Reklama

EKSPERTI NËN MIKROSKOP

Teksa hyjmë në javën e shtatë të karantinimit dhe  paniku e shpërthimet emocionale kanë rënë; ndërsa lehtësohen masat dhe bie prania policore, nevoja për ekspertë të fushës bëhet akute. Dallohet një humbje e besimit të popullatës ndaj karantinës. Virusi SARS-Covid-2 mbetet një mister i pazbuluar në detaj, por një gjë është e sigurt, dalja nga karantina para kohe e një pjese të popullatës rrezikon përhapjen e tij në mënyrë të shpejtë, diçka që u tentua të shmangej me humbje të mëdha ekonomike, disa ndoshta të pariparueshme. Do ishte e pafalshme të vdisnin po aq njerëz sa pritej nga një mosndërhyrje totale. Po si munden ekspertët tanë të ndihmojnë në qartësimin e situatës dhe pse në vend të ndihmës, duket sikur po përhapin dezinformim dhe heshtje?

I gjithë globi po vuan nga një moskoordinim i institucioneve dhe figurave të njohura të epidemiologjisë, virologjisë dhe sferës organizative. Marrë parasysh të gjitha pikëpyetjet e ngritura në mediat e huaja mbi OBSH-në dhe paaftësinë e tyre për të reaguar në kohë, me dashje ose jo, është e qartë që të presësh bashkëpunim midis instuticoneve të shteteve të ndryshme, është foshnjarake. Koha nuk ishte e mjaftueshme, secili u mundua të merrte vendime për veten, me rezultate të ndryshme. Qeveria shqiptare ka ndjekur një linjë të ngjashme me vendet e Ballkanit dhe Europën Lindore, mbyllje të shpejtë të kufijve, mbyllje të bizneseve ose pikave ku pritet të grumbullohen turistë a klientë, mbyllje të shkollave të të gjitha kategorive, fasha orare për pazaret dhe fundjava të kyçura krejt, me prani ushtarake dhe policore të theksuar, plus gjoba dhe heqje patentash, me bazë ligjore të dyshimtë. Qeveria shqiptare krenohet se ndër vendet e rajonit, ne paskemi rregullat më të forta, por fatkeqësisht vazhdon të jetë me nivelin më të ulët të informimit të publikut dhe me sjelljen më arrogante. Por ky nuk është as problemi ynë më i madh.

Pikëpyetje ngrihen mbi numrin e të infektuarve dhe nëse shifrat janë reale apo të ardhura nga testimet e pakta, e mos më keq, krejt të fabrikuara. Qarkullojnë supozime se virusi ishte i pranishëm më parë, se ka pasur viktima ndër të rinj dhe janë cilësuar si infarkte, meningjite dhe sëmundje të tjera. Autoritetet nuk kanë përgënjeshtruar të paktën këtë teorinë e fundit që përmenda, me gjasë sepse askush nuk di të thotë gjë; ata janë varrosur tashmë bashkë me të vërtetën. Qarkullojnë lajme se në fakt, popullata shqiptare është e imunizuar dhe virusi ka rënë që në shkurt e ka kaluar. Ekspertët nuk bindin sepse testimet nuk janë mjaftueshëm, paçka këmbënguljes së mjekëve pjesë të stafit të ngritur posaçërisht për pandeminë, se janë krejt të panevojshme e madje gati të dëmshme testime më të shumta.

Në diskutime të ndryshme në rrjete sociale, mjekë pjesë të Komitetit Teknik i Ekspertëve të menaxhimit të pandemisë janë grindur në mënyrë banale me njerëz të zakontë, sidomos pas një deklarate zyrtare në të cilën kërkohej bindje ndaj masave pa dhënë asnjë sqarim se përse këto masa ishin më të mirat. Pyetja që u shtrua ishte bazike, përse po bëhen kaq pak teste, pse nuk po kryhen ato serologjike. Me shumë gjasë përgjigja është sepse nuk është ende mundësia (shumë vende kanë blerë teste dhe kanë dalë me defekt, serologjiket nuk janë ende gati në asnjë vend të globit, veçanërisht në Amerikë ku po punohet më fort për to), por asnjë prej ekspertëve nuk pati dëshirën ta shkruante këtë. Më lehtë e patën të urdhëronin komentuesit e tjerë të heshtnin dhe të mos merreshin me fusha jo të tyret. Ata që flisnin ndërkohë, nuk ishin, të paktën teknikisht, as vetë ekspertë të fushës.

Profesioni im është pjesë e sistemit shëndetësor, por as unë e as kolegë të mi nuk do mundeshin pa lexuar a dëgjuar mbi virologjinë, të thonin gjë mbi replikimin e viruseve, ose mbi lidhjen e tyre me receptorët, a mbi strukturat e ARN-së së koronaviruseve, në është SARS-COVID-2 i fabrikuar apo natyral. Pjesa më e madhe e punonjësve të aparatit shëndetësor e kanë të pamundur të kuptojnë publikimet e virologëve, atyre grupi të vogël studiuesish në botë që viruset i kanë “bukë e djathë”. Është e vështirë të marrësh informacion nga mediat të huaja e vendase të cilat pa teklif publikojnë lajme sensacionale të kërkimeve shkencore pa peer review. Por kjo nuk i pengon ekspertët tanë, të fushës ose jo, të kërkojnë bindje dhe heshtje. Në Shqipëri është krejt normale që një kardiolog të të përshkruajë barna tensioni, stresi, flatulence dhe madje edhe vitamina për shtatzani, ashtu siç gjinekologët shpesh japin mjekime për anemi, për ulçera dhe depresion post partum. Në këtë rast, një radiolog i cili me shumë zotësi vë vulën e diagnozës nëse është pneumoni një analizë radiografike e caktuar apo jo, u vendos ose u vetëvendos si ekspekt televiziv për të informuar qorrazi mbi një fushë ku ai nuk është ekspert. Në Shqipëri po ashtu është krejt normale që të procedohesh penalisht për përhapje paniku, edhe nëse ajo që ke shkruar është pyetje, dhe jo përgjigje. Edhe nëse ajo që ke shkruar është lajm i një portali dhe jo fjalët e tua.

Një prej temave të nxehta mbetet maska: cili lloj duhej përdorur, sa orë, me karbon apo pa karbon, kirurgjikale apo stofi, me valvul apo pa, të certifikuara apo jo, kur duhej vënë e kur duhej hequr, për kë duhej ruajtur e kujt duhet t’i jepej falas. Lufta e maskave, që tingëllon si luftë mafioze më tepër se kërkesë e shtuar për maska kirugjikale, u zhvillua në kohën kur ende nuk dihej në duheshin a jo. Paniku erdhi direkt nga situata në Itali dhe rëndimi i numrit të viktimave. Problemi qe që, ndërsa maskat kërkoheshin, as aparati shëndetësor e as ata që i blinin nuk po i përdornin ato, gjë e cila vazhdoi për të paktën dy javët e para të Marsit, kohë kur pranohet nga autoritetet se hyri virusi në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe, thirrja e OBSH-së për mos mbajtje të maskave, me justifikimin e ruajtjes për personelin dhe jo për ata që janë të shëndetshëm, i magazinoi edhe ato maska që u blenë për të paktën edhe një javë tjetër pas vendosjes së regjimit të karantinës. Ishte eksperienca e Koresë së Jugut, sidomos të një mjeku që dha disa intervista për kanalin Asian Boss në youtube, që maska sipas studimeve të tyre ishte jo vetëm efektive në parandalim të përhapjes, por masë e detyrueshme, e cila zbatohej në çdo ambient publik. Informacioni nga Koreja u tejçuar nëpërmjet disa emisioneve televizive, sidomos Opinioni i Fevziut, ku mjekët cituan doktorin më sipër. Koreja nuk zbatoi plan karantine duke mbyllur biznese; ata lëshuan vetëm urdhra për maskim dhe nëse bizneset e ndryshme e patën të pamundur të vazhdonin aktivitetin, ata mbyllën dyqanet dhe kërkuan ndihmë shtetërore nga ana financiare. Por eksperienca dhe rregullat e Koresë të cilat u bazuan mbi sinqeritetin e plotë të autoriteteve, testimeve masive dhe solidaritet të komunitetit, erdhën si pasojë e disa dështimeve të mëparshme të menaxhimit të SARS-it dhe MERS-it. Policy of truth e quajnë ata, me aq sa mund të besohen intervistat e bëra në rrugë.

Maskat kanë mënyrën si vendosen në mënyrë që të jenë ekfektive. Qartësisht, duhet të mbulojnë hundën dhe gojën pa hapësira, të ndërrohen pasi të lagen qoftë dhe nga fryma e personit, duhet të mos preken pasi vendosen dhe të hidhen menjëherë pas përdorimit. Ekzistojnë disa studime të cilat flasin për efikasitet të maskave edhe pas dezinfektimit, por me mbrojtje më të ulët. Në të njëjtën formë, maskat e bëra nga stofi janë disi më pak efektive, por shumë më mirë sesa dalja në publik i zbuluar. Një mjek relativisht i njohur shqiptar kishte postuar në rrjetin social facebook një studim korean mbi efikasitetin e maskave të ndryshme, duke matur ngarkesën virusale njëzet centimetra afër, grumbullimin e virusit në frymënxjerrje dhe pështymë në një pjatë petri dhe në sipërfaqen e maskës, për të studiuar efikasitetin e tyre. Ndërsa studimi tregonte se ato ishin me vlerë për reduktimin shumë të madh të përqendrimit virusal në ajër, sidomos kombinuar me distancën një metër e gjysmë, mjeku shqiptar kishte ndërtuar një grafik ku mblidhen log-kopjet e ngarkesës virusale, për të dalë në disa rezultate jo vetëm të gabuara, por që përhapnin dezinformim. Duke bërë llogari të gabuara, duke zbritur vlerat logaritmike në vend se të pjestoheshin, dukej sikur një maskë lejon 95% të ngarkesës virale të kalojë, kur në fakt ishte e kundërta. Një lexues mesatar nga ai grafik kuptonte se ishte e kotë të mbaje maskë. Marrë parasysh që maskat janë të bezdisshme, nuk lejojnë kryerjen e aktiviteve fizike të fuqishme që kërkojnë shumë oksigjen, dhe sidomos, shkaktojnë keqkuptime dhe paaftësi dëgjimi, një lajm i tillë shtyn drejt mospërdorimit të maskës. Akoma më keq, asnjë reklamë mbi vendosjen e maskës nuk u shfaq kurrë në media, veç disa postime shumë spontane të cilat, u harruan shpejt. I njëjti mjek ka botuar në faqen e tij edhe disa studime të tjera me shumë pak peer reviews, me grupe shumë të vogla studimore. Audienca e tij është e gjerë, një postim merr diku te 30+ shares.

Ndërsa lajmet e reja vërshojnë me pikëpyetje për tenderat e maskave, publiku mbetet mes dilemash. U karantinuam për ndonjë arsye, apo ishte një lojë botërore? Sa prej nesh e kanë kaluar tashmë? Çfarë na detyrohet shteti, çfarë i detyrohemi ne shtetit? Pikëpyetje si këto ndoshta do zgjidhen në javët në vazhdim. Deri atëhere, mbani maska, lani duart, rrini brenda, në rastin më të keq, nuk e keni kaluar dhe në të mirin, rrezikoheni nga masat shtrënguese ligjore vër-e-hiq.

(c) 2020, Adela Radovani. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Reklama

3 Komente

  1. Saktë.
    Veçanërisht epike për radiologun “aktiv” pa çka “qorrazi”
    Gjithashtu në të njëjtën linjë me ca “real expert” që ju pēlqen të identifikohen me termin “inteligjent” duke patur kujdes të veçantë që ky term të jetë i pranishëm pothuajse në çdo post të tyre deri në bezdisje, dhe ngadonjëherë duke mos kuptuar kundershtinë e teorive të tyre me njëra tjetrën.

  2. Problemi eshte se deri ne mes te muajit Shkurt nuk ka pasur nje perkufizim zyrtar te qarte te semundjes. Prandaj eshte e veshtire te percaktohet sa nga te dyshuarit me Covid ne fund te Janarit dhe fillim Shkurti nderruan jete si pasoje e semundjes apo ishin te infektuar me virusin.Pra per kete periudhe vec mund te hamendesohet apo spekulohet. Kjo nuk do te thote qe nuk duhet te flitet, e te ngrihen pyetje, perkundrazi. Por qe ne disa qarqe ne vend po ngrihen tymnaja te tipit e kam pasur une dhe gjithe familja. Papergjegjshmeri totale. Dhe kjo behet kryesisht nga njerez qe kane qasje ne media dhe kane shume ndjekes ne rrjete sociale. Shume zhurme per vemendje.

  3. Ndryshe nga specialistët, ekspertët ndihen mirë, madje nuk u dridhet qerpiku, kur shqiptohen për fusha relativisht fqinje me ato ku pritet ta kenë ekspertizën. Për shembull, një dentist që rreket të argumentojë se ibuprofeni është më fisnik se paracetamoli.

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: