ZONJAT E VOGLA TË LETËRSISË SHQIPE (II)

nga Eda Derhemi

Pjesa e dytë

Eseja “Zonjat e vogla të letërsisë shqipe” (I. Kadare. Mëngjeset në kafe Rostand. Onufri. 2014) hapet me premtimin implicit që të trajtojë krijimtarinë e një grupi shkrimtaresh gra, listuar prej autorit si Dones, Vorpsi, Wilms, Lleshanaku, Myftiu, Arapi, Dushi, Godole, listë e konsideruar edhe prej Kadaresë vetë si joshteruese. Jam krejt dakord që lista është e paplotë, veçse nuk mendoj se është e tillë vetëm lista. Duket açik që në hyrje qëllimi i Kadaresë që të nderojë plejadën e shkrimtareve në fjalë; por këtë zgjedh ta bëjë duke dashur të tërheqë vëmendjen publike mbi grupin e duke u ankuar që në krye, se ato përfillen “shumë më rrallë se do duhej” dhe se nuk ndihmohen sa duhet. E mbyll Kadareja esenë me një prononcim më të drejtpërdrejtë (por të shuar) pro tyre: “tempulli i letrave kish nevojë për to, dhe këtë ato e dinin”.

Thënë kjo, pra që nuk ka dyshim se Kadareja synon të fokusohet në këtë grup dhe të shprehë pozicionimin e vet pro tyre, kam përmendur vetëm njërin element të asaj që mund të quhet meritë e esesë. Mendoj se vlera më e rëndësishme e saj është hapi konceptual (sido që në fund rrëshqet edhe ky) që bën Kadare në analizën teorike që ofron për grupin e shkrimtareve si një i tërë, me disa markues socialë e kulturorë:

“Lidhur me portretin në grup të “zonjave të vogla” në rastin shqiptar, ka gjasë që ideja e lirisë, e kapërcimit të kufijve, e ndërrimit të zakoneve dhe të gjuhëve, që shoqërohej jo rrallë me ndërrimin e të fejuarve a të burrave, të ndikonte në theksimin e një gjendjeje të paqëndrueshme, disi flatruese, në kuptimin jo fort të lakmuar të fjalës…” (f.24)

Kadare shtron këtu udhën për të paktën 5-6 disertacione ndërdisiplinore doktoraturash ku të ndërvepronin letërsia, sociologjia, psikologjia sociale, historia, antropologjia etj. [E shpresoj që këto disertacione do shkruhen, për hir të zhvillimit shkencor të kritikës dhe historisë në letrat shqipe. Të shkruhen si studime kritike, si ky që eseja e Kadaresë nuk është; dhe jo si vepra përshkruese, me histori librash dhe gocash, që herë pas here hedhin pa lidhje ndonjë pyetje pseudokontroversiale, dhe sheqerosin faqet me citate joorganike nga Kristeva e Spivak apo Bakhtin e Barthes, lëre pastaj ato nga Lucacs e Guattari!] Por me keqardhje vëzhgova se këtu nis e mbaron trajtimi serioz që Kadare i bën grupit. Në 26 faqe të esesë, më pak se katër faqe u kushtohen zonjave të vogla; dhe më poshtë do analizoj ç’ndodh në këto katër faqe, dhe në ato 22 të tjerat.

Në ato katër faqe për zonjat e vogla të letërsisë, Kadare së pari e kërkon verbalisht “stilemën”- siç e quan– duke sqaruar të kundërtën: se në fakt zonja të mëdha s’ka e s’ka pasur as tjetërkund në botë. Jo krejt e vërtetë kjo, por as e gënjeshtërt. Stilema e gjetur, atij i duket perfekte. E bën titull të esesë. Mua nuk më duket hiç perfekte, por po të qe rastësi apo shkarje, nuk do kishte ndonjë rëndësi. Rëndësi ka çfarë kupton autori me “zonjat e vogla” dhe si i trajton ato në këto katër faqe. Çfarë karakteristikash u diskuton Kadare shkrimtareve në ato pak faqe të esesë?

Ato kanë “emra tingëllues, të bukur”. Edhe “ato vetë gjithashtu” janë të bukura. Kanë “natyrshëm probleme me gjuhën”, “ashtu si janë të shpërndara në botë”. Kur bota s’i trajton si duhet, ato “nuk ankohen”- të paqta e gojëmbyllura. Janë “vetëm” (pa burra) “në botën e ndërlikuar të letrave” (të burrave). E “si ia bëjnë vallë, të voglat”? Dhe duke qenë se “zonja të mëdha”, thotë Kadare, kultura maskiliste botërore nuk lejon, atëherë ai, pasi sikur e kritikon, u bashkohet gjithë burrave “të mirë”, por që botën s’dinë ta ndryshojnë, dhe u qan hallin “të voglave”. Dhe, në lidhje me citimin më lart: fundi i tij “të paqëndrueshme, disi flatruese” (kujtoni: la donna è mobile) nuk i pëlqen Ismailit të zgjuar që ndonëse nuk e kupton gruan si shkrimtar i emancipuar, e nuhat që duhet të mbrohet nga koncepti i vet i vjetëruar; pra, Ismaili, siç ia thoshim emrin me dashuri kur ishim të vogla dhe donim të krenoheshim me afërsinë ndaj të vetmit mes nesh që guxonte (-Dhe ku?-Në letërsi; atje ku, si në fushat e naftës, të pritej koka aq kollaj), shton: “ky do ishte krahasimi që ato do meritonin më pak”. Këtu unë po prisja një fjali të emancipuar dhe emancipuese, edhe sikur të ishte thjesht për dukje. Por jo: Kadare mendon se afrimi i “të voglave” me “fluturat” (që ishin flatruese) nuk shkon; nuk e dimë pse nuk shkon sipas tij, sepse nuk jep shpjegim. Por pastaj, kur unë po prisja “t’u pritej koka fluturave” të Lasgushit apo ndoshta të shndërroheshin në mantis religjiose, Kadare na thotë se preferon në fakt… xixëllonjat. Pse? – Sepse “kur helmet dhe urrejtja shtoheshin në stinët letrare”, xixëllonjat, si insektete e botës pa smog, “do të trembeshin dhe do të iknin, siç kishin bërë shpesh”. Kadare ndoshta ishte në gjumë kur e shkroi këtë, sepse sido që ndonjë burri të djegur për melodramë do i dilte ndonjë lot nga kjo skenë melodramatike, logjika më sipër nuk qëndron, dhe sidomos nuk ka lidhje as me ndonjë analizë shkrimtaresh, dhe as me gratë që ato janë. Disa prej tyre i njoh, e disa jo, por nuk shoh flutura e xixëllonja në to, dhe sidomos jo të vogla e të ndrojtura që kanë ngelur në mes të rrugës se s’iu gjend një burrë pranë t’u jepte një dorë. Përkundrazi! Por që secila prej tyre mund të jetë edhe xixëllonjë a flutur, kjo është krejt normale. Por ky karakterizim është i fundit që mund t’i interesonte Kadaresë si shkrimtar i shquar që analizonte këtë grup shkrimtaresh më të reja bashkëkombëse.

Për 22 faqet që ndjekin shkrimtaret harrohen, sido që Kadare fut e nxjerr gruan nëpër rreshta, që të lidhë esenë. Merret me lloj-lloj fantazish të vetat dhe teorish të pabazuara renditura historikisht, që si vela fryhen prej ideologjish quasi-raciste sa edhe quasi-progresiste, që tashmë njihen si kocka dhe boshti i mendimit të tij: urrejtja për Azinë dhe Turqinë, perçja si agjent kulturor që u vret trurin grave dhe jo si pasojë ideologjish seksiste, konsiderimi romantik i Shqipërisë si grua viktimë përrallash, që i ish premtuar si nuse e vlerëshme Evropit e duhej të martohej me të, por që e kish përdhunuar Aziu (si Otomanë edhe sovjetikë) që s’e lëshonin (e për plot të tjerë që qoftë edhe pa lidhje futen në këtë grup si ziliqarë voyeuristë pas gardheve, që përfitojnë edhe vetë e përpiqen të zgjasin dhunimin. Ndërkaq Shqipëria e madhërishme, “në qendër të së keqes”, nuk jepet; ajo do dhe sidomos i takon Europit e s’pushon së kërkuari fatin që i kanë paracaktuar Zotat; populli, pra burrat e saj këngëtarët origjinalë të Ballkaneve, janë pro-gra sepse i këndojnë dashnoreve që ashikëve ua dridhnin cigaret në veturë, Çerçizit që u vra ndër gra, grave me sy t’bukur që dinë me kja, Ramizesë varr-manushaqe, grave me diell veshun, mbathun me hanë, burra që duan t’i shkelë këmbë e Saj. Nëse këto vargje që Kadare i mbledh me kujdes që nga të parat dokumente të shqipes, dhe që në fakt i gjejmë në çdo popull e në të gjitha letërsitë, janë prova që kultura jonë i ka rezistuar patriarkalizmit në shekuj dhe ka qenë “evropiankë” në thelbin e vet, ashtu si dashnoret apo nusja e Zogut (prit, cilit zog?)… nuk e kuptoj inteligjencën e tij artistike dhe logjikën e tij në vepra që kanë shastisur lexuesit. Sepse kështu ai i bën varrin teorisë që do të vërtetojë. Është një mish-mash anti-Otoman dhe anti-komunist, që del të jetë pro-Europian dhe modernist, nëpërmjet vargjeve mbledhur aty-këtu si një pesë-vjeçar zgjedh pa kriter lulet në lëndinë, dhe që në fund përfundon të thotë se zonjat e vogla të letërsisë nuk u bënë dot të mëdha, sepse??? Prit! Një minutë, se nëse neve Turqia nuk na e mposhti dot atë shpirtin feminist (europian) në shekuj, siç del ngaqë i këndonim pëllumbit të Saj mes këmbëve, atëherë nuk duhet të kishte pengesë që zonjat e vogla të bëheshin të mëdha… apo jo? Një gjimnaziste shqiptare sot do t’i thoshte lehtësisht Kadaresë: me gjithë këtë kulturë evropiane që na ka gjëlluar në rremba, kush e ka fajin që sa e sa gra e të dashura sot në fshat e qytet në Shqipëri, vazhdojnë të vriten prej burrash (që dikur ato i adhuronin e u puthnin këmbën) siç vritet një pulë? Mos e kanë fajin ferexhetë që janë shtuar?

Pra, pas 22 faqesh që Kadare merret me tjetër gjë por që gjithsesi ngulmon ta lidhë me gratë, u rikthehet shkrimtareve gra. Mora frymë; thashë, shyqyr që nuk i paska harruar. Prapë shpresova se do t’i merrte seriozisht tani në fund, e do diskutonte veprën e tyre, qoftë edhe duke ua kritikuar, si modeste apo jo si letërsi e madhe. Por jo, babai dhe ati shpirtëror e letrar Kadare, prapë i trajton shkrimtaret të cilave u dedikon esenë, si subjekte të një thashethemi Tirane apo si vajza që ka takuar nëpër kafenetë evropiane (Si? Si mbreti Zog një herë motit?). U bën një bio të shkurtër e të përciptë, jo veprës, po martesave, famës në botë, biografive të tyre familjare, dhe si gjithnjë, syve, ëmbëlsisë, bukurisë, hijeshisë… A ka ndonjë lidhje kjo me veprat apo artin e tyre? Po të ishin të shëmtuara, nuk do shkruaje ti për to? – dua të bërtas. Si janë shkrimtaret për të cilat ai (nuk) shkruan (por i mban nëpër gojë): flutura, xixëllonja, manushaqe, sypërlotura, shtojzovalle. E çfarë bëjnë ato sipas Kadaresë? Ato vonojnë, qortojnë, druhen, befasojnë, lotojnë, por s’ankohen… tamam siç i do zakoni dhe burri gratë. Pater noster qui es in caelis… Fiat voluntas tua!… Et ne nos inducas in tentationem, sed libera nos a malo!

E dini çfarë mendoj. Kadare nuk i ka lexuar shkrimtaret për të cilat shkruan. Është i bindur që as ka përse t’i lexojë. Në fund të fundit, gjithçka që ai thotë është ar dhe nderon këdo të cilit ia përmend emrin. Pastaj ai çështjet e grave i njeh mirë, ka njohur aq shumë syresh! Të gjitha të hijshme, interesante, joortodokse, me sy të bukur. Për të pamoralshmet, edhe ka shkruar shpesh. Por për mua eseja për to, çfarëdo qëllimi të mirë të ketë pasur, i trajton ato pa respekt. Ua injoron veprën dhe mendimin, risinë e vërtetë që sjellin. Më mirë t’i kish kritikuar paq; të thoshte veprat janë mediokre dhe të shpjegonte pse. Po ashtu trajton edhe gruan, e cila këtu si edhe tjetërkund siç përmenda në pjesën e parë, objektifikohet, thjeshtëzohet duke u zhveshur nga kompleksiteti që i takon vetëm atij, shkrimtarit burrë, dhe shihet si një copë pasive që gjithnjë vështrohet nga burri aktiv e këngëtar/shkrimtar, më i rëndësishëm se ajo dhe që i jep asaj vlerë edhe thjesht duke ia zënë emrin me gojë.

Po përse atëherë vihet të shkruajë për to, dhe s’merr mundimin t’u lexojë së paku nga një vepër para se të bëjë sikur i analizon?! Nuk e detyron askush të shkruajë kur nuk do! Po sepse atij i pëlqen të qenët progresist dhe i rëndësishëm. Edhe sepse është burrë patriarkal dhe aspak feminist. Shkrimtari që më rriti, është zhgënjyes. Dhe kur luftoj me të, luftoj paq me veten, me kulturën time, me traditën dhe atë çka e kam brenda, e di, sado që nuk duket gjithnjë.

© 2021, Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa lejen e autores. Shkelësit do të ndiqen penalisht.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin