PËR RRËNOJAT E KRYETARIT

nga Elsa Demo

Gjuha e kryetarit të bashkisë së Tiranës me minj, fukadruga, tallash dhe teatër fashist, na kthen në pikën zero: sikur të mos jetë revoltuar dhe rezistuar një orë në këtë vend, sikur të mos jenë shkruar kurrë dy radhë me dinjitet njerëzor, shpirt qytetar dhe shqetësim profesionisti në këtë vend. Fjala nuk pi ujë, as indinjata, memet e ëmbëltojnë farmakun, hashtagët nuk e bëjnë dot fjalën mendim dhe mendimin veprim.

Kryetari manifeston para medias një tablo fëlligështie të Teatrit Kombëtar. Vetëbesimi dhe legjitimimi i tij ndjellakeq më janë shqetësuese. Personi i tij ka ndërsyer para syve tanë në vite diferencimin shoqëror, herë si superioritet i një pale qytetarësh ndaj një tjetre, herë si inferioritet i një grupi që mendon ndryshe ndaj një tjetri. Megjithatë, për aq kohë sa është në detyrë, është dashur që t’i japim përgjegjësinë e ndërmjetësit taksidar, që administron arkën financiare të qytetit, po edhe një arkë ca më të çmuar, ku ruhen simbole nëpërmjet të cilave një bashkësi qytetarësh integrohet emocionalisht. Teatri Kombëtar apo Kulla e Sahatit vlejnë si objekte po aq sa gjuha që zgjedhim kur flasim për to me nderim, histeri apo shtriganí. Tek gjuha është komunikimi edhe veprimi. Pas një gjuhe buzëvreri vjen goditja e pabesë.

Vetësiguria e kryetarit fsheh, së pari, deformim kulturor, aftësi të kufizuar ndërgjegjeje dhe mungesë vullneti për të njohur në mënyrë realiste vlerat e vendit ku jeton. Selektimi i fjalëve i nxjerr në pah varfërinë gjuhësore që ka si folës. Kështu, me një  vetëndierë, ai na imponon një teatër nën rrënoja. Së dyti, vetëpëlqimi i tij e gjen fuqinë tek media. Media që pranon të shkelë mbi veten, shumëfishon bashkë me gjuhën e tij edhe kërcënimin dhe ankthin që i bëhet bungë në grykë qytetarit (atij qytetari që e sheh si zë bishti dhjamë) në anën tjetër të ekranit. Një media që nuk pranon të shkelë mbi veten, që nuk shkon pas berihasë dhe refuzon ta bëjnë qesharake, do ta pyeste profkatarin nëse ka prova për akuzat që hamendëson për vjedhje, shitje, bastisje, vandalizim të pasurive brenda Teatrit Kombëtar? Do të vërë ai në dijeni organet e krimit dhe ndëshkimit, aleate të bashkisë, për ata uzurpues të hapësirës publike që meritojnë burgun (sipas tij dhe ministres në seri për kulturën)? E ka inspektuar ai apo informatorët e tij realitetin e depove dhe magazinave në Teatrin Kombëtar? Për çfarë bobinash me zërin e Kadri Roshit e ka fjalën? Dhe ç’është më e rëndësishmja, kjo alibia e arkivit, di gjë ai, ka pasur ndonjëherë arkiv të vërtetë Teatri Kombëtar (së paku të atij lloji për të cilin e përzë Presidentin e Republikës mos ta kullotë “gamorin” në arën e bashkisë)?

Njerëzit që kanë marrë në kurriz stigmën e grupit ekskluziv të Partisë Demokratike (a thua një parti nuk paska të drejtë të shprehë vullnetin e saj qytetar në mbrojtje të diçkaje që partia në pushtet e shkatërron?!), prej verës së shkuar e kanë ngopur me diell e dritë atë vend. Minjtë, ashtu si çdo ndyracak, i tremben diellit. Ajri ka hyrë lirisht përmes dopio dyerve të mëdha anësore bojëbizele të hapura tejetej për çdo ditë, e përmes lozhave, ballkoneve e korridoreve të ngushta, deri lart në kat të fundit, ka fshikur mëndafshin dhe pëlhurat e fustaneve, mantelet, dorezat, mantotë, shajakët, bastunët, brezat, kësulat, kapat partizane e qeleshet, poturet – të leshta e të pambukta, si t’i duash – përparëset e kuzhinës e të spitalit, këmishët e të çmendurve, balerinat, këpucët alla frënga, gambalet e ushtarit, dhjetëra-qindra kostume nga ngjyrëmjaltë në të hirtë, nga të gjelbra në manushaqe, nga bojëshegë në të zezë, sipas origjinës, statusit shoqëror, politik e kulturor, funksionit, gjinisë, besimit, epokës historike, modës, gjendjes shpirtërore, që e gjitha kjo, për hir të së vërtetës, teatrit të ri turbinë e partisë nuk i ka hyrë në punë, për një vit e gjysmë aq sa Teatri Kombëtar ishte tërësisht nën kontrollin e Ministrisë së Kulturës. Kjo pasuri sot ruhet më mirë nga ç’e braktisi Kumbaroja. Një pasuri e këtij lloji është e padëshiruar në teatrin e ri edhe për një arsye tjetër, që është në fakt më e rëndësishmja. Turbina e partisë nuk është lloji i teatrit që shqetësohet së brendshmi për çka kostumet e mësipërme e veshin së jashtmi. Shqetësimi i tij është moda, një morr më dëmsjellës se gjithë koleksioni i zoologut të bashkisë. Teatri i partisë, sa ç’është i ftohtë e i mpirë në arkitekturë, aq është sterilizues në mendësi i traditës dhe teatrit të vërtetë. E kështu gjithçka shkon në përputhje të plotë me aritminë e republikës së Tiranës.

Sa poshtë mund të bjerë një qytet!

Nuk besoj që kryetarit i ftohet gjaku nëse rrënojave të tij me minj e mola i shtoj një dorë krimbaleshësh, brumbujsh e hardhucash laragane, që xhirojnë në kapelat e Xhirit të Ndrek Lucës. Apo ky dokrramadh nuk lexon nën të, e nuk ka si ta hedhë fjalën tek ato që Xhir biçimsëzi, pas çdo vrasjeje, i bënte kat e kat mbi kokë. Xhiri mishëron në skenë Hermann Göringun, atë që Hitleri e projektoi pasardhës. Ai ka zotësinë të bëhet popullor edhe pa popull fare. Mag i alibisë: kur u hedh benzinë e djeg magazina natën, për llogari të bandës së Arturo Uisë, në të njëjtën kohë e gjen duke tretur ushqimin në pjacën e re të qytetit. Nëse do të gjendej bobina (marifetet e magusit këto, që nuk e di se ishin Televizioni Shqiptar dhe Radio Tirana të vetmet institucione që filmonin dhe regjistronin dhe gjithçka ruhet në arkivat e tyre) me zërin e Kadri Roshit në rolin e Uisë, ajo do të duhej kapur në minutën kur duket sheshit që Xhiri e ka mbushur kupën dhe shefi i madh që hyn në mizansenë thotë: “Unë s’ia pres këmbët kalit që më shërben. Dobësitë e vockla të bashkëpunëtorëve të mi unë nuk i vë re.”

Për një si Xhiri dhe Uija, janë në rojë ditë e natë “uzurpatorët” e Teatrit Kombëtar.

Kur uzurpatorët bëhen bashkë, i hyjnë pastrimit të kopshtit cep më cep, hollit, arenës më të hijshme që ka pasur ndonjëherë nën qiellin e Tiranës. Me dhe nën zë, gjatë këtyre dy viteve, aty kanë marrë formë mendime mbi lirinë siç nuk ka ndodhur në ato vende e sheshe që hapin në ballë një flamur. Aty fjala dhe mendimi është thirrur, kërkuar, pastruar e latuar si ato bërthamat e pemëve që thuhet se të burgosurit tanë politik i punonin me thikën e durimit.

Tek ky oborr zhbëhet çdo baladë për heroizëm, e ndien veten të sigurt, në bark të nënës, e lidhur me botën, e gatshme të hidhesh në botë, të thithësh mugëtirën e mëngjesit, të kapërcesh një mal dhe të përballesh me një çetë Shahin Matrakësh. Kështu Maksi Veloja është aty.

Tani është stina kur bari brufullon dhe krijon një baticë, ti ndihesh e përfillur nga fati dhe e dashuruar me njerëzit që, ashtu si ti, e marrin këtë çast si hir dhe bekim. E pasi jashtë t’i godet sytë drita e fortë, ti kapërcen pragun e platesë që, si në një film të Bergmanit, të tërheq në brendësinë me lastarët varur të perdeve bojëshegë, muret uthull pas tyre, poltronët bojëgjak. Ja shkallarja e varfër e drurit (si lodër fëmije harruar që shtatëdhjetë vjet aty) dhe hop në skenë. Diku nga boka e zezë e skenës buron një pikë biluri, fare sipër arrin të dallosh skeletin e një kurore të hollë të bardhë drite, tingullin e saj që vibron në ajër, që hesht kur bunaca bie dhe shfaqet aktori: ky syth bime, kjo pikë loti.

Dhe zoologu i Tiranës që e kërkon të vdekurën tek e gjalla, thotë se Teatri qenka mall pa zot! Sa poshtë ka rënë qyteti!

Tek kjo hapësirë publike uzurpatorësh bulëzon një farë jete në grup që e ka forcuar individin të gjejë një ekuilibër më vete dhe me të tjerë. Një pothuajse baticë shoqërore e mobilizuar edhe për një qëllim reformist, utopik sidoqoftë, sepse “uzurpatorët” shpresojnë të ndodhë një ndryshim total, një lloj milenarizmi për përmbushjen e drejtësisë në këtë vend. Njoh në mes tyre mohues kritikë të modelit berishist, që ia shtroi rrugën modelit kulturor të tipit të Uisë, sot e njëzet vjet. Ata kërkojnë modelin e një realiteti që nuk i ndan njerëzit në qytetarë alfa dhe beta, sipas pushtetit dhe parasë. Por njëherë të çlirohemi nga ky makth.

Gjuha e zoologut ka efektin të bëjë për vete gjithë ata që me siguri e dinë ç’takat ka miu i Tiranës (apo disa syresh marrë së bashku), por nuk e ndiejnë se, ndërkaq, u është lidhur në trup një gjarpër jo agresiv, jo helmues që dimëron pa e ngritur kokën, që pret stinën për të treguar se ç’është në gjendje t’u bëjë fëmijëve që flenë, asaj Tirane foshnjarake që hesht, teksa e mbyt si gjahun, duke e shtrënguar me marrje fryme. Ata që nuk dinë ç’të bëjnë me të keqen që i mundon, me dobësitë e robit që nuk jeton dot i lirë, e gjejnë veten tek kjo gjuhë shtrigani. Ky i mbron nga uzurpatorët, ky u del për zot, ky iu është rrugëdalje. Fashizmi ka më pak se kaq?

Por ama, kokën lart, zotërinj! Kush nuk ka vdekur, jeton akoma!

“Teatri nuk është ndërtesa”, thotë magusi, “ashtu si dhe Bashkia nuk është ndërtesa, por është institucioni.” Bashkia institucion që krijon ndërgjegje shoqërore?! Forma organizative më e qëndrueshme e shoqërisë?! E po bashkia nuk është as familja, as shkolla, as kisha ime. Një pushtet i palegjitimuar, po, kjo është bashkia.

Sa poshtë ka rënë Tirana!

Teatri është ndërtesa, teatri është vendi ku praktikohet ky art. Teatri është familje, shkollë, kishë. Skenat e reja të partisë nuk janë teatër dhe artistët e vërtetë vuajnë të bëjnë aty teatër. Kjo nuk ka gjasë të ndryshojë. Premtimi për një teatër të ri mbi të vjetrin, është një premtim për mirëqenie që iu bëhet artistëve. Pas një premtimi për mirëqenie është kontrolli njerëzor dhe humbja e lirisë. Shembull klasik i kësaj në pak kohë u bë ArTurbina (Pushtetin e ka gjithnjë ai që paguan rrogat, thotë Arturo Ui).

Bulurima për arkiva që qenkan marrë peng në Teatrin Kombëtar, është një hile që fsheh dramën e autonomisë dhe vetëvendosjes së institucioneve tona të kulturës dhe më gjerë. Faqet zyrtare web janë të zbrazura. E gjithë memoria është zhvendosur në Facebook ku nuk akumulon, ruan, selekton dot as të shkuarën dhe mbi të nuk projekton as të ardhme. Bordeli kulturor i Facebookut, i shtrirë në gjithë përmasën e Rilindjes, është muri që vesh rrënojat pas. Kështu e kërkojnë të gjallën tek e vdekura. Janë këto rrënojat e vërteta.

Fotografitë, dokumentet, afishet, dramat shqiptare dhe ato të përkthyera, gazetat në vite, përbëjnë arkivin e Teatrit Kombëtar ashtu siç e kam parë për herë të fundit, kur drejtori më mbushi me fjalë se do ta ndryshonte këtë zgëq dhe unë fryva publikun me një gënjeshtër. Asnjë grimë prej kësaj e digjitalizuar. Koha ka ngecur në vitet 2000, kur Uija doli dhe tha të ndalet rrjedhja e dekikës në këtë brimë minjsh.

Arkiva e Teatrit Kombëtar sot do të duhej të kishte dëshmi me zë dhe figurë, regjistrime dhe filmime (as pjesët që prodhojnë nuk i xhirojnë, nuk kishin çfarë t’i ofronin karantinës veç mbrëmjeve poetike me Agoll dhe Kadare), kolanë botimesh të dramaturgëve shqiptarë, albume, studime kritike, monografi, hetime historike dhe bashkëkohore për teatrin shqiptar. Nuk i ka. Në do të dish dëshmitë e gjithë një brezi artistësh, nuk do t’i gjesh dot më as në Bibliotekën Kombëtare djegur e përmbytur. Është loja brezahipthi e Rilindjes që i kërcen memories mbi shpinë.

Duhet më shumë për ta quajtur fashizëm?

Nga zdrukthëtaria pas pishinës tek kufiri me oborrin e Ministrisë së Brendshme mund të bëj ndonjë orë ecejake ose të prehem me një lexim poshtë bredhave midis dy teatrove, ose thjesht të mbyll sytë e të xhiroj në kokë një film të shkurtër për një kohë të largët të Maks Velos (vitet gjashtëdhjetë), kur aktorët pas shfaqjes, me maskën e rolit dhe qafën e shkrehur mes shpatullave, dalin nga krahu qendror i kompleksit teatror dhe hyjnë në kafenenë në të djathtë. Dritat e zbehta paralajmërojnë shërbimin e kufizuar. Njëri aktor, pa folur, fërkon dy-tri herë fijen që nuk ndez të shkrepëses, e lagur nga djersa në xhepin e brendshëm të xhaketës së personazhit. Kolegu që sheh buzët e thara të shokut, që kafshojnë cigaren e ndehur në tension, e ka pirë ndërkaq një raki rrushi. Janë me fat nëse një i tretë nuk iu bashkohet t’u përgjojë heshtjen.

“Kohë antishenjë”, edhe pse është autobiografia e tij njerëzore dhe artistike, u lë mjaft hapësirë profileve të bashkëkohësve, miqve dhe armiqve. Të qenët dëshmitar, këtë janë librat e Maksit, të cilëve iu kthehem sot, skicave, shënimeve për arkitekturën dhe polemikave (“Betonizimi i demokracisë”), për të marrë një dorë forcë kur dëgjoj kryetarin e bashkisë që flet si i liruar nga burgjitë.

Gati e kisha përligjur skenën e një dite më parë në varrezat e Tufinës: një trim i shtrirë dhe dy aventurierë në këmbë.

I pari flet për dinjitetin e Maksit, kundërshtar i zgjyrës politike që prodhon partia e tij dhe ato përballë; I dyti që tani hesht, kishte pasur shansin në të ri të ishte një pasardhës, një kryearkitekt i qytetit (nuk po e rimarr analogjinë me Albert Speerin sipas Plasarit). Bukë e një mielli.

Kaloi veç një natë nga varrimi i një njeriu që e desh me gjithsej diçka për të mirën tonë dhe luftoi për të, kur njeriu tjetër, një besëqen që e urren me gjithë shpirt atë që desh i pari, lufton për t’ia mohuar kauzën njerëzore dhe profesionale.

Ka kuptim t’i përgënjeshtrosh këta besëkeq? E frikshme t’i kesh në krah, e pamundur t’i lidhësh prej fjale. Si mund të nderojnë njeriun kur i shkatërrojnë veprën? Të njëjtën gjë u tha Veloja ndërsa elita e arkitekturës së Tiranës dhe pupacja në seri për kulturën, ia mbulonin me lule prehrin kolegut të tij Petraq Kolevica, pak muaj para. Pesë hapa larg pallatit të Kolevicës, një prej blloqeve më paqësorë të banimit në Tiranë, sot i dalë boje, ngrihen “Sytë e Tiranës” një transoqeanik çeliku e betoni, mu aty ku Kinostudio-Kombinat transporton qytetarë të një minimumi jetik.

Si nuk kanë frikë, thoshte Veloja, kur shihte ç’u bë me Stadiumin Kombëtar dhe duronte kërcënimin ndaj Teatrit Kombëtar, jo sepse i mendonte trima të çartur, por sepse shihte që korrupsioni në veprat e Rilindjes kishte përmasën e një varri masiv.

Nuk ka rilindas në Shqipëri që mos e dijë se Maks Veloja kishte të drejtë. E sot, për të qetësuar ndërgjegjen e fusin në muze, shpirtërojnë shtëpinë e Maksit. Është logjika fetishiste: trego kujdes për kultin e objektit që të zëvendësosh personin; përkushtim për objektin e personit të dashur në vend të personit të dashur dhe humanitetit të tij.

Njeriu trashëgon dhe imponon koherencën e një mënyre jetese dhe e një këndvështrimi për botën, thotë Orwelli. Nuk trashëgojmë objekte, trashëgojmë përgjegjësi dhe humanizëm që i mbijeton tiranisë dhe u jepet brezave. Në një Shqipëri tjetër, po. Sot për sot këtu nuk ka nevojë për kundërshtarë të denjë. Në këtë vend ku popullin asqer e kanë me vete po ata që kanë me vete gjykatat, policinë, spiunët, median, shumica ngatërrohet me të mirën dhe të drejtën.

(c) 2020, Elsa Demo. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Peizazhe të fjalës™ u ofron hapësirë botimi përgjigjeve dhe reagimeve të mundshme.

 

11 Komente

  1. “Afrimi” i diteve te fundit Rama-Meta mund te kete ndoshta edhe akordimin ne problemin e Teatrit, ku KM-ja eshte pro ngritjes se ndertesave te reja, thjesht per te vjelur taksat e duhura ne arken e shtetit, (per ato te xhepit nuk mund te flasim as aludojme, sepse nuk kemi fakte), dhe i dyti ishte rreshtuar per ruajtjen e teatrit, jo se e ka per zemer, apo se mendon per urbanistiken rreth e rrotull, por thjesht per te treguar forcen e krahut te kundert, (e gjithe kjo ndoshta nje film i kurdisur provincialesh per te ruajtur fshatin e tyre nga kapitali i madh perpires). Tani do te kemi padiskutim vendosjen e Lulit ne mbrojtje te teatrit me gjithe pasuesit e tij te paket, (te gjithe keta nuk kane qene kurre ne jeten e tyre ne ndonje pjese teatrale), qe humbja e Metes te mos dallohet. Per strukturen arkitektoniko-urbanistike te zonws aty, nuk pyetet me sot. Gjithshka ne funksion te parase. Derisa te gjitha sheshet te zihen dhe vendi te mbetet ne kollaps.

  2. Por edhe skenari i perdorimit te problemit “Teatri” per nxitje te metejshme revoltash mbrojtje, ne menyre te daljes se figurave te reja politike, mund te jete i mundshem. Mbi te gjitha, specialistet e arkitektures, urbanistikes, financave mbeten ne hije, sepse keta lene ne hije rolin e politikes.

  3. Po dua thjesht të bëj një pyetje naive: Në një kohë kur gjithandej flitet për kufizime e shtrëngesa dhe kur perspektiva ekonomike post-Covid duket e zymtë edhe për vende shumë më të zhvilluara se Shqipëria, ku e gjejnë vallë kurajon/alibinë për t’u deklaruar publikisht shqiptarëve se duhet të mbajnë mbi shpinë edhe një kredi të re për ndërtimin e… Çfarë? Një teatri të ri?!!

    1. Tek fakti që shqiptarët janë vjedhur dhe vazhdojnë të vidhen ditën për diell, dhe prapë nuk kanë kurajo të flasin.

      Por mos harro se kjo qeveri i shpëtoi nga Covid, se do kishin vdek me miliona. Si mendon ti, kush është më e rëndësishme, jeta, apo paraja?

      1. Ajo që prej kohësh mungon në këtë vend është të paturit e një plani.
        Dhe sa kohë që ai mungon le t’i bëjmë qejfin vetes e t’ia hedhim fajin turmës që s’ka kurajo të flasë tani që shpëtoi nga Covid edhe pse e turllosur disi nga rreptësia e neurotic overprotective parent.

        Prindi duhet të ishte duke menduar sesi t’u siguronte bukën e gojës fëmijëve që e paguajnë për këtë, po belaja është kur i shkrep në mendje që t’ja u bëj paret e pakëta rrush e kumbulla për aheng, pikërisht tani.

        E kotë të qahemi e të mallkojmë X dhe Y. Personalizimi i fenomenit duke ia veshur negativitetin individëve-fajtorë nuk mendoj se ndihmon shumë. A mund të bëhen bashkë ca koka të mençura që të mendojnë për të ardhmen e këtij vendi?

  4. Ne baze te parimit sundues opozites i takon nje kompensim diku per aferen e teatrit, mirepo Veliaj me gamorin tha qe ska kompesim per opoziten. Opozita e kuptoi me ne fund qe ska askund ndonje kompesim, keshtu qe Meta e dergoi ne Gj.K. gje qe ne teori mund ta kishte bere qe para 2 vjetesh dhe gjithe lojerat me teatrin nuk do ishin bere. Ne kete loje njetezit pa interesa ekonomike mund te prodhojne ndonje reagim politik, i cili gjithsesi do kapitalizohet nga opozita per te mberritur objektivin e saj te kompesimit. Duket se Rama e ka edhe ceshtje personale dhe nuk i leverdis biznesi i shkembimit e kompesimit.

    1. Dies Irae,

      E dëgjoj shpesh këtë “çështjen personale” dhe kam përshtypjen se ata që e përdorin kanë shpjegime të ndryshme. Si është puna sipas jush?

      1. Si me çdo figurë autoritare, dhe me Ramën gjithçka është personale.

        P.S. Fjalën autoritar e përdor me shumë rezervë në kontekst sepse personalisht besoj se Rama është i një rrezikshmërie shoqërore që shkon shumë më larg se autoritarizmi.

      2. Teuta arsyet nuk i di dhe nuk dua qe ta psikologjis apo psiakanalizoj Ramen, por si po duket puna, meqenese ceshtja e biznesit me terrenin e teatrit duket si e perenduar, kurse vendosmeria per ta prishur ngelet, atehere ceshtja personale nuk perjashtohet ( ka 20 vjet qe i eshte qepur ).

        Gjilpera nuk e dija ate, por kjo shpjegon pse Rama u detyrua t’ia kaloje bashkise. Pra mjaftonte qe ne fillim qe Presidenti apo kushdo i interesuar qe permbush kriteret, ta conte ligjin ne Gj.K. dhe s’do ishte harxhuar kaq boje.
        Besoj se gjekundi ketu gjendet e shkruar nga ana ime dicka, ku jam shprehur se ligji duhet cuar ne GJ.K dhe ska nevoje te behet gjullurdi e madhe.
        Politika ose opozita me sakte kishte dhe ka nevoje per kompesim diku, keshtu qe ka bere lufte, shoqeria civile gjeti nje kauze ku te lahen ca hesape dhe/ose ku te behet emer publik ( emri zakonisht sherben per perfitime te llojeve te tjera, jo detyrimisht ekonomike, kuptohet pa i perjashtuar aspak).

        Ne vend qe ketu te hyje kultura e ligjit e kushtetutshmerise, palet nuk nxjerrin asnje leverdi nga kushtetutshmeria, keshtu qe e snobojne.

        Presidenti, vecanerisht , vertet qe ligjin nuk e kthen dot ne Parlament me shume se nje here, por ama kushtetuta i njeh te drejten qe cdo ligj ta dergoje ne GJ.K. e te kerkoje kushtetutshmerine e tij. Pra, Presidenti mund t’i bllokoje gjithe ligjet, derisa te shprehet Gj.K. meqenese qeverive nuk para ua mban qe te zbatojne nje ligj qe gjendet ne GJ.K, per verifikim kushtetutshmerie ( kuptohet qe situata e tashme pa Gj.K. eshte nje anomali absolute dhe qeveria mund te mos prese, por kjo do e bente Presidentin kampion te kushtetutshmerise, ne syte e popullit dhe te botes, gje qe politikisht eshte qartazi demtuese per qeverine).

    2. Opozita e kuptoi me ne fund qe ska askund ndonje kompesim, keshtu qe Meta e dergoi ne Gj.K. gje qe ne teori mund ta kishte bere qe para 2 vjetesh dhe gjithe lojerat me teatrin nuk do ishin bere.

      Dies Irae, presidenti e ka çuar që prej një viti një padi për Teatrin Kombëtar në Gjykatën Kushtetuese; kjo e sotmja është padia e dytë. Në këtë çështje presidenti është treguar në lartësinë e detyrës; t’i flasim hakun për këtë dhe të shpresojmë që do të vazhdojë të jetë i tillë.

      Më 25 korrik 2019, Presidenti Meta dërgoi në Gjykatën Kushtetuese padinë e parë kundër qeverisë dhe bashkisë dhe kërkoi shpalljen si antikushtetues të ligji për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

      https://exit.al/presidenti-meta-dergon-ne-kushtetuese-vendimin-e-qeverise-per-kalimin-e-teatrit-ne-pronesi-te-bashkise/

  5. Gjendja e ndërgjegjes sonë është rënduar skajshëm. Nuk po mundemi të shikojmë shpresë për qëndresë, për kundërshtim ndaj modelit shoqëror që po na rrëmben më së shumti brezin e ri. Indiferenca vret! Frika vret edhe më shumë!
    Dhe e gjejmë veten para një butaforiku të pashoq, që vetëm të vërteta nuk thotë.
    Thotë se ka marrë çmime, për sheshin, për stadiumin, për parkun, për … . E çfarë pastaj?! Çmimet, tashmë të shumta, produkte skemash, shpesh të dyshimta, me aplikime me pagesa, nuk përbëjnë argumente të pakundërshtueshme.
    Stadiumi është një turp! Së pari si shkatërrim i historisë; së dyti i shkallës së qytetit e një shkarravinë mbi peizazhin rrethues të tij (ashtu siç janë edhe disa ndërtesa rreth tij); më tej si model i turpshëm i shpenzimit të parave publike (e nëse jemi në borxh ndaj privatit është edhe më keq!); si projekt i dobët, sipërfaqësor në mendim dhe skenografik më tepër se arkitektonik. Ka gafa të rënda dhe zgjidhje të papranueshme! Vetëm mbështjella, arkitektonikisht diletanteske, kushton sa një stadium tjetër i ri!!!
    Sheshi i ri është kritikuar jo pak. Një tekë shpërfillëse e belgëve që “vranë dorën” me të dhe kullën TID, pa patur asnjë përvojë as edhe në vendin e tyre. Një skenografi që mbahet “e suksesshme” me dhunë e pahir, me veprimtari të stisura e pompuara, me braktisjen e sheshit “Nënë Tereza” deri në lënie pas dore me qëllim. Mund të kishte qenë shumë herë më modest në shpenzime dhe shumë herë më i vlefshëm për qytetin, nëntokë e mbi të.
    Parku i Madh?! Sigurisht që janë mbjellë shumë pemë, madje më shumë se ç’duhet aty ku nuk kishte nevojë. Janë mbjellë duke shkatërruar edhe konceptin e tij. Ka patur disa lëndina të ideuara prej krijuesve të atij parku që tashmë janë zhdukur nga zelli për të mbjellë aty ku duket. Po kemi dhe një ish-kalldrëm të zëvendësuar nga beton-asfalti. Në fakt, zanafilla e ndërhyrjeve të papërshtatshme nis me zëvendësimin e asfalteve të vjetër, deri diku të integruar në peizazh, me betonin me forma, të rrëshkitshëm, verbues dhe rigjid. Kjo, ndërkohë kur gjetkë, shtrimet e buta janë zgjidhje e konfirmuar, me pak shpenzim dhe pa dëm. Nuk di përse në atë çikë park duhet të “strehohen” memorialet e të rënëve gjermanë, anglezë, turq (këta pa lidhje me ne), hebre… . Diku ka dhe një “qokë” me emrin “Pylli i Dritëroit”, që as bahçe nuk është. Po përse duhet të ketë një gjë të tillë?! Këto i di BUTAFORIKU!
    Mund të ketë një çmim edhe për sipërfaqet e grabitura parkut, edhe për ish-Sheratonin. Shpresoj ta marrin një çmim edhe për banesat e larta kolektive në krah të tij; një tjetër për ish-gardën, ish-parkun e lojrave tek rr. e Elbasanit. Të jepet një çmim për shpërfytyrimin e sa e sa ndërtesave, vepra të Kolevicës, Koço Çomit, Maks Velos, Valentina Pistolit e shumë arkitektëve të tjerë (sidomos për ish-bibliotekën e Korçës!!!, ish-hotel Arbanën, ish-shkollën e Partisë, ish-Hotel Tiranën që ishte ekuivalenti i SAS Hotel të Arne Jacobsen për Tiranën, ish-vilat e zhdukura etj.etj).
    Arkitektët e huaj janë të duhurit! Sigurisht, por duhet t’i ndajmë ata të zellshmit për të prishur, tjetërsuar veprën e arkitektëve vendas apo jo vendas që ka shënjuar historinë e këtij vendi prej atyre që BUTAFORIKU i quajti “pensionistë”. Sa fyese dhe e palogjikshme! Ky është thelbi, të hiqen qafe të vjetrit, ata që janë të pavarur, të guximshëm, me përvojë, me arësye! Të mos numërohen, të mos dëgjohen, sepse janë… pensionistë!!! E të zëvendësohen me gjoja përfaqësues të arkitektëve, inxhinierëve, artistëve etj, që i fton BUTAFORIKU me kujdes nëpër maratonat e takimeve që thotë se ka zhvilluar nëpër hotelet e shtrenjtë të Tiranës. Më kujtohet se, në një nga këto mbledhje live, njërit prej këtyre (ish student super i dobët) i thirri me ngazëllim “profesor”. Jo një herë, por dy a tri!
    BUTAFORIKU etiketon pa të keq emra të padisktueshëm ndërkombëtarë si “pensionistë”, nostalgjikë e ku di unë çfarë tjetër i broçkullis goja. Ndaj jemi këtu ku jemi, se nën kredon e “gjakut të ri” u menderos shteti në çdo qelizë të tij. Më keq se në kohërat e shkuara, ata pensionistët e vyer i duan vetëm për vota, por jo për mendjen, përvojën, urtësinë dhe papajtueshmërinë me të keqen.
    Sigurisht që ata që marrin pagën në TK do të jenë ‘de jure’ pro pushtetit. Besoj nga e keqja më së shumti. Sigurisht që ata që ndajnë mes tyre me urdhër partie gjithë projektet publike (dhe jo vetëm publike) të 5-6 viteve të fundit, do të jenë të zellshëm për të “dhënë kontributin shkencor” në bindjen e opinionit se ndërtesa e TK nuk vlen, por vlen shkatërrimi i një tjetër ndërtese me vlerë të veçantë për fushën për të cilën shërbente nën thirrjen “Turbina”. Sigurisht që drejtori injorant i Institutit të Ndërtimit nuk mund të bëjë ndryshe nga ç’bën. Mjaft të pyesësh për të atje ku ka lënë gjurmë të pashlyeshme me injorancën e vet profesionale dhe nuk rreshtin të vërtetat e kthyera në barcaleta.
    Pallati i Kulturës e ka radhën, për të qarë ne e për të marrë çmim BUTAFORIKËT, muzeu historik, galeria e arteve e me radhë. Po ndërtesa e parlamentit të parë shqiptar a është në mbrojtje? Ç’do të ndodhë me të?
    Eh…mirë po…me parkun Rinia ç’patën?! Po me trotuarin gjatë Lanës?! Sa shumë punë të shpikura nga panevoja dhe babëzia!
    Pyetje: a e di kush se në projektin origjinal të bulevardit, Teatri Kombëtar është i vendosur mu përballë Galerisë së Arteve?! Më pëlqen!!! Të prishet edhe një herë parku, me Tajvan e sorollop, e mua aty të ngrihet Teatri. Nuk na duhen parqe gjoja. Le ta japë gjithë ish-gardën për të kompensuar humbjet e parkut.
    Tallash apo jo, historia duhet ruajtur. Bota e shpik edhe kur nuk e ka, o BUTAFORIK!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin