KORE DHE KOMBE

Kam ndjekur shkarazi diskutimet rreth një kënge që tifozët kuqezi kanë zgjedhur të këndojnë gjatë ndeshjeve të kombëtares së futbollit të Shqipërisë – “Mora fjalë”, të Naim Gjoshit, tani të njohur edhe si “kënga e Adem Jasharit”. Nuk më intereson se çfarë këndohet në stadium, por më tërheq argumenti i konfliktit mes destinacionit të këngës, si “këngë trimërie”, dhe përdorimit të saj nga tifozeria.

Një artikull i Çapajev Gjokutajt, me titullin “Prapa pyetjes: A duhet të këndohet në stadium për Adem Jasharin?”, i botuar në Panorama, i përmbledh mirë çështjet në vështrim.

Por këto ditë më doli përpara një diskutim tjetër, edhe ky i rimarrë, për zëvendësimin e himnit kombëtar të Italisë, i njohur me emrat “Inno di Mameli”, “Fratelli d’Italia” dhe “Il Canto degli Italiani”, me këngën korale “Va’ pensiero”, nga opera Nabucco e Giuseppe Verdi-t. Ky propozim ka kohë që qarkullon, edhe për arsye se himni i Mamelit, si himn, lë shumë për të dëshiruar.

Këtë të fundit e njohim – të paktën ata të brezit tim – si kolonën zanore të aventurave të kombëtares italiane të futbollit, veçanërisht në kampionatet botërore; dhe na kujton shumë emocione të atij sporti. Por për italianët, himni i Mamelit u referohet luftërave për Pavarësi dhe historisë së shtetit dhe të popullit italian.

Kori i Nabucco-s u pat përfshirë në “Kushtetutën kalimtare” të së ashtuquajturës Padania, duke u adoptuar me ngazëllim nga Umberto Bossi dhe Lega; madje kreu i atëhershëm i Legës e pati përligjur, duke identifikuar banorët e Padania-s me skllevërit hebrenj që këndojnë te “Nabucco”. Edhe pse, në fakt, ideja për këtë zëvendësim himni i pat ardhur kryeministrit Craxi-t vite më parë, kur ky ia pat sugjeruar ministrit të brendshëm Spadolini. Spadolini iu përgjigj atëbotë se kjo “Va’ Pensiero” ishte një këngë e dhimbjes dhe e mallit, që ndiente populli i Izraelit për atdheun e largët.

Një studiues i vëmendshëm i Verdit, Alberto Mattioli, ka shpjeguar me këtë rast, se kur e shkroi atë pjesë të operës, në 1842, Verdi mendonte jo për italianët nën zgjedhën e pushtuesit të huaj; por pikërisht për hebrenjtë e nënshtruar prej babilonasve; aq më tepër që “Va’ pensiero” është “himn i dhimbjes, jo i rebelimit”, duke qenë, në thelb, një rimarrje e psalmit 137Librit të Psalmeve dhe, më në fund, që opera Nabucco iu dedikua, prej Verdit, “Lartësisë së saj imperiale, arqidukeshës serenissima Adelaide d’Austria”, që i përkiste gjithsesi lagjes së shtypësve, jo të së shtypurve.

Këto ditë u përfshi në polemikë edhe maestro Riccardo Muti, duke pyetur retorikisht se “Kushedi ç’do të mendonte Verdi për këto që po i bëjmë?”; dhe pastaj duke shpjeguar pse kori i Nabucco-s nuk mund të shërbejë si himn kombëtar i Italisë: “Sepse në zanafillë këndohej sottovoce,” dhe pastaj sepse “është kor i skllevërve, që ndiejnë mall për atdheun e largët.” Është injoranca e madhe e italianëve, vazhdoi Muti, që i bën këta të diskutojnë nëse kjo këngë mund të vihet si himn kombëtar.

Ironikisht, thuhet se Verdit i pëlqente himni i Mamelit.

Debati – nëse flasim dot për debat – ka të bëjë me raportin mes shijimit dhe përdorimit të artit; në rastin tonë, të muzikës. Se çfarë do të jetë himni kombëtar, këtë e vendosin disa pak ekspertë në nivelin elitar, të cilët janë njëfarësoj të detyruar të marrin parasysh edhe destinacionin origjinal të veprës. Por kjo nuk vlen për këngën që zgjedhin të këndojnë tifozët në stadium – edhe pse tifozët mund të manipulohen lehtë.

Melodia dhe frazimi muzikor i “Mora fjalë” janë mbase të përshtatshme për një këngë stadiumi; më problematik është teksti. Mund të vendoset një lidhje mes figurës së Adem Jasharit, si hero i kombit, dhe lojërave të kombëtares futbollistike (të Shqipërisë!), siç edhe është vendosur; por mund edhe të ketë tifozë dhe propagandistë që ndeshjet e futbollit të kombëtares së Shqipërisë i shohin si të frymëzuara edhe nga heroizmi i Adem Jasharit, ose edhe si vazhdim i luftës së tij për liri.

Nuk di të them nëse kjo i shërben apo jo artit dhe muzikës; aq më tepër që ky mision nuk mund t’u besohet tifozëve. Dukuria më shumë vlen për të kuptuar një rrafshim të konsumit të artit, në epokën kur gjithçka synon të shndërrohet në stadium; dhe kur manifestimet kolektive u dorëzohen pasioneve identitare. Kënga e Adem Jasharit u jep disave ndjesinë e përkatësisë në një grup specifik – dhe për këtë nuk ka kuptim të diskutohet.

Më fort ia vlen të diskutohet për këtë nevojë, shpesh irracionale, të turmave për heronj; dhe mes këtyre heronjve, Adem Jashari është ndoshta ai që e meriton më tepër se ca të tjerë, që i ofrohen publikut 24/7. Diçka e ngjashme ka ndodhur në Itali me Verdin që, po të dëgjojmë studiuesin Mattioli, “u bë ose e bënë statujën e vetvetes,” teksa e rekrutuan në një ideologji të kombëtarizmit kitsch; një fat që mes nesh nuk ia kanë kursyer as De Radës, as Naimit, as Fishtës.

© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: disa të dhëna i kam nxjerrë nga artikulli Va’, pensiero, mini-storia del canto del Nabucco (Il Fatto Quotidiano) dhe eseja Va’ pensiero”, nga Alberto Mattioli, Garzanti Classici, 2021.

20 Komente

  1. Të gjitha këto më kujtojnë një ndeshje të kombëtares italiane diku nga fundi i viteve 80 apo fillimi i viteve 90. Kori i stadiumit këndonte “Azzurro” të Paolo Conte, në versionin e Adriano Celentano. Kënga është një këngë e trishtë bazuar në një kalk kuptimor që përkthen “blue” në kuptimin e trishtimit (feeling blue) në “Azzurro” e cila rastësisht është edhe ngjyra e kombëtares italiane.
    Sa për “Mora fjalë”, pasi e këndova dhe kërceva në një dasmë dhe në një festë me kolegët e punës, u bëra shumë mirëkuptues me ata që e kënduan në stadium.

    1. Ne e dëgjuam të interpretuar nga Mira Konçi dhe Faton Macula, te një koncert jazz këtu në NYC; më pëlqeu shumë, edhe pse unë nuk arrita dot ta lidh me këngën në stadium.

  2. Kenga “mora fjale ” eshte po aq e papershtatshme te kendohet ne stadium sidomos ne ndeshje nderkombetare sa te themi te kendosh “te rrapi ne mashkullore” apo “c’e zure topin nga grika”.Kuptohet se kendohet ne kontekstin e konflikteve te fundit me Serbine , si pergjigje indirekte ndaj tyre se nese vazhdoni keshtu shiko se me ke do te perballeni, nuk ua kemi friken etj , por edhe si pergatitje psikologjike e popullsise ne rast se vendi hyn ne konflikt ushtarak.Ndersa qellime jane te larta e patriotike eshte ceshtje e hapur per debat nese futbolli duhet perzier me politike .Per mua ndeshjet e futbollit jane englendi ku njerezit shkojne per te harruar hallet e dites per dy ore e jo vende ku shkojne to be psyched up per lufte.

  3. Pse duhet martë shembull Italia kur ne kemi art, muzikë, dhe kritika përkatëse tonat ( të kohës së socializmit që janë plot dëshirë për identitet?

  4. Kenga e Adem Jasharit ne “Air Albania” nuk kendohet vetem spontanisht nga tifozet, gje kjo deri diku e kuptueshme, por edhe ne menyre protokollare nga kengetarja Shkurte Fejza, cka, per mua, perben vertet skandal. Imagjinoni sikur ndeshjet e Serbise ne Beograd te hapeshin me ndonje kenge turbo-folk per heronjte e Banjskes (s’po them per Arkanin)! Po sikur te hapeshin keshtu edhe “perplasjet” direkte Shqiperi- Serbi!

    1. Ne stadiumet e Serbise kendohen kenge nacionaliste turbo folk , prandaj edhe keta tanet i bejne keto si kunderpergjigje.Sa here ua ve ne dukje keto lloj banalitetesh te thone :”po serbet ?I ke pare si bejne?”Ndokush qe i ka xhan dhe ia degjojne fjalen duhet t’u thote se ne nuk duhet te behemi si ata.Ironia eshte se kengen e Adem Jasharit nuk e kendojne kur luan perfaqesuesja e Kosoves ?!!

  5. Duke qene se tanet zakonisht luajne per veten e jo per ngjyrat e fanelles, duket edhe e udhes t’u kujtohet sakrifica nepermjet figures se Adem Jasharit. Pastaj gjysma e skuadres eshte prej Kosove, kshuqe ta leme rrapin ne mashkullore.

    1. Sakrifica nepermjet figures se Adem Jasharit mund t’u kujtohet ushtareve para ndonje beteje, jo lojtareve para lojes.

      1. Futbollistët në fushë bëjnë kryqin apo ulen në gjunjë dhe falen e kjo nuk ka lidhje me futbollin, por kurrkush nuk i anatemon. E njëjta gje nuk ndodh kur një futbollist shqiptar gëzon në fushë e bën shqiponjën. Disa futbollistë shqiptarë u përballën me kërcënime disiplinore nga organizmi më i lartë i futbollit vetëm se bënë shqiponjën me duar. Pse një sportist i krishter a një muhamedan e ka të lejuar ta shprehë me gjestikulacione përkatësinë e tij fetare dhe një shqiptari nuk i lejohet e njëjta gjë për të shprehur me gjestikulacion identitetin e tij kombëtar?! Kujt i prish punë kjo?! Në pamje të parë duket absurde ndalimi i sportistit shqiptar të bëjë simbolin e tij kombëtar, porse nëse kjo nuk ndalohet, do bëhet virale dhe atë simbol me duar do mund ta bëjnë edhe sportistë me origjinë shqiptare nga Turqia, Greqia, Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja, Italia etj. dhe bota do kuptojë se paska shumë Shqipëri … dhe aq shumë shqiptarë gjithandej.
        Ne shqiptarët jemi fizikisht një rezultante e gërshërës së pamëshirshme e fuqive të mëdha europiane, që na e preu atdheun në copa copa, por nuk arriti të na presë shpirtin që shfaqet sot edhe në futboll me flamuj, me plisa, me shqiponjën e duarve e me këngë që ua do shpirti shqiptarëve. Sot këndohet “mora fjalë”, nesër mbase një tjetër edhe më e fortë e më frymëzuese. Çdo këngë, veshje a gjest që u kujton origjinën dhe identitetin atyre shqiptarëve që e kanë dhe edhe atyre që e e kanë humbur apo zvetënuar, qoftë e bekuar!
        Të tjerët, rreth nesh, kanë frikë se mos zgjohet një pjesë jo e vogël e popullsisë shqiptare që ata mendojnë se nuk e ka përfunduar asimilimin e fillojnë të ndjehen se kanë të njëjtin identitet me ata që bëjnë shqiponjën me duar.
        Arti, sporti dhe shpirti i kombtarisë shqiptare të bëra bashkë janë në të mirën tonë. Më vjen keq për ata që mërziten.

        1. Futbollistet shqiptare qe, sic thoni ju, u perballen me kercenime disiplinore nga FIFA, ne fakt perfaqesonin Zvicren, dhe gjestin e shqiponjes ua drejtuan tifozeve serbe gjate ndeshjes Zvicer – Serbi, kontekst ky qe i jep atij gjesti kuptim mirefilli provokativ. Dhe legjislacioni i FIFA-s e konsideron te denueshem provokimin ndaj publikut. Kaq e thjeshte eshte puna dhe nuk ka kurrfare lidhjeje me albanofobine.

  6. Kënga “Mora fjalë” është këngë vaji, këngë që i këndohet një të vdekuri. Nuk më duket e paarsyeshme, që disa njerëz të çuditen kur tifozët të këndojnë një këngë vaji në stadium, sepse stadiumi është vend argëtimi, jo vend për të kujtuar të vdekurit.

    Sjellja e tifozëve nuk është gjithnjë e arsyeshme; por ata që i komentojnë këto fenomene sociale kanë të drejtë të jenë të arsyeshëm.

    Më lanë përshtypje të keqe disa komente, poshtë kësaj teme në faqen ObserverKult, të tipit:

    “Kënga për Adem Jasharin ne Stadium i pengon vetem Baton Stanishiqit dhe Zagarit te tij Edvin Ramoviqit”, “Vetem tradhtarve ju pengon”, “,Ata qe nuk e duan që të këndohet kjo këngë ,duke sajuar lloj lloj pretekstesh dihet ç’farë janë ,ose mundohen me u tregu globalista siç porosit baba Sorrosi”, “Surretërit si edi rama dhe shpurra e tij i ka këto bishta cigaresh të hedhura në stadium dhe askush tjetër !!!”, “Jo moreeee nuk u kendoka eee .!!!! Ateher le te nigjojm thirrjet antishqiptare neper stadiumet e Rumanise Greqise etj ..e ne te bajm sehir ..a ju duket bukur keshtu .??? .Le te kendohet sa te cahen muret e stadiumeve sa zani i shqiptarise te nigjohet nga mar bota”, “Adem Jashari eshte hero kombetar i tere shqiptarise se Kosova eshte pjese e kombit shqiptar. Kenga te kendohet jo vetem ne stadium, por kudo ku ka shqiptare, sepse neser Shqiperia dhe Kosova do jene jo vetem nje komb, por edhe nje shtet”, “Ata që nuk e duan këtë këngë nuk e duan Shqiptarinë por kjo këngë është në zemrat e gjithë shqiptarëve edhe po nuk u këndua në stadiume”, “Kenga mora fjale, duhet te kendohet ne stadium, ne pallat sporti, ne rruge, ne sheshe, ne shtepi, ne dasma, ne makina, ne pune, ne ditelindje! Duhet te kendohet diten dhe naten, ne gezime dhe hidherime!”, “Vetem ata qe nuk e duan bashkimin e trojeve shqiptare jane kunder, njerez te shitur, gjithmone ka pasur nga keta soj mikrobesh.”, “Ke pengon Ramen me shok vampiret. Te kendohet dhe fort biles po te kendohet jo vetem ne ndeshje futbolli se nuk ra deshmor per topin po ra deshmor per te drejtat e pupullit”, Armiqve te kombit ,su intereson te kendohet kenga e legjendarit Adem Jasharit, “Kështu mendojnë vetëm armiqët e popullit shqiptarë !”, Veç serbet edhe Berishoviçet e kanë problem kengen e Heroit kombetar, Atij qe ska ndjenja Shqiptare i pengon Kënga per A. Jasharin, Kënga e Adem Jasharit që këndohet nëpër stadiume nuk ju pëlqen vetëm anti shqiptarve që janë rruso sllav që nuk e duan Shqipërinë etnike më shkurt gjakë prishurit, More popull pse të mos i këndohet kënga, ai ka fliju familjen për kombin dhe Kosovën, këtë nuk e do Vuçiçi ,me përkrahjen ,zagarëve të tij në Shqipëri.

    Këto reagime i veçova mes qindra komenteve, ku një pjesë e mirë shprehnin dyshime për përdorimin e këngës në evente sportive. Nuk janë të shumicës, por të një pakice të titulluar, që kujton se e ka të drejtën me vete dhe nuk e duron dot kundërshtimin.

    Nuk dua të diskutoj investimin emocional të atyre që kanë zgjedhur të këndojnë ashtu në stadium – por vetëm të vërej agresivitetin e disave, në këtë forum dhe gjetiu, kundër atyre që mendojnë ndryshe. Idenë se ata që nuk e mbështetin këngën e Adem Jasharit në stadium janë të shitur te serbi ose te Sorosi, janë “ruso-sllav”, nuk e duan Shqipërinë etnike, janë globalistë dhe gjakprishur, janë armiq të kombit dhe antishqiptarë. Nuk e gjej këtë agresivitet te pala tjetër, e cila mundohet të arsyetojë.

    Pyes: çfarë lidhje ka mes manifestimit të patriotizmit në stadium dhe egërsisë kolektive ndaj mendimit ndryshe?

    Dhe pyes për këtë arsye: nuk më bëhet vonë se çfarë këndojnë ca njerëz në stadium – le të këndojnë edhe Xhixhilenë a Girls wanna have fun, po u pëlqeu. Por kjo arrogancë, e justifikuar me patriotizëm, më shqetëson. Dhe nuk jam nga ata që kujtojnë, naivisht, se ata që këndojnë për Adem Jasharin në stadium janë të njëjtët me ata që dje luftuan “kundër serbit” – nuk ka ndonjë lidhje të domosdoshme mes kujt çirret patriotikisht, dhe atij që realisht i kushtohet çështjes kombëtare.

  7. Bibla thote :”ka nje kohe per lufte e nje kohe per paqe ,nje kohe per te mbajtur zi e nje kohe per te hedhur valle”.Sporti eshte thjesht englendi per ata qe bejne sehir .Duhet vene muzike argetuese si e bejne edhe ketej Tupac,DMX,K pop etc .Ne stadium shkojne edhe femije te vegjel e nuk eshte e arsyeshme ti ekspozosh ndaj gjithe asaj egersie .Kush ka qejf te beje patriotin le te shkoje ne kufi ku ushtria serbe eshte vetem 300 m larg.Eshte teme me vete por nderi i kombit nuk duhet lidhur me ndeshjet sportive ,ndryshe c’mund te themi kur ne basketboll serbet te cilet jane nga me te miret e botes ne ate sport ,te na mundin 150 me 40?Sporti duhet vene ne ate vend qe i takon ,argetim e asgje me shume e asgje me pak e nuk duhet perzier me asgje tjeter.

    1. Si dikush që ka shkuar në stadium pothuajse çdo të diel, në vitet 1973-1987; dhe që është marrosur pas Italisë në kampionatet botërore të futbollit, veçanërisht në 1978 dhe 1982, them se ka diçka prej psikoze kolektive, te tifozët që zhurmërojnë në shkallët e stadiumit; e cila del lakuriq kur këta nisin të zihen me njëri-tjetrin dhe ndonjëherë edhe të vriten mes tyre. Por kjo pikozë vjen e bëhet malinje, kur pasioni i tifozerive kombinohet me pasionin kombëtarist dhe urrejtjen për palën tjetër. E bëjnë serbët dhe sllavo-maqedonasit dhe grekët – por kjo nuk është arsye që ta bëjnë edhe shqiptarët. E thua edhe ti, ndeshjet e futbollit duhet të jenë kontekst për promovim dhe kremtim të paqes dhe të miqësisë, jo për të riprodhuar frustrime fushë-betejash dhe kompleksesh historike. Jugosllavia e djeshme – ku ka pasë bërë pjesë edhe Kosova – njihej për tifozllëqe të sëmura, të dhunshme, të bazuara në racizmin, urrejtjen dhe përçmimin e Tjetrit; kosovarët i kanë përjetuar këto në lëkurën e tyre, por nuk është mirë që tani të trajnojnë ashtu edhe vëllezërit e tyre tifozë në Shqipëri; që deri dje rriheshin për Gjermaninë dhe Holandën nëpër mejhane. Shqipëria ka shumë ç’të mësojë nga Kosova – në kulturë qytetare, në kulturë administrative, në kulturë komunitare, në art, në kulturën e punës; por jo në tifozllëk dhe spektakle “patriotizmi”.

      1. Trazira tifozesh ka patur ne kohe te merhumit pavaresisht se nuk publikoheshin ,por ishin ne ndeshjet e kampionatit vendas .Kur vinin ekipet e huaja silleshin mire jo aq nga frika e ndeshkimit por per shkak te nje pergjegjesie kolektive per imazhin e vendit ndaj te huajve .Tani te vjen turp kur i degjon te fishkellejne himnin e huaj si bene me Polonine aq me teper ku polaket ne Varshave treguan respekt bile duartrokiten himnin tone .Kur u thua se eshte gabim ,nje pjese te thone keshtu bejne dhe te tjeret ,ata me te mencmit te kritikojne per kompleks inferioriteti ndaj te huajve.E kjo po vjen nga vellaznit matane kufirit qe po perdorin ndeshjet e kombetares per te shfryre dufin .E meq ketu disktohen shpesh miti vs historise .Miti thote se Ballist Morina ngriti dronin ne Beograd per patriotizem .E verteta eshte se ai donte ti bashkohej nje fan gang me duket nga Tetova te quajtur Ballistet .Ata per nje arsye a tjetren nuk e kishin pranuar dhe ky vendos te beje nje akt per ti bindur se i kishte cilesite ,si te thuash nje initiation act .Beri ate qe beri dhe per pak sa futi dy vende ne lufte .Tani kete tipin media e portretizon si patriot te madh .

    2. E nderuar Alba, ju thoni: “Sporti duhet vene ne ate vend qe i takon ,argetim e asgje me shume e asgje me pak e nuk duhet perzier me asgje tjeter.” Tingellon si nje verdikt i ashper dhe sidomos meqe e keni thene edhe ju ketu, magjishem do te zbatohet ne te gjitha stadiumet e pallatet e sportit te botes. Qe te merremi vesh, edhe une bej pjese ne ate grup njerezish qe e konsiderojne sportin zbavitje, argetim, dicka per te kaluar kohen etj. nga keto (nuk e di pse ajo fjala qe perdorni ju “englendi” duket e pasakte, jo per gje po i referohet nje industrie miliardeshe dhe jo farave te lule diellit apo kikirikeve, keto po mund t’i quash englendi. Nejse, keshtu mendoj une. )
      “Semundja” e perzierjes se sportit me politike, dhune, ose cdo lloj veprimtarie qe ne pamje te pare nuk ka te beje me sportin nuk eshte as e re dhe sidomos as tipikisht shqiptare. Nëse flasim per nje ndeshje futbolli, perpara se te flasim per ndeshjen ne vetvete duhet te marrim parasysh faktin qe ne varesi te kendit te veshtrimir, 22 lojtaret +4 arbitrat qe jane ne fushe (+edhe ata te VAR-it tashti) mund te mos jene protagonistet. Protagoniste, sipas rastit mund te konsiderohet turma (me falni termin) e spektatoreve qe e ndjek ndeshjen, shumica e te cileve nuk kane erdhur ne stadium per zbavitje, o argetim. e aq me pak per “englendi”, por per te shprehur dhe/ose shfryre ndjenja, instinkte, frustrime te natyrave te ndryshme, te cilave sporti u sherben thjesht si sebepi i duhur per te hapur valvulen. Pa u zgjatur shume, dua te them se fenomenet negative te lidhura me sportin (sigurisht pa deshiren e njerezve si puna juaj, po dhe e imja) nuk mund te kufizohen e aq me teper te zhduken vetem pse ne perdredhim buzet. Dukuria eshte shume me e thelle dhe duhen shume forca te kualifikuara ne psikologjine e masave, trajtimin e inateve dhe mllefeve kolektive, qofshin keto brenda te njejti komb, ose midis kombeve. Duhen masa administrative shtrenguese, por edhe pune e kualifikuar dhe e kulturuar per ta kufizuar sa me shume kete dukuri. Me vjen keq, por kto fenomene do te vazhdojne edhe per nje kohe te gjate dhe ndoshta do te zhduken fare kur te gjithe t’i ndjekin ndeshjet ne TV.

  8. Dule englendi (eğlence) turqisht do te thote argetim ne shqip qe ndoshta edhe kjo vjen nga greqishtja argos .Bie dakord me paragrafin e fundit te komentit tuaj por the powers that be s’ua mban te deklarohen publikisht se akuzohen per tradheti kombetare ,plus iu duhet euforia e fitoreve te kombetares si opium per masat .Sportswashing si i thone kauret .

    1. E mbaj mend gjyshen kur e perdorte fjalen /eglenxhe’/, por qysh atehere me eshte mbushur mendja qe i referohej diçkaje edhe me te lehte se vete argetimi. Pavaresisht nga kjo, ky muhabeti qe po bejme tashti dhe ketu, po te abstragosh pjesen konkrete, sportin, mund te vleje per shume subjekte te tjera ne dualizmin “si jane gjerat – si duhet te jene”, ose “si jane gjerat – si i duam ne te jene”. Besoj se shumica e gjerave (po perdor kete term, se nuk me vjen ndermend ndonje term me shkencor) keshtu kane qene, keshtu jane, e keshtu do te jene dhe njerezia do te rropaten vazhdimisht per t’i çuar atje ku duan, apo atje ku si duhet te jene. Gezuar Festat e Fundvitit!

  9. Shkrimi më bëri kurioz për të ndjekur disa videoklipe të ndeshjes në Youtube, shumica të bëra me smartfon nga tifozët. Atmosfera mu duk festive, tifozët jo-agresivë, madje mund të them relaxed. Edhe shumë vajza dhe gra kishte aty, çka e bënte ambientin më pak maskulin. Më pëlqeu. As sharje, as fyerje, as egërsi nuk shihej apo dëgjohej aty. Por mos më lini të gaboj, filmimet janë vetëm “foto çasti”, të jesh vetë atje është ndryshe. *
     
    Ndeshja është lojë, por është edhe një formë (e butë) lufte; kështu e thotë dhe vet termi: ndeshje. Është imitim i luftës me „armë“ të tjera, siç është lufta vazhdim i politikës me mjete te tjera. Argëtim, por edhe konkurrencë, garë individuale ose ekipesh, matje fuqish e forcash: lojë luftash. Ndarja schmittiane mik – armik e vënë në skenë, në arenën e futbollit, çka përfshin përplasjen por edhe miqësinë dhe pajtimin, në fillim dhe në fund të lojës, kur lojtarët i japin dorën njëri-tjetrit.
     
    Ndeshen dy ekipe kundërshtare, dy parti antagoniste. Pa gjak e pa dhunë, por ato ndeshen megjithatë; një nivel agresiviteti e shoqëron natyrshëm çdo lojë. T’ia heqësh këtë, e bën balet, koreografi apo gjimnastikë, por nuk është më ndeshje. Natyrshëm që edhe tifozi është partizan dhe tifozllëku partizanllëk. Brohoritjet, thirrjet, kënget, koret janë edhe ato pjesë „e betejës“, për të formuar palën tonë, t‘i ngritur moralin skuadrës sonë, për të demoralizuar kundërshtarin. Sjellje normale, në futboll dhe në çdo sport tjetër. Te ndeshjet e kombëtares kjo shfaqet më haptazi sepse kundërshtari është tjetri, i huaji, potencialisht “armiku”. Por ka kufi kjo “armiqësi”. Kufiri vendoset aty ku ndeshja rrezikon të kthehet nga lojë, në luftë të vërtetë. Kur kundërshtari provokohet, fyhet, poshtërohet, ose, në ekstrem, kur fillon dhuna fizike.**
     
    Deri ketu teoria. Praktika, si gjithmonë, është më e vështirë për tu shpleksur. A është këndimi në stadium i „Mora Fjalë“ provokues apo fyes për ekipin kundërshtar dhe tifozët e tij?
     
    Shkruan AV:
     

    Melodia dhe frazimi muzikor i “Mora fjalë” janë mbase të përshtatshme për një këngë stadiumi; më problematik është teksti. Mund të vendoset një lidhje mes figurës së Adem Jasharit, si hero i kombit, dhe lojërave të kombëtares futbollistike (të Shqipërisë!), siç edhe është vendosur; por mund edhe të ketë tifozë dhe propagandistë që ndeshjet e futbollit të kombëtares së Shqipërisë i shohin si të frymëzuara edhe nga heroizmi i Adem Jasharit, ose edhe si vazhdim i luftës së tij për liri.

     
    Në fakt, teksti nuk është problematik. „Mora fjalë“ është këngë vaji, elegji. Nuk ka agresivitet aty, as provokim e as dhunë verbale, direkte apo indirekte ndaj ekipit tjetër, të paktën sa kohë që në fushë nuk luan Serbia. Aty ka më tepër kujtim dhe përkujtim; edhe kjo një formë tifozërie, s’ka dyshim, që krijon memorjen kolektive të tifozëve, që formon grupin. Adem Jashari nuk ka lidhje me futbollin, as me sportin, por me kombin dhe, indirekt, me ekipin kombëtar që e përfaqëson atë. Deri këtu tifozët janë në rregull, nuk i bien kundërshtarit në qafë, as e shajnë, as e poshtërojnë, as e fyejnë. Kënga si mjet identifikimi dhe argëtimi njëherësh. Dhe për këtë nuk ka vërtet kuptim të diskutohet, sepse kjo është në natyrën e tifozërise dhe në kontekstin e lojës, mes dy ekipeve, dy grupeve kundërshtare (ndryshe do të ishte nëse teksti, le të themi, do të ishte Poemi Kosovar, një lloj koncentrati poetik i “Der Begriff des Politischen”… ja unë, ja ti! – or po unë e jo ti!)
     
    Çekani ama nuk rreh këtu, por diku tjetër. A ka brenda të kënduarit në kor të kësaj kënge në stadium politikë aktuale? Thënë ndryshe, nëse nuk drejtohet kundër ekipit kundërshtar, atëhere çfarë synon dhe kundër kujt? Shkurt: kush është miku dhe kush armiku?

    Përgjigjen për këtë e gjejmë më kollaj te komentet që AV ka sjellë nga ObserverKult, pasi t’i kemi zhveshur këto nga llumi, harbutëria dhe agresiviteti verbal (që janë të shpifura dhe që fatkeqësisht nuk na ndahen asnjëherë). Tifozët janë pro bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet dhe kundër atyre që, sipas tyre, e refuzojnë ose e pengojnë këtë bashkim: elitave të sotme shqiptare, globalistëve, soroistëve. Mbi këto ia vlen – madje duhet – të debatohet ***, dhe jo: pse këndojnë tifozët këngë patriotike në stadium, apo a i shërben të kënduarit në arenë artit dhe muzikës. Ky nuk mund të jetë qëllimi, se është muzika që i shërben publikut – në këtë rast sportdashësve – dhe jo e kundërta (edhe pse të kënduarit në kor mund të shihet edhe si art më vete…).
    ———————————————————————————————————————————————————

    * Ka vite që nuk shkoj më në stadium. Hera e fundit ishte 15-16 vjet më parë në Tiranë, për të parë kombëtaren që luante, më duket, kundër Moldavisë (për këtë nuk jam i sigurt). Kisha ndjekur më parë disa ndeshje të kombëtares në TV, njëherë madje edhe në stadium, jashtë Shqipërisë (Leverkusen, 2001.. oh, ajo ndeshje…); atëhere ndiqja edhe Bundesligën gjermane dhe shkoja herë pas here në stadiumin e qytetit, për të parë së luajturi ekipin lokal, me kolegët dhe ndonjëherë edhe me vajzën e vogël. Stadium për së mbari, atmosferë fantastike, sidomos kur rrinim pranë ultrave; nuk u ndjemë asnjëherë të bezdisur apo të kërcënuar, as fizikisht as verbalisht; ambient ku mund të shkohej pa merak me gjithë familjen. Qëlloi të isha në Tiranë ato ditë kur do luante kombëtarja dhe mendova të prisja bileta për të shkuar bashkë me një shokun tim, madje të mirrnim edhe fëmijët me vete. Për fat, shoku më këshilloi të shkonim vetëm, pa fëmijët: “Stadiumi këtu është ndryshe”, më tha, pa u sqaruar më tej. Sqarimi më erdhi sapo hymë në stadium dhe sidomos kur filloi ndeshja: në formën e ulërimave – oooo, uuuu, aaaa -, fishkëllimave kur u luajt himni i vendit tjetër, sharjeve më të ndyra ndaj lojtarëve kundërshtarë dhe nënave, motrave, familjarëve të tyre; lumë fëlliqësirash që do të bënin krenar edhe horrin më të madh të Evropës. U larguam pas 20 minutash. Para nesh ishin larguar disa çifte të rinjsh, ndoshta të dashuruar apo të fejuar, që kishin ardhur dhe ta për të kaluar një mbasdite në stadium dhe për të mbështetur kombëtaren. Tani, stadiumi nuk është sallë biblioteke, as manastir murgeshash dhe unë nuk pres që aty të qëmtohet çdo fjalë dhe thirrje, por edhe aty fjalori duhet ta ketë një kufi; në respekt të vetes dhe të kulturës qytetare së pari, e jo vetëm për të respektuar kundërshtarin. Me sa kam dëgjuar – por edhe nisur nga disa përvoja personale – serbët janë shumë më gojëndyrë, dhe jo vetëm ne stadium. Por a është ky etaloni me të cilin duam të matemi?!

    ** Huligan është tifozi që kërkon dhe ushtron dhunë për hir të dhunës. Kundërshtari s’ka rëndësi kush është, mjafton që është apo që perceptohet si kundërshtar. Kur nuk gjen të tillë, i sulet policit, shtetit. Por ne nuk flasim këtu për këta.

    *** Personalisht mendoj se dëshira e shumë shqiptarëve për një shtet të përbashkët Shqipëri-Kosovë është jo vetëm e natyrshme dhe legjitime – një popull, një shtet -, por bashkimi ka shumë kuptim edhe objektivisht, dmth është common sense, sepse shumë prej problemeve dhe rreziqeve të sotme – dhe të ardhme – të shqiptarëve zgjidhen më lehtë në një shtet të bashkuar.
    Në mënyrë paradoksale, pengesa më e madhe për këtë bëhen disa të vetëshpallur kombëtaristë, ata që mes shqiptarëve që mendojnë ndryshe nuhasin dhe kërkojnë “armikun e popullit”. Këta turbo-nacionalistë nuk kuptojnë që shumica e shqiptarëve do të preferojnë të jenë të lirë në një Shqipëri dhe Kosovë më vete, se sa të jetojnë nën tiraninë e nacionalistëve në një Shqipëri të bashkuar, nëse kjo është alternativa që u ofrohet. Përpos asaj që projekti i bashkimit kombëtar nuk mund të kryhet me “o burra, o derra”, pa kontributin dhe drejtimin e intelektualëve dhe specialistëve, shumë prej të cilëve janë me të drejtë skeptikë. Entuziazmi ndihmon, pa dyshim, por me masë. Nxitimi, zelli i tepruar dhe sidomos fanatizmi kanë për tu kthyer në bumerang që do na bie në kokë në fund…

  10. Shkruan:

    [S]humica e shqiptarëve do të preferojnë të jenë të lirë në një Shqipëri dhe Kosovë më vete, se sa të jetojnë nën tiraninë e nacionalistëve në një Shqipëri të bashkuar, nëse kjo është alternativa që u ofrohet.

    Fjalë ari.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin