SHTATZËNI PA SHTAT

nga Enit Karafili Steiner

Tek ndiqja filmin Pod Generation (2023) m’u rizgjua bindja se shtatzënia është përvojë kyçe jo vetëm në rrafshin personal. Kyçe ka qenë për mua edhe kur isha pak e ndërgjegjshme se sa formuese kjo përvojë kryesisht femërore është për jetën e komunitetit dhe për ato struktura të cilat filozofia greko-romake quan polis dhe res publica. Përvojat formuese herë janë pozitive, herë jo, herë të ëmbël-hidhura, ndaj theksoj se shtatzënia më ka lënë mbresa aq të çuditshme sa edhe të madhërishme. Ata tetë-nëntë muaj kanë endur një thurimë perceptimesh e zbulimesh të pakrahasueshëm, për të cilët s’gjej fjalën e duhur. Di të them se ishte një diç je ne sais quoi që nxiste tek habi krejt autonome, si të shkëputura nga vetëdija.

Rrallë e kam soditur veten shtatlirë në pasqyrë me habinë që më ngjallte vetja shtatzënë. Me habinë e të huajit të pasqyruar në tiparet e mia. Isha dhe s’isha ajo që logjika thoshte se isha. Julia Kristeva shkruan se, thellë-thellë, ne njerëzit jemi të huaj për vetveten (étranger.e.s à nous mêmês, strangers to ourselves, Fremde sind wir uns selbst), sa që tëhuaja s’i ndahet jetëve tona dhe jo rrallë shndërrohet në sinonim të parehatisë, sikletit e makthit ekzistencial. Ndodh. Prandaj çuditem se, ndonëse gjatë shtatzënisë më ka ngjarë vetja e huaj, e dyzuar me plot kuptimin e fjalës, makthi nuk la gjurmë tek unë. Përkundrazi, habia më çonte drejt një sensi lavdie të skajshme. Nga jashtë qeshë njeri, ndërsa përbrenda ndjehesha kryevepër në krijim e sipër, buhi qelizash e ndjesish. Shtatin e ndjeja të shtuar, të begatë, dhe jo të zënë.

Filmi që përmenda më lart imagjinon një shoqëri ku trupi njerëzor mund të bëhet i padomosdoshëm për riprodhimin falë teknologjisë, ku shtëpiza e përkohshme që mitra i ofron fetusit mund të zëvendësohet nga lëbogra (pods) artificiale, të cilat prindërit i ushqejnë nga jashtë siç ushqehet bima në vazo. Organet dhe funksionet femërore, që ndërmjetësojnë midis jetës përtej trupit dhe jetës brenda tij, thuajse nuk hyjnë në punë në skenarin e Pod Generation, Ideja e dyfishtë e një brezi të ri dhe e fabrikimit digjitalo-industrial të individit fle në fjalën generation dhe e përgatit shikuesen për këtë realitet.

Për shumicën e grave që has në film, kjo është deri diku liria e ëndërruar prej feminizmit të brezit të Shulamith Firestone (1945-2012). Logjika e kësaj fryme vijon pak a shumë kështu: duke realizuar rritjen jashtë trupit të femrës, teknologjia ndërpret riprodhimin e strukturave patriarkale, të cilat vjedhurazi dhe haptazi mbajnë gratë peng, aftësitë e tyre pjellore si edhe familjet të cilat vetvetiu multiplikojnë shfrytëzimin e nënës, bijës, motrës, bashkëshortes, etj. Falë teknologjisë së riprodhimit jashtë-trupor, gruaja çlirohet nga një barrë, nga ajo ngarkesë që në shekuj ka rënduar mbi të dhe veç mbi të, siç vazhdon të rëndojë akti i abortit në ligjin penal të shumë shteteve. Për shqipen, shtatzëna është arketipi i njeriut që gdhin e ngryset me ngarkesë; fjalë për fjalë, të jesh shtatzënë është të jesh me barrë. Të kësaj mendësie janë edhe ato statute ligjore, (të cilat përkufizojnë marrëdhëniet mes punëmarrësve e punëdhënësve në disa shtete të botës) që e kategorizojnë shtatzëninë si paaftësi (disability) ose, në shqipe të anglicizuar, si handikap. Themelet dhe rrjedhojat e kësaj terminologjie janë të shumëfishta dhe shpjegojnë përse filozofe si Firestone inkurajonin dhe inkurajojnë gratë ta refuzojnë shtatzëninë siç refuzohet e hidhet poshtë një barrë. Ndoshta transformimi i gjuhës juridike që damkos kështu një proces, i cili ende mishëron rritjen dhe shpresën e njeriut tek e ardhmja, duhet t’i kish paraprirë protokolleve më sipërfaqësore. E kam fjalën për rregullat që përcaktojnë se cilat pyetje në kuadrin e intervistës profesionale janë legjitime e cilat mizogjine: “Keni familje,” “Planifikoni të formoni familje në vitet e ardhshme,” “Sa fëmijë keni?” etj.

Ajo që spikat në skenarë të ngjashëm me atë të Pod Generation është se si do qoftë teknologjia, e përparuar apo e prapambetur, ajo nuk eliminon faktin se shtatzënia është në thelb proces kulturor dhe mbetet e tillë edhe kur punën e rritjes së fetusit s’e kryen trupi i femrës, por një vezore a inkubator artificial. Prirjet e epokës – qofshin këto për rritje e lindje sa më natyrore, pa operacion, pa qetësues e injeksione epidurale, pa fekondim in vitro e ekzaminime gjenetike (shih Pieces of a Woman, 2020), ose tendenca të kahut të kundërt, atij që eksploron Pod Generation, për rritje e lindje sa më në distancë, larg sekrecioneve, gazrave, dhimbjeve e derdhjeve trupore, sa më të mbrojtur prej të papriturave biologjike dhe tekave të natyrës – janë forca hegjemone të cilat ushtrojnë trysni në jetën e femrës shtatzënë (ose shtatshtuar). Me hegjemoni nënkuptoj atë që thotë Antonio Gramsci: hegjemoninë e ushtron një shtresë dominuese, vlerat, aspiratat dhe doket e të cilës funksionojnë si rol modelues për shoqërinë, sepse ata gëzojnë miratimin madje admirimin e shtresave të tjera, të cilat e marrin si të qenë dhe organike epërsinë e shtresës hegjemone.

Pra, në princip, nënë e mirë është kush ka aprovimin e hegjemonisë. Në skenarin e Pod Generation, nëna e mirë, pret në radhë, me durim, shpresë, ankth, ndërsa lutet e drithërohet për t’u pranuar në programin e shtatzënisë digjitalo-industriale, ku femra ofron vezën, mashkulli spermazoidët, kurse rritjen e fetusit e kryen një pajisje të cilën mund ta mbartësh me vete në autobus, metro, kinema dhe, kur të lodhesh, mund ta vendosësh në raftin e librave, e kur s’do ta shohësh, ta mbyllësh në dollap. Por duke qenë se historia e feminizmit është histori polifonike, në Pod Generation dëgjohen edhe zëra të protestës feministe kundrejt këtij modeli të “nënës së mirë” dhe, siç sugjeron filmi, të indoktrinuar. Kjo protestë argumenton se hegjemonia teknofile që i kundërvihet kureshtjes, dëshirës dhe gatishmërisë së grave për ta përjetuar sa më të plotë një proces natyror dhe kulturor si shtatzënia, e kanë mizogjininë të shkruar në ballë. Boll për këtë përqasje pluraliste filmi meriton më shumë se 5.6 yjet që i kanë dhënë në imdb.com.

James Gillray, “The Fashionable Mamma, or The Convenience of Modern Dress,” 1796

Një temë që pres prej veprave të këtij zhanri është jeta e nënës, e çiftit dhe e komunitetit përtej lindjes. A ka jetë pas lindjes? – është pyetja kapitale. Veçanërisht për ato nëna që japin gji, kjo pyetje ngre kokë çdo 3-4 orë, nga një seancë ushqimi në tjetrën. Si do ta trajtonte gjidhënien një kulturë  teknofile si ajo e Pod Generation? Sot nëna që ushqen foshnjën në gji gëzon status ikonologjik: me devocion kjo nënë sakrifikon rehatinë, braktis gjumin, zgjedh gjirin. Ku ka si qumështi i nënës! Sado normale ose e normalizuar të na duket kjo ideologji – ideologji mbetet paçka se shkenca e shekullit të XX ka vërtetuar cilësitë imune të qumështit të gjirit – ajo do t’i çudiste dukeshat e konteshat evropiane të shekujve të kaluar, të cilave ua impononte etiketa klasore t’i ushqenin foshnjat në gjirin e një femre tjetër. Kjo detyrë i besohej tajës dhe të shumta qenë gratë e shtresave të ulëta që tajisin foshnjat aristokratike. Qumështi i gjirit, si të thuash, ishte i de-klasuar. Ndërkohë, nënat e tjera, ato “trillane,” në mos rebele, duhet të kapërcenin barrikadat zakonore të cilat nuk i lejonin ta mëkonin vetë me gji fëmijën e tyre. Në fund të shekullit të XVIII, moda nis të kthejë: janë veçanërisht gra si shkrimtarja dhe filozofja Mary Wollstonecraft (1759-1797), të cilat u bëjnë thirrje nënave të shtresave të mesme dhe aristokrate ta përvetësojnë këtë detyrë, me të cilën fillon ABC-ja e detyrave të nënës së mirë.

Ideja e ngjizjes në epruvetë apo e rritjes së fetusit jashtë trupit të gruas s’përbën risi. Krijimi i njeriut në laboratorët e një shkence që sfidon kufijtë natyrorë, madje shpik e ri-shpik natyrën dhe të natyrshmen, të kujton Frankenstein të Mary Shelley-t. Me saktë Victor Frankenstein-i, i cili ëndërronte jo vetëm të rishkruante historinë e njerëzimit, por edhe të plotësonte mangësitë e të drejtonte shtrembësitë e zanafillës biblike, duke krijuar një Adam të ri me eshtrat e të vdekurve, eshtra njerëzish e kafshësh. Në këtë kuptim, fëmijët e ngjizur e rritur në lëbogra silikoni, në dukje si vezë dinozaurësh, të transportueshme, me ndjeshmëri auditive e taktile, nuk janë risi.

As ka nevojë të jenë; mania për risi me gjasë na kthen te hegjemonia. Dua t’i mëshoj një mendimi me vlerë që përcjell ky film: se ne, njerëzit, jemi të aftë të krijojmë lidhje afektive edhe me një pajisje artificiale që ushqen, rrit, dhe i siguron shëndet të mirë një qenieje të gjallë (a sentient being). Them se ky nxit kujtime e mirënjohje tek gra të cilat (ndër to edhe unë) kanë përjetuar shtatzëni të mbara e të mbrujtura me habi-mrekulli. Në të njëjtën kohë, po ky mendim çel edhe hapësira të imagjinatës, në të cilat format tradicionale nuk janë sine qua non për një jetë të lumtur: hapësira pa shtatzëni, pa fetuse, pa pagjumësi, pa trashëgimtarë e prapëseprapë të stërpikura me lumturi herë modeste, herë ekstravagante.

 

© 2023 Enit Steiner. Të gjitha të drejtat janë të autores.


*Imazhi: James Gillray, “The Fashionable Mamma, or The Convenience of Modern Dress,” 1796

**Ky shkrim i referohet dy filmave pa i përmbledhur: Pieces of a Woman (2020) dhe Pod Generation (2023).

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin