TEKSTI NË KËNGË

nga Natasha Poroçani (Shuteriqi)

Në antikitet thuhej se poezia është melos dhe logos, muzikë dhe fjalë. Në kulturën greke në fakt, poezia këndohej (në një farë mënyre). Atje lindi lirika. Madje ajo e mori emrin pikërisht për shkak të veglës muzikore që shoqëronte poezitë: lirës. Pindari këndonte, madje metaforat e tij u quajtën fluturime pindarike. Safo këndonte. Përtej kësaj, Safo ishte edhe kantautore. Si e kemi kuptuar ne këtë përderisa nga antikiteti na kanë ardhur vetëm poezitë? Pa dyshim është pasuria metrike, llojet e strofave dhe modelet e kombinimeve të vargjeve, të cilat jo gjithmonë arrijmë t`i përvetësojmë e t`i rimodelojmë, për shkak të ndryshueshmërisë së gjatësisë së zanoreve, apo kombinimeve shpesh të pamundura tingullore.

Ky startim antik, sot na duket i largët dhe jo fort i pranueshëm në kulturën tonë moderne. Duke zgjeruar komunikimin dhe duke përfshirë si një element shumë thelbësor të tij diskursin, tashmë në ligjërimin tonë modern poezia ka marrë atribute diskursive, diskurse të thjeshta apo të plota, të cilat nëpërmjet muzikës tejplotësohen për t`i përçuar shpejt dhe saktë (në disa raste edhe josaktë) mesazhet apo emocionet e synuara. Pra, sidoqoftë, që nga koha e Safos, njerëzimi vazhdon të këndojë. Vazhdon ende të bashkëjetojnë melos dhe logos, por në vijimësinë e tyre ata kanë bërë bashkë edhe elementë të tjerë si ritmi, tingulli, pauza, llojet e tingujve, emocionet dhe sigurisht edhe interpretimin.

Këndvështrimi i këtij punimi, në fakt fokusohet te fjala dhe përbërësit e saj (vargu, rrokja, theksi) në këngë, sepse shkrimi i këngëve është i ndërlikuar. Të duhet të gjesh fjalët që komunikojnë saktësisht atë që do të dëgjohet, ato t`i ndërkallen një melodie të caktuar, me një ritëm të caktuar dhe me një tingull të këndshëm për t’u dëgjuar. Kjo do të thotë që më së shumti, tekstet  duhet të vijnë para këngës dhe të sugjerojnë një mood të caktuar i cili duhet të frymëzojë vijën melodike. Kjo është fuqia e fjalëve. Tekstet e bukura kanë aftësinë të emocionojnë: të ekzaltojnë, dëshpërojnë, të zgjojnë ëndrra, etj dhe kjo është një dhuratë nga autori për kompozitorin. Të paktën kështu duhet të jetë.

Efekti i një kënge, në ndryshim nga efekti i një rrëfimi është i menjëhershëm. Nëse ne jemi pjesë e një diskursi të trishtë, apo edhe lexojmë një histori të trishtë kemi nevojë për një periudhë të caktuar reflektimi përgjatë së cilës procesi kalon nëpërmjet të kuptuarit, interpretimit, rikrijimit të situatës, identifikimit të vetvetes në raport me të dhe më pas efektit të caktuar që në këtë rast është empatia. Por sapo dëgjon këngën e Lind Islamit Ti m`ke rritë, vargu m`tremb plakja jote nanë godet menjëherë; empatia vjen rrufeshëm pa përshkuar proceset e sipërpërmendura për një rast prozaik (për shembull).

Sa e vështirë është të krijosh tekste të rafinuara! Kjo sepse muzika nuk godet vetmitare. Një këngë nuk është një prozë, e as një diskurs i zakonshëm i veshur me nota muzike, apo një muzikë së cilës i është inkorporuar një mori fjalësh (siç po ndodh sot). Melos e logos duhet të bëjnë dashuri me pasion, të hyjnë brenda njeri-tjetrit në një intimitet absolut, ku bashkëmarrëdhënia të prodhojë adrenalinë. Të ndërrojnë rolet: muzika të transmetojë thënie (kuptimplote) dhe fjala të sigurojë tingëllima të këndshme. Dhe jo në pak raste këtë përputhshmëri absolute e realizojnë kantautorët, ata të vërtetët. Përcjell këtu Lou Reed me Perfect day, apo John Lennon me Imagine, Leonard Cohen me Hallelujah, etj, etj.

Festivali i fundit në RTSH zgjoi një polemikë që për hir të së vërtetës nuk pati as jehonën e duhur e për rrjedhojë as reagimin e duhur: kritika muzikore, por edhe ajo letrare e specializuar anashkaluan elementin më të rëndësishëm: trupëzimin e një kënge. U vu re një skizofreni e vendosur, e ndarë dyshas, e cila ose u mor ekskluzivisht me tekstin, dhe e pa atë thjeshtë si përmbajtje, si një sasi buke e blerë në një furrë, ose thjesht i kushtoi vëmendje muzikës, dhe në këtë rast persona të rastësishëm apo jokompetentë listuan impresionet personale muzikore.

Duke mos iu referuar muzikës në veçanti (fushë në të cilën jam thjesht shijuese, atje ku ka vend për të shijuar), pohoj dhe argumentoj se teksti i këngës është referencial në produktin emotiv dhe reflektiv që ajo përcjell. Për të përligjur këtë do sillnim një eksperiment të zhvilluar në vitin 2011 nga Jonh Mast (studiues)  dhe Franck McAndrew ( doktor në shkencën e psikologjisë eksperimentale-Universiteti i  Maine, SHBA)  në Knox College (SHBA).

Ata testuan një grup meshkujsh për të vlerësuar ndikimin e dëgjimit të muzikës me tekste misogjine te një grup njerëzish. Synimi ishte matja e efektit të tekstit në këngë të të njëjtit zhanër muzikor. Sipas web-site të cilin kemi referuar, kjo metodë zakonisht përdoret për të matur agresionin në psikologjinë eksperimentale: nxënësit iu nënshtruan dëgjimit të këngëve heavy metal dhe u ndanë në grupe. Grupi i parë dëgjoi muzikë heavy metal e cila shoqërohej me fjalë që nxisnin dhunë, grupi i dytë muzikë heavy metal por pa fjalë dhe grupi i tretë rrinte i ulur pa dëgjuar asgjë. Më pas pjesëmarrësve iu kërkua që të hidhnin salcë pikante në gota uji, të cilat të tjerë studentë do t`ì pinin. Doza që do të hidhnin u la në dëshirën e tyre. Salca pikante  shërbente për të matur agresivitetin e studentëve. Rezultati: të rinjtë që kishin dëgjuar muzikë me fjalë dhune e kishin dorën me të rëndë se sa ata që kishin dëgjuar muzikën heavy metal pa tekst apo edhe nga ata që nuk kishin dëgjuar asgjë. Aspekti më i rëndësishëm i këtij studimi ishte se midis dy grupeve të fundit (atyre të heavy metal pa tekst dhe atyre që s`kishin dëgjuar asgjë,) nuk kishte diferencë në dozën e salcës së hedhur në ujë. Për rrjedhojë, agresiviteti nuk ishte i lidhur me muzikën, por me fjalët.

Tekstet emocionuese arrijnë të konfigurojnë situata jetësore, por e vërteta është se ka shumë më shumë përpjekje për tekste të shëmtuara se të bukura. Kjo është arsyeja pse ne i vlerësojmë edhe më shumë tekstet e bukura.

Ka disa raste kur fati i këngës varet nga zhanri i muzikës që dominon kohën. P.sh. zhanri rock: zëri i gërvishtur, goditje apokaliptike, kitarë gërryese, atmosfera energjike, etj. etj . Është gjithçka një vijimësi përshtypjesh shqisore ku muzika lidhet natyrshëm dhe e kërkon vetë fjalën. Pak a shumë siç ndodh me një rrobaqepës. Ngjyra e copës dhe kombinimi me ngjyrën e fytyrës, modelimi i linjave, kombinimi i përmasave me llojin e pëlhurës, përshtatshmëria e elasticitetit të copës me elasticitetin e lëvizjes së klientit. Në fund gjithçka shkon në llogari të produktit, efektit të tij. Sepse edhe në rock nuk ka vetëm tinguj, ekziston një ligjërim – i luajtur së bashku me muzikë dhe fjalë. Është pikërisht kjo e tërë që duhet të përpiqemi ta kuptojmë. Le të provojmë me shembull.

Kantautori Ardit Gjebrea në vitin 1991 fiton vendin e parë në festivalin e Këngës në RTSH me  këngën JON të cilën e kishte kompozuar ai vetë, mbi një tekst gjithashtu të tijin, që mesa kuptohet e kishte marrë frymëzimin nga dy evente të kohës, njëri personal: ardhja në jetë e djalit të tij dhe tjetri historik, largimi i mijëra shqiptarëve me anije nga deti drejt botës perëndimore në vitin 1991. Kënga u pëlqye dhe sot ende e dëgjojmë shkarazi nga ndonjë makinë që na rrëshqet pranë. Kanë kaluar gati 30 vjet. Djali apo vajza që e ka vënë në kasetofonin e makinës as që e ka jetuar 91-shin, Gjebrean e njeh si showman dhe Jon i vjen si emër i zakonshëm djali. Por këngën e do.

Teksti i këngës strukturën e ka të ndërtuar me strofa pesëvargëshe dhe vetëm refreni është katërvargësh. Duke analizuar metrikën, vërejmë se pikë së pari kemi një kombinim rrokjesh të kryqëzuar. Strofa e parë kombinon me të tretën dhe e dyta me të katërtën:

Më erdhe në një kohë të dëshpëruar
Me dhimbje…, Jon
Kur anijet si fantazma
Nëpër det me aventura
Klithnin: Liberta’!

Dhe sytë i kish aty gjithë Shqipëria,
Ajo dinte si duronte
Po i shkuleshin filizat
Deti u bë mal me njerëz,
E toka det me lot

Dhe ty për herë të parë të puthte drita
Ti linde…, Jon
Nuk e dije ç’ish gëzimi
As dhimbja as mjerimi
Që flak, godet e rrudh një tokë

Sot me gjithë foshnjet në botë je njësoj
Si ata ti qesh e luan
Kjo është vetëm nisja juaj
Por do rritesh do kuptosh
Se fatet s’janë njësoj

Në strofën e parë dhe të tretë kemi përkatësisht këto numra rrokjesh sipas vargjeve 11-5-8-8-6. Në vargun e dytë të strofës së parë dhe të tretë kemi 4 rrokje në fjalë dhe një hapësirë boshe e cila konvertohet në rrokje nga një tingull bum (muzikë), që shton rrokjen e munguar.

Ndërsa në vargjet e fundit të secilës prej strofave vërejmë një dukuri shumë interesante. Në strofën e parë fjala liberta’ mbaron me theks fundor. Duke qenë se kemi të bëjmë me dukurinë e hiatus-it (mbetja e gojës hapur), atëherë vargut i shtohet një rrokje. Kjo metrikë perfekte përmbyllet në rrokje me o-në e zgjatur të vargut e toka det me loooot.

Nëse realizojmë grafikun e gjatësisë së zërit sipas gjatësisë së vargut, arrijmë të krijojmë një oshilogramë e cila na vizualizon luhatjen e zërit përputhshëm me idenë që kërkon të përcjellë teksti.

Kjo strukturë e vargut të bardhë e bën të pakonsiderueshme mungesën e rimës, “të zëvendësuar” nga ritmi i brendshëm, i theksuar edhe nga goditjet e muzikës. Për të qenë më konkretë. Theksat i gjejmë të shpërndarë në këtë pozicion:

Vargu i-2/10; Vargu II-2/bum/5; Vargu III-3/7; Vargu IV-3/7; Vargu V- bum/5

Shpërndarja e qëndrueshme e theksave peshon fjalën brenda diskursit të vargut, duke e kthyer atë në referent. Njëkohësisht mbështetet edhe nga dy dukuri muzikore.

Dukuria e parë është bateria që mbulon retiçencën në vargjet e dyta të strofave I dhe III (Me dhimbje…, Jon /Ti linde, Jon ) . Në këtë tekst retiçenca ka një mision të dyfishtë: realizon suspensin befasues pas të cilit vjen emri i përveçëm (personalizohet vargu, merr intimitet) dhe tërheq në marrëdhënie marrësin (në rastin tonë lexuesin e vargut, apo dëgjuesin e këngës). Ky mision poetik mbështetet në muzikë nga ndërhyrja e baterisë (bum), e cila e rrit dramaticitetin e këngës dhe në oshilogramë e bën të dukshëm suspensin. Si dëgjues emocioni yt është lart, në majë. Perfekt.

E dyta veshja melodike e fjalës lot. 0-ja e zgjatur është dhimbja e përkthyer në tinguj, është theks logjik i konvertuar në rrokje dhe së fundi, është isoja tradicionale e këngës sonë popullore.

Fjala lot ka dalë nga kuptimi i parë dhe është kthyer në hiperbolë e cila në bashkëmarrëdhënie me vargun mbi të (Deti u bë mal me njerëz,/ E toka det me lot)  realizon një imazh të përmbysur. Hiperbola bashkon tre imazhe deti-mali-toka. Kooperohet me tri referentë të cilët imazh statik kanë gjërësinë dhe lartësinë (përmasën, madhësinë). Por nga ana tjetër, fusha kuptimore zgjeron bazën. Le të vërejmë mekanizmin:

Teksti poetik në përgjithësi ka si mision të përçojë disa paraqitje të cilat nxisin përgjithësisht analogjinë. Në këtë kuptim vargu ngacmon kujtesën e lexuesit (dëgjuesit), duke i dhënë akses në bazën kuptimore të fjalëve kyç të sipërpërmendura evokimit të thënieve popullore një det me njerëz, një det me halle, të dua sa deti, mu bë zemra mal, u mbush mali, ishte si mal, etj thënie të cilat vendosin rrjete asociacionesh të mbështetura te përmasa e hiperbolizuar. Referentët që përmendëm, të cilët tashmë e kanë një imazh të memorizuar në përfytyrimin e lexuesit (dëgjuesit), në këtë rimarrje e sjellin imazhin të përmbysur duke luajtur me përmasën. Kjo gjësendi e madhe (det/mal), nuk është më në normalitetin e saj, por u popullua me njerëz që përcjellin dhembjen.  Sigurisht ky operacion mendor kontekstualizohet në një epokë të caktuar kohore dhe historike (viti 1991, ikja e shqiptarëve me anije), por ajo që e bën imazhin të emocionojë është pozicionimi i tij ndërkallës në një referent intim (ardhja në jetë e një fëmije). Që të dyja gjendjet që shenjojnë referentët (deti, mali, Jon), janë dinamike për aq kohë sa ato aktivizojnë një shumësi imazhesh, ndjesish dhe padyshim operacionesh mendore.

Gjithë sa analizuam ndodh në një periudhë kohore prej nëntë sekondash. Që do të thotë operacionet mendore, asociacionet dhe dukuritë konjitive kontekstualizohen në muzikë në një periudhë kohore tejet të shkurtër. Kjo është fuqia e imazheve që krijon fjala.

U ndalëm vetëm në një copëz nga teksti i këngës, për të konkretizuar mekanizmin e ndërtimit të një teksti të goditur poetik veshur me muzikë. Por edhe për të replikuar me gjithkënd që apriori nënvlerëson fjalën brenda një kënge.

Fjala është embrioni i ngjizjes së këngës. Nuk ka rëndës nëse është në shqipen letrare, apo në dialekt, rëndësi ka të përcjellë imazhe që ngjallin emocione të forta. Sigurisht të përcjellë pozitivitet. Të mos na rëndojë dora te sasia e salcës pikante. Në të kundërt, e ç’na duhet muzika nëse nuk na bën më njerëzorë?

(c) 2020, Natasha Poroçani (Shuteriqi). Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autores.

referenca:

John F. Mast and Francis T. McAndrew Knox College, Violent Lyrics in Heavy Metal Music Can Increase Aggression in Males

Kopertina: Orfeu duke i rënë lirës, Henri Martin.

Titulli i origjinalit: POLEMIKË DISKURSIVE ME TEKSTIN E KËNGËS “JON”

Rreth Autorit

Natasha POROCANI (SHUTERIQI) Diplomuar në gjuhë shqipe dhe letërsi. Doktoruar në fushën e gjuhësisë së aplikuar, autore e një numri të konsiderueshëm tekstesh shkollore në Shqipëri e diasporë.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin