E KEQJA E PLOGËT

Eseja e Endrit Markut, për kometat si lajmëtare a shoqëruese katastrofash (Vitet e mbrapshta) më solli në mendje një libër të dy astronomëve Fred Hoyle dhe Chandra Wickramasinghe, Diseases from Space (1979), ku thuhet se shumë nga sëmundjet ngjitëse më të rëndomta, përfshi këtu edhe epidemitë, kanë origjinë jashtëtokësore – u detyrohen materialeve organike, molekula viruse dhe spore – që bien në Tokë nga kozmosi (një parashtresë të kësaj teorie mund ta lexoni këtu). Hipoteza është kundërshtuar me të madhe nga dija, por imazhi i një të patologjie që zbret nga qielli, në trajta mikroskopike, i tejkalon caqet e racionalitetit, për të zënë vend në imagjinatën kolektive. Tek e fundit, edhe Holyle edhe Wickramasinghe, ishin dhe mbeten dijetarë të respektuar në fushën e tyre – pavarësisht sa e pambrojtshme mund të ketë qenë hipoteza e tyre e panspermisë.

Hoyle ka vdekur tashmë, por Wickramasinghe është gjallë; dhe vazhdon të argumentojë me forcë pikëpamjet e tij për zanafillën e epidemive – si pjesë e një teorie e cila edhe jetën në Tokë e shpjegon si të ardhur, në analizë të fundit, nga hapësira; dhe se kometat që i afrohen planetit tonë kanë luajtur rol jo vetëm në fillimet e jetës, por edhe në evolucionin e saj të mëtejshëm.[1] Ky dijetar madje ka argumentuar se edhe pandemia e tanishme e Covid-19 e ka prejardhjen “nga yjet” (lexoni këtë intervistë). Ideja është se kometat përmbajnë lëndë organike, zakonisht në gjendje të ngrirë, por që fillojnë të avullojnë teksa një kometë i afrohet Diellit, duke përftuar flokët ose “bishtin” e saj; dhe nëse ky bisht, që arrin përmasa të jashtëzakonshme, ndonjëherë me miliona kilometra i gjatë, qëllon të prekë në mos të mbështjellë atmosferën e Tokës, atëherë materiali i avulluar nga kometa do të depozitohet në sipërfaqen e planetit tonë, në oqeane dhe në stere.

Më duhet ta pranoj se, sa herë që shoh në mediat imazhe, pak a shumë të përpunuara, të koronavirusit shkaktar të pandemisë së tanishme, më shkon sakaq mendja në pamje të ilustruara trupash qiellorë, të fotografuar nga sondat hapësinore ose të imagjinuara nga artistët: ndoshta për shkak të formës sferike, aq karakteristike për objektet shumë të mëdha ose shumë të vogla; ndoshta edhe për shkak të natyrës së pezullt. Më shkon mendja edhe në pasazhe të ekzagjeruara filmash fantashkencorë, me anije kozmike sferike, që lëvizin si të ishin flluska brenda një supe shtrigash[2]. Fakt është që këto gjëra – qofshin viruse, qofshin planetë, kometa dhe yje – syri e ka të vështirë t’i shohë; prandaj edhe duhen vegla të posaçme, si mikroskopët, teleskopët dhe pajisje të tjera tejet të stërholluara; madje deri në atë pikë, sa të mos jemi më të sigurt nëse imazhi që shohim është në fakt artifakt, sajesë e instrumentit tonë; ndërsa objekti i shënjestruar, njëlloj si Ding an sich e Kantit, mbetet gjithnjë përtej.

Viruset, mikrobet dhe gjallesat e tjera mikroskopike – si sporet, kërpudhat dhe lloj-lloj parazitësh – nuk i shohim dot me sy të lirë, përveçse në efektet e tyre: virusin e lisë e shohim në trajtën e shkatërrimit që ky ia bën fytyrës së viktimave; bacilin e tuberkulozit, te gjaku që njollos shaminë e poetit. Përkundrazi, objektet gjigante në qiell, si yjet, planetet, planetoidët, asteroidët, kometat, i shohim dot veçse për shumë së largu, në trajta që nuk na thonë gjë për natyrën e tyre “reale”. Tek e fundit, për syrin e lirë, nuk ka objekt më të vogël, më pikësor, se një yll i largët – pa çka se ky mund të jetë supermasiv. Ka pastaj edhe trupa qiellorë, si kometat, që i pikasim veç rrallë, dhe vetëm kur “u zgjaten flokët”; dhe që marrin, në qiell, pamjen e një meteori të ngrirë. Kur “këputet ndonjë yll”, na thonë që të shprehim një dëshirë; por kometa, kjo fotografi aq e plogët e një ylli që këputet, është për t’i interpretuar, në fakt, si dëshirë e tjetërkujt.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Për astronomët, kometat janë objekte të ngrira, pluhur i akullt, që zakonisht i vijnë rrotull Diellit, por në orbita tejet ekscentrike dhe që ndonjëherë u zgjatin mijëra në mos miliona vjet. Kometa Atlas, që pritet të shfaqet në qiell këtë pranverë, ka një orbitë prej 4,800 vitesh tokësore: çfarë vizitori i largët!

[2] Një numër i madh romanesh dhe filmash fantashkencorë rrëfejnë për katastrofa planetare, në trajtë epidemish ose ndryshimesh të tjera të frikshme, që ndodhin kur mbi Tokë bien spore, viruse ose materiale të tjera biologjike nga hapësira kozmike: p.sh. Invasion of the Body Snatchers (në tre versione) dhe Night of the Comet, një film me zombie.

1 Koment

  1. Besoj edhe ne bashkepunimin e njeriut ne sjellen e viruseve siderale, nese ekzistojne. Lexoja nje here proceduren e manipulimit te disinfektimit qe iu be modulit te Apollo 11 kur ra ne det. Pasi u perdoren e derdhen te gjitha lendet dhe sprajet ne uniformen e astronauteve filloi disinfektimi i modulit nga te gjitha anet, me siç mund merret me mend, me lengje te tilla qe ishin shprehja e teknologjive me te reja. E lane dhe fshine mire e mire. Dhe se fundi leckat qe u perdoren per nje gje te tille u hodhen ne …. oqean.
    Dhe kjo nga specialistet e NASA-s!
    Me sa duket, siç ishte rastesia ajo qe beri te mundur krijmin e jetes, ka te ngjare qe te jete krejt rastesi fakti qe vazhdon.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin