REFLEKSION NDAJ NJE LETRE

Nga Ferdinand Agalliu

Të paktën dy gazeta online, “TemA” dhe “Sot” të datës 5 Shkurt 2020, botuan një letër që Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu i ka drejtuar shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Në letrën e tij zoti ministër kërkon nga Bashkimi Evropian as me pak dhe as më shumë, por që të heqë “ndarjen artificiale” midis Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në politikat e zgjerimit të bllokut.

Po ashtu, në po të njëjtën letër zoti Çavuşoğlu “nënvizon pikëpamjen e Turqisë ndaj politikës së zgjerimit të BE-së.” Kërkesa e tij është fare e qartë. Ai shkruan “… se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të trajtohen ndryshe nga Turqia.” dhe se “Të gjitha vendet duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. Shpresojmë të shohim disa hapa pozitivë që do t’i jepnin fund ndarjes artificiale midis Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë gjatë mandatit tuaj.”

Deklarimet e Ministrit të Jashtëm turk të shprehura në këtë letër kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për fatin e përfshirjes tonë në gjirin e Komunitetit Europian. Është për këtë arsye, që si qytetar i këtij vendi, prisja një reagim nga Ministria jonë e Jashtme në lidhje me këtë letër. Por çuditërisht asnjë reagim nuk erdhi. Të jetë vallë, që, ata të cilët drejtojnë Ministrinë tonë të Jashtme nuk e kanë të qartë rëndësinë e kësaj kërkese turke drejtuar BE?

Në fillim të vitit 2014, një vendim i Bashkimit Europian zhvlerësoi kërkesën tonë për përfshirje në gjirin e këtij Komuniteti. Po ashtu, edhe në fund të vitit që lamë pas, domethënë pas gjashtë vjetësh, kërkesa jonë u hodh përsëri poshtë. Pas një situate të tillë, me të drejtë çdo njeri tek ne shqetësohet dhe do të dijë se ku qëndron arsyeja e vërtetë e një qëndrimi të tillë. Kuptohet, mund të ketë një numër arsyesh, por unë do të theksoja vetëm atë që buron nga esenca e kësaj letre të Ministrit të Jashtëm Turk.

Natyrisht, unë mund të vazhdoja me analizën e letrës së zotit Çavuşoğlu. Por gjykoj të risjellë në vëmendje një shkrim që kam bërë në janar të vitit 2014, i cili, çuditërisht, edhe sot pas më shumë se gjashtë vjetësh, duket sikur është shkruar posaçërisht si përgjigje ndaj kësaj letre. Por më kryesorja, mendoj se risjellja në vëmendje e shkrimit do të shërbente për të treguar qartësisht, se sa ngadalë ecin gjërat dhe sidomos arsyen e vërtetë të shkaqeve që e ngadalësojnë, për të mos thënë e bëjnë pothuaj të pamundur realizimin e ëndrrës tonë për në BE. Ja dhe shkrimi:

FATI I ËNDRRËS TONË EUROPIANE

“Papjekuria politike” e sinqertë e Kryeministrit tonë, kur deklaroi pa ju dridhur zëri, se ëndrrës sonë europiane i janë kundërvënë qarqe ekstremiste të disa vendeve perëndimore me arsyen se na konsiderojnë një vend mysliman, ka shkaktuar vërtetë një tronditje të thellë. Kishim menduar se na kërkoheshin përpjekje për t’u bërë të gatshëm për rregullat e domosdoshme të bashkëjetesës me popujt e qytetërimit perëndimor, por shohim të na flakin në labirintin e arsyeve fondamentale të ndarjes midis qytetërimeve. Zoti Kryeministër falënderoi Zotin, për faktin që kjo nuk është “një politikë zyrtare e vendeve perëndimore”. Sidoqoftë me ‘shakanë’ e tij, në këtë rast ai nuk bëri të qeshë askënd. Tashmë, shfaqjes iluzioniste të politikës europiane në raport me ëndrrën e sinqertë të këtij populli për t’iu bashkuar qytetërimit perëndimor, iu zbulua ajo që e bënte interesante, fshehtësia e trukimeve. Është për këtë arsye, që tashmë, individ më të zvogëluar, venitur, fatkeq dhe të mjerë në sytë e këtij populli se ambasadori i BE në vendin tonë, zor se mund të gjendet. Por, të hyjmë në thelb të problemit…

E them që në fillim, se unë i përkas atij kontingjenti të cilët i besojnë seriozisht arsyes fetare në qëndrimin e fundit që u mbajt në lidhje me kërkesën tonë për tu pranuar si vend kandidat për në BE. Pa mëdyshje, na konsiderojnë një vend me shumicë myslimane.

Zoti Kryeministër thotë se “nuk është politikë zyrtare”, por as që merr mundimin t’na thotë, se kush janë ata që së fundi krijuan oazën “vendet e Ballkanit Perëndimor”? Cili është shkaku që Shqipërinë, Bosnjën dhe Kosovën i grupojnë më vete dhe a bëhet ky grupim mbi konsiderata fetare? Por e bukura, duket, qëndron në arsyet e kësaj sajese të titulluar “vendet e Ballkanit perëndimor”. Të gjithë e dimë, se aq myslimanë sa ka Bosnja, Kosova dhe Shqipëria, nuk do të përbënin as më të voglin shqetësim për Europën, për t’i absorbuar në gjirin e saj. Vetë Gjermania dhe Franca, pa përmendur edhe vende të tjera, kanë në gjirin e tyre sot pothuaj aq myslimanë sa kanë të tre këto vende të marra së bashku. Jo vetëm kaq, por të ashtuquajturat “Vende të Ballkanit perëndimor” janë në territoret e tyre historike dhe lëvizjet e mundshme të popullsisë do të ishin në kufij të papërfillshëm. Atëherë, kush mund të jetë shkaku i vërtetë i kësaj sajese politike? Vetëm dikush që nuk është marrë me politikë nuk arrin të shohë, se në këtë rast, të tre këto vende fatkeqe, po përdoren dhe do të vazhdojnë të përdoren për shumë kohë si “thasë me rërë”, për t’i bërë ballë përmbytjes turke në Europë. “Ballkani perëndimor” nuk është asgjë tjetër, veç një krijesë artificiale që do të shërbente në çdo rast për një përgjigje diplomatike refuzuese ndaj kërkesës së Turqisë për t’u përfshirë në qytetërimin perëndimor.

Është i njohur fakti se Turqia është aleate e madhe dhe mike besnike e botës perëndimore. Ajo është anëtare me përmasa të hatashme në NATO. Ata që kanë rregulluar dhe rregullojnë punët e kësaj bote, kurrë dhe për asnjë rast nuk do t’i lejonin vetes të fyenin këtë mik të madh dhe politikisht kaq të rëndësishëm. Të përfshish këto tre vende ballkanikë në gjirin e Europës pa një miratim paraprak nga ana e Turqisë, këtë, shtete serioze si Anglia, Gjermania dhe Franca nuk do t’ia lejonin vetes kurrë. Ndaj, nuk është aspak e rastit, që në përgjigjen e dhënë kërkesës sonë për në BE u përfshinë të tre këto vende. Sa për Holandën, ajo nuk mund të bëhet fajtore, pasi në një përgjigje tjetër, do të gjendet një vend tjetër, veç detyrimisht larg vijave ndarëse të qytetërimeve. Duke u konsideruar si vende më pranë vijave ndarëse, vetëm Italia dhe Greqia, arkitektët e nëndheshëm të sajesës “Ballkani perëndimor”, nuk do të përdoren në asnjë rast për të kundërshtuar çdo kërkesë të mundshme turke. Pra, me sa shihet, Perëndimi nuk mund të kundërshtojë drejtpërdrejt kërkesën e Turqisë për në BE. Por, duke refuzuar kërkesën e këtyre tre vendeve të së ashtuquajturit “Ballkani perëndimor”, përgjigjja merret me mend se është për të.

Tashmë është e qartë si drita e diellit, se sado me qëllim të mirë të jetë bërë marrëveshja për kandidaturën e Turqisë për në Bashkimin Europian, nxitimi politik në atë rast pati përmasa të habitshme. Të përpiqesh për të bërë bashkë në mënyrë mekanike dhe jo të natyrshme komunitete qindra-milionëshe njerëzish me fe, mentalitet dhe mënyrë jetese diametralisht të kundërt, sado fisnik të jetë qëllimi, më e pakta që mund të thuhet është se ky përbën një veprim politik të çuditshëm. Por, kuptohet, marrja në analizë e këtij problemi nuk është punë për përmasat tona. Atëherë, ç’mund të bëhet nga ana jonë për të dalë nga pozicioni i padrejtë ku na kanë futur? Natyrisht, mund të ketë një numër mundësish. Unë do të vëmendja fare shkurt vetëm dy.

1- Ashtu siç kam vënë në dukje edhe në një shkrim të mëparshëm, unë akoma vazhdoj të mendoj se ne nuk jemi vend me shumicë myslimane. Për këtë arsye, përfshirja jonë në oazën e ashtuquajtur “Ballkani Perëndimor” mendoj se është gabim i rëndë. Ne konsiderohemi vend me shumicë myslimane mbi bazën e një censusi të kontestuar. Jo vetëm kaq, por fqinjët tanë, me të vetmen arsye për t’na përdorur si barrierë ndaj kërkesës turke për në BE, padrejtësisht na klasifikojnë si vend me shumicë myslimane. Që ne jemi në masë dërrmuese të pafe, këtë siç thuhet, e di “edhe bufi”. Atëherë pse duhet t’na e bashkojnë fatin me vende që me aq gatishmëri duan të vetëklasifikohen si vende me shumicë myslimane? Në shkrimin e mëparshëm shfaqja mendimin, se vetëm nën kujdesin e OSBE, ne duhet t’i nënshtroheshim, në një kohë të përshtatshme, një referendumi për deklarimin nga çdo individ të bindjes së tij fetare, ose mosbindjes në Zot. Sepse, kur nuk beson në Zot, kjo besoj nuk do të thotë se je mysliman, katolik ose ortodoks, apo jo? Dhe nëse një referendum për verifikimin e përkatësisë sonë fetare do të nxirrte Shqipërinë një vend jo me shumicë myslimane, atëherë hapej rruga jonë për një rishikim të pjesëmarrjes sonë në Organizatën e vendeve Islamike dhe përcaktimi mbi konsiderata të vjetruara, të një kohe të lënë pas, si “vend mysliman”, do të bëhej i pavlerë. Pra, shkurt, ne duhet të kërkojmë me forcë që të korrigjohet gabimi i bërë ndaj nesh duke u klasifikuar si vend mysliman pa një verifikim të besueshëm. Ne kemi zakone dhe sjellje thellësisht perëndimore dhe nuk ekziston arsye pse duhet t’na e bashkojnë fatin me ata që sillen dhe mendojnë ndryshe nga qytetërimi perëndimor.

2- Po ashtu, mendoj se kemi të drejtë plotësisht t’i kërkojmë Turqisë ta veçojë kërkesën e saj për përfshirje në BE dhe të mos e kushtëzojë me të ashtuquajturit’ vëllezërit e saj të vegjël” (për të cilët zonja Topalli ‘në jerm’ thotë “…se ashtu siç ka thanë edhe zoti Bërisha, jena vllazën të nji gjaku”). Nëse Europa nuk është e gatshme të përfshijë një masë dhjetëra milionëshe myslimanësh të Turqisë në gjirin e vet, është detyrë e Turqisë në këtë rast ta mirëkuptojë duke i dhënë Bashkimit Europian kohën e nevojshme dhe të domosdoshme për përgatitje.

Por, kuptohet, ky nuk duhet të përbëjë shqetësim për ne. Ne jemi një popull i vogël dhe politika që bëjmë duhet të jetë, në raport me përmasat tona…

Kur në fillim të shekullit të kaluar perandoria e saj u shemb, Turqia deklaroi se “… heq dorë nga të gjithë zotërimet e saj në Ballkan, përtej vijës Enos-Midija, me përjashtim të Shqipërisë, fatin e së cilës ua lë në dorë Fuqive të Mëdha…[1] ” Por kur edhe vetë, sot, pas njëqind vjetësh, kërkon që fatin e saj ta bashkojë me atë të këtyre vendeve të mëdha, a nuk është në nderin e saj ta brohorasë me gjithë zemër përfshirjen tonë në gjirin e komunitetit më të civilizuar të kohës që jetojmë?

 

(c) 2020, Ferdinand Agalliu. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Arben Puto “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha 1912-1914”

8 Komente

  1. Ferdinand,
    Ka disa ide qe nuk i ndaj me shkrimin, por me vjen mire qe pozita qe ti ke eshte e qarte dhe e argumentuar. Themelore ne problemin qe une kam me shkrimin eshte nje lloj stigme e pafolur per muslimanet qe edhe pse s’thuhet, ndihet. Ka plot tradita muslimane shoqerisht e politikisht te formuara me te cilat une nuk jam dakord; por te provosh kete distancim me cdo kusht duket sikur ka dicka qe s’shkon me qeniet qe jane muslimane. Dhe kjo per mua eshte kunder te drejtave te njeriut. Une besoj eshte frika se Perendimi nuk do na shohe me me sy te mire qe na ben te kerkojme distancim me cdo kusht prej grupesh te caktuara njerezish.

    Por nuk eshte kjo qe doja te shkruaja: doja te thoja se Ballkanet perendimore perfshijne vende me popullsi kristiane dhe nuk lidhen me fene, aq sa me perkatesine ne njesine komuniste dhe me gjendjen ekonomike dhe politike te tyre.
    Per Turqine besoj si ti se ka ngelur jashte BE kryesisht prej fese, dhe ne 10 vitet e fundit gjendja ne kete pike nuk avancon, perkundrazi. Dhe besoj se fuqia e saj ushtarake ka nje rol te madh ne kete qendrim. Gjithashtu mendoj se nese Turqia do kish qene ne Europe prej kohesh (mos harrojme sa dekada ka qe kur Turqia eshte kandidate) , ndoshta nuk do kishim sot nje Erdoghan. Dhe ndoshta Europa do ish ne nje pozite me te fuqishme ndaj trumpizmit.

    1. Bashkohem edhe unë shpirtërisht, e nderuara Zonjë, me shqetsimin tuaj të mrekullueshëm, për kujdes shpirtëror dhe sidomos një trajtim njerëzor që ju duhet kushtuar besimtarëve të çdo feje. Duke u nisur thjesht nga konsiderata shpirtërore, ju vini në dukje se nuk mund të jeni dakord “…të provosh këtë distancim me çdo kusht..” që unë propozoj dhe shtoni se “duket si diçka që s’shkon me qëniet që janë myslimane.” Besoj se ju e keni të qartë, se distancimi me çdo kusht që unë kërkoj është rrjedhojë e një qëndrimi kundërshtues të përsëritur nga ata që kanë në dorë fatin tonë. Në këtë rast më duhet të theksoj, se unë bëjë fjalë për një qëndrim politik, i cili jo domosdoshmrisht në çdo rast mundet të përputhet dhe marrë për bazë konsideratat morale të cilave ju i referoheni në komentin tuaj. Sidoqoftë, unë askund nuk paragjykoj përfundimin, unë veç jap një mendim për të shkuar sa më pranë të vërtetës, një e vërtetë që e lus me gjithë zemër, por pa fyer dhe për më tepër mohuar të drejtën dhe lirinë e gjithkujt për të patur atë besim që është sa më pranë konstruktit të tij shpirtëror. Dhe po ashtu edhe të drejtën për të mos besuar.

  2. Ne kete punen e mospranimit ne BE shqipot nuk duhet te fajesojne askend pervecse vetes se tyre qe nuk po dine te vet qeverisen.Ngado qe ta zesh Shqiperia eshte komplet e korruptuar .Dhe te mos fajesojme te huajte si e kemi zakon se edhe ai pak stabilitet mbahet prej te huajve ne nje menyre apo tjeter .Te huajte ia kane bere te qarte se duan te shohin eliten e korruptuar shqiptare ne hapsane .Qeveria po ua dredh me premtime te tipit “andej nga vjeshta ,pranvera ,dimri apo behari I ardhshem ,sipas sirase te stines do bejme ca arrestime te bujshme .Rasti klasik ku nje komb po sakrifokohet qe nje brushy njerezish te mos shkojne me burg .Sa e korruptuar eshte Shqiperia e tregon reforma me drejtesi .Pas shkarkimit te gjykatesve apo prokuroreve me pasuri te psjustifikuara kane ngelur vende vakanteee eshte paralizuar sistemi se nuk po gjenden kandidate te paster .Jane molepsur te gjithe .

    1. Shkaqet që ju përmëndni janë më se të drejtë. Por shkrimi bënë fjalë për një aspekt specifik. Unë mundohem të analizoj një shkak i cili nuk varet nga ne. Thonë se Benito Musolini, kur donte të vinte në dukje diçka që e vlerësonte si të pamundur për tu realizuar, e kishte shumë për zëmër shprehjen se “mësa mund të ndërtohet një xhami në Romë, po aq mund të bëhet edhe kjo punë.” Askush sot nuk mund të mohoj faktin, se baza e ndryshimit të qytetërimeve qëndron në përkatësinë fetare.

    2. Alba, ju kam shkruar një herë privatisht, tani dhe për herë të fundit, publikisht: ju lutem tregoni kujdes me shqipen, sepse kështu si e keni shkruar më lart është e papranueshme për standardet tona. Nuk ka nevojë t’i përgjigjeni këtij komenti.

  3. Shkrimi i para disa vjeteve eshte ne te njejten fryme me shume shkrime te tjera ne shtypin shq. dhe gjithkush i bashkngjitet atyre mendime. E shumta mund te shtonim, ose saktesonim, se 1. nuk eshte vetem fakti i fese myslimane te Turqise per mospranimin e saj ne BE, (numri i banorve, problemet etnike, etj. gjithashtu), dhe 2. edhe ne refuzimin e tre vendeve “myslimane” te Ballkanit perendimor per hyrjen ne BE, nuk qendron aq (dhe vetem) arsyeja e refuzimit indirekt te Turqise, (tre vendet, Shq., Kos., Bosnja, kane midis tyre probleme nga me te ndryshmet).
    Ne lidhje me letren e Cavuslogut drejtuar BE-s, ky shkrim i para disa vjeteve duket mjaft aktual. Nuk e kuptoj ku bazohet mustaqja i Ankarase ne corben qe pretendon!? Dhe pse keta te Tiranes nuk distancohen me dipllomaci nga keto llogje e dokra otomane!?
    Por ndoshta tashme eshte vone te kundershtosh te tilla dokrra, sepse tashme Albanistani keshtu qe keshtu eshte ne xhepin e vogel te Erdoganit. Duket shqiptaret jane mesuar te paguhen pa bere mundime te medha, dhe jo ta fitojne pagesen me djersen e tyre! Ndaj vetem shohin ne c’preher do te bien!

  4. Shume zhurme per asgje…

    Po shihja moshen mesatare te Gjermanise. 45.9 vjet
    Ajo e Austrise – 43.2 vjet. Italia – 45.2 vjec.
    “Pa te shoh Turqine” – mendova. 31.5 vjec.

    Demography is destiny, … tha.

    Turqia lutet sot. Por ka per te kerkuar neser, ne mos diktuar pasneser.

    Me kishat bosh dhe xhamite plot deri ne rruge, duket se kush eshte ne ane te Zotit.

    Sa per Shqiperine, ne kemi qene perhere zone kufitare. Qe ne kohe te Romes. As ketej as andej. Edhe ketu edhe aty. Te mbijetuarit e kemi kthyer ne formen me te lart te “artit”. S’kemi ngritur koken, s’kemi bere shume, s’kemi dhene shume. Por kemi mbetur. Aty.

    1. Zoti Ksamil!
      Një miku im më jep për të lexuar një roman që kish botuar. Natyrisht, ai priste përshtypjet e mija pas leximit. E takoj pas nja dy javësh dhe ai më pyet:
      – Hë, e lexove? Si t’u duk romani?
      – Jo, i thash. E fillova, por pas nja 20-30 faqesh e ndërpreva leximin.
      Pash, që ai u prish në fytyrë dhe me gjysëm zëri më pyeti:
      – Si kështu, nuk të pëlqeu?
      -Përkundrazi! – ja ktheva. Për aq sa lexova mu duk shumë i mirë. Por gjykova ta ndërpres leximin pasi nuk kam qënë dhe aq mirë shpirtërisht këto ditë. Kisha frikë se mos gjëndja ime shpirtërore do më bënte të shihja vetëm dobësitë, duke i kërkuar ato pothuaj me insistim dhe prishur me këtë rast balancën e nevojshme për vlerësim.
      Mikut tim i ndriti fytyra dhe buzagas më tha: Drejt! Sa mirë ke bërë…..
      Nuk di, Zotëri, ndoshta gaboj, por komenti juaj sikur vuan pak nga mungesa e një trajtimi të balancuar. Ju thoni, se “të mbijetuarit e kemi kthyer në formën më të lartë të “artit”. S’kemi ngritur kokë, s’kemi bërë shumë, s’kemi dhënë shumë”. Kjo mënyrë të shprehuri lë hapur të kuptohet sikur ju jeni shpirtërisht i dëshpëruar nga vijimësia e një qëndrimi historikisht vegjetativ yni si popull, të paktën siç thoni ju, “që në kohë të Romës.” e deri në ditët e sotme. Sidoqoftë, ky shkrim që unë kam paraqitur këtu, si dhe shumë të tjerë që paraqesin përditë diçka në këtë revistë, sado modeste që mund të jenë, mendoni se meritojnë sadopak vlerësim, si përpjekje përgënjeshtuese për deduksion tuajin fatkeq?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin