Më 9 korrik 2026 në Shkodër u vra Bardhë Ziçi nga bashkëshorti i saj.
Më 19 shtator 2026 në Tiranë u vra Lumturie Patushi nga bashkëshorti i saj.
Më datën xx të muajit yy të vitit zzzz u vra në … gruaja AB nga bashkëshorti, i fejuari, partneri, “i dashuri” i saj…
Viktimat e djeshme kanë emra. Ato të nesërmet jo.
Ndërsa shkruaj këto rreshta, një grua tjetër në vendin tonë mund të mos jetë më.
Një shtëpi. Një burrë. Një grua. Një konflikt.
Dhe një jetë që mbaron.
Sa herë duhet ta përsërisim të njëjtën histori për të kuptuar se kjo nuk është më një seri ngjarjesh të veçuara?
Është një model.
Na e kanë mësuar gabim burrërinë. Na kanë thënë:
Burri nuk qan.
Burri nuk kërkon falje.
Burri nuk tërhiqet.
Burri nuk humbet.
Burri duhet të ketë fjalën e fundit.
Burri duhet të mbajë shtëpinë.
Burri vendos.
Dhe, diku në fund të kësaj liste, kemi vendosur pa e thënë me zë:
Gruaja bindet.
Këtu fillon problemi.
Sepse kur një burrë mëson se autoriteti i tij duhet të provohet mbi një grua, kontrolli mund të fillojë të duket si dashuri, xhelozia si përkujdesje dhe frika si respekt.
Fillon me një pyetje: “Ku ishe?”
Pastaj: “Me kë ishe?”
Pastaj:“Ma jep telefonin.”
“Mos u vish kështu.”
“Me atë shoqe mos rri.”
“Puna nuk të duhet.”
“Paratë t’i mbaj unë.”
“Fëmijët nuk t’i jap.”
“Po më le, do ta shohësh.”
Dhe një ditë, shumë më vonë, mund të vijë dhuna. Pastaj mund të vijë vdekja.
Por historia kishte nisur shumë më herët.
Tridhjeteshtatë jetë të ndërprera
37
Kjo nuk është thjesht statistikë.
Gjatë viteve 2021–2024, në Shqipëri janë vrarë 37 gra dhe vajza. Sipas Observatorit të Femicidit pranë Avokatit të Popullit, 73 për qind e këtyre rasteve janë vlerësuar si femicide.
Vetëm për vitin 2024 janë analizuar 18 raste të dhunës ekstreme ndaj grave dhe vajzave. Në 72 për qind të tyre, viktimat kishin përjetuar më parë dhunë nga autori.
Në vitin 2024, viktimat ishin nëna të 33 fëmijëve. Nëntë prej tyre ishin të mitur.
Ndaluni një çast këtu.
Sepse statistika thotë 37. Por jeta nuk njeh statistikë.
Jeta njeh një nënë.
Një motër.
Një vajzë.
Një grua.
Një zë që nuk do të dëgjohet më.
Një karrige bosh në tavolinë.
Një fëmijë që pret.
Një telefon që nuk do të bjerë më.
37 gra nuk janë 37 numra.
Janë 37 jetë të ndërprera.
Dhe pas tyre ka qindra jetë të tjera të ndryshuara përgjithmonë.
Mos na thoni se “ishte vetëm një konflikt”
Raportet e Observatorit të Femicidit tregojnë se në periudhën 2021–2023, rreth 90 për qind e viktimave kishin përjetuar më parë dhunë nga autorët.
Kjo do të thotë se, në shumë raste, vrasja nuk ishte fillimi.
Ishte fundi.
Fundi i një historie që kishte filluar shumë më herët.
Me një fyerje.
Një kërcënim.
Një kontroll.
Një goditje.
Një falje.
Një premtim.
Një tjetër goditje.
Një tjetër falje.
Dhe ndonjëherë, një sistem që e pa rrezikun, por nuk arriti ta ndalojë në kohë.
Prandaj pyetja nuk duhet të jetë vetëm:
“Pse e vrau?”
Duhet të jetë edhe:
“Çfarë ndodhi përpara se ta vriste?”
Dhe, mbi të gjitha:
“Çfarë nuk funksionoi ndërsa ajo ishte ende gjallë?”
DREQI TA HAJË. BËHU BURRË
Këtë herë, këtë fjali dua t’ia them burrit.
Jo si fyerje.
Si sfidë.
Bëhu burrë aq sa të pranosh një “jo”.
Bëhu burrë aq sa të përballosh një “po iki”.
Bëhu burrë aq sa të pranosh se një grua mund të mos të dojë më.
Bëhu burrë aq sa të largohesh pa kërcënuar.
Të humbasësh pa u hakmarrë.
Të qash.
Të thuash:
“Kam gabuar.”
Dhe:
“Më fal.”
Këto dy fjalë nuk të bëjnë më pak burrë.
Përkundrazi.
Ndoshta janë dy nga fjalët më të vështira që një burrë mund të thotë.
BURRËRIA ËSHTË EDHE KUJDES
Për vite kemi thënë:
“Burri është shtylla e familjes.”
Mirë. Atëherë le të kuptojmë çfarë do të thotë të jesh shtyllë.
Shtyllë nuk do të thotë të rrish në krye të tavolinës.
Do të thotë të mbash peshën.
Të punosh.
Të sigurosh.
Të mendosh për të nesërmen.
Të ndërtosh siguri financiare.
Të mos e përdorësh paranë si armë.
Të mos i thuash gruas:
“Unë të mbaj.”
Por:
“Ne e ndërtojmë bashkë.”
Por kujdesi nuk është vetëm financiar.
Është edhe emocional.
Bëhu ai që e merr fëmijën nga shkolla kur gruaja është e lodhur.
Ai që gatuan darkën pa pritur t’i kërkohet.
Ai që e di kur fëmija ka frikë.
Ai që e kupton kur gruaja nuk ka nevojë për një zgjidhje, por për dikë që ta dëgjojë.
Ai që pyet:
“Si je?”
Dhe pret përgjigjen.
Sepse një burrë nuk është vetëm ai që sjell para në shtëpi.
Është ai që sjell siguri.
Dhe siguria nuk matet vetëm me para.
Matet me qetësinë me të cilën fëmijët dëgjojnë hapat e babait.
Matet me lirinë e gruas për të folur pa frikë.
Matet me ndjesinë:
“Jam e sigurt këtu.”
Kjo është pasuri.
DASHURIA NUK ËSHTË PRONËSI
Një burrë nuk është i madh sepse kontrollon telefonin e gruas.
Është i madh kur i beson.
Nuk është i madh sepse kontrollon llogarinë e saj bankare.
Është i madh kur ndërton me të siguri.
Nuk është i madh sepse vendos se me kë mund të takohet.
Është i madh kur nuk ka nevojë ta kufizojë për t’u ndier i sigurt.
Nuk është i madh sepse thotë:
“Ti je e imja.”
Është i madh kur kupton:
“Ti je e jotja. Dhe zgjedh të jesh me mua.”
Kjo është dashuri.
Gjithçka tjetër mund të jetë pronësi e maskuar.
BURRAT DUHET TË FLASIN ME BURRAT
Kjo pjesë na mungon.
Mos më thoni vetëm:
“Unë nuk jam si ata.”
Mirë. Atëherë çfarë bën kur shoku yt është si ata?
Kur kontrollon telefonin e partneres?
Kur thotë:
“Është e imja”?
Kur e poshtëron?
Kur e kërcënon?
Kur e ndjek pas ndarjes?
Kur thotë:
“Po më la, nuk e di çfarë bëj”?
Mos i thuaj:
“Mbaje nën kontroll.”
Mos i thuaj:
“Bëhu burrë.”
Thuaji:
“Ndal.”
Thuaji:
“Ajo nuk është e jotja.”
Thuaji:
“Nuk ke të drejtë.”
Dhe nëse mendon se një grua është në rrezik, mos prit tragjedinë që të kuptosh se duhej të veproje.
HESHTJA NUK ËSHTË PAANËSI
Ndonjëherë është komoditet.
Ndonjëherë është frikë.
Ndonjëherë është besnikëri e gabuar.
Dhe ndonjëherë është ajo fjalia jonë e vjetër:
“Mos u përziej.”
Jo.
Do të përzihem.
Do të përzihemi.
Sepse kur një grua rrihet, nuk është më “punë shtëpie”.
Kur kërcënohet, nuk është “punë burri”.
Kur kontrollohet, nuk është “dashuri”.
Kur ndiqet, nuk është “xhelozi”.
Dhe kur vritet, është shumë vonë.
DHE SHTETI DUHET TË JETË ATY
Një grua që thotë “kam frikë” nuk duhet të presë të vërtetohet se kishte të drejtë duke u vrarë.
Ajo duhet mbrojtur ndërsa është gjallë.
Policia.
Prokuroria.
Gjykatat.
Shërbimet sociale.
Bashkitë.
Shkollat.
Mjekët.
Të gjithë duhet të jenë pjesë e të njëjtit zinxhir mbrojtjeje.
Raportet e Avokatit të Popullit kanë kërkuar forcimin e vlerësimit të hershëm të rrezikut, koordinimin institucional dhe monitorimin e rasteve. Është rekomanduar gjithashtu njohja ligjore e femicidit si vepër penale e veçantë.[1]
Këto nuk janë fjalë burokratike.
Janë diferenca midis:
“Ajo ishte gjallë.”
dhe:
“Ajo nuk është më.”
DHE MOS PYETNI: “PSE NUK IKU?”
Kjo pyetje më ka lodhur.
Sepse është pyetja më e lehtë.
Ku të shkonte?
Me çfarë parash?
Me çfarë pune?
Me cilën shtëpi?
Me fëmijët ku?
Me çfarë mbështetjeje?
Dhe si largohet një grua nga dikush që e ka bindur për vite se nuk mund të jetojë pa të?
Mos i kërkoni viktimës të bëjë heroizëm çdo mëngjes.
Ndërtoni një sistem ku ajo të mund të shpëtojë.
Ne u mësojmë djemve si të fitojnë.
Të fitojnë garën.
Punën.
Paratë.
Pozitën.
Dhe, ndonjëherë, edhe një grua.
Duhet t’u mësojmë diçka tjetër:
si të humbasin.
Sepse një ditë do të humbasin.
Një punë.
Një biznes.
Një garë.
Një dashuri.
Një martesë.
Një ëndërr.
Dhe atëherë duhet të dinë të thonë:
“Më dhemb. Por do të jetoj.”
Jo: “Do ta shkatërroj.”
NJË BURRË I VËRTETË DUHET TË DIJË TË HUMBASË NJË GRUA PA E SHKATËRRUAR ATË.
Ky është mësimi.
37 GRA. Mos i lini të bëhen një statistikë.
Sepse statistikën e lexojmë dhe vazhdojmë kafen.
Por nëse do të ishte nëna jote?
Motra jote?
Vajza jote?
Gruaja jote?
Ndoshta do ta lexoje ndryshe.
Dhe ky është problemi.
Ne zemërohemi më shumë kur viktima ka një fytyrë që njohim.
Duhet të na dhembë edhe kur nuk e njohim.
Nuk dua më burra që thonë:
“Unë nuk jam si ata.”
Dua burra që thonë:
“Nëse një burrë dhunon një grua, unë nuk do ta mbroj.”
Dua baballarë që u mësojnë djemve:
“Gruaja nuk është pronë.”
Dua nëna që u mësojnë djemve:
“Mos e ngatërro dashurinë me kontrollin.”
Dua miq që i thonë shokut:
“Jo. Këtë nuk e bën.”
Dua burra që e kuptojnë se një grua e lirë nuk është kërcënim.
Është njeri.
Është partnere.
Është nënë.
Është vajzë.
Është motër.
Është kolege.
Është qytetare.
Është një jetë më vete.
DREQI TA HAJË.
BËHU BURRË.
Bëhu burrë aq sa të kujdesesh.
Bëhu burrë aq sa të punosh për familjen.
Bëhu burrë aq sa të ndash barrën.
Bëhu burrë aq sa të jesh baba, jo vetëm pagues.
Bëhu burrë aq sa të ndërtosh siguri financiare pa e kthyer paranë në zinxhir.
Bëhu burrë aq sa të dëgjosh.
Bëhu burrë aq sa të kërkosh falje.
Bëhu burrë aq sa të qash.
Bëhu burrë aq sa të kërkosh ndihmë.
Bëhu burrë aq sa të pranosh një “jo”.
Bëhu burrë aq sa të përballosh një ndarje.
Bëhu burrë aq sa të humbasësh pa vrarë.
Bëhu burrë aq sa të largohesh pa kërcënuar.
Bëhu burrë aq sa të mos përdorësh fëmijët si armë.
Bëhu burrë aq sa të mos e kthesh shtëpinë në burg.
Bëhu burrë aq sa të mos e kthesh dashurinë në pranga.
Dhe mbi të gjitha:
Bëhu burrë aq sa të pranosh se ajo është e lirë.
Ajo nuk është prona jote.
Nuk është nderi yt.
Nuk është pasuria jote.
Nuk është trupi yt.
Nuk është përgjegjëse për egon tënde.
Nuk është përgjegjëse për zemërimin tënd.
Ajo është njeri.
Dhe jeta e saj nuk është në dorën tënde.
As në emër të dashurisë.
As në emër të familjes.
As në emër të traditës.
As në emër të nderit.
As në emër të Kanunit.
Asnjëherë.
Sepse, në fund, një burrë nuk provohet nga ajo që mund t’i bëjë një gruaje.
Provohet nga ajo që zgjedh të mos i bëjë.
Dhe një shoqëri nuk matet vetëm me numrin e grave që varros.
Matet me numrin e grave që arrin t’i mbajë gjallë.
Prandaj, sot, pas një gruaje tjetër të vrarë në një banesë në Tiranë, nuk dua një tjetër status:
“Sa e tmerrshme.”
Nuk dua një tjetër ditë zie në Facebook.
Nuk dua një tjetër tufë lulesh.
Nuk dua një tjetër deklaratë.
Dua një pyetje që na shqetëson:
Çfarë do të bëjmë për gruan tjetër që sot është ende gjallë dhe ka frikë?
Sepse ajo është diku.
Në një shtëpi.
Në një lagje.
Në një zyrë.
Në një fshat.
Ndoshta shumë pranë nesh.
Dhe ndoshta sot po mendon:
“A do të më besojë dikush?”
Përgjigjja jonë nuk mund të jetë një postim.
Duhet të jetë një sistem.
Një mik.
Një burrë që ndalon një burrë tjetër.
Një polici që vepron.
Një gjykatë që mbron.
Një shoqëri që nuk hesht.
Dhe një djalë që rritet me një përkufizim tjetër të burrërisë.
Dreqi ta hajë.
Bëhu burrë.
Jo aq sa të kesh frikë nga një grua.
Aq sa të mos kesh nevojë ta trembësh.
(c) 2026 Flora Skëndo. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
[1] Rekomandime për Bashkitë, për Gjykatat, për Ministrinë, për Policinë e Shtetit, për Prokurorinë, jepen tek: https://www.avokatipopullit.gov.al/sq/articles/general-issues/e-drejta-e-grave/rekomandime-n-kuadr-t-observatorit-mbi-femicidet-1138/
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.