SHQIPËRIA SI EUROPË E KINËS MAOISTE (I)

Shënime për romanin Koncert në fund të dimrit, të I. Kadaresë (pjesa e parë).

Nga Ilir Yzeiri

Këtë roman e kam dashur veçanërisht, e kam pëlqyer dhe e kam ruajtur në kujtesë, natyrisht, më shumë si frymë, por e sillja ndër mend sidomos atëherë kur një ndjenjë të zymtë apo një trishtim çfarëdo, më duhej që ta bashkëshoqëroja me diçka të shkruar.

Për mua, por edhe për brezin tim, besoj, Kadareja ishte si një lloj limani i pandotur, i ndodhur në një utopi që ne të gjithë ëndërronim ta jetonim, ta gjenim mes nesh apo ta projektonim si fat në jetën që vinte, por që e arrinim vetëm gjatë kohës që ishim në kontakt me shkrimin e tij, sepse, nëse ka një gjë që e bën atë të magjishëm, është pikërisht të shkruarit, të hartuarit e një teksti, ajo që në frëngjisht, ndoshta, shprehet më mirë – «l’écriture».

Me qenë se e ruaja kështu në vetëdije, para disa vjetësh, shkaktova një «furtunë» mes ish-ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, z. Arvizu dhe gazetës «Shekulli»[1] për shkak të një termi që unë pata përdorur në shkrimin tim, të cilin e kisha ruajtur më shumë si shenjë të një ligjërimi hipokrit, pa kuptim dhe qesharak, gjithashtu. Në kohën e marrëdhënieve me Kinën dhe më pas, ne e përdornim rëndom termin « kinezërira ». Mirëpo unë pata përmendur romanin Koncerti dhe, pa dashje, kisha thirrur në kauzë edhe Kadarenë. Për fat të mirë, opinioni më i madh u sqarua se jo vetëm te unë, por as në romanin e Kadaresë nuk kishte asnjë fije insinuate nga ato që kishte keqkuptuar zoti Arvizu. Më pas, ky i fundit i mirëkuptonte të gjithë ata që e shanin dhe e fyenin. Nga fundi i karrierës në vendin tonë, sulmet e ndaj tij nga PD-ja u bënë aq banale, sa shkrimi im dukej si një lëvdatë për të, por kjo është një gjë tjetër.

Bota e gjithë po kalon një nga traumat më të mëdha për shkak të koronavirusit, për të cilin dihet shumë pak, por ama dihet me siguri një gjë: ai u shfaq për herë të parë në një qytet të Kinës me emrin Vuhan. U përhap që andej në gjithë botën dhe i ka shkaktuar asaj një nga tragjeditë më të mëdha, sidomos ekonomike, dhe ka frenuar globin. Disa udhëheqës shtetesh i kanë kërkuar Pekinit që të tregohet më i hapur dhe të bashkëpunojë me ta në mënyrë që të kuptohet më mirë se çfarë ka ndodhur, por ende asgjë. Gjithçka është një mister. Midis pretendimeve të SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Australisë, nga njëra anë, që kërkojnë më shumë informacion nga Kina dhe Kinës komuniste që pretendon se nuk ka ç’të japë më dhe se këtë punë e kanë në dorë shkencëtarët, unë preferoj të jem në anën e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Australisë dhe gjithë atyre që bëjnë përgjegjëse Kinën për misterin e lindjes dhe përhapjes së koronavirusit  dhe për gjuhën e drunjtë, për mungesën e komunikimit të hapur, karakteristikë kjo e vendeve totalitare dhe gjysmë të hapura siç është Kina apo Rusia e Putinit.

Pikërisht kjo polemikë dhe hutimi, misteri dhe mungesa e qartësisë në Kinë, apo vdekja e një mjeku[2] dhe zhdukja e atij që zbuloi i pari virusin, vdekja e një tjetri që ishte, po ashtu, ndër të parët që u përball me të, frika[3] e gazetarëve që po investigonin mbi këtë virus, më shtynë një ditë që t’i rikthehem edhe njëherë romanit të famshëm të Kadaresë Koncert në fund të dimrit jo aq për të kuptuar se çfarë po ndodh sot, por për të rifreskuar memorien time me një nga kryeveprat e letërsisë botërore që zbërthen në mënyrë të thellë kodin e moskomunikimit dhe bën grafinë e krimeve të diktaturave komuniste me një qartësi tragjike në një nga ish-perandoritë komuniste të botës që pati si lider Mao Ce Dunin, figurën më komplekse dhe më gjakatare të Kinës së re.

Nuk besoj se ka tjetër roman në hapësirat eurolindore që të ketë përshkruar me aq thellësi e aq tragjizëm krimet e komunizmit kinez, por edhe krimet e diktaturave komuniste, sa ky roman. Nuk besoj se mund të gjendet tjetër vepër që të ketë në narrativë revolucionin kulturor në Kinë dhe përmendjen e krimeve monstruoze atje ndaj shkrimtarëve dhe artistëve kinezë, në një kohë kur maoizmi dhe maocedunideja kishte trullosur edhe një pjesë të mirë të Europës.

Gjakftohtësia

Me këtë titull Kadareja e dërgoi në Shtëpinë Botuese « Naim Frashëri » romanin, i cili, më vonë, do të dilte me titullin Koncert në fund të dimrit. Atë, siç thotë ai vetë, e kishte shkruar nga vitet 1978-1981 dhe pikërisht në vitin 1981 e dërgoi për botim. « Është romani më i rëndësishëm » – thotë ai në një intervistë në « Panorama ».[4]

Kjo vepër, në dorëshkrim, fitoi çmimin e parë në një konkurs kombëtar që ishte shpallur atë vit (1981), por, befas, u ndalua dhe nuk u botua. Doli në shtyp në vitin 1988. Në librin e përgatitur nga prof. Shaban Sinani me dokumente të arkivit të ish-KQ të PPSH-së dhe posaçërisht të zyrës së Shtypit e të Kulturës të atij aparati, me titull Një dosje për Kadarenë,[5] në dy recensione jepen arsyet se përse nuk duhet të botohet ky roman. Kur i lexon sot ato dokumente, çuditesh me qartësinë ideologjike që kishin shkruesit e tyre. Në ato raportime, ata, ashtu si murgjit e Mesjetës që analizojnë çdo paragraf e zbërthejnë çdo nëntekst, janë munduar e ia kanë dalë që të kapin thelbin e vërtetë të romanit. Sipas meje, ky paragraf që do të citoj më poshtë, e ilustron më së miri idenë se aparatçikët e regjur të Zyrës së Shtypit dhe të Kulturës në KQ të PPSH-së ishin të stërvitur dhe kishin nuhatje të hollë për të kuptuar e për të ndarë letërsinë propagandistike nga letërsia e vërtetë moderne dhe e pandotur me dogmat e socializmit. Ja shprehja:

« Romani « Gjakftohtësia » është një satirë dhe përqeshje me socializmin, me parimet dhe idetë e tij. Kjo satirë dhe tallje fshihet nën idenë e goditjes së «socializmit» kinez dhe të «majtizmit» të tij. Gjer këtu është disi e fshehtë. Por ajo shfaqet haptazi pastaj në faqet e romanit përmes ideve dhe frazave të dykuptimta, me të cilat është mbushur gjithë vepra.»[6]

Dhe pak më tej :

«Një ide krejtësisht e shtrembër e romanit është dhe ajo e luftës së liberalizmit kundër obskurantizmit, apo e Azisë me Europën, e «kinezërisë»  me «europeizmin»… Për autorin gjithë problemi është që Shqipëria të ruajë « rezervat e europeizmit ».[7]   

Ndërsa që në hyrje të kësaj recense thuhet:

«Ne nuk mund të pranojmë që vepra të botohet dhe pastaj kritika ta hedhë poshtë. Për të evituar këtë, nuk do të lejojmë të botohet. Nuk duam të çorientojmë opinionin publik, sidomos në këto situata.»[8]

Studiuesin australian Peter Morgan e kam njohur nga afër dhe e kam shoqëruar në Gjirokastër kur ai erdhi para disa vjetësh në vendin tonë për të njohur më mirë Shqipërinë dhe, sidomos, vendlindjen e Kadaresë përpara se të botonte një nga veprat më të plota e më të mira të shkruara nga një i huaj për shkrimtarin tonë. Për Koncertin, edhe ai ka vënë re «lojën e dyfishtë” të Kadaresë me paraqitjen e diktaturës.

Ai shkruan :

«Prezenca kineze u pasqyrua në një kohë kur ishte politikisht e pranueshme që ish-aleati të paraqitej në mënyrë negative. Megjithatë, edhe këtu, ashtu si te « Dimri i madh », mesazhi është i dyzuar. Mao Ce Duni këtu përfaqëson pushtetin shtypës dhe shpirtin e robërisë, por ai është pasqyrim i të gjitha diktaturave, përfshirë edhe atë shqiptare. Ky është kyçi i «lojës së dyfishtë» të Kadaresë që përmban kompromis dhe kritikë. Këtu, depërtimi i tij në brendësi të diktatorit doli profetik. Ndërsa paraqitja e kinezëve është një stereotip negativ, gjë që çoi në akuza për racizëm, kritika drejtohet kryesisht ndaj figurës së Maos dhe habitus-it kinez, si simbol i shtrembërimit të jetës në diktaturë »[9]

Ndërsa me rastin e botimit të romanit në SHBA në anglisht, New York Times nën titullin «The thrill of burning bridges» të Robert D. Kaplan shkruante:

“The Concert” switches back and forth between Albania and China. Because Mr. Kadare is describing China mainly through the eyes of his Albanian characters, the sections on China are more impressionistic than realistic. Yet Mr. Kadare has in fact spent his life in a brutal Communist police state. The reader gets the feeling that the author knows his territory: his impressions ring true, and his irony, however exaggerated, is fitting.”[10]

Nga të gjitha këto vlerësime për romanin, një gjë bie në sy: përmes anatomisë së krimit komunist në Kinë, Koncerti vizaton tragjedinë që ai shkaktoi në të gjitha vendet ku ishtë aplikuar. Ndërsa, në qoftë se mbajmë parasysh se pas prishjes me Bashkimin Sovjetik edhe Shqipëria imitoi modelin kinez të jetës dhe kur mendon se maocedunideja, apo modeli lejfenist i jetës, u bënë standarde të kërkuara nga masa e madhe e drejtuesve mediokër edhe te ne, atëherë nuk e ke të vështirë të ndiesh se ironia, satira dhe cinizmi me të cilat autori vizaton jetën në Kinën e Mao Ce Dunit, janë më së shumti ndjeshmëri për jetën pa ngjyrë që po shtillej edhe në Shqipëri.

 

Oazat europeiste të Tiranës

Romani që unë po analizoj, është botuar në vitin 1988, ka 701 faqe, me redaktor Piro Mishën dhe botuar nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Është radhitur me linotip, por ka një korrekturë gjuhësore të mahnitshme. Kam gjetur vetëm dy gabime fare të vogla drejtshkrimore. Atëherë ekzistonte kulti i gjuhës dhe detyrimi shtetëror për ta respektuar atë. Këtë anë mund ta kishim ruajtur nga diktatura, por kjo është një temë tjetër.

Si strukturë, romani është ndërtuar me kapituj dhe ka tetëmbëdhjetë të tillë. Secili syresh ndërtohet si histori e një personazhi, sepse ky roman është i tipit polifonik (shumëzërësh) dhe narratori rrëfen për fatet e personazheve të tij duke qëndruar disa herë larg tyre, duke i vështruar ato nga lart dhe vetëm në disa raste, atëherë kur ai tregon për Skënder Bermemën, fjala vjen, ke parandjenjën se pas atij personazhi qëndron alter egoja e shkrimtarit, por jo ai vetë, me që atë vetë e gjejmë më shumë si një regjisor që drejton veprimin e heronjve të tij dhe e takojmë, më së shumti, në skenat që ndërtohen si rrëfime pavetore e që kanë formën e përshkrimeve gati biblike në fillim të kapitujve apo kur futen në mes të rrëfimit si refleksione që ngjajnë, më së shumti, me një zë off, që vjen nga lart.

Ndërsa, në një vështrim tjetër, sapo hap faqen e parë të romanit, ke ndjesinë sikur po vazhdon të lexosh Dimrin e vetmisë së madhe apo Dimrin e madh, sepse është e njëjta atmosferë qytetare e jetës në Tiranë. Një apartament përgjithësisht komod që banohet nga një çift kryeqytetas që punojnë në sektorët e administratës publike, Silva në një ministri dhe i shoqi, Gjergji, në Ministrinë e Jashtme. Një lulishtar ka sjellë një vazo të madhe me një fidan limoni dhe ata e nxjerrin në ballkon. Limoni do të çelë vetëm në kapitullin e fundit. Kaq është dhe koha e rrëfimit, ka vënë në dukje një studiues. Gjergji është në Kinë në një mision të rëndësishëm diplomatik: po dërgon letrën e Shqipërisë për qëndrimin e saj ndaj ftesës që i ka bërë Kina presidentit amerikan Nikson për të vizituar Kinën. Në vend mbizotëron një lloj pezulli i përgjithshëm. Ndryshe nga romanet e tjera të Kadaresë, të cilët, zakonisht, kanë si tonus të përgjithshëm shiun dhe erën, këtu atmosfera është pezull. Ka kohë që pritet të bjerë shi, por ende nuk ka ardhur. Kjo gjendje pezulli përdoret si mjet stilistik jo vetëm për të vizatuar jetën jashtë, por edhe për të dhënë gjendjen e përgjithshme shpirtërore. Jemi në një nga periudhat më të vështira të historisë së Shqipërisë në vitet e diktaturës. Janë vitet ’78-’82 që finalizohen me vetëvrasjen e Mehmet Shehut.

Nis romani, pra, me limonin dhe me një festë familjare. Në darkën e ditëlindjes së Brikenës, Sajmiri, vëllai i Silvës, tankist, i thotë së motrës së ka rrezik që atë ta përjashtojnë nga Partia sepse ka thyer një urdhër ushtarak. Ndihet jehona e goditjeve në ushtri. Në qytet kishte kohë që përflitej zbehja e marrëdhënieve me Kinën. Besnik Struga, përkthyesi në romanin Dimri i madh, i pati treguar Silvës se si fishekzjarret e sjella nga Kina mbrëmjen e festës së parë pas prishjes me kinezët, shpërthyen me ca forma të frikshme në qiell. Një udhëtim në Kinë, një festë për ditëlindjen e Brikenës, vajzës së çiftit Dibra, Sajmiri që do të përjashtohet nga Partia, kujdesi për ta mbuluar limonin me një plastmasë, për ta ruajtur nga e ftohta dhe fishekzjarret në formën e gjarpërinjve me tri koka. Mbyllet kapitulli i parë.

Çdo fillim kapitulli nis me një përshkrim të natyrës dhe kozmosit. Qielli, aeroportet, satelitët, zogjtë që shtegtojnë, miliardat e sinjaleve që shkëmbejnë në ajër agjencitë dhe ja, Maoja i mbyllur në një shpellë.

Nis kapitulli i dytë.

Para kësaj, Kadareja, si mjeshtër i detajit të sjelljes formale me sens absurd ndonjëherë, i  ironisë dhe satirës, na tregon një shenjë të kodit të komunikimit të shtetit kinez: renditja e anëtarëve të Byrosë Politike Kineze. Përmes kësaj renditjeje, pra, duke parë se kush ishte ngjitur apo kush kishte zbritur në renditjen e emrave që viheshin njëri pas tjetrit me protokoll politik, në një eveniment, ti duhet të kuptoje se ç’po ndodhte në Pekin. Maoja në shpellë dhe dy ministrat absurdë njëri që flinte mbi dy fuçi dhe hante vetëm barishte dhe tjetri që lidhte kokën me peshqir. Gjergji lart në ajër me çantën diplomatike dhe poshtë hapësira e pamatë e Kinës. Dhe atje, në atë hapësirë të pamatë, Kryetari Mao, i mbyllur në shpellë, mundohej të mësohej me jetën e asgjësë. Faqet që përshkruajnë atë në shpellë, janë të mbushura me absurdin e një diktatori paranojak që e ka kthyer veten në një mit:

“Të shkon ty të bësh një vizitë në çatinë e botës, i kishte thënë disa herë e shoqja. Të duhet. Ai kishte bërë shaka me të, e kishte quajtur vanitoze, por fshehurazi e mendonte vizitën…” (“Koncerti”, vep. e cit. f. 43). Pastaj letra dhe ekonomia shqiptare, ndërprerja e ndihmës. Me cinizëm, ai mendon se ky vend i vogël që merr ndihma nga ne, është zhytur në një jetë që ka një nivel të paktën dhjetë herë më të madh: apartamente, buzëkuq, vajzat dhe gratë ulen nëpër kafene, dritaret janë me perde, femrat hedhin parfum, në dyqane shiten romane (f.46). Është pikërisht ky oazë europeist që kishte vënë re dhe kritiku i censurës, që Kadareja e thekson me forcë në këtë roman. Atë vello moderne të jetës shqiptare, Kadareja e bën shenjë të Shqipërisë që duhet të shpëtonte nga indoktrinimi i komunizmit kinez.

Ka një pasazh në roman që flet për antropologjinë e marrëdhënieve të shqiptarëve me ata që e kanë pushtuar, por edhe me ata me të cilët ka qenë në marrëdhënie aleatësh. Ky pasazh shfaqet si një refleksion i Maos pasi ka lexuar letrën e shqiptarëve. Ata, në shekuj, e kishin ndier kënaqësinë e pushtetit, por jo atë në dy pëllëmbë vend, por në hapësirat euroaziatike, pastaj, kur kishin mbetur vetëm në dy pëllëmbë vend, të leckosur e të raskapitur, kishin kërkuar të kapeshin pas ndonjë fuqie të madhe.

“Kështu që grumbulli i donkishotëve, me kokën plot fantazma, por të rreckosur, filluan të kërkonin andej-këndej për të gjetur në mos një pushtues tjetër, së paku, një aleat të madh, me të cilin të bënin pak a shumë të njëjtën lojë. Domethënë, të hiqeshin si të varur prej tij e në të vërtetë ta shfytëzonin”. (Po aty, f. 50)

Këtë refleksion autori e ka vënë në mendjen e Maos, por ai ndihet më shumë edhe si një qortim i autorit për bashkëkombësit e tij, është një cen antropologjik i tyre. Maoja mbylli sytë ngadalë dhe autori thotë se ai është përfshirë në ëndrrën për ta kinezëruar Europën.

Kapitulli që pason, është një përshkrim i vanitetit të jetës në Tiranë. Kadareja është mjeshtër i ndërtimit dhe i rrëfimit të jetës qytetare. Elementet moderne të jetës së sotme si show bizi, apo bota e femrave dhe vaniteti i tyre tërheqës, Linda dhe Silva në zyrë, bisedat për gjërat e rëndomta të jetës, transformimi i një ngjarjeje politike në një gossip grash apo bisedë në kafene, deri të ndërhyrjet e autorit për të klasifikuar llojet e prishjeve me aleatët si dramatike dhe të qeta, apo identifikimi i brezave me ata që kishin lindur në kohën e bllokadës apo të tjerët që ishin formuar në kohën kur flitej se kinezët do të largoheshin. Kishte edhe më. Autori kujton edhe se si e kishte marrë vesh prishjen me jugosllavët: dikush hyri në klasën fillore e tha: “Fëmijë, Tito tradhtoi!” Dhe vjen pastaj një personazh që karakterizon një tip të njohur mirë në atë kohë, por që ngjet me burokratin e Gogolit, të Kafkës. Mishërimi i njeriut që humbet gjithçka nga vetja dhe riformatohet sipas kanoneve të burokracisë. Ai është Simon Dersha me kostumin blu që shfaqet vazhdimisht me ankthin për të bërë një telefonatë. Nëpunës i nënshtruar, gati sa nuk mpihet nga ngazëllimi kur një miku i tij i thotë se do të shkojnë për darkë te një ministër. Ngazëllimi dhe pastaj shkatërrimi shpirtëror, sepse ministri qëlloi nga ata që do të quhej puçist, e zhyt atë në një pus të thellë faji. Kjo diagramë në personalitetin e Simonit të ndershëm, të urtë dhe parimor e dërgon këtë personazh në kufijtë qesharakë të absurdit. Ndjenja e fajit për një darkë të gabuar gati sa nuk e çon në vetëflijim. Ndërsa krejt në fillim, përjetimi i darkës te ministri dhe rikujtimi i saj ishte si një këngë me disa strofa që atë e fuste në ngashërim të ëmbël.

Absurdi i marrëdhënieve me kinezët ka një linjë të posaçme në roman. Viktor Hila largohet nga Tirana dhe gati përjashtohet nga puna sepse ka shkelur keq në këmbë kinezin Ping.

Ndërkaq, vazhdon misteri në Kinë dhe agjencitë e lajmeve e ato të hetimit nisin të shqyrtojnë përsëri renditjen e emrave të Byrosë Politike sipas një tjetër komisioni varrimi. E gjithë kjo vinte sepse askush nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur me vrasjen e numrit dy të Kinës, Lin Biao. Rrëfimi i Kadaresë për  këtë krim është i jashtëzakonshëm. Por, para kësaj, vizatimi i paranojave kineze të revolucionit kulturor kinez janë tragjike. Paralelet me Zeusin dhe Olimpin dhe lufta për shpëlarjen e trurit, plani për zhdukjen e librave dhe kthimin në nivelin kur ata kopjoheshin me dorë, t’i pritet krahu pianistit kinez që kishte luajtur Beethoven-in, zhdukja e dashurisë, shterimin e fantazisë dhe zhdukjen e artit. Kështu, revolucioni kulturor, sipas Kadaresë, synon të shkatërrojë vlerat perëndimore dhe rrënimin e Kinës e sheh jo si shkarje në Perëndim, por si rrëzim në obskurantizëm. Përballë saj, Shqipëria vështrohet si oazë europeist dhe model perëndimi.

(vijon)

© 2020, Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Titulli është i PTF.

 


[1] http://www.arkivalajmeve.com/Ambasada-Amerikane-nderpret-marredheniet-me-gazeten-Shekulli.1047022068/

[3] https://www.straitstimes.com/ëorld/chinese-video-journalist-who-disappeared-after-covering-wuhan-outbreak-tops-one-free-press

[4] http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=INTERVIST%C3%8BPRESS&article=13828

[5] Shaban Sinani, Një dosje për Kadarenë, botim i OMSCA-1, Tiranë 2005, dokumenti 29, 30, faqe 304-312

[6] Shaban Sinani, vep. e cit., fq. 310.

[7] Po aty, fq. 311.

[8] Po aty, f. 309.

[9] Peter Morgan, KADARE – shkrimtari dhe diktatura (1957-1990), shtëpia botuese 55, Tiranë, 2011, f. 209-210.

[10] https://www.nytimes.com/1994/11/06/books/the-thrill-of-burning-bridges.html

“Koncerti është një vajtje-ardhje mes Shqipërisë dhe Kinës. Meqenëse z. Kadare përshkruan Kinën kryesisht përmes syve personazheve të tij shqiptare, kapitujt mbi Kinën janë më shumë impresive, sesa realiste. Megjithatë, z. Kadare, në fakt, e ka kaluar jetën e tij në një shtet policor komunist brutal. Lexuesi ka ndjeshmërinë që autori e njeh territorin e tij: impresionet e tij janë të qarta dhe ironia e tij, sado e tepruar që është, të bind.” (përkthimi shqip nga I.Y.)

Rreth Autorit

Prof. dr. Ilir Yzeiri ështe pedagog i letërsisë shqipe të realizmit socialist dhe i komunikimit në Universitetin A. Xhuvani në Elbasan. Jeton prej vitesh në Tiranë dhe është gjithashtu një nga gazetarët e njohur të vendit. Ka botuar librat “Poetika” (Tiranë, 2000), “KADARE, AGOLLI, ARAPI- figuracioni në poezinë e viteve '60” (Tiranë, 2011). Ndërsa libri i tij i fundit “Semiopragmatika e realizmit socialist” ( Tiranë, 2013) është pjesa e parë e një serie me studime për realizmin socialist në Shqipëri. Pjesa e dytë e kësaj serie doli në janar të vitit 2020 me titullin “Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri”, Botime ÇABEJ . Po në janar të vitit 2020 ai ka botuar edhe monografinë “Erosi & Thanatosi në mjerim – Një vështrim semiologjik për romanin Lumi i vdekur të Jakov Xoxës.”

Author Archive Page

8 Komente

  1. Ilir, une i lexoj me kënaqësi shkrimet e tua, ke pjekurinë e një studiuesi serioz dhe me sa di je nga të rrallët që merresh me këtë periudhë të letërsisë, që për mua është e vështirë (për arsye ekstra letrare, kryesisht), por që të gjithëve na duket vetja kompetentë.

    Nuk dua të komentoj këtu, veçse kam një pyeje mjaft të sinqertë dhe do më interesonte një përgjigje e sinqertë nga ana tënde.
    E ke shpjeguar mirë më lart marrêdhënien e brezit tonë me Kadaren, ndaj do te desha të di: A ka studentë sot që e kanë lexuar këtë libër dhe e ndajnë pa asnjë rezistencë këtë opinion tëndin ?

    1. Ide interesante. Kam idene se askush nuk e ka lexuar vete Kadarene. Na e kane lexuar, Vorlesen, do thosh gjermani. Ja tani na e lexon Yzeiri, dikur mua ma lexonte Engjellushja qe iu prehte shpirti ne xhenet zyshes se letersise nga Gjirokastra. Vetem se ne nuk kemi lexime sa lexues, por lexime sa epoka.

      Duhet thene se eshte mjeshter. Se na turret nje fare G. Ç e na ben terbjet.

    2. Jo vetem brezi i ri por edhe brezi i vjeter ai per te cilin Kadareja para vitit 90 ishte syte me te cilet shihte boten , si ndjehet ndaj vepres se tij , tani qe boten e sheh dhe e gjykon vete?A e gjen vepren e Kadarese po aq te arrire nga pikepamja artisitike e po aq koherente nga ajo historike sa dikur?Sa prej librave te tij i kane rezistuar kohes ?

  2. Romani “Koncert ne fund te dimrit “ ka tone raciste ndaj kinezeve e nuk duhet marre si reference.Termi “kinezerira “ eshte kopjuar nga “shenime per Kinen” I Dulles I cili e kishte hobi te gjykonte dynjane .Kinezet me ato kinezerirat e tyre jane bere fuqi boterore ,ne bejme mire te merremi me “shqiptarirat “ tona .
    Judge not That te be not judged thote bibla e kaurit .

    1. Ishin të di (të dy) nga Gjirokastra: e çi kishin ata 1 miljardë kineze ?? (kulturë e çertifikuar 5 mije vjeçare – do thoshe ti). “Kinezerira” – tha gjirokastriti. Pa piken e teklifit. Mirë o mirë.
      😀

    2. Asnjeri nuk ka kopjuar, as kishin nevoje, per sa kohe te dy e njihnin frengjishten : “chinoiseries – complication inutile, tracasseries”.

      1. Kam shkruar para nëntë vjetësh:

        Kinezëri pa kinezë

        Po e ndjekim konfliktin e Ambasadës së ShBA në Tiranë me gazetën Shekulli, konflikt që i referohet drejtpërdrejt një artikulli të Ilir Yzeirit në këtë gazetë.

        Sipas letrës së protestës nga Zyra e Çështjeve Publike të asaj ambasade,

        [A]rtikulli i Z. Yzeiri shkoi shumë përtej kufijve të gazetarisë profesionale dhe opinioneve. Përkundrazi, kapërceu kufirin dhe u shndërrua në një sulm personal të papërshtatshëm dhe ad-hominem ndaj Ambasadorit Arvizu dhe Shteteve të Bashkuara. Përgojimet e lidhura me racën dhe etninë veçanërisht ishin të pavend për një gazetë, e cila pretendon të përfaqësojë opinionin kryesor.

        Për çfarë e ka fjalën pikërisht letra?

        Ndoshta për këtë paragraf të artikullit të Yzeirit, ku ai i drejtohet ambasadorit Arvizu me këto fjalë:

        [N]uk është e gjetur përpjekja që bëni ju për t’u treguar se jeni një njeri i dashur me popullin. Këtyre në shqip ne u themi “kinezërira”. Ju e njihni mirë psikologjinë e kinezëve të Maos dhe heroin Lej Fen. Ju mund të lexoni edhe romanin “Koncert në fund të dimrit” të shkrimtarit tonë të madh Kadare. Atje vizatohet bukur ajo që ne i themi “kinezëri”. Në fakt, historia që treguat […] ju me atë gruan me fëmijën që ju e takuat dhe përkëdhelët edhe fëmijën, të më ndjeni, po nuk ishte e gjetur. Ky lloj populizmi në Shqipëri nuk ngjit, përkundrazi bën efekt të kundërt.

        Ka mundësi që ambasadori Arvizu të jetë ndier i sulmuar personalisht nga akuza për “kinezëri” dhe aluzionet për psikologjinë e kinezëve të Maos dhe heroit Lej Fen; po të kemi parasysh edhe origjinën e tij etnike nga Azia (japonez nga e ëma).

        Po çfarë janë kinezëritë pikërisht?

        Shqipja kinezëri, e popullarizuar nga Ismail Kadareja në romanin e cituar prej Yzeirit, i përgjigjet, formalisht frëngjishtes chinoiserie.

        Në frëngjishte, kjo fjalë shënjon para së gjithash diçka karakteristike kineze; në shumës, ajo u referohet sendeve të artit, të luksit, të zbukurimit që prodhohen në Kinë dhe/ose u përgjigjen shijeve artistike të përpunuara brenda kulturës tradicionale kineze; në kuptimin figurativ, gjithnjë në shumës, fjala shënjon metaforikisht sjellje ose veçori që zakonisht shoqërohen me natyrën psikologjike të kinezit personazh të botëkuptimit folklorik europian – të tilla si bizarreritë, maninë për t’i ndërlikuar gjërat dhe mendimet tej mase, ekstravagancën, qimen në vezë, dredhinë.

        Filli lidhës këtu është ndërlikimi i ekzagjeruar – në sendet e zbukurimit dhe në sjellje.

        Në anglishte termi përdoret zakonisht për të shënjuar një stil ose mënyrë zbukurimi, si dhe sendet e prodhuara sipas atij stili; kuptimi tjetër, ai figurativ, ndeshet shumë rrallë.

        Përkundrazi, në romanin e Kadaresë të cituar më sipër, dhe pas gjase edhe në shkrimet e Enver Hoxhës (ky i ndikuar thellë prej kulturës frënge), kinezëri është përdorur rregullisht për të shënjuar një lloj sjelljeje dredharake, të mefshtë, tinzare, hipokrite dhe të çuditshme, gjithsesi të papranueshme, nga ana e zyrtarëve kinezë të asaj kohe.

        Çështja mund të reduktohet në një problem komunikimi; kultura kineze është kaq e ndryshme nga ajo europiania, sa edhe në kushtet diskursive optimale, konteksti paragjuhësor nuk funksionon; presupozimet mes palëve nuk përkojnë; mimika, gjestet, pritjet (expectations) dhe kodet e protokollit janë të ndryshme.

        Po vallë a nuk ndodh i njëjti débâcle në komunikim, mes ambasadorit Arvizu dhe autorit Yzeirit në gazetën Shekulli? E njëjta mosmarrëveshje, që zë fill nga mungesa e presupozimeve të përbashkëta mes të dy palëve? Në kulturën shqiptare, të paktën folklorike, përçmimi për të huajin tolerohet, madje përdoret për t’ia shtuar kohezionin grupit; sa më i huaj, aq më shumë do të përçmohet; edhe pse është fjala gjithnjë për përçmim në nivelin simbolik, që nuk përthyhet në situata reale, praktike. Përkundrazi, amerikanishtja PC (politikisht korrekte) e ka kthyer në tabu stereotipinë dhe profilimin e tjetrit sipas prejardhjes etnike.

        Keqkuptimi këtu ka ndodhur në momentin kur fjalët e artikullit të Shekullit, të destinuara për konsum të brendshëm, i kanë rënë në vesh një diplomati nga një kulturë tjetër. Edhe përkatësia etnike e diplomatit vetë, në këtë rast, nuk ka ndihmuar; sikurse nuk do të ketë ndihmuar zelli i tepruar i ndonjë përkthyesi të ambasadës…

        Ky tekst u botua edhe në një të përditshme (ndoshta Shekulli), por sot asnjë nga referencat nuk gjendet më online.

  3. Nje komshiu im, Nexhmedini, e pati lexuar keshtu romanin “Koncerti”:

    – Romani pershendeti prishjen e Enver Hoxhes me Kinen pas vdekjes se Maos, si ç’pati pershendetur “Dimri” prishjen e Enver Hoxhes me Bashkimin Sovjetik.

    – Romani i beri apologjine spastrimeve te medha ne Parti ne vitet 1970, sidomos atyre ne ekonomi dhe ne ushtri (perfshire edhe pushkatimet e Beqir Ballukut, Abdyl Kellezit dhe te tjereve).

    – Me linjen e oficerit te arrestuar (ngaqe kish refuzuar te zbatonte urdhrin puçist dhe te rrethonte me tanke nje Komitet Partie), romani i shpjegoi lexuesit se Partia eshte e mire dhe duhet ruajtur me çdo kusht nga armiqte qe na duan te keqen.

    – Romani u perfshi direkt ne luften per pushtet midis Partise dhe Sigurimit te Shtetit edhe per suksesionin, duke u rreshtuar perkrah Partise.

    – Te Shqiperia e romanit duket sikur Plenumi i katert dhe masakra ne kulturen shqiptare nuk kane ndodhur kurre.

    – Romani tallet eger me shtresat e permbysura dhe i karikaturizon.

    – Romani injoron qe prishja e Enverit me Kinen erdhi ne momentin kur Kina po hapej ekonomikisht dhe politikisht me Perendimin (Niksoni etj etj).

    Nexhmedini i pati dhene romanit nje lexim socialist-realist, sepse i shihte shkrimtaret si ndihmes te partise ne edukimin komunist te masave punonjese.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin