ELEGJI PËR TIRONËN QË FIKET

nga Eda Derhemi

A ka për t’nërru noj her kjo Tirona jon, axhebà! – vriste mendjen nona ime. Dhe pastaj rrudhte buzët me qime të rralla, e picërronte sytë e bukur gjithë lara. Nona e shkretë… vdiq pa nërru hala faqe Tirona, një mëngjes fund-dhjetori pasi na kish bërë hashuren e zakonshme për atë periudhë. Thoshte edhe vetë: Tironën kini për ta gzu ju, shkongllat e nonës, se mu do më ketë bi bari dy pëllomë kur ta thyjn qafën rezilat!” Ajo ishte nga të pakëtat në familje që s’kishte dyshime se komunizmi si gjithçka tjetër do kishte fundin e vet, dhe ishte ky ndryshimi që i pëlqente. “Hongërt kryt e vet, ishallah”- thoshte për Enverin kur dëgjonte që futeshin në burg a vriteshin njerëz për pulitik. Por ca nga ndryshimet e tjera që erdhën, nona as i mendonte dot, dhe as do i kishte pas dash. Tirona pa aborre e tronafila me erë, pa rrugica e komshi ku të trakllish e ta hapin portën me gaz – ke Nusja Molit, ke Fahrija apo ke Kristanthi për i kave e për muhabet … nuk osht Tirona e nonës. Kur i thoja për ndonjë shoqe që e ka shtëpinë tek 21-shi, më thoshte “Qyqa, m’fun dynjosë e paska!” Kuptohet që Kombinati dhe Lapraka ishin katunet e reja përqark Tironës. Tirana e nonës ishte ajo e para. Nga një histori e dëgjuar, di që nuk ishte kështu veç nona ime. Gjyshja e një mikeje që banonte në një shtëpi tiranase afër Pazarit të Ri, pasi kish ndenjur për disa orë për vizitë tek apartamenti i ri i të birit në perëndim të Mihal Durit, i thoshte: Bir i nonës, sun po rri mo myll m’kuti, më ço m’Tiron tashi!

Qyteti në përfytyrimin distant të qytetarit (por edhe të huajit) barazohet simbolikisht me skyline-in e tij, normalisht i qëndrueshëm e sigurues, i dukshëm dhe i pangatërrueshëm për këmbësorët apo zogjtë qytetas. Duhen shkruar këtë fundviti edhe ca radhë për çfarë ka luajtur në histori rolin e skyline-it të paluejtshëm, tashmë thuajse 100-vjeçar, të Tiranës, para se ai të zhduket përgjithnjë. E kam fjalën për pamjen qe duket nga sheshi Skënderbej, aty ku bashkohen rruga e Durrësit me atë të Kavajës, kur sheh përnga Mali i Dajtit: konturi i malit, Xhamia me Minaren, Sahati dhe paralelopipedi i pamungueshëm me çati sipër i Pallatit të Kacelve. Për Pallatin kam shkruar edhe më parë, dhe kam ende për të shkruar. Unë besoj se për identitetin e qytetit dhe paqen e qytetarit memoria dhe vazhdimësia vizuale dhe arkitektonike e disa ndërtesave kyç e të veçanta, ka rol të madh. Që qytetari ta ndiejë si të vetin qytetin dhe t’i përkasë e ta ketë shtëpi, ai duhet të jetë pjesë e tij, kulturalisht, mendërisht e ekonomikisht. Jetëgjatësia e imazhit, prania e disa objekteve simbolike qendrore të ndërtuara sipas një modeli të pranueshëm dhe të kuptueshëm, e mbrojnë qytetarin nga tronditjet që mund t’i shkaktojnë ngjarje të caktuara, halle a fatkeqësi se ndihet “në shtëpi”. Ato gjithashtu e lidhin shoqërinë në komunitet dhe përforcojnë identitetin qytetar. E vërteta është se në gjithë fotot e trashëguara nga e kaluara e paraluftës, nga paslufta apo vitet e socializmit, Pallati i Kacelve u buzëqesh ndërtesave përreth me madhështi të matur. Ai i rri mirë qendrës; fakti që e mbulon një çati, ashtu si edhe gjithë ndërtesat më të ulëta përreth, e bën edhe më tiranas dhe të afrueshëm.

Ka një skicë lapidare por të panjohur të Sadik Kacelit vizatuar më 1943, që botohet mbi këtë shkrim me leje prej të birit të piktorit, edhe ky po piktor, Buron Kaceli (skica në hyrje të shkrimit). Bukuria dhe përsosmëria strukturore e atij pallati që mbante emrin e familjes së tij, e bëri piktorin e ri të shpërpjesëtonte raportet mes Pallatit, Sahatit dhe Minares në një trill artistik që luante me realitet e botës fizike dhe shpotiste identitetin e Tiranës. Gjithsesi, Sahati vizatuar mbi faqen e bardhë të ndërtesës por shumë më i vogël se ajo, ka gjithë hapësirën e nevojshme rreth vetes, dhe duket si një aks i peshores së kohës që mban me respekt në dy krahët e vet, në barazpeshë, xhaminë dhe pallatin italian – me lartësi të njëjta.

Pallati i Kacelve është aty nëpër fotot kur Tirana bën festë, kur Tirana ka vapë e ftohtë, në fotot kur Tirana ndërton sheshin e vet kryesor.

Dhe kur pallati nuk është aty, fotoja është shkrepur prej tij si në foton poshtë.

Foto e qendrës marrë nga Pallati Kaceli

Në një tjetër foto më lart, më e gjerë dhe nga lart, duket Tirana e ministrive dhe Bankës përtej së cilës ka tokë djerr, ndërsa nga krahu i Tiranës së Vjetër, pa dyshim vëzhgon Pallati i Kacelve. Në një tjetër ka një autokolonë që po hyn drejt qendrës; pallati i Kacelve e bën sehir si t’i thotë: këtu do jem, e do ju shoh edhe kur të dilni.

Hyrja e gjermanëve në Tiranë

Kjo foto më është ngulitur dhe lidhur gjithnjë në kujtesë me dy histori të tim eti, ndoshta sepse ka një çun në atë foto që i ndjek kureshtar ushtarët, me të cilin unë identifikohem dhe identifikoj historinë: njëra histori në të cilën babi dhe çunat e lagjes vrapuan deri ke Kumlla Kuqe të shihnin largimin e ushtrisë italiane nga Tirana. Tjetra, më afër shtëpisë që kam tani në Rrugën Qemal Stafa, ku im atë tregon se, teksa autokolona gjermane që po tërhiqej kish bërë një pushim, çunat e lagjes rrethuan një tank dhe vëzhgonin gjermanët që po hanin. Babi thotë që gjermani nga tanku më afër zbriti dhe u dha bukë me gjalpë. Histori pa vlerë të veçantë, por duke qenë se unë s’kam sfond tjetër të mbijetuar nëpër muze a libra historie, i shoh gjithnjë si të kenë ndodhur nën Pallatin e Kacelve. Tamam aty ku në foton me autokolonë, një çunak Tirone bo sehir gjithë kureshtje autokolonën.

Pallati Vllazën Kaceli shfaqet edhe në gjithë fotot e Çlirimit të Tiranës,

Dita e parë pas Çlirimit

që kanë një hijeshi të vecantë dhe një tis romantik dhe emancipues për mua (paksa idiot, them ndonjëherë, gjersa ajo fitorje ishte simbolikisht e para që solli për gati 50 vjet regjimin xhelat komunist të Tiranës. Por unë e di se Tirana mbeti komuniste jo se u bë luftë asaj dite, por se ashtu ish vendosur në ambiente ku as ne, as Enveri s’kishim asnjë fuqi ndikimi. Ndaj mund të vazhdoj me ndërgjegje të pastër t’u gëzohem të rinjve që e deshën Tiranën e lirë, sido që ajo po rirobërohej nga një e keqe edhe më e madhe dhe e thellë. Por ato s’kishin lidhje me njëra-tjetrën – së paku jo atë ditë). Vërtetësisht prania e Pallatit Kaceli ndjek pikturat e realizmit socialist me temë nga Çlirimi i Tiranës, sidomos ajo e Bukurosh Sejdinit dhe Pandi Meles.

Bukurosh Sejdini, 1957 “Agimi i 17 Nëntorit 1944”

Pandi Mele, 1976 “Ju flet Tirana”

Pallati i Kacelve është aty, por pa emrin e Vllazënve, që regjimi i kish shpalluar armiq vetëm se kishin një farë fati dhe prosperiteti, si edhe dhe për të ndëshkuar Tiranën e vjetër që kurrë nuk ia puthi menderen regjimit komunist sido që Luftën e ndihmoi. Jonuz Kaceli e pagoi me jetën e vet ekzistencën e atij pallati – pa faj, pa mbrojtje, pa mundësi shpagimi. Në socializëm e gjej pallatin në plot foto e filma të Televizionit dhe Kinostudios. Pallati është pjesë e pandarë e jetës qytetase e syrit të tiranasit. Një mik i imi poet pa universitet jetonte aty në socializëm, bashkë me gjyshen e vet që dukej si një nga plakat tek “Nëntori i një kryeqyteti”. Ia mbaj mend shkallët e bukura e madhështore, zvetënuar e hirnosur nga varfëria socialiste. Sot, pjesa e Vëllazënve, degradon me konsistencë që duket nga faqja mbrapa pallatit. Gjysma tjetër e mikut të tyre nga Shkodra, pinjoll i familjes Lacaj dhe rrobaqepës i famshëm, duket e mbajtur mirë si nga ana e rrugës si nga ana e prapme. I bëj foto asaj ndërtese çdo vit, pasi ngjitem në majë të Sahatit (dhuratë, kjo ngjitje, prej Ministrisë së Kulturës), sepse e di që së shpejti s’do mundem më të shoh gjë prej aty. Duket aq i vuajtur Pallati para binasë monstruoze Plaza të ndërtuar shëmtuar pas tij.

E dija edhe para se ta kisha parë planin mishmash të zonës. E mjera zonë! I mjeri Sahat! Dhe sidomos, i mjeri Pallat! Në planin e ri të zonës, Sahati duket si një miniaturë e vetvetes. Kush thotë se artistët nuk e parashohin të ardhmen, duhet ta mendojë prapë aftësinë e tyre profetike. Shihini rishtas dy fotot në krye të shkrimit dhe gjeni pikën që i identifikon!

Ndërsa Pallati s’duket më fare. E gjen dot kush Pallatin e Kacelve në këtë foto? Unë thjesht e marr me mend ku i bie të jetë. Po, tamam: ai i vogli në mes është Sahati i Tiranës. Mos u çuditni që e kanë fshehur paq. Ndërsa ai i vogli tjetër që duket copa-copa nga pas, është Mali i Dajtit. Vafsh me shëndet natyrë paqësore dhe mbrojtëse e Tiranës! Sa për pallatin, ai vërtet është zhdukur. Po përse të kesh një ligj që e ruan atë pallat si pasuri historike të Tiranës, kur e degradon ndërtesën, e telefos dhe e fsheh në këtë derexhè? Përse? Mendoni se njerëzit janë matufë dhe s’e kuptojnë që masakrimet urbanistike dhe zhdukja e ndërtesave historike nuk kryhen pa dashje dhe as për modernizimin e qytetit, por thjesht për të zotëruar qendrën e Tiranës sot e në vitet që vijnë, e për të bërë sa më shumë para e pushtet teksa keni fuqinë në dorë? Njerëzit e dinë. Ata nuk ju respektojnë edhe atëherë kur ju japin votën. Ata e dinë dyfytyrësinë tuaj edhe kur ju kërkojnë ndihmë e ju thonë se ju, ju personalisht, jeni ndryshe. Ju e ndërruat Tiranën, e bëtë të humbasë veten e vet, i kthyet njerëzit në qenie edhe më të padinjitet se ata që prodhoi diktatura.

***

Tirana ndërroi, o plakat e mira të Tiranës së hershme. Dhe mirë bëri që ndërroi, porse është bërë lëmsh! Ju s’do merrnit dot frymë në të. Ene Sahatin e modh do jua mçefin mas i dekiku. Ka hy m’ujtit Sahati, do thoshit ju ironike, o plakat e mençme të Tironës! Është mirë që preheni nën dhe, ashtu si edhe Tirona juj e qetë, meraklie e me karar, ku shpirti i qytetit dhe forma e tij e bënin tiranasin denbabaden apo edhe të sapoardhurin të ndihej në vendin e vet dhe të jepte e merrte me të pa frikë, pa turp, pa stres. Ka ndodhur e kundërta: skyline i Tiranës është i huaj tashmë për tiranasin; qyteti ka ndërprerë thuajse çdo lidhje me të shkuarën, dhe njerëzit nuk mund të jetojnë më vazhdimësinë e truallit ku u ka rarë koka – aq e nevojshme për identitetin dhe psikologjinë e qytetarit vendas; qyteti ka krijuar përreth xhepa më të rëndë se vetja lumpen-fshatarësie që në pamundësi të bëhet pjesë e qytetit apo të emigrojë, i kthehet krimit dhe një të përditshmeje jonjerëzore; qendra është bërë modeli i pushtetarit të etur e të korruptuar dhe e biznesit kriminal bazuar në drogë dhe paligjshmëri – ka fytyrën e tyre në dukje moderne e shkëlqyese pa mirësi e moral – një manierizëm klasik prej bote të tretë, pa lidhje me njeriun e qytetit dhe pa lejën e tij, e fragmentarizuar dhe e ekzagjeruar, e veshur me tone arkitekture arrogante e boshe, e ngritur për të larë para dhe përqendruar pushtet, planimetri dhe arkitekturë që shtyp e shkatërron të shkuarën, vlerën historike, shtëpinë tiranase, gjelbërimin, ajrin, hapësirën, artizanatin, që vret Dajtin ashtu siç vret teatrin, një qendër Tirane që zgjeron sistematikisht hendekun prej qytetarit të zakonshëm.

Njerëzit e shkruajnë qiellin e vet sipas mençurisë dhe etikës së elitave që kanë prodhuar e zgjedhur t’i udhëheqin. Veç në shoqëri utopike dhe të tjera relativisht më afër ideales, qielli shkruhet nga arkitektë të aftë dhe udhëheqës me zemër që rreh si ajo e qytetit. Nuk them dot se kemi qenë historikisht fort të mençur, por më shumë se tash, po. Është ndoshta varfëria jonë e gjatë që i garantoi Tiranës një skyline ku përvijohej qartë babazoti Dajt mbi gjithçka, pastaj linja gjeometrike me rrumbullakësi të ëmbël e kodrave që ndanin materien njerëzore qytetase nga eteri qiellor. Ishte e varfër dhe me ndërtesa gri Tirana e socializmit tonë dëshpërues, ashtu si edhe jeta jonë. Parqe të varfër, rrugë të mjera ku zvarriteshin njerëz të mjerë, delirantë apo të trembur. Nuk e doja. Por ishte më afër qytetarit, dhe sidomos më shumë e tija sesa kjo e sotmja. Askush nuk e do qytetin e vet të mos ndryshojë! Besoj se edhe fakirët që gënjejnë veten se Tirana e socializmit ishte e bukur, e dinë se ka një çikë vetëmashtrim në atë teori. Tiranës sonë të mjerë i kish ardhur e kaluar dita të ndryshonte. Ajo ditë ka ardhur e ikur disa herë, por sa herë u ndryshua, nuk u bë në përshtatje me historinë dhe përkatësinë e qytetit dhe qytetarëve. Masakrimi i parë masiv ndodhi me prishjen e Pazarit të Vjetër, por çuditërisht ai rezulton si masakrimi më i kujdesshëm. Socializmi për shkak të varfërisë së vet ekstreme dhe llogaridhënies përqendruar tek një njeri i vetëm, sado të ngurta i pati parimet estetike, e dëmtoi më pak Tiranën se parelinjtë dhe guçistët e pushteteve demokratike të pas 90-ës. Dhe kjo nuk është thjesht çështje syri. Kur shoh si rritet qendra e Tiranës së sotme, nuk është se dua atë të vjetrën; të paktën jo unë. Por dua Tiranën e njerëzve në të përditshmen dhe të parëndësishmen: dua që nga pika ku rruga e Kavajës dhe ajo e Durrësit dalin në shesh, njerëzit të vazhdojnë të shohin Dajtin, Sahatin dhe Pallatin e Kacelëve. Në ndryshim nga të tjerë përpara tij, ministrat dhe kryetari i Bashkisë së kryeministrit Rama, i fshijnë nga rrënjët peizazhet e ndërtuara historikisht (madje edhe ato natyrore) që u bëhen pengesë, dhe vënë mbi ta një pllakë aq të rëndë dhe aq të madhe betoni, sa të mund ta luajë vetëm dita e rrëmetit. Tirana prishet pa kthim.

Skyline-i i Tiranës sot është simbol i pafuqisë së tiranasit (venali apo jo) që ka ulur kokën dhe, ose është mbrehur në parmendën e mbijetesës, ose gëzohet që, pasiv, rri diku tek kafeneja e qoshes së rrugës me kafen, gotën e rakisë apo një meze përpara, duke shtyrë ditën; ose pastaj ka marrë botën dhe s’e gjen më atë që la dikur.

Ja, kjo ishte historia që doja të kallëzoja para se 2019 të mbaronte e Tirana të hynte në 10-vjeçarin tjetër. Askush nuk e do qytetin e vet të mos ndryshojë! Besoj se edhe fakirët që gënjejnë veten se Tirana e socializmit ishte e bukur, e dinë se ka një çikë vetëmashtrim në atë teori. Tiranës sonë të mjerë i kish ardhur e kaluar dita të ndryshonte. Ajo ditë ka ardhur e ikur disa herë, por sa herë u ndryshua, nuk u bë në përshtatje me historinë dhe përkatësinë e qytetit dhe qytetarëve.  Sahatë që kanë mbijetuar shekuj, por jo lukuninë e kapitalizmit të egër partiak shqiptar, një histori me pallate që zhduken pa kuptuar, me teatro që lihen të shkërmoqen, me njerëz që s’dinë nga vijnë e ku shkojnë. Historia e një Sahati, e një shtëpie të vetme, ashtu si e një qyteti të pushtuar, pa vlerë, pa të ardhme, pa zë e pa qytetarë duhet të bëhet historia jonë.

 

(c) 2020, Eda Derhemi. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autores.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

27 Komente

  1. Per tironcit e vjeter ka qene e dhimshme ardhja e mijra banorve pas L2B dhe ngritja e qindra pallateve. E shprehnin hapur sa here ne forma te ndryshme gjate viteve ’60 e *70, ndonjehere e quanin edhe si pushtim. Tironsit e lindur pas lufte, me te cilet ne bijte e te ardhurve bashk-jetonim, nuk u bente pershtypje ndryshimi i Tirones. Biles kjo eshte koha kur edhe martesat me te ardhurit po konsideroheshin normale. Kur erdhi demokracia dhe nisi shkaterrimi i Tironws me ndertesa pa kurrfare urbanistike dhe gjithfare fshataresh zbriten ne ‘te, (lekurat e bananeve hidheshin ne trojtuare, plehrat nga ballkoni), ishim tashme ne tironsit jo-origjinale qe shprehnim zemerimin per kete pushtim te ri te Tiranes. Dhe ca me shume per ndertimet pa kurrfare urbanistike dhe pershtatje me ndertesat e tjera klasike perreth.
    Persa i perket ketij pallati qe autorja permend, ai ngjitur me lulishten klasike bar-restorant nen sahatin, do thoja se kjo ndertese nuk ka perbere ne Tironen e vjeter ndonje sesancion. Edhe forma e saj mjaft monotone nuk e ka lene ate te jete ne gojen e te gjithe tironsve te vjeter, por ndoshta vetem ne ate te te afermwve te Kacelve, dhe kjo per shkak te ndonje persekutimi “komunist” te tyre, (nuk e di sakte) dhe ndonje gjyqi per kthimin e saj ndoshta, (por as kete nuk e di sakte). Kam pershtypjen, se lidhja emocionale e autores me kete godine nuk ngjall tek lexuesi ndonje kujtim ose emocion te vecante.

    1. Tirana eshte kryeqytet, dhe pa dyshim do kete levizje dhe bymime te shpeshta, sidomos ne periudha ndryshimesh te medha historike e politike. Por ne disa nga format me perfaqesuese te nje qyteti duhet te kete vazhdimesi, dhe arsyet i shpjegoj me lart. “Pallati” ne vetvete eshte sic thua ti: joimpresionues, sidomos nga jashte. Por eshte nje gur i qendrueshem ne skyline me te njohur te Tiranes. Thuajse aq simbolik sa edhe Sahati. Shkrimi eshte per zhdukjen e pajustifikuar te ketyre elementeve qe fiken nen dhunen e shumekatesheve (pra te njerezve qe fitojne prej tyre) qe ndertohen aty jo per t’u sherbyer njerezve apo Tiranes, por per te rritur fitimet a pakkushit ne pushtet ose qe dikton pushtetet.

      1. Sahati, por dhe xhamia prane, pse jo dhe pazari i ri, e ndonje gje tjeter jane karakteristike tironase dhe gjynah qe kane humbur nen trysnine e gradacielave te reja dhe pallateve pa plan! Por, po te marrim edhe projektin italian, me bulevardin, unazen dhe rruget kryesore (te Durrsit, Kavajes, Dibres, Elbasanit), te cilin u perpoq ta ruante edhe Enveri (arkitektet), edhe keto i dhane konturet (skeletin -e quanin disa) dhe fizionomine Tiranes nga vitet ’20 e deri ne fund te shekullit. Pra, ne kete kontur dhe fizionomi te re, ndikimi i tironsve den baba den ishte afer zeros. (Kjo duket edhe nga fotografite.) S.d.q., ata, si njerez babaxhane dhe te humorit i pranuan nje pjese te shnderrimeve. Edhe ne bijte e te ardhurve ia kemi kaluar me tironsit me mire se sa me njeri-tjetrin. Por m.gj.th., une i kritikoj tironsit e vjeter ne prishjen e sotme te Tirones, sepse keta vete lejuan qe tek territori i shtepive te tyre te ngriheshin pallate 8-9 katshe, thjesht per te perfituar nga dy-tre apartamente. Di mjaft raste te tilla. Edhe ne kioskat e pafund qe prishi Rama, patjeter qe ka patur edhe tironsa te vjeter. Ndaj, nwse ju jeni tironse e vjeter, ju bie juve detyra me pare nga mua, ta kritikoni kete natyre papergjegjshmerie te ketyre tironsve! Me tironsit ia kemi kaluar shume mire, se jane njerez te mire, por ne genet e tyre mungon kendveshtrimi per qytetin! Lwre me pastaj per kryeqytetin, qe nuk “arrisin ta kuptojne fare”!

        1. r.th. Po shkruaj ketu pergjigjen e shkurter dhe te paplote (gjithsesi qe perfaqeson sa mendoj per kete) qe i dhashe nje lexueseje ne PtF prej faqes se fb qe verente po kete qe veren edhe ti per tiranasit qe i dhane vete oborret dhe shtepite per te ndertuar pallate:

          “perpiqem ta kuptoj si e kujt ia ve fajin dhe perse. Problemi i lenies se shtepive dhe oborreve dhe gatishmerise per t’i zevendesuar me pallate eshte shume me i komplikuar nga sa e tregon ti. Ne parim, nuk i vihet dot faj hallexhiut si individ. Ne praktike, shumices se tiranasve me shtepi e oborre te bollshme, ua moren ato qe ne kohe te socializmit (teresisht per kuadro partie, ose pjeserisht per te strehuar te ardhur). Pastaj ua kthyen ne gjendje te keqe pas 90es. Pastaj tokat e shume prej tiransve ne qytet dhe jashte qyteti, nuk u jane kthyer kurre krejt e si duhet. Ne tokat e tim gjyshi ka nje qytet tani; te gjithe ata qe ndertuan shtepite pa leje kane 10-fishin e shtepise qe ka im ate; ia vodhen pronen atij, dhe shteti ua beri te tyren duke i dhene tim eti vec nje pjese dhe te paguar shume keq. Grabitesit e kercenuan tim ate qe do e vrisnin po te kerkonte tokat e veta. Burri 83 vjec ka qe bredh neper zyrat e shtetit qe prej 20 vjetesh dhe nuk zgjidh dot asgje se ryshfeti qe i kerkojne eshte i paperballueshem; disa here i kane zhdukur apo humbur dokumentet qe i ka nisur nga e para; tani i thone qe edhe shtepine e vet denbabaden nuk e rinderton dot me se njerez perreth kane ndertuar e legalizuar atje ku nuk duhej; as ai as femijet e vet nuk kane asnje siguri se cfare do behet me shtepine apo oborrin e tij, nderkohe qe e gjithe familja donte te kishte nje shtepi atje ku kemi lindur disa brezash, dhe jo ta jepte per pallat… I ve dot faj dikujt qe lodhet ose qe as e nis kete kalvar, por i bie shkurt dhe e jep per pallat? Kaq sa per te te thene se t’i akuzosh tiranasit ne pergjithesi qe shkaterruan shtepite dhe oborret e veta eshte e pasakte dhe e padrejte. Por historia eshte shume me komplekse dhe kriminale se kaq sa te tregova. Qyteti merr forme jo se individet vendosin ashtu, por se ka politika qe i cojne individet te sillen racionalisht ose jo, pa u mohuar atyre te drejten te jetojne normalisht.”

  2. Ne te vertete Tirana eshte pasqyra qe na ve historia dhe koha para vetes. Keta jemi. Per here te pare ishim te lire ta ndertonim vete qytetit dhe ja deri ketu arritem (as qe e ve ne dyshim se ka njerez qe do e benin me mire, por flas nisur nga rezultati para syve). Pa dyshim, qyteti kishte nevoje te hynte ne shekullin e ri, por shumica e atyre qe e katandisen keshtu nuk ishin tiranas dhe per pasoje nuk e kuptonin shpirtin atij.

    Konfuzioni (qe edhe ekzistonte, Qemal Bukta kur erdhi qe ne kohe te komunizmit e vuri re menjehere dhe foli per “shume ideologjira” ne urbanistiken e tij, gje qe e mora vesh kur ma permendi vete ne nje takim me te ne New York) dhe mizerabliteti i saj urbanistik eshte shprehja me e qarte e skizofrenisë tone kombetare, e pagratshmërise sonë. Shkurt, deri ketu shkojme, te gjitha perpjekjet tona na nxjerrin te krimi.

    Shkrim i shkelqyer, plot nostalgji qe perzihet me nota dhimbjeje aq te forta sa pyes veten: mos ndoshta Tirana eshte vetem nje preteks, nje kupe lotesh si ato te lashtesise qe autorja e ka vene para vetes, siç behej dikur dhe i le shteg te lire dhimbjes se saj e loteve te shpirtit tek sheh kohen qe na iken mizorisht nga duart, nderkohe qe asgje nuk eshte ashtu siç do te deshem ne nje qytet qe na shenjoi perjetesisht me dashurine dhe thjeshtesine e tij hyjnore qe nuk mund ta kuptoje, fatkeqesisht, kushdo dhe per me teper te gjitha keto ia moren per dobesi? Nuk e di!

  3. Falemnderit, Lyss, per mirekuptimin dhe dashamiresine e mbeshtetjen e vazhdueshme. Nuk jam e sigurte qe te qenet pjese e Tiranes se vjeter ma ndikon vecanerisht shkrimin. Besoj do shkruaja po keshtu nese do e kisha pasur mbiemrin “Peleshi” fjalavjen. Por ndoshta jo; ndoshta ke te drejte ti.
    Ndersa per kete “shumica e atyre qe e katandisen keshtu nuk ishin tiranas dhe per pasoje nuk e kuptonin shpirtin atij.”, nuk jam dakord. Jam e bindur qe gjendja e sotme nuk vjen nga padija dhe injoranca kulturore ose mungesa e ndjeshmerise se vendit dhe shpirtit te qytetit. Qyteti u shkaterrua sepse qellimi i vetem ne procesin e “rivizatimit” te tij u be fitimi pa skrupull dhe kriminal. Kjo me vret shpirtin. Edhe kur kam shkruar per teatrin me pare, brenga ima ka qene kjo: shperfytyrimi i Tiranes dhe i cdo cope historie per te rritur fitimet. Ne fakt riberja e teatrit do me vriste me pak sikur te mos ngriheshin tufa e ndertesave te larta pa kuptim ne truallin e tij. Dhe Xhamia, teatri, apo pallati i Kacelve nuk ikin per lesh sepse ata qe vendosin nuk dine cfare bejne. E dine mire, dhe prape prishin pa qeder. Sepse interesat ne qender jane te jashtezakonshme.

  4. Eshte e vertete qe pas 1990 u be masaker urbanistike qe nuk ka per tu riparuar kurre .
    Edhe gjate komunizmes ne perjashtim te nje a dy akseve te ndertuara nga italianet kushdo qe ka pas jetuar ne kombinat ,varri I bamit,Ali dem laprake etj ne Kabul do te ndihet si ne shtepi te vet .
    Pasi e kemi thene kete eshte e kuptueshme nostalgjia e tiransve te vjeter per koherat kur qytetin e kishin komplet te tyre te rrethuar nga rob qe I njihnin den baba den dhe papritur qyteti mbushet plot me te ardhur qe per me teper behen edhe sundimtaret e tyre .Por nga ana urbanistike nuk ka shume per te marre malli per tiranen e vjeter pavaresisht prej masakres urbanistike qe kryen ata qe erdhen me pas me perjashtim te italianeve te cilet i dhane forme qytetit .

  5. Me duket mua apo ka nje problem perspektive me skicen a grafiken e Kacelit senior? Ne fillim kur e pashe ca si kalimthi m’u duk sikur minarja dhe kulla ishin projektuar ne fasaden e pallatit nga dielli i mbasdites. Pastaj te gjitha fotot tregojne se perspektiva eshte permbysur ca. Qendra ne te vertete sundohet nga kulla e sahatit dhe minarja. Si mbreti dhe mbreteresha ne nje fushe shahu. Te tjerat duken si aksesore te tyre. Edhe vete pallati ne fjale. Zaten kjo i vleresohet, moshyrja ne konflikt me monumentet historik, ruajtja e nje distance te caktuar.

    Ne mos, ne mos artisti Kaceli ka patur nje vizion te papritur dhe me ate vizatim, ka parashikur se si do te ripermason dhe si do te duken keto dy objekte simbolike te qytetit 80 vjet me vone.

    Se vertet sot ashtu ngjajne, te friksuar, te tkurrur, sikur kerkojne falje per vendin qe kane zene!

    1. Po, Lyss. Prandaj e mora, pikerisht per perputhjen mes vizionit te trillit artistik dhe katrahures qe ndodhi me pas.
      “Ka një skicë lapidare por të panjohur të Sadik Kacelit, vizatuar më 1943, që botohet mbi këtë shkrim me leje prej të birit të piktorit (skica në hyrje të shkrimit). Bukuria dhe përsosmëria strukturore e atij pallati që mbante emrin e familjes së tij, e bëri piktorin e ri të shpërpjestonte raportet mes pallatit, Sahatit dhe Minares në një trill artistik që luante me realitet e botës fizike dhe shpotiste identitetin e Tiranës. Gjithsesi, Sahati vizatuar mbi faqen e bardhë të ndërtesës por shumë më i vogël se ajo, ka gjithë hapësirën e nevojshme rreth vetes, dhe duket si një aks i peshores së kohës që mban me respekt në dy krahët në barazpeshë xhaminë dhe pallatin italian me lartësi të njëjta.” 🙂

  6. Unë kamë lindur në Tiranë në Tetor 1964 ,
    Tirana fshat ka qenë, dhe pastaj është zgjeru dhe po bëhet qytet , nuk ka qenë qytet 500 apo 1000 vjeçar me qëndrën e qytetit prej guri si e ka Milano , kështu që çfardo ndërtimi të bëhet e largon nga fshati që ka qenë dhe e afron te qytetet e mdhaja si New Jorku ose Hong Kongu ku m katrori shkon 5 – 20 mij € .

  7. Amir Kolgjini me fal te them qe nuk eshte faji jot qe komenton ne ate menyre sepse aq din. Tirona oshte qindra vjecare ashtu me stilin e vet me shtepi prej qerpiçi por me shpirt te bukur qe ti nuk mund ta ndjesh sepse ti je nji nga ata qe nuk kan cfar trashegojne. Qe ta kuptosh Tironen duhet te shkosh e vizitosh shpine e Sali Shijakut dhe te kuptosh se kush oshte Tirona dhe Tironsit.
    Falimnerit zonjes Eda qe na sjell mallin e Tirones ne kete shkrim.

    1. Sula Vogli – ç’far moshe keni , – me 1 lule nuk vjen pranvera – , a ke argumenta që Tirana ka qenë qytet dhe s’ka qenë fshat , jo , unë në 1974 kamë qenë 10 vjeç dhe e mbaj mend me ferra sa kaloje urën te te rruga e Elbasanit , me ferra te Xhomlliku , te Zogu Zi me ferra , sera , pulari dhe stall viçash , pra e njof mirë dhe flas .
      Qytet e bëri Enveri .

      1. Enveri e beri Tiranen nje fjetore gjigande .Te vetmet zona qe binin era qytet ishin aksi I bulevardit dhe Tirana e re te projektuara nga italianet .
        Tirana u be kryeqytet ne 1920 jo per peshen e saj ne jeten e historine e vendit por per faktin se gjithe qytetet kryesore ne ate kohe ishin te pushtuara nga fuqi te ndryshme te huaja .

        1. Shtoj se qytetin e bëjnë njerëzit. Dhe njerëzit, për ta bërë qytetin, organizohen në institucione. Qytete në Shqipërinë e pas 1912-ës kanë qenë Shkodra, Elbasani, Korça, Berati; deri diku edhe Vlora, Durrësi, Gjirokastra. Tirana filloi të bëhej qytet pasi u bë kryeqytet; por në Tiranë qyteti dhe kryeqyteti kurrë nuk kanë përkuar, madje kanë qenë në konflikt mes tyre, sikurse janë sot e kësaj dite. Nëse dua të kujtoj Tiranën e viteve 1960-1980, ku edhe u rrita, më vijnë në mendje Bulevardi i Madh dhe Sheshi Skënderbej, statuja e Skënderbeut, Rruga e Durrësit dhe Rruga e Kavajës, stacioni i Trenit, kafe Tirana, kafe Flora, Teatri Popullor, Liceu, Teatri i Estradës, Opera dhe Cirku, Konservatori, Galeria e Arteve, Kodrat e Liqenit, parku Rinia, Pallati i Kulturës, Biblioteka Kombëtare, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Kinostudioja, kinematë (të gjitha), kinematë verore, Pallati i Pionierëve, Pazari i Vjetër, Pazari i Ri, Rruga e Dibrës, Muzeu Arkeologjik, Pallati i Sportit, stadiumet “Qemal Stafa” dhe “Dinamo”, Universiteti me fakultetet e ndryshme, Hotel Dajti, Lana (si vijë ndarëse), Akademia e Shkencave, Blloku (si zonë e ndaluar ose no fly zone); dhe, sidomos, të gjithë ata njerëz që i bënin këto institucione: intelektualë, shkrimtarë, artistë, profesorë, mësues, sportistë… dhe pastaj eventet: ngjarjet artistike, shfaqjet, koncertet, premierat, pjesët teatrale, festivalet, olimpiadat, kampionati i futbollit, ndeshjet sportive, deri edhe parakalimet dhe paradat, që luanin rol integrues përtej valencës politike. Dhe këto institucione kishin edhe ndërtesat e tyre; të cilat ia jepnin pamjen qytetit (dhe kryeqytetit). Çfarë e bënte Tiranën qytet, ishte një lloj lidhjeje organike ose strukture që ishte krijuar, mes këtyre institucioneve, njerëzve që i bënin të tilla, dhe të tjerëve që i “konsumonin.” Tirona e vjetër shërbente këtu më shumë si kontekst – por që, në rrjedhë të viteve, arriti ta bëjë edhe kryeqytetin qytet, duke i dhënë jetë (frymë); si një lloj emëruesi i përbashkët mistik.

  8. Ju jemi mirenjohes per kenaqesine e dhuruar, Eda Derhemi…

  9. Z. Kolgjini, edhe pse nuk eshte e vertete, sepse andej nga rruga e Elbasani ishin disa nga vilat me te bukura te qytetit (ato vilat e mrekullueshme rrotull RTVSH si ajo e P. Pepos, Logorecve etj., jane te viteve ’30, por po themi se Tirana mbaronte aty, siç thoni ju. Po ashtu si thoni ju eshte, edhe matane Zogut te zi fillonin pularite e ku ta di une, diku aty te berryli une dikur dilja me gjyshin dhe vrisnim lepuj, por Tirana ishte qytet, me gjithe çka nevoje, nje qytet kozmopolit ( i mbaj mend nga femijenia ime komshinj familje qe ishin aty qe para luftes franceze, jugosllave, italiane, gjermane), ishte qytet kulturalisht i hapur me xhami, teqe kisha katolike e ortodokse, qendra protestante, bibloteka, librari, muze, fondacionet e huaja etj.

    Z. Kolgjini, Keto nuk ekzistojne dot ne nje fshat. Tirana kishte kinemate e saj te nje standarti evropian qe ishin me te mirat deri ne fund dhe Hoxha yt vetem nje salle idiote shtoi te Agimi), bordellot, pijetoret, baret, mejhanet e restorantet moderne, agjensite e udhetimit me autobuze qe niseshin ne te gjitha kryeqytetet e Ballkanit, aeroportin e saj, ambasadat, lirine levizjes. Nuk po thote kush qe ishte qytet gjigand, por Tirana ishte qytet.

    Tirana kishte botuesit e saj, gazaetat e revistat qe shprehnin hapjen e saj kulturore, diskutimet letrare intersante sa R. Elsie flet per nje pranvere intelektuale, qe nuk u perserit kurre.

    Kishte dy spitale moderne per kohen, te cilet i plotesuan nevojat e qytetit per disa dekada dhe regjimi komunist nuk pati nevoje te shtoje diçka vetem nga vitet e fundit.

    Vilat e mrekullueshme qe ishin rrotull nje aksi te tille si Shkolla e Kuqe, ato pergjate rruges se Kavajes, nga rruga e Fortuzit, shtepite e rruges Hoxha Tahsin, shtepite me oborre te mrekullueshme te Shebegt, ato pergjate rruges se Veriut, Siri Kodra, ato ndertime aq bashkekohore andej nga Tirana e re, te tjerat, deri ne fund te Bulevardit, Kulla e mrekullueshme e Sahatit (me kete rast te rekomandoj te lexosh librin e A. Vehbiut qe mban atë titull se me siguri edhe nje individi si ju do t’i levize ndonje ashkel dhe do te kuptoje diçka nga Tirana) etj, etj.,

    Por ajo qe ti nuk do ta kuptosh kurre, eshte embelsia e te jetuarit ne te. Edhe vete nje kasap si Hoxha shkruan diku se sa me zemergjersi e pa fjale e strehuan familjet tiranese kur ishte ne ilegalitet dhe me pas shkroi se ishte i habitur si ndodhi qe askush prej tyre nuk i shkoi pas çlirimit ne zyre t’i kerkonte ndonje favor. Ishte po aq koqe, sa nuk arriti kurre ta kuptoje shpirtin e atij qyteti.

    Ose bente se nuk e kuptonte, por jam i sigurte se ju nuk beni, ju jeni i sinqerte.

    Sado nen diktature, shpirti i Tiranes mbeti i tille, i autoktonve dhe i atyre qe erdhen me pas, qe e dashuruan ate, natyrisht nuk po flas per ju. Mendja tende shkon deri atje sa thote se Tirana nuk e ka qendren prej guri, si Milano, per te perfunduar se sa duhet te jete çmimi i tokes qe nje qytet te quhet qytet.

    Enveri e masakroi i pari ate qytet. Mbaj mend oborrin tim plot hide, hurma, fiq e mollë ku na ngulen një pallat të shëmtuar dhe m’u para dritares na kolonin njeres qe na shihni si te ishim te persekutuar. Dhe pallate te tilla pa plan rregullues mbine gjithandej si kepurdha dhe bashke me ideologjine e kohes helmuan embelsine e dikureshme te qytetit. Pergjate komunizmit Tirana mori rrudhat e para, jo nga mosha por nga shemtia urbanistike.

    Do te desha te flas gjate per ate Tirane te paperseriteshme, qe ka parasysh znj. Derhemi, por me ju nuk ia vlen se jo vetem nuk do ta kuptosh asgje nga kato qe po te them (tiransit kane nje shpreheje se cfare cilesish duhet te kesh per t’u quajtur qytetar), veç mosmirnjohjes qe shpreh dhe fyerjen qe i ben atij qyteti.

    Dhe me pas nuk u desh asnje tjeter, veç njerzez si ju qe nuk e kuptojne e nuk do ta ndjejne dot kurre shpirtin e thelle te qytetit, dhe ndonje mafiozi a kriminel me para (natyrisht me nje prapavije te caktuar politikanesh) qe Tirana te perfundonte ne ate katrahure. Qytet muti e quante kohet e fundit nje turist neozelandez dhe diku kam nxjerre shenimet e dhjetra udhetarve te viteve 30 qe flasin per sharmin e saj e oriental e mesdhetar dhe perpjekjve qe beheshin per t’u evropianizuar. Po a flitet dot me dike qe me krenari e pa iu skuqur surrati thote se Tiranen e beri qytet Enveri?

    1. O z. Lyss kuptoje shqipen pastaj shkruni , unë thashë e bëri Enveri , me kuptimin në kohën e Enverit ose nga viti 1944 – 1990 , sepse para 1944 – ës Tirana fshat ka qenë , nxirr foto dhe shikoje , fshati që duket nuk do kallauz – është 1 shprehje , vilat e Zogut nuk e bëjnë qytet , pra po të prishësh gjithë ndërtesat që janë bërë mbas 1944 ngelet fshati , unë kamë jetu 25 vjet në Tiranë , 8-vjeçaren e kamë bërë te shkolla Fan S. Noli , Ministrit i ka ndërtu Italia .

      1. Z. Kolgjini, fakti që gjithë akset kryesore urbanistike të Tiranës, duke filluar nga Rr. Durrësit, Rr. Kavajes, Rr. Elbasanit, Rr. Dibrës, si dhe disa rrugë dytësore tëresisht të formuara, edhe cilësisht shumë më lart standarteve të sotme, siç përmend Lyss Rrugën Hoxha Tasim, dhe pa përmendur aksin e Bulevardit, janë shprehje e një qyteti të formuar. Pra Tirana në 1945-ën ka qënë e formuar si nga ana arkitektonike ashtu dhe urbanistike. Asnjë zhvillim urbanistik dhe arkitektonik i pas luftës deri më sot nuk është thelbësisht i rëndësishëm nga pikpampa strukturore fizike, për t”ia ndryshuar gjë thelbin si qëndër urbane.

        Por ajo që u nis gjatë komunizmit, dhe po vazhdon edhe sot është një trysni e forcave periferike (jashtë qytetase) ekonomike dhe ideologjike që i është kundërvën vazhdimisht edhe strukturës fizike të qytetit. Nisi kjo ndërhyrje me largimin e tregut nga qëndra e qytetit dhe ndërtimin e Pallatit të Kulturës, që sipas të gjitha gjasave ka ndodhur para se të keni lindur ju, një fakt shumë i rëndësishëm ky për zhvillimin urbanistik të Tiranës. Dhe vazhdon më pas me sulmin ndaj tipologjisë së vilave dhe komplekseve private të banimit, për t’i zëvendësuar me banesat kolektive. Kjo trysni ekonomike ndaj qëndrës historike nëpërmjet ndërtimit të banesave kolektive vazhdon edhe sot, me ndryshimin që është privati që e ka marrë përsipër rolin e shtetit totlitar të djeshëm. Ka edhe një zhvillim tjetër, ai i periferive, që nuk është tamam tema këtu për këtë, por sa për të theksuar se edhe ky është pasoj e ndërprerjes së zhvillimit normal të qëndrës historike të qytetit.

        Kurse kur përmënd New York-un ose Hongkong-un, mbase duhet të pyesësh veten se pse qëndrat financiare kanë të njëjtën tipologji zhvillimi, dhe pse është ëndërr me sy hapur ta imagjinosh Tiranën si të tillë?

  10. Besoj se bëhet fjalë për një keqkuptim: Lyss menjëherë më kërkoi që ta ndreqja komentin, por unë nuk mundesha – aq shpejt. Që këtej edhe “eskalacioni”. Kur arrita të ndërhyj unë, dëmi ishte bërë. Me lejen tuaj do t’i fshij këto replika, sepse nuk dua që t’i shoqërohen shkrimit aq të mirë të Edës.

  11. Ka nje degree te :ti ke pas qene nje zonje e rande ..ne nostalgjine per te shkuaren e qytetit .E ardhmja e pa sigurte , e tashmja shqetesuese e bejne te shkuaren te duket me e mire se sa ka qene .

    1. Vertet, Alba. Nuk e them do me qarte se sa e kam thene ne shkrim, qe nuk me pelqen si ka qene Tirana. Nuk qaj Tiranen e shkuar qaj rastet e humbura dhe transformimet pa mend, johistorike e pa moral e sensibilitet qytetar.
      Zonja e rande nuk ka qene asnjehere dicka ne te cilen kam besuar.

      1. Kjo eshte masaker qe ndodhi ne sy te te gjitheve .Nese gjate 30 viteve te shkuara do te kisha nje qindarke sa here eshte permendur ne biseda familjare ,shoqerore ,artikuj e diskutime ne internet ,TV e shtypin e shkruar se kjo qe po lejohet te behet eshte cmenduri do kisha sot me shume para se Bill Gates .E megjithate ishte nje train wreck qe s’mundi asnje ta ndalonte .
        E vetmja shprese mbetet Koha si ilac.Duke qene se jane ndertuar me cilesi te dobet do amortizohen shpejt e Nese investohet para e madhe nga investues serioze qe te fillojne te rindertojne qytetin pjese pjese .apo nese rritet ekonomia ne menyre qe njerezit te zhvendosen ne suburbs mbetet shprese per rehabilitation e qytetit .Por te gjitha keto jane per momentin nje long shot .Deri tani nuk duket asnje catalyst qe te jep shprese per te ardhmen e afert.

  12. Kadare ne mos qofsha gabim, ka thene diku, se qytet quhet a i vend, qe ka numurin e banoreve ne varreza me te madh se te atyre qe jane gjalle.

  13. Une kam lindur ne Tirane ne vitin 1950 ne nje familje qe kishte erdhur nga Korça. Une u rrita duke luajtur me kalamaj tiransish “te vjeter” dhe edhe ne shkolle pata shume shoke te tille. Edhe sot e kesaj dite nuk e kuptoj akoma se perse, me falni shprehjen, ca pordhove u duket vehtja me te mire se sa tiranasit e “vjeter”, vetem se baba u kishte lindur ne Permet, apo nona ne Tepelene. Tirana deri ne vitet 1960, ne raport me kohen sigurisht, ishte QYTET nja 10 here me shume e me i mire se ç’eshte sot. Ata qe nuk e quajne Tiranen qytet vetem sepse nuk na paska pasur nje “qender guri” 500 apo 1000 vjecare po i pyes, cili mender qytet ne Shqiperi (madje edhe ne Kosove) na e paska pasur kete qender. Ne shtetin te cilit i perkisnin teritoret Shqiptare deri ne 1912, qytetet 500 a 1000 vjecare me qendra guri ishin te tjere. Shqiperia ishte mu ne qosh te Perandorise se madhe dhe sic dihet neper qoshe zakonisht shtyhen plehrat.

    Shkelmin e pare Tiranes ia dha regjimi i Hoxhes qe gjoja e kulturoi duke prishur tregun e vjeter, Xingonin dhe gjithe rrugen ne ane te ce ciles ishte Kaceli per ta zevendsuar me monstren e kultures, e me vone me prishjen e Bashkise se vjeter per te ngritur shemtiren kombetare. Katrahura e sotme nuk eshte pasoje e dhenies se bahceve tiranase me qejfin e pronareve te tyre, se ja kot po pyes une kush eshte pronari tiranas i vjeter i “bahçes” ku eshte ngritur ajo shemtira bash ku ka qene ai veni qe i thoshim “trekonçi”?

    Znj. Derhemi, une nuk jam tironc “i vjeter”, por jam tironc 70 vjecar, tashti a me ben kjo apo jo tironc te vjeter nuk e di, por desha vetem te falenderoj per kujtime e pershkrime qe sjell here pas here e na ben qe qofte edhe per nje cast te kujtojme se po pijme uje selite tek cezma e Pazarit te Ri.

  14. Zotni , Durrsi është qytet i vjetër prej guri dhe Gjirokastra 1000 e 2000 vjeçar .
    Nuk e keni parë mirë , Tirana që po ndizet apo Tirana që po fiket …. .
    Para 1939 kur kanë ardh Italjanët si ka qenë Tirana ?? , një fshat se pastaj shumë ndërtesa i ndërtunë italjanët .
    Në kohën e Perandoris Otomane turke fiset shqiptare jetonin nëpër kala kështjella pastaj krijun fshatin dhe qytetin pranë kalave , qyteti ose qëndra e qytetit nuk ka shtëpia 2 katshe me baçe me rrush , kumlla , fiq etj ,
    pra që të prishësh 1 ndërtes prej guri 500 ose 1000 vjeçare është gabim , por të ndërtosh 1 pallat ose ndërtes të re në 1 baçe ose 1 ndërtes të vjetër si ka qenë 1 hotel i ndërtu nga italjanët te Trekonçi , me i rujt për nostalgji dhe për muzeum se pos i prishi njeri rrëzohen vetë nga pesha e kohës.
    Njeriu është mirë me fol me argumenta jo sipas oreksit .

    1. Me duket se po flisnim per qendra prej guri qytetesh dhe jo qytete te ndertuara me gure. Po ti e ke mire, oreksi ehte ceshtje personale.

    2. Amir Kolgjini,
      I keni hyrë një debati në një fushë që duket se nuk e njihni mirë, por me me bindje të palëkundur për ato që thoni. Nuk më duket se është “argumenti” ai që po kërkoni, por ndonjë si vetja që t’iu mbështesë bindjet.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin