FRYMË E NDALUAR

(Çfarë po na ndodh?)

Nga Alain Brossat

 

Ngjarja virus sipas filozofisë

Nuk kam dyshim se kemi arsye të flasim për eveniment. Madje në kuptimin e një ngjarjeje që kuptohet si diçka për t’u mbajtur mend, që dihet se do të lerë një gjurmë në kalendar. Ngjarja, evenimenti është para së gjithash diçka që na shtrëngon të pyesim veten: çfarë po na ndodh? Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me eveniment kur përftohet një parregullsi ose kur ndodh një përjashtim, që na nxjerr nga gjendja jonë e zakonshme, pak a shumë somnambulike, disi e distancuar nga realiteti. Evenimenti, në këtë kuptim, është edhe diçka që na çorienton; dhe po ashtu na bën që brenda vetes të shohim sesi tani riorientimi, ky është tani çështja!  Është diçka që na rikthen, pak a shumë me dhunë, te realiteti. Në këtë kuptim, evenimenti përfton gjithnjë efekt tronditës, shokues. Nuk është diçka që rrimë ta asistojmë si spektatorë; ai na përfshin dhe na transformon, na saboton subjektivitetet përkatëse – madje edhe kur nga ky sabotim mund të vijë diçka për mbarë.

Pikërisht një gjë e tillë po na ndodh me krizën epidemike të tanishme. Atë na e paraqesin majtas djathtas si një lloj katastrofe natyrore që na bie mbi kokë – edhe pse, po ta mendojmë pak më thellë, mund të duket se kjo përshtypje e një katastrofe natyrore është e rreme. Mund të shtojmë se, kjo krizë kaq madhore ka aftësinë të na kthejë dhunshëm në realitet (një gjendje e caktuar e globalizimit, të kuptuar si epokë); dhe se ajo hap një të çarë, përmes së cilës na lejon të shohim çfarë mbetet ama jashtë vështrimit tone; dhe, si e vërtetë e fshehur, e paarritshme, e këtij realiteti, është pikërisht realiteti i pranishëm i fundshmërisë (finitude) sonë.

Evenimenti koronavirus, ja çfarë na zgjon befas dhe na detyron të dalim nga balta (nga zamka) e një sërë mohimesh të lidhura varg. Zgjohemi, të mbuluar me djersë, mu në mes të asaj që Macroni e cilëson, jo gabimisht, gjendje “lufte” (si nuk e kuptoi më herët, hajvani?) dhe që na duhet t’i bëjmë ballë, duke u ri-orientuar në këtë stuhi të së tashmes (tezat e Walter Benjaminit, përherë i vlefshëm), d.m.th. duke marrë një kthesë rrënjësore.

Prioriteti i tregut ndaj jetës

Është koha vërtet të mendojmë se duhet të heqim dorë nga modeli (gimmick-u) i vetëdijesimit: qeveritë nuk bëhen hiç të vetëdijshme për gjërat; ato reagojnë në urgjencë dhe pa strategji, ndaj një evenimenti shkatërrimtar që përplaset mbi to e i kap krejt në befasi. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se të gjitha “llogaritë” që kishin bërë, e përjashtonin mundësinë e një katastrofe të tillë. Për këtë ka arsye të lashta dhe të thella. Pa bërë gjenealogji të hollësishme të kësaj mangësie, boll të nënvizojmë se, në demokracinë e tregut, i vetmi “shëndet” që ngre gjithnjë peshë në sytë e pushtetarëve, është ai i tregjeve, në kundërshtim me atë të popullsisë. Ky ri-orientim i qeverisë së të gjallëve ndaj menaxhimit (mbikëqyrjes) të tregjeve është një kthesë madhore në politikën bashkëkohore. Kjo i përgjigjet, pak a shumë, çmontimit të shtetit social. Shthurja e qeverisjes, për të cilën shenjat janë shumuar vitet e fundit në Francë, që nga braktisja e lagjeve periferike te vënia në dietë e spitaleve publike dhe shkurtimet buxhetore në gjithçka që lidhet me shërbimet publike dhe sociale – e gjitha kjo nuk na zbulon doemos ndonjë projekt të bashkërenduar për t’i dhënë fund çdo përmase pozitive të qeverisë së të gjallëve, për një harresë aktive të pozitiviteteve të “nxitjes së jetesës.” Është më se e thjeshtë: kemi të bëjmë me pasojën e induktuar të tiranisë së racionaliteteve neo-liberale, të cilat kanë për synim të çimentojnë përparësinë absolute të “ekonomisë” dhe të vendosin, nën këtë regjim, krejt programin e marrjes në kontroll të së gjallit, të jetës, që përmbahet në thelbin e biopushtetit – të pushtetit modern, pra, siç orienton Foucault-i.

E gjitha kjo është çështje racionalitetesh. E pamë mirë, kur u shpallën premisat e epidemisë në Europë. Reagimi i parë i të shkarëve që na qeverisin nuk ishte të mbronin dhe të lajmëronin popullatat. Sidomos kur panë se ç’kish ndodhur me epideminë në Kinë dhe pastaj në Azinë lindore. Por halli qe të mbronin tregjet. Me idenë bazë e idiote të mos alarmonin njerëzit, pse kjo do të dëmtonte ekonominë; dhe se nuk duhej penguar qarkullimi i mallrave dhe tregtia! Prandaj, për t’ia arritur kësaj, duhej nënvlerësuar sistematikisht (në sytë e publikut) serioziteti i rreziqeve që po përvijoheshin.

Mendjelehtësi kolektive

Llogaritjet dritëshkurtra e kriminale të qeveritarëve përkuan për bukuri me indiferencën somnambulike të njerëzve, të bindur se kjo lloj flame nuk mund të prekë veçse “të tjerët”, nga Uhani në Kinshasa. Veçanërisht me bindjen e klasës së mesme gjithkund në planet, ajo që i sheh të gjitha këto duke u shulluar në kafene (nga sulmi xhihadist kundër Bataclanit në Paris deri te kriza e COVID 19), e mbyllur me tre palë dryna në narcisizmin e vet imunitar – atëherë, nën shenjën e kësaj puqjeje providenciale midis llogariçkave të cave (pushtetarëve) dhe mendjelehtësisë absolute të ca të tjerëve, mundi të lulëzojë kjo politikë prej struci, së cilës po ia shohim rezultatet sot.

Më e keqja: në kallëpet e po këtyre “llogariçkave” të dyanshme (e gjitha nën dritën e paradigmës rinushe (jeuniste) që mori hov pas ngjitjes së Macronit në pushtet) hyn dhe kjo ide e mbrapshtë a posteriori, që erdhi dhe zuri vend në trurin reptilian të dyja palëve:  që nëse ky grip ca egërsor do bëjë dëme, janë të moshuarit që do të paguajnë! – prandaj, ne që jemi kaq të rinj dhe në formë të mrekullueshme nuk kemi pse të alarmohemi tej mase! E kësaj i shërbyen mirë dhe rrjetet sociale: pa arritur të rrokin dobinë e maskave aq të pahijshme (që fshehin buzëkuqin, obobo ça tmerri!), kjo rini e çartun ia arriti të kapë të vetmen hollësi që i interesonte: vetëm ata mbi 65 vjeç rrezikojnë vërtet të lënë lëkurën! Sot ky egoizëm sakral i rinizmit e ekspozon cilësinë e vet përmes imunitetit ndaj epidemisë. Ky është edhe narcisizmi somnambulik: më intereson çfarë më ekspozon ndaj rrezikut. Dhe nuk më hyn fare në punë fakti që unë mund të jem vetë vektor i infektimit dhe, me këtë titull, agjent i shkatërrimit. Epidemia nxjerr kështu në dritë, pa mëshirë, gjendjen e tashme të së ashtuquajturit qytetërim demokratik.

Agambeni i tejkaluar

Mejëherë pas evidentimit të epidemies, u njohëm me tekstin e Agambenit lidhur me të. Shkrimin ku ai aludon për “shpikje të epidemie”, pra për epidemi të shpikur! Dhe kjo në një kohë kur epidemia kish lënë në Uhan dhe në provincën e Hubeit qindra, në mos mijëra të vdekur.

Besoj se, kur një filozof me emër, duke botuar marrëzi të tilla shndërrohet në kastravec dhe në rrezik publik, është detyrë dhe nder i filozofëve të tjerë që ta vënë këtë në dukje. Dhe të thonë që, ato shkrime, si artikulli në fjalë, dalin e teprojnë për ta mbajtur këtë somnambul të shprehjes larg hapësirës publike, të paktën për nja gjysmë shekulli; dhe për ta ngujuar përfundimisht në çikërrimat etimologjike, me të cilat është marrë gjerësisht kohët e fundit. Më e keqja pastaj mbetet se artikulli i tij, i përkthyer në gjithfarë gjuhësh, u përhap anembanë globit si një virus (ta themi kalimthi), dhe frymëzoi, për shembull në Francë, një shpurë të vogël ultra-të majtë, e cila me anë të shtypit u lëshua mandej  në ushtrimet e veta gjimnastikore me të njëjtën temë të epidemisë imagjinare, epidemisë pretekst që duan shtetet të imponojnë kështu gjendjen e jashtëzakonshme. Para se kësaj bote e vockël t’i përplasej realiteti në fytyrë, për ta detyruar të griste sakaq faqen agambeniane dhe t’i rikthehej, urtësisht, themeleve të saj foucauldiane… Ultra-të majtë, ndoshta, por journalistes gazetarucë para së gjithash, ekspertë kthesash dhe spërdredhjesh… – “ec e fshi gjurmët!”, do thoshte Brechti.

Artikulli i Agambenit tregon tamam arrogancën e filozofit që i di të gjitha, që shprehet për gjithçka, që nuk dyshon fare në siguritë e veta politike. Teoricieni i ngrirë në konstruksionet e veta konceptuale, i paaftë për t’i zbritur kalit dhe për të parë në sy të panjohurën e një evenimenti si ky. Them “të panjohurën”, edhe pse kjo nuk është e saktë. Sepse dhe tash së voni nuk na mungonin gjithfarë paralajmërimesh që, në Europë dhe në Veriun global (ndoshta pak me përjashtim të Azisë lindore) nuk i morëm parasysh: SARS në 2003, gripi i derrit (H1N1) në 2009. Unë isha në Tajvan, në 2009, i pashë këto gjëra nga afër dhe u binda se e ardhmja e kësaj gjëme ishte tejet alarmante, edhe për ne në Europë. E kam shkruar këtë dhe më kanë kundruar me keqardhje – aq të bindur ishin, asokohe, se H1N1 s’ish gjë tjetër veçse një konspiracion për të pasuruar trustet farmaceutike.

Edhe më shqetësuese, në këtë mes, është ngërçi intelektual e apatia përballë specifikës ekstreme të një fenomeni si epidemia. Çka i rëndon shumë ata që që janë mëkuar me shkrimet e Foucaultit për biopolitikën. I gjithë teksti humoristik i Agambenit mbështetet mbi këtë ide: autoritetet lokale ndërmarrin masa të paarësyeshme kinse për të luftuar një sëmundje të vogël ngjitëse, të kufizuar në një kanton – çka do të thotë se ato e paskan një plan të fshehtë në mendje!

Mirëpo kjo do të thotë të jesh fare ulok nga mendja, e të mos kuptosh se një fenomen epidemik nuk është objekt statik. Përkundrazi, ai ka për karakteristikë parësore që, në momentin kur perceptohet, ai është projektuar tashmë diku tjetër. Epidemitë janë dukuri dinamike, të ndryshueshme, madje mutante. Dhe për këtë arsye, ata që rreken të sigurohen para këtyre fenomeneve, duke i reduktuar në diçka shumë të njohur për ta (të tipit: kaq shumë zhurmë për një grip të rëndomtë) janë mendjecunguar. Dhe verbëria agambiane aq shumë e popullarizuar dhe epidemike në këtë periudhë fillestare të pandemisë është edhe më e pafalshme, sa kohë që, ata që e përhapën, e kishin parë tashmë si po shkonin punët në Kinë.

Me fjalë të tjera: nëse këta ishin kaq të bindur se skenari kinez nuk mund të riprodhohej asesi në gjeografitë tona perëndimore dhe të temperuara, atëherë i bie që ata të kenë qenë tërësisht të kontaminuar nga kapadaillëku imunitar, nga siguria që i paraprin çdo refleksion. Kur me përtesë mendon se kësi gjërash nuk ndodhin te ne, këto të këqia në forma katastrofash pak a shumë natyrore, veç godasin periodikisht popujt e tjerë, vendet e tjera, hapësirat e tjera njerëzore në zona të tjera të planetit, të cilat neve na anashkalojnë, falë asaj dore të padukshme – ajo e konstitucionit tonë vetvetiu imunitar! Ky somnambulizëm imunitar i fut në një kallëp si kokat e mëdha (që nuk “i besonin” epidemisë) edhe skeptikët e çështjeve klimatike, që nuk i besojnë ngrohjes globale dhe katastrofave që ajo sjell, përfshi dhe Trumpin dhe gërrvërret e tij për “shithole countries”, që qenkan të predispozuara për kësi lloj kiameti! E gjithë kjo, qoftë në versionin trumpian, qoftë në atë agambenian, është teologji politike për qyqarët: epidemia si “shpikje” ose kërcënim imagjinar, panik artificial, jo si eveniment përmbysës; dhe kjo ngaqë ne paskemi me vete Providencën imunitare që vigjëloka mbi shëndetin tonë të mirë, në hapësirat e Veriut perëndimor global!

Fundi i iluzioinit për liri-frymëmarrje 

Është pikërisht çasti që t’i bëjmë autopsinë e plotë rrjeteve të komunikimit dhe të informimit, ato që fabrikojnë “dije”. D.m.th dije që nuk shërben për të zgjuar mendjen, por që na fusin në letargji e në somnambulizëm, çka përbën dhe regjimin mbizotërues të të-qenit-në-botë në shoqëritë tona. Ky është virtyti i tmerrshëm i epidemisë (sepse tash hymë pa tranzicion direkt në regjimin e tmerrit): ajo hap një të çarë në cipën mbrojtëse që veçon fjetësit e reales. Sajë kësaj shkeljeje futen ato efektet e së vërtetës. Kështu të fjeturit, që shohin tani shpatën e Damokleut të krizës së epidemisë t’ju shfaqet befas mbi krye (nën shenjën e katastrofës), gjenden realisht tash në zanafillën e intuitës lidhur me çka është karakteristikë substanciale e së tashmës, e epokës sonë. Kështu dallojmë karakterin fantazmik (spektral) të epokës. Në kuptimin që, bota që ne e banonim (sipas Heideggerit) tashmë nuk ekziston më! Dhe se bazat materiale e shpirtërore të kësaj bote janë rrënuar, e ne vazhdojmë banojmë në iluzionin e stabilitetit, efekt i qashtër inercie. Kur epidemia nis gris mushkëritë, ajo çjerr dhe iluzionin se ne jetokemi në një botë ku merr frymë lirshëm. Sikundër e thotë mirë Peter Sloterdijk, çështja e frymë-marrjes endet si fantazmë në botën tonë qysh prej fillimit të shek. XX., qysh nga dita e parë e luftës me gaz në 1915. Brenda somnambulizmit “normal” ne e marrim të mirëqenë kapacitetin për të marrë frymë lirshëm, si e drejta jonë. Por, vëmë re tani që kjo e drejtë na është kthyer mbrapsht, ose na lihet veç me kushte sipas rastit. Virusi erdhi e na e vuri në dyshim këtë të drejtë; dhe qeverisësit tanë nuk ia dalin të na e mbrojnë.

Kjo llokmë realiteti që e zbulojmë tash pas epidemisë, kjo është më e vërtetë se realja. E drejta (e drejta më elementare) për të marrë frymë lirshëm e pa u rrezikuar është veç ëndërr, e ëndërr e somnabulëve. Deri dje dijet i kishim lënë t’i mbysnin dallaveret e llogjet e aktualitetit; nga kafenetë i trajtonim me tone të lehta, në atë kotësinë e asaj demokracisë demek publike. Por sakaq, ashtu si te Murtaja e Camusë, duket që veç katastrofa (kur na përvishet rëndshëm në surratet) ajo mbetet gjëja që mund të ofrojë, mbase, diçka që lidhet vërtet me përvojën, diçka që sjell përvojë. Dhe përvojë këtu nënkupton: shpërthimin, hovjen e reales mu mes botës së hutuar nga aktivitetet e shkëmbimet e kryera nën vulën e spektaklit, nga fetishizimi e mallit e nga lënia në harrim të kushtëzimit historik.

Virusi, gjeopolitika dhe biopolitika

Kësisoj hasim në një përmasë gjeopolitike të epidemisë. Këtë përmasë mund ta shohim në kontekstin e luftës së re të ftohtë, me të cilën përballen Kina dhe SHBA.

Filozofi i njohur Jean-Luc Nancy e nis ndërhyrjen e vet elegante (disponibël në Youtube) lidhur me epideminë, me këtë formulë dëmsjellëse: “virusi i importuar nga Kina”. Një shprehje për të ardhur keq, sepse priret të zgjojë krejt ligjërimin (diskursin) orientalist. Ligjërim i dalë nga thellësitë e shekullit të 19-të europian, kolonial dhe ekspansionist; dhe që kërkon ta kthejë Azinë, veçanërisht atë Azi lindore të quajtur Lindje e Largme (vallë flet kush për Shtetet e Bashkuara të “Perëndimit të Largmë” [fr. Extrême-Occident]? E ta kthejë atë me të gjitha konotacionet e dyshimta të termit “I largmë” në një vatër anomike dhe të mbipopulluar, prej nga burojnë doemos epidemitë dhe flama të tjera që përmbytin trojet tona më të qytetëruara. Ja pra versioni mikrobial, bakteriologjik, viral i “rrezikut të verdhë”.

Termi “i importuar” tingëllon këtu veçanërisht shkatërrimtar: ai esencializon vendndodhjen e virusit. Paçka se “narrativa” – siç e thonë sot – për vatrën e zanafillës, pra tregun e Uhanit të populluar me gjarpërinj, lakuriqë nate dhe terjaqinj supërash të dyshimta, të gatuara me të parët dhe të dytët, ka kohë që është vënë në diskutim prej specialistëve. Është thjesht një paragjykim i kulluar eurocentrik, i cili gjykon se kjo epidemi ish taksur për të zënë fill në Kinë dhe jo në Italinë e Veriut ose gjetiu. Kyçi i epidemisë nuk është vend-origjina e saj e supozuar (ku është pacienti zero vallë?), por dendësia e qarkullimit, sidomos me rrugë ajrore, e cila i transformon aeroportet në clusters aq të dëshiruara nga epidemia galopante, në një zonë të caktuar të hemisferës veriore, e cila përfshin po aq Europën dhe Amerikën e Veriut sa edhe Kinën dhe Azinë lindore. Duke zhvarrosur krye-rrëfimin e flamave aziatike të importuara, Jean-Luc Nancy u shkel syrin rrezikshëm atyre që nxjerrin përfitime cinike dhe të urrejtshme nga konfigurimi epidemik aktual, për t’i vënë në kontekstin e një lufte të ftohtë a t’i përdorin si vegla të rifillimit dhe të intensifikimit të kësaj lufte. Trumpi dhe shpura e tij, që ngulin këmbë për të folur për “virusin kinez”, agjitatorët e Wall Street Journal, që në editoriale e nxjerrin Kinën si “të sëmurin e Azisë”; dhe të eksituarit e krahut indipendentist tajvanez të Hong-Kongut, që chat-ojnë për virusin “made in China” në rrjetet sociale.

Shumëkush do të kish menduar se serioziteti i situatës, pas përhapjes së pandemisë në shkallë globale, do të kish pasur efekt zbutës a pezullues ndaj tensioneve politike. Si ato midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës që, këto vitet e fundit, nuk kanë reshtur së acaruari: luftë ekonomike, konflikte sovraniteti në detin e Kinës jugore, trazirat në Hong-Kong, etj. Këto tensione kanë përmasa globale dhe nuk vënë përballë aq dy shtete-kombe mirëfilli të stërmëdha sa dy hapësira të mëdha që kanë hyrë në një konkurrencë gjithnjë e më të drejtpërdrejtë, jo vetëm në rajonin e Azisë-Paqësorit, por në shkallë globale. Këtu bëhet fjalë, veçanërisht, për vijueshmërinë e pakufizuar të hegjemonisë së SHBA. Prandaj do të duhej ishte që normalisht qeveritarët e këtyre dy fuqive dhe opinion-bërësit, në Perëndim dhe në Veriun global, t’u dorëzoheshin më mirë fakteve: situata në frontin e epidemisë është aq e rëndë, në shkallë globale, sa mund të imponohet diçka si armëpushim, një pezullim i luftimeve në frontin e luftës së re të ftohtë, dhe të agjitacionit antikinez.

Mirëpo ndodhi pikërisht e kundërta. Çka flet shumë për cilësinë politike dhe morale të këtyre elitave, për largpamësinë e vizionit të tyre për të tashmen dhe të ardhmen. Fakti që shteti kinez, megjithëse u fut në betejë me vonesë për shkak ngathtësish burokratike (e nga ana tjetër na duhet të japim prova që vetëm në Kinë ekzistokan), fakti që Kina pra e zhvilloi pastaj këtë betejë me vendosmëri, disiplinë organizative dhe me instrumente që lejuan digëzimin e epidemisë brenda pak javësh, ky solli komentet e njëanshme prej elitave politike, mediatike, akademike në Perëndim, një denigrim konstant, madje edhe një mohim të hapur e masiv. Kështu u lëshua argumenti se Kina e luftoi epideminë me mjete liri-vrasëse, ose duke adoptuar masa disiplinore tipike për një shtet policor dhe në stilin e një pushteti autokratik. Ky argument u rimor nga të gjitha propagandat perëndimore, e gufosi krejt shtypin francez, nga gazeta Figaro te Lundimatin. Dhe çfarë ndodhi te ne perëndimorët, sapo që, në një atmosferë keqmenaxhimi të përgjithshëm, qeveritarët më në fund e kuptuan sa serioze ishte situata? Thjesht me një fjalim presidencial, na imponuan një gjendje emergjence të rënduar, që, për sa i përket kufizimit të lirive publike, anon shumë nga shtetrrethimi, dispozitiv që u shkon rrethanave të luftës. Jo më kot Macroni e përsëriti fjalën “luftë” pareshtur, gjatë adresimit të tij – duke përdorur instrumente të kohës së luftës, që vihen në veprim dhe i imponohen popullatës. Nuk them që bllokimi i lëvizjeve dhe të gjitha kufizimet e lirisë që e shoqëruan nuk ishin të domosdoshme, po të kemi parasysh vonesën me të cilën u perceptua epidemia. Por them se, kur i referoheshin pa pushim dallimit thelbësor mes “demokracisë” dhe “diktaturës policore”, shtetarët tanë nuk duhej ta kishin shpërfillur kaq lehtë frymën e Kushtetutës, ndarjen e pushteteve dhe të gjitha ato gjëra të tjera të bukura. Pra do të duhej që një votim qoftë dhe urgjent në Parlament t’i paraprinte të paktën vendosjes së shtetrrethimit. Në demokraci, format juridike, fryma e ligjeve (siç e thonë), ngrenë peshë. Mirëpo, ajo që na u imponua në këto rrethana, tamam siç ndodh kur është fjala për të dërguar çeta ekspedicionare në zonat e krizës, është qark-shkurtimi i të gjitha procedurave legale. Kështu, luftërat e jashtme marrin ngjyresën e operacioneve të policisë, duke e reduktuar armikun në një kriminel dhe një outlaw. Njëlloj, i futemi edhe “luftës” kundër virusit në stilin më të përsosur të shteteve policore. Dhe jemi vetëm në fillim, wait a minute, you haven’t seen a thing, yet

Prandaj nuk ia vlente barra qiranë që, për të arritur këtu, të shpalosej krejt begatia e keqbesimit, për të stigmatizuar, në kolonat e gazetave, stilin autoritar me të cilin ishte “shtypur” epidemia në Kinë.

Mendimi në kohë të epidemisë

Në këtë periudhë ndryrjeje, përveç respektimit të masave disiplinore e higjenike për ruajtjen e shëndetit, na del nevojë dhe të mendojmë mirë. Nëse ne (dhe kjo “ne” është dukshëm kolektive) nuk prodhojmë mendim tonin para kësaj flame, atëherë do mbetemi nën hyqmin e shtetit. Ndërkohë që vetë shteti falimentoi para kësaj sfide globale. Na vyen të gjejmë vetë format e përballjes, të rezistencës, të luftës e organizimit ballë epidemisë. Ta shmangim anën e kollajtë, pra të mos mbetemi në sqetullën e shtetit, i cili na braktisi mu në çastet vendimtare. Atëherë na duhet të prodhojmë një mendim tipik për kohë të krizës, mendim që i bie të jetë ai i popullit të epidemisë. D.m.th. një popull i jetës kundër vdekjes që ofron virusi. Ashtu siç pati dhe popull të kryqëzimeve në episodin madhor të Jelekëve të verdhë (Gilets Jaunes).

Ky lloj të menduari, e në këtë konfigurim, do të thotë të shkosh deri në fund të mendimit, ta çosh rrënjësisht deri në zgrip të vet. E kjo nënkupton po aq dhe vënien në veprim fuqishëm të një farë ashpërsie, një mendim katil aktiv. Në rastet kur një qeveri e ekspozon gjithë popullatën ndaj virusit duhet kuptuar mirë kjo braktisje. Bëhet fjalë për popullatën si trup i gjallë kolektiv e të individualizuar. Atëherë ajo braktisje s’është çështje neglizhence, por diçka e organizuar. E ky “organizim” nën kushtet e epidemisë merr formën ashiqare të ekspozimit të popullsisë para vdekjes.

Foucault fliste për thanatopolitikën (ndërsa Achille M’beme përdor termin nekropolitikë) si ana e kundërt dhe e errët, e krupshme e biopolitikës. Dhe sillte si shembull të gjallë pushtetin atomik: sesi çohet drejt vdekjes (ose kërcënimi për të çuar në vdekje) një masë njerëzore, ndërsa ky kërcënim iu rri masave mbi krye. Në rastin tonë thanatopolitika duket pjesërisht, më tinëzare, më pak skandaloze, më pak brutale, në dukje. Por gabim nëse gënjehemi. Gjesti i ekspozimit është i njëjtë. Sot duket sheshit. Sajë spitaleve të mbingarkuara, do praktikojmë edhe më mjekësinë e luftës, ndërsa rritet shkalla e kontaminimit; gjestet e para të kësaj lloj mjekësie janë përzgjedhja mes atyre që do orvatemi t’u shpëtojmë jetën (nisur nga shanset që kanë për t’ia dalë) apo ata që do i braktisim drejt vdekjes, do i lëmë të vdesin meqë kushtet për t’i braktisur ua kemi krijuar gjithsesi.

Kësaj strategjie i përngjitet dhe kriza e sistemit të shëndetit publik, rezultat ky i politikës së mbrapshtë nën hyqmin e qeverive të konvertuara në doktrinat neo-liberale. Mjekësia e këtij sistemi mbetet të ushtrojë tani në epidemi mjekësinë e kohës së luftës, t’i lerë më të dobëtit të vdesin. Kjo braktisje është gjithë një politikë. Është biopolitika e kthyer mbrapsht si kanotiere e që merr emrin thanatopolitikë.

Sot vërejmë ndryshimin në mënyrën sesi qeveritë (e më gjerë pastaj elitat) perceptojnë marrëdhënien me popullsinë në gjithë këto dekada. Dallojmë një thyerje në tonalitet. Janë fshirë krejt ato nocionet e shkuara tradicionale (qysh pas fundit të Luftës II Botërore) lidhur me vigjëlimin, kujdesin për jetën, marrjen përsipër, mbrojtjen, pra gjithë sa përfshihej në promovimin e të gjallit brenda hapësirës së pastoratit njerëzor. Dhe janë zhdukur, duke shtuar optimizimin e modelit të shtetit si ndërmarrje, si firmë, model që mori përherë e më shumë karakter përgjithësues. Kështu popullsia bëhet përherë e më tepër atribut i tregut, ky horizont i patejkalueshëm tashmë nga çdo formë qeverisjeje. Nga ana tjetër, qeverisësve horizonti i “mbajtjes në jetë” të njerëzve iu duket më i mjegullt, ndaj dhe organizojnë paq rrënimin e sistemit të asistencës publike dhe shëndetësisë. Për mendjen e tyre, objektivi për përmirësimin e këtij sistemi sanitar është thjesht një “arkaizëm” që duhet hequr qafe. E në kohë epidemie, ky rrënim është pasqyra zmadhuese e këtij nihilizmi qeveritar.

Epidemia dhe gjendja e luftës

Është diskutim pa shumë vlerë të merremi me opinionin që lufta ndaj këtij virusi “pa fytyrën njerëzore” të ndonjë sovrani të ardhur nga jashtë nuk hyn te luftërat e traditës klasike europiane. Mandej, ka kohë që “luftërat diskriminuese”, si e quan Carl Schmitt-i, e kanë zëvendësuar atë lloj lufte. Pra, ato lufta ku armiku trajtohet si kriminel dhe lufta shndërrohet në operacion policie. Në këtë rast bëhet fjalë për luftë “totale” kundër virusit, për ta shfarosur (po prit t’ia dalim!) Kjo luftë nuk dallohet nga një operacion global “policie”. Kur vendoset shtetrrethimi, ushtria patrullon, e popullsia ndryhet në banesë, e kemi të bëjmë me gjendje lufte tamam,

Por, mënyra si e dekretoi Macron-i në Francë gjenden e luftës, dhe kushtet si u krye kjo, çon detyrimisht në luftë kundër popullsisë. Sa më i madh dështimi i qeverisësve tanë para rrezikut, aq më qartë duket mënyra si e lanë valën e epidemisë t’u hipte në qafë (e si rrjedhim direkt, dhe më me pasoja, në qafë të popullsisë), aq më shumë do guxojnë t’ia hedhin këtë “faj” popullsisë pikërisht. E për këtë dhe mediat japin një dorë: njerëzit nuk respektojnë rregulloret, janë të papërgjegjshëm, njerëzit bëjnë sipas kokës vet. Kështu dhe gjobat vijnë rrebesh, policia shtrëngon edhe më oraret e liridaljes, nën emrin e interesit të përgjithshëm. E vërteta mbetet se autoritetet drejtuese e lanë njëherë situatën të degjenerojë përtej çdo kufiri; e tani kapen pas fijes së kashtës duke vendosur dispozitivë ultra-shtrëngues e shtypës e që nuk vihen në praktikë normalisht, duke nisur me izolimin (konfinimin). Ana jo e praktikueshme e këtyre dispozitivave u lejon shteteve të drejtojnë një luftë permanente ndaj popullsisë, por me ulje-ngritje në intensitet, një luftë që bëhet me kufizime, duke na bombarduar me gjoba, me ndalime, me kërcënime. E kjo u hap rrugë të lirë aksioneve policore arbitrare e repressive.

Pabarazia sociale në këtë “luftë”

Ky është tjetër dimension i kësaj lufte. Në fillim të epidemisë të bën përshtypje barazia (ana egalitare e saj). Virusi s’bën dallime mes presidentit dhe shoferit, s’do t’ia dijë për raca, gjini, shtresë sociale. Por, me kalimin e kohës kontaminimi rritet; e njëkohësisht shfaqen e rriten pabarazitë sociale; ato vijnë sërish në plan të parë; dhe më të brishtët janë më të ekspozuarit: ata që s’kanë mundësi, ata që jetojnë në banesa copë-copë, të pastrehët, emigrantët, të braktisurit. Me gjasë, në Lyon policia i kishte vënë gjobë një lypësi të pastrehë se nuk respektonte mbylljen në shtëpi! Këtu hasim në miniaturë si bëhet në terren kalimi i luftës ndaj epidemisë në luftë kundrejt popullsisë.

Mandej, edhe ajo Lufta e klasave nuk rresht gjatë kësaj të ashtuquajture « luftë ». Shteti dekretoi sektorët ekonomikë « jetësorë » që duhet të vazhdojnë punën, dhe se njerëzit e përfshirë në to duhet me hir a me pahir të shkojnë në punë, pa një pa dy. Shteti dhe padronët u shtojnë formave strukturore të shfrytëzimit edhe ekspozimin e detyruar para kontaminimit, çka në fakt është mohim absolut e diskriminues i të drejtave të punonjësit. Në këtë pikë, vijmë pra sërish te ajo jeta lakuriqe sipas Agambenit. Jetën njerëzve ua kanë marrë peng; dhe jo për shkak të interesit të përgjithshëm, por vetëm që rrotulla e makinës ekonomike të vërtitet akoma. Edhe këtu ka luftë : arkëtaret e supermarketeve dërgohen në punë mes epidemisë, si çonin dikur ushtarët e këmbësorisë në front, si në luftën e 1914-ës. E kjo shtrëngesë tejkalon tamam tamam çdo kontratë pune, sado e favorshme apo jo të jetë kjo për punonjësin.

 

Përkthyen me shkurtime nga origjinal frëngjisht dhe përgatitën: Idlir Azizaj, Ardian Vehbiu

Shënim : Filozofi Alain Brossat ka qenë profesor i të mirënjohurit Université Paris 8, Francë. Komentues i vëmendshëm i Michel Foucault, ka botuar shumë libra me temë biopolitikën dhe mekanizmat e pushtetit. Shkrimi që botojmë ka dalë fillimisht në frëngjisht, me titullin L’irrespirable. Ce qui nous arrive (pjesa e parë këtu, pjesa e dytë këtu).

7 Comments

  1. Të paktën Marksi kishte ndershmërinë, por edhe qartësinë do thosha, për të pranuar rolin qëndror të ekonomisë dhe rëndësinë e saj jetësore në aktivitetin njerëzor (its life and death importance). Kurse neomarksistëve në pamundësi për të pranuar dështimin e tezës së Marksit në ekonomi, epidemia duhet të jetë e vetmja gjë që u ka ngelur si komerdare shpëtimi, si eveniment, si një meteor i rënë nga qielli, për të përmbushur qëllimin final të Marksizmit (për ta thënë me fjalët e Hnnah Arendt) “of unproductive freedom”.

    Now that we tried a month of “unproductive freedom”, on the back of productive taxpayers, can we get back to work? At least until next pandemic.

    Kurse sa për Shqipërinë, që jeton veçse me ndihma, pandemia është në llogjikën e gjërave. Asgjë nuk ka ndryshuar.

  2. Unproductive Freedom e Hannah Arendt nuk eshte njesoj si karantina. Kjo e fundit nuk eshte te rrish mbyllur per kenaqesi apo per nevojen e brendshme per te qendruar ne sferen private per te reflektuar ne fund te dites, pasi kemi ezauruar ate publiken, sic thote Arendt. Perkundrazi, ajo sfera private per te cilen flet Arendt keto dite ka pesuar nje anomali te paprecedent. Presioni per te prodhuar e ka tejkaluar cakun e privates.
    Uh, sa do te doja qe utopia e John Lennon dhe Yoko Ono qe punojne nga krevati (google for pictures) te ishte ajo qe po jetojme keto dite, por nuk me duket se eshte ashtu aspak. Ajo do ishte unproductive freedom, jo kjo qe po bejme ne, clock in ne mengjes e clock out pas 8 oresh. Takime zoom me shefat e co-workers e raportim per cfare ke prodhuar. Kontroll nga IT nese laptopit i eshte shkeputur VPN, nderkohe qe femija qe duhet te ishte ne cerdhe te uleret ne vesh se do gjithe vemendjen legjitime qe i takon. Ja, ky eshte realiteti i atyre qe kane privilegjin te punojne nga shtepia. Dhe eshte vertete privilegj, se shume detyrohen te vene jeten ne rrezik duke dale ne pune.

  3. …”E gjitha kjo është çështje racionalitetesh. E pamë mirë, kur u shpallën premisat e epidemisë në Europë. Reagimi i parë i të shkarëve që na qeverisin nuk ishte të mbronin dhe të lajmëronin popullatat. Sidomos kur panë se ç’kish ndodhur me epideminë në Kinë dhe pastaj në Azinë lindore. Por halli qe të mbronin tregjet…”

    Marredheniet e pjestareve te nje shoqerie me tregjet, jo ate te punes, por ate te aksioneve, eshte nje nga fenomenet sociale me interesante e te spikatura te ketyre 40-50 vjeteve te fundit. Deri ne ate pike sa eshte bere nje element gjithnje e me i dukshem i nje shoqerie moderne. Me vjen pak si cudi qe akoma merret aq lehtesish e nuk trajtohet me rendesine dhe respektin e duhur. Edhe kur flitet, si ne pasazhin e mesiperm , fryma primare e afrimit dhe trajtimit te tij eshte ai i qesendise, ironise, talljes dhe vetetalljes. Ne te dyja anet e ketij ekuacioni, si ai publik (shteti) apo ai privat (shtetasit), pjesemarrist kane qellime te njeja, por interesa te kunderta. Shteti modern, me sigurimin e nje tregu te shendoshe e te shendetshem aksionesh,kerkon te siguroje kushte sa me te favorshme ( interesa sa me te ulta), kur i duhet ( nje nevoje e pervitshme kjo, e shtetit modern) te lype para ne treg per te mbuluar nevojat buxhetore. Shtetasi modern, ekzistenca e nje tregu te shendoshe e te shendetshme asksionesh i siguron pjesmarrjen dhe perfitimin personal, prej kesaj pjesmarrje, ne menyre indirekte, ne nje aktivitet ekonomik qe shtrihet dhe ekziston pertej mundesive dhe aftesive personale. Si per te paren ashtu edhe per te dyten, efektet e ketyre raporteve, (mardheniet e tyre me tregun e aksioneve), mbi psiken e pjesmarresve nuk eshte aspak sekondar e i paperfillshem. Fjala vjen, ne kushtet e tanishme, aspak te zakonshme, stabiliteti i portofolit personal te investimeve te tua, ndikon pozitivisht ne stabilitetitin tend personal, i cfardolloj natyre qofte ai. E kunderta eshte po aq e vertet. Ne fund te fundit, kush eshte objektivi i perhershme i cdo aktori social, pervecse optimizimit te benefiteve. Objektiv ky qe e ben sistemin gjithnje e me te brishte.
    Per tu kthyer perseri tek pandemia dhe efektet e saj ne shoqerine moderne, nje gje del qartesisht ne pah: nevoja per optimizimin e rreziqeve. Do te ishte nje paradigme kjo, per nje bote me te re.

  4. Një përkthim mjaft cilësor i një teksti të vështirë. Por problematika që trajton mua më lë të kuptoj se debateve të njohura analistë gazetarë, gazetarë politikanë, politikanë politikanë (pozitë-opozitë) , specialistë gazetarë (gjithollogë) e specialistë-qeveritarë, këtyre pra u shtohet edhe debati filozofë filozofë. Dhe kjo për një problem mjaft larg filozofisë.

    Kurrë në literaturën filozofike (me përjashtim të rastit të Marksit kundër Bruno Bauerit) nuk kam parë sulm më te egër e poshtërues se sa ky i Brossart kundër një kolegu si Gi. Agamben-it.

    Nga të gjitha këto më i dobishëm dhe konstruktiv më është dukur debati midis qeveritarëve (pushtetmbajtësve) dhe mjekëve specialistëve, pra shkencëtarëve të fushës (gjë që do të ishte sakrilegj ta pohoje vetëm pak vjet më parë). Këshillat dhe kërkesat e të parëve korrigjoheshin nga niveli i lartë i përgjegjësisë së të dytëve. Nëse u fillua pak më me vonesë kjo ndodhi sepse nuk u dëgjuan mjekët specialistë dhe jo filozofët e aq më pak gazetarët.
    Këta filozofë të dyshimtë që ulërinë dhe ulërijnë për privim dhe cungim të të drejtave të njeriut (njëri heshti e miratoi diktaturat e Lindjes tjetri shpreh një adhurim neomaocedunist të Kinës, pa pritur pak që të shohë e mësojë për mjekët që burgosi e vrau që të mos flisnin, pasojat që shkaktoi në botë duke fshehur të vërtetën dhe tmerrin që kishte fshehur nëpër krematoriume), a e dinë se këshillat shkencore rekomandonin izolim mjaft më strikt, më të plotë e më të gjithanshëm dhe se ishin qeveritarët ata që e korrigjuan një kërkesë e tillë, duke u përpjekur të gjejnë një lloj ekuilibri të mundshëm në një situatë të pamundur?

    Lexon dhe vërtet që të vjen ndërmend një pyetje që prej kohësh po bëhet gjithnjë e më këmbëngulëse : përse shërben filozofia ? Duket për asgjë, por kjo thuhet ende me gjysmë zëri.

    Ajo që duket më qartë është se duke zbritur në fushën e politikës (ku këtu tërheqin pak tinëzisht edhe vetë Foucault), në kuptimin e çështjeve të ditës dhe jo të filozofisë së politikës (kam frikë se e bën për të fituar auditor që i mungon gjithnjë e më shumë) filozofia humbet statusin e saj të qëmotshëm aristokratik.

    Ndonjë nga fisnikët e fundit të racës si Morin, nuk pranon të futet në këto ujëra, të paktën jo në një analizë të tillë kaq terre à terre. Dhe them se kjo ndodh sepse atij nuk i mungon auditori.

    1. Duke u hedhur një sy origjinaleve (për një pjesë përkthyesit kanë patur mirësinë të japin edhe hyperlinkun) sheh se konflikti është ende më i pakuptim dhe spekulimi filozofik edhe më qesharak. Duke u përpjekur të çtrikotojë jo vetëm tekstin e Agamben-it por edhe Agambeni-n vetë , Brossart qëllimisht nuk thotë diçka kryesore; që Agambeni vetë për përfundimet e tij është mbështetur te “CNR (Consiglio Nazionale delle Ricerche), selon lesquelles « il n’y a pas d’épidémie de Sars-CoV2 en Italie ».

      Ky Këshill shkencor në atë kohë, si të gjitha institucionet shkencore në botë mbështetej te të dhënat që vinin nga Kina, in buona fede. Të mos harrojmë se jemi ende në fund të shkurtit 2020.

      Duke mos cituar një gjë të tillë, duke e paraqitur Giorgio Agamben-in si një sharlatan, si të ishte dikush që nis e gjykon situatën sanitare me kompetencat e veta shkencore, gjë që apriori na revolton të gjithëve Brossart i lejon vetes të thotë: “Artikulli i Agambenit tregon tamam arrogancën e filozofit që i di të gjitha, që shprehet për gjithçka, që nuk dyshon fare në siguritë e veta politike”

      Por komedia vetëm sa ka filluar. Vetëm pak ditë më pas, Brossart, lui même, niset e përgatit sulmin shkatërrues e plot mllef (që na shkon ne për bukuri e jo filozofëve) bazuar nga të dhënat e censuruara kineze, por kujdeset që gjithçka ta erëzojë me terma filozofikë të modës, pa e kuptuar se nëpër të spikat një profil neomaoist që realisht nuk është i tiji por i zhytur kokë e këmbë në disinformacionin kinez, ai nuk pret kthjellimin e ujërave por ndërton një ese të tërë mbi një nga mashtrimet më tragjike të historisë moderne. Dhe rreshtohet në anën e gabuar.

      Më 19 Mars kur Brossart boton artikullin e tij, ishin të shumë ata që shihnin te Kina një model të administrimit të një krize sanitare dhe asgjë nuk dihej për arrestimet dhe burgosjet e atyre që donin të jepnin alarmin, asgjë nuk dihej për krematoriumet që punonin 24/24 ore në ditë në 7/7 ditë të javës. Por Brossart hidhet ne sulm si analist e njeanshem e jo me urtesine e filozofit.

      Si përfundim ka të ngjarë që kjo mesele flet edhe një herë se filozofija duhet të ruajë domenin e saj e jo t’i ngatërrohet nëpër këbë gazetarisë investiguese dhe madje as politikës, se kjo e fundit ka të ngjarë që nuk është më politika e 40 vjetëve më parë, duhen instrumente më modern për ta gjykuar.

      Se kur Brossart mallëngjehet nga përvoja kineze, një figurë eminente e politikës evropiane, Merkel, i paraqet Kinës, jo një fletë lavdërimi për manazhimin e krizës por një faturë të rëndë prej shumë miliardë eurosh që të shlyejë sadopak dëmet që i solli botës me politikën e regjimit të saj autoritar e liberticid, qe Brossart e perkedhel aq shume.

      Dhe ka të ngjarë qe vete defekti nuk është i procesit të mondializimit, siç duan taparaqesin, por se në rrugën drejt atij procesi bota është e detyruar të bashkëpunojë edhe me regjime hibridë si ai kinez.

      1. Cudi si funksionon miopia: Dy here eshte vene emri (i thjeshte) i autorit ne shkrim, madje edhe me te zeza; komentuesi me siper ka lexuar bile edhe dy shkrimet origjinale me hiperlink, ka vene mire re edhe datat e shkrimeve perkatese, i ka krahasuar me ato te Agambenit; ka vene re edhe “neomaocedunizmin” (sic!) e fshehur (ose te pavetedijshem) te autorit; por, nder to, s’dihet as si as ku, ja qe ka pare (nder te tjera vegime,) edhe nje R te paqene tek emri, qe me zell ngulmon ta shkruaje e rishkruaje: BrossaRt!
        Sakaq, vlen ndoshta te shtohet se autori prej vitesh jeton dhe lektoron mes Frances dhe Tajvanit, dhe me gjere zones se Azise juglindore, perfshi dhe Kinen kontinentale, dhe veçanerisht qytetin dhe universitetin e Uhanit.

  5. Fast check meqë përmend detaje, prisja fvj. të shtoje se nuk është e vërtetë ajo që them unë, se Agamben ka folur me arrogance pa cituar ate Keshillin e njohur shkencor italian, për pasojë filozofi italian e kishte hak dajakun qe i dha filozofi francez (punë filozofësh, pra). E për pasojë të shkërmoqje krejt logjiken me te cilën eshte ndërtuar ndërhyrja ime e radhës, qe motivohet edhe nga deshira e ruajtjes se kontiunitetit te debatit dhe asaj se çdo shkrim qe del këtu në Ptf meriton te diskutohet.

    Por jo, ti nuk zgjodhe te verifikosh logjiken, por germat dhe diku kape se ka nje R tepër. Ne fakt, une duke e lexuar prape për te kuptuar më mirë shqetësimin tënd, pashë qe kishte edhe te tjera erreur de frappe, por edhe ndonjë gabim drejtshkrimor, dhe them se duhet të kesh të drejtë. Mbase kam ndonjë problem miopie dhe ka ardhur koha duhet të ndërroj syzet, ne mos qofte edhe ndonje disleksi e lehte.

    Por edhe mbeta pak i habitur sepse nga dikush si ju me aq sensibilitet ndaj filozofisë, vërtet që njeriu përgatitet të dëgjojë gjëra me mend, përgatitet për një debat të vërtetë.

Comments are closed.