di se kur do ti vijne vendit aktore te kalibrit te Robert Ndrenikes e brezit te tij .Vendi ku ky brez punoi duhet ruajtur .Nga ana arkitektonike gjykimi mbetet in the eye of beholder.kjo godine duhej rikontruktuar ose me materialet fillestare ose me arkitekturen fillestare ne varesi te vleresimit inxhinierik.
      Nje teater modern duhej ndertuar diku gjetke,mundesisht ne nje nga zonat e amortizuara te Tiranes ne menyre qe qyteti te kete me shume qendra te artit,kultures e biznesit e te mos mbetemi edhe pas 100 vjetesh duke ndertuar vetem rreth aksit qe ndertuan dikur italianet.

    2. Aktorët janë një palë që pyetet, por opinioni i tyre nuk ka ndonjë privilegj ndaj opinioneve të grupeve të tjera të interesit (stakeholders). Sa për këtë të “emrave të aktorëve të afërm me…” ajo vetëm sa provon që prishja apo jo e Teatrit nuk është çështje sindikale; sikurse provon që opinionet nuk janë punë farefisnie.

  3. Asnjëherë s’kam hyrë brenda. Thonë që vitet e fundit vinte era myk. Gojë të liga? E vërtetë? Preferoj kinemanë se teatrin. Do të kisha preferuar të bëhej një godinë me shumë salla kinemaje dhe të shfaqeshin 12 apo 16 filma në të njëjtën kohë. Por, jo, teatër për teatër. Kam kaluar shpesh përballë kësaj godine gri, pa ngjyrë dhe e ngrehosur. Policë, turistë me aparate dhe hapësirë boshe. Arkitektura futuriste s’më ka pëlqyer ndonjëherë. Edhe pse në Itali kam jetuar ca vite, prapë s’kam arritur ta pëlqej. Por kjo s’do të thotë që nuk ka vepra të mira futuriste. Marinetti vazhdon të bëjë dishepuj.
    Akti që ndodhi, shëmbja, që po vazhdon në këto kohë të zymta shëndetsore dhe ekonomike per planetin tonë, po interpretohet, diskutohet dhe shpesh po dilet nga konteksti. Akuza, kundër-akuza, sharje, përgojime, grushte, shqelma, injorim dhe mosbindje. Pasqyra është e zymtë, gri si muret e atij teatri që u rrezua. Një tjetër, modern, fringo i ri, nga një arkitekt i mrekullueshëm danez, do ngrihet së shpejti. Po për kë? Ku? Me çfarë? Për çfarë? Kush përfiton? Kush humb? Kush paguan? Kush gjobitet? Krijuesit janë të një mendje? Po pse politika përzihet? Pse të gjithë diskutojnë? Pse s’ka …?
    Ka shumë pyetje që meritojnë përgjigje. Disa janë të qarta, disa janë konfuze dhe disa të tjera as që mundohen t’i japin. Por, siçu tha (AV), teatrin e bën kudo, edhe ne bulevard. Shpresoj që ndonjë regjizor i ardhshëm apo dramaturg, të përfitojê nga situata absurde në këto kohë ne bulevard në Tiranë. I duhet që të marri kameran apo aparatin dhe të dokumentojë.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin