BURRËRIA KA VDEKUR!

nga Oksana Duqi

Ka disa ditë që dëgjova dikënd të shpjegonte fjalën burrëri (a burrni). Po e perifrazoj: “Kur them se ai ka burrëri, dua të them se e mban fjalën, i qëndron asaj që ka thënë. Ja kjo është burrëria.” Atëherë, unë jam burrë me siguri. Nëse burrë do të thotë të jesh njeri i fjalës, jam burrë. Megjithatë, unë jam vajzë, jam grua. Atëherë, fare shkurtimisht, ashtu si përkufizimi shkurtimisht i perifrazuar, rezulton që unë jam edhe burrë, edhe grua. Thënë ndryshe, një burrë është një grua. Nga ku rrjedh edhe se një grua është një burrë. Pra, një grua e mban fjalën, i qëndron asaj që ka thënë.

Mund të duket si një lojë fjalësh, edhe pse ka shumë kuptim. Gjithsesi, ju detyrohem një shpjegim më të detajuar. Jo vetëm për të vërtetuar atë që deklarova më lart, por për të justifikuar edhe ndonjë gabim filozofik nga entuziazmi i së vërtetës që parashtrova aq çlirët.

Për të analizuar pak ç’do të thotë të bësh atë çka thua a premton se do të bësh, t’i qëndrosh në vazhdimësi fjalës që thua, është një nga elementët e të krijuarit besim tek të tjerët e vetja. Jam mirënjohëse që mund t’i referohem një studimi të plotë mbi besimin, kështu skeptikët do t’i mbyllin sytë e ta lënë leximin përgjysmë prej faktit se ka një studim që më ndihmon të vërtetoj çka thashë në fillim.

Të besuarit a të krijuarit besim, në kornizën e plotë, përmban shtatë elementë. Kjo është studiuar nga një kërkuese shkencore që vjen nga studimet në Punë Sociale, Brené Brown. Shtatë elementët e të besuarit, në anglisht formojnë akronimin BRAVING: boundaries, reliability, accountability, vault, integrity, nonjudgment, generosity. Pra, kufijtë, të qenit i përgjegjshëm, dy anët e konfidencialitetit, integriteti, jo- (para)gjykues, zemërgjerësia. Ndërkohë elementi i dytë për nga akronimi, qëllimisht i lënë në fjali më vete – reliability, është në shqip është elementi i cili u parashtrua që në fillim. Një përkthim i fjalës reliability, sugjerohet të jetë besueshmëri a qëndrueshmëri, por nuk do të përdoret vetëm një përcaktim specifik, meqenëse besueshmëria në vetvete ndahet në elemente dhe përfshin shumëçka tjetër, kurse qëndrueshmëria duhet kuptuar në kontekstin e dhënë.

I kërkoj ndihmë dikujt për të më dhënë një mendim mbi atë çfarë kam shkruar. Personi e lexon shkrimin dhe më jep një mendim, pavarësisht angazhimeve të veta e orëve të lodhshme të punës. Ky është një person që e mban fjalën. Megjithatë në këtë rast përfshihen edhe elemente të tjera të besimit, si integriteti, të qenit jo-(para)gjykues, të cilat janë të rëndësishme po aq sa çdo element tjetër.

Situatat e ndryshme, ndonjëherë ato që duken të vogla, ndonjëherë si të parëndësishme janë ato të cilat ndikojnë shumë, sepse të mbash fjalën është një vlerë që matet vazhdimisht dhe jo vetëm njëherë. Në këtë rast i referohemi qëndrueshmërisë.

Kur dikush, neglizhon të ardhurit në orar në takim vazhdimisht, ose fillon një luftë me Ukrainën pasi ka mohuar planet për ta sulmuar, thyen një element të rëndësishëm të besueshmërisë. Pra, çdo veprim ka ndikimin e vet, qoftë i thjeshtë dhe që ndikon në një person, a qoftë një veprim që ndikon botën. Çdo rast i përmendur deri më tani, lidhet me besimin e qëndrueshmërinë në raport me të tjerët (duke ndikuar edhe në perceptimin për veten).

Në raport me veten, gjithashtu rastet janë të shumëllojta. Një njeri që është pro idesë se qyteti u përket qytetarëve dhe jo personave specifikë, do ta shprehë atë qëndrim në mënyrat e veta: kritikon hapur shkatërrimin e qytetit, ngre zërin në atë zyrën ku po i shkelen të drejta. Kjo nuk neglizhon asnjë formë reagimi, pse është e rëndësishme të konsiderohet çfarë vetë personi vëren si të vlefshme, duke konsideruar kontekstin nga i cili vjen. Ja një shembull i bujshëm se si të vendosësh në zbatim atë që i thua vetes, e njeh në veprime.

Ama, nëse dikush e ka të vështirë të dalë nga dera e shtëpisë dhe i thotë vetes se do të dalë dhe del jashtë asaj dere, ndonjëherë apo shpesh, në varësi të qëllimit që i vendos vetes, kjo është të mbash fjalë që i thua vetes. Janë fort të rëndësishme fjalët që i themi vetes, qofshin ata të lidhura me veprime që të tjerët i shohin e qofshin të fshehura në bisedime që ndodhin veç në kokë.

Secili person mund të ketë situatat e veta që i vijnë ndërmend, të cilat i konsideron si të rëndësishme apo më pak të rëndësishme. Thelbi qëndron në faktin se të mbash fjalën, të vësh në veprim atë që shpreh se është e vërteta e personit, është vlerë njerëzore. Nuk pati as nuk ka rëndësi në ndonjë moment nëse një person është i një gjinie, race, moshe, orientimi seksual a diçka tjetër që e prezanton si pjesë të një grupimi apo komuniteti të caktuar. Të ndërtosh besim tek vetja e tek tjetri është me rëndësi për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme a perceptime pozitive.

Unë i qëndroj asaj që them pse jam qenie njerëzore. Ndaj, më datë 8 Mars, ju ftoj të varrosim burrërinë. Nuk ka asgjë të tillë, as superiore, as inferiore. Më vjen keq nëse parashtrimi për lajmërimin e vdekjes së burrërisë ka lënë ndokënd të revoltuar apo të zhgënjyer. Është e vërtetë që vdekjet e varrimet janë të rënda emocionalisht. Por janë të domosdoshme. Ndaj jeni të ftuar të gjithë të vini. Kodi i veshjes: jo veshje të zeza. Nuk mbahet zi për vdekje, asgjë nuk mitizohet pas vdekjes.

(c) 2022 Oksana Duqi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin