VITET E MBRAPSHTA

Nga Endrit Marku

“Pati mendime të ndryshme, nëse ishte shfaqja e kometës që i vuri vulën e prapësisë atij viti, apo më vonë, pasi ngjarjet kishin nisur ndërkaq, njerëzit e bindën veten se qysh në krye u qe dukur ashtu”

 Ismail Kadare (Viti i mbrapshtë)

Viti 1914

Është pak e vështirë të përcaktosh se cilën kometë kishte ndërmend Ismail Kadareja teksa e bënte pjesë të narrativës së tij e cila zhvillohet në vitin 1914. Gjatë asaj periudhe ka pasur disa të tilla që i janë afruar tokës e që sipas shkrimeve të kohës kanë qenë të dukshme, të paktën pjesërisht, edhe me sy të lirë. Të tilla kanë qenë kometa Delavan e 1913-s apo kometa Campbell e 1914-s. Por, mbase, përtej përputhjes kohore, frymëzuesja e vërtetë e shkrimtarit ka qenë kometa Halley, e cila në vitin 1910, pak para ngjarjeve të përshkruara në libër, bëri një prej shfaqjeve të saj ciklike mbi qiejt e botës.

Halley u shfaq rreth datës 10 prill. Aq shumë ju afrua ajo tokës, saqë ditën e 19 majit të po atij viti planeti kaloi përmes bishtit të saj të gaztë, duke nxitur shumë teori nga më të çuditshmet mbi helmimin e atmosferës apo mbi kataklizmat e pritshme që do të derdheshin mbi tokë. Gjatë atyre ditëve mund të bliheshin hapje kundër helmimit, çadra kometë-pritëse, disa nisën të ushtroheshin se si të mbanin sa më gjatë frymën ndërsa mendohet që edhe ngjarje madhore siç ishte rrënimi i regjimit mijëvjeçar perandorak kinez u ndihmuan nga mesazhi ndjellakeq që përcolli shfaqja e kometës tek masat.

Me siguri dhe në Shqipërinë e atëhershme plot bestytni dhe e rrëmbyer nga dallgët e krijuara prej shembjes së perandorisë osmane, këto shfaqje qiellore do jenë pritur me shumë emocion dhe do jenë parë si parashikuese të ndryshimeve të mëdha që po ndodhnin, siç ishin luftrat ballkanike, shpallja e pavarësisë, rënia e princ Vidit, fillimi i Luftës së parë botërore e më tej, njohja përfundimtare e Pavarësisë së Shqipërisë sipas kufijve të sotëm.

Viti 1997

Ata që e kanë përjetuar vitin famëkeq 1997, mbase e kujtojnë që krahas plumbave gjurmëlënës, në qiell ishte dhe një gjurmë tjetër, më e madhe dhe në dukje e palëvizshme. Ajo qëndroi lart për javë të tëra, madje shihej edhe ditën. Ishte kometa Hale-Bopp, më e ndritshmja e shekullit të kaluar. Kometa orbitoi e dukshme në qiejt e tokës për rreth 18 muaj ndërsa arriti shkallën më të lartë te ndriçimit në hemisferën veriore, me 1 prill të vitit 1997.

Ai vit ishte mjaft i mbrapshtë, veçanërisht për Shqipërinë, e në përgjithësi ajo periudhë për të gjithë shqiptarët e sapodegdisur nëpër botë, në kërkim të një të ardhmeje më të mire, ose atyre të sunduar me dhunë kudo nëpër Ballkan. Vetë gadishulli ishte i përfshirë nga konfliktet e shumë shpejt do të shpërthente hapur dhe lufta e Kosovës. E megjithatë edhe pse me shumë vështirësi, shpejt Shqipëria hyri në një periudhë qëndrueshmërie, diktaturat e fundit të gadishullit ranë dhe vetë harta e tij ndryshoi.

Viti 2020

Edhe ky vit, deri tani,nuk ka qenë i lehtë. Krahas konflikteve politike, ai filloi i ngarkuar me barrën e rëndë të lënë nga tërmeti i nëntorit e shumë shpejt u rëndua edhe më tepër nga shfaqja dhe përhapja e virusit më të rëndë të 100 vjetëve të fundit të historisë botërore.

Këto ditë, teksa njerëzimi ka ndalur dhe pret i kyçur dhe i pafuqishëm që rreziku të kalojë, planetit po i afrohet kometa e radhës. Kometa Atlas e cila u zbulua vetëm në dhjetorin e vitit të kaluar do të arrijë ndriçimin maksimal në maj dhe ka gjasa të jetë e dukshme me sy te lirë në hemisferën tonë, madje sipas parashikimeve më optimiste mund të jetë edhe më e ndritshme se planeti Venus apo dhe e krahasueshme me vetë Hënën. Pra, edhe këtë herë, ngjarjet e mbrapshta që po përjetojmë mbase do të mund t’i lidhim me një kometë dhe ndoshta ndryshimet e shumta që presim të ndodhin, afatgjatë, do jenë për mirë.

Ndërsa pritshmëritë janë të mëdha, edhe për spektaklin qiellor që mund të ndodhë në fund të majit, shkrimi nuk dëshiron të bëjë parashikime të tipit astrologjik pasi, me të gjitha gjasat, këto tre përputhje mes shfaqjeve qiellore të kometave dhe zhvillimeve historike janë thjesht rastësi. Të mira për të frymëzuar mendjet krijuese, qofshin ato shkrimtarësh të mëdhenj apo thurësish të teorive konspirative.

Vetëm një gjë është e sigurt, për sa kohë rrugëtimet tona nëpër kohë dhe hapësirë nuk do të përputhen plotësisht historia e secilit do të vazhdojë si përherë. E kometës deri sa t’i avullojë pak nga pak i gjithë akulli prej rrezatimit diellor apo të bjerë mbi ndonjë planet, kurse e jona deri sa t’ia shterojmë burimet planetit ose të përplasemi me ndonjë kometë.

(c) 2020, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

  1. Gjendje normale eshte normale i thençin, eshte normale vetem kur ndodhemi ne rrethana normale ku mbreteron indiferenca. Indifenca eshte nje mekanizem mbrojtes, qe gjendjen anormale, e cila eshte gjendja permanente ekzistenciale, e transformon ne normale, ne kuptimin qe çfar na ndodh e quajme te rastit, pa qellim, pa arsye, pa kuptim. Perkundrazi, kur qellon te ndodhemi ne rrethana krejtesisht anormale, siç eshte gjendja e sotme qe perjetojme nje vuajtje te thelle, atehere zbulojme anormalitetin e ekzistences, dhe mekanizmi nga mbrojtes, trasformohet ne sulmues, ndjeshmeria dhe ndjenjat mprihen, e fillon e sheh se mbas rastit shihet edhe destin.
    Kadareja i eshte afruar kesaj te vertete me shprehjen e cituar ne krye te shkrimit, por jo aq sa te meritoje çmimin Nobel.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin