KY GENTILHOMBRE NGA PRIZRENI

playbillSapo u ktheva nga një koncert i kitaristit Petrit Çeku, në TKOB në Tiranë – ku dëgjova dy pjesë të Joaquín Rodrigo-s: Concierto de Aranjuez dhe Fantasía para un gentilhombre.

Për ata që ende nuk e njohin, Petrit Çeku është një kitarist i shquar nga Kosova, fitues i disa çmimeve dhe konkurseve ndërkombëtare; dhe autor i një albumi (Guitar Recital) të botuar nga NAXOS.

Më kishin thënë që ishte virtuoz, edhe pse ky cilësim ndonjëherë është në kufirin midis interpretimit artistik dhe cirkut; por Çeku, siç e pashë unë sonte, m’u shfaq si anëtar i një klubi shumë, shumë të rralluar mjeshtrish të kitarës, në nivel planetar.

Kur pashë posterin e koncertit, më stepi pak repertori – ngaqë Concierto de Aranjuez është nga më të njohurit koncerte për kitarë dhe orkestër, madje “koncerti” për antonomazi; ose çfarë do ta quaja trëndafili i muzikës serioze për instrumentin: vështirë të gjesh dikë që të mos i pëlqejë, edhe me dëgjim të parë.

Kaq herë e kam dëgjuar këtë pjesë, sa thashë me vete: Çeku duhet të jetë vërtet i jashtëzakonshëm, që të arrijë të më prekë emocionalisht.

Ishte, madje edhe më tepër.

Kur shoh një kitarist të mirë që të luajë, gjithnjë më hipnotizojnë gishtat e dorës së majtë: ndryshe nga pianistit, ose edhe violinistit, atij që luan në kitarë mund t’ia ndjekësh, në hollësi, vallen e gishtave.

Dora e Çekut, që në fillim, më kujtoi një merimangë të magjishme, të përfshirë në gjithfarë punësh enigmatike, përgjatë bishtit të instrumentit – dhe rezultat i kësaj ecejake, është muzika, e cila nuk shihet, por dëgjohet.

Në fakt, krejt eksperienca e një koncerti live i detyrohet shumë pamjes së lëvizjeve në orkestër: harqet, krahët e violinisteve, vetullat e trumbetistit, ose përvjedhja prej magjepsësi kobrash, e oboistit.

Ka një koreografi të përmbajtur, të përkorë deri në shtrëngim; por që njëkohësisht pulson, si frymëmarrja e një qenieje tepër të gjallë dhe të ndjeshme. Orkestra simfonike – sa herë që e shoh dhe e dëgjoj, mendoj se është ndoshta maja ose kreshta e qytetërimit Perëndimor.

Nën drejtimin e maestros Edmond Doko, orkestra e TKOB-it e përçoi me kompetencë rolin e saj – si vitrinë dhe kontrapunkt i interpretimit të Çekut.

Mbrëmja u hap me pjesën ndoshta më pak të njohura, nga të dyja që ishin përzgjedhur: Fantasía para un gentilhombre, një koncert për kitarë dhe orkestër, edhe ky, i mbështetur në gjashtë valle për kitarë solo, nga kompozitori Gaspar Sanz (1640-1710). Vallet janë baroke folk për nga natyra dhe e kanë ruajtur këtë frymë edhe në veprën e Rodrigo-s.

Dhe meqë muzika baroke e ka gjithnjë një element ceremonial, nëse duam edhe formulaik, madje matematik në drejtpeshimin dhe harmoninë e vet, ia lejova vetes të mendoj, gjatë koncertit dhe më pas, për trashëgimin ose, më mirë, transmetimin e formave – nga folklori spanjoll i shekullit XVII, te partiturat e Sanz-it, dhe pastaj te fantazia e Rodrigo-s, e shkruar për André Segovia-n – “gentilhombre-ja” i titullit të pjesës; dhe më në fund, të njëjtat forma, të njëjtat ritme, të njëjtat valle, në gishtat e kitaristit Çeku – si një rrjetë merimange e shtrirë në kohë, që na bën të gjithëve pjesë të së tërës, duke na dhënë kuptim, në mos drejtim.

E gjithë kjo, përjetohet e ndërmjetësuar nga tingulli.

Sa për Concierto de Aranjuez, koha e dytë e këtij kompozimi të Rodrigo-s është kaq e njohur, kaq e admiruar dhe kaq e përhapur në versione gjithfarësh, sa duket e pabesueshme që ajo i përket veprës së parë që shkroi ai për kitarë, në vitin 1939; sepse, në fakt, kur e dëgjon të krijon bindjen se ka qenë gjithnjë në botë, objekt sublim, i pamungueshëm; pjesë e rendit të sendeve.

E vështirë është ta besosh edhe se Rodrigo vetë nuk dinte t’i binte kitarës; dhe se koncertin e ka kompozuar në piano.

Ndryshe nga Fantasía, që më transporton mendërisht në Europën baroke, ballot aristokratike dhe fundet e rënda të grave që edhe vallëzojnë edhe valëzojnë, Concierto de Aranjuez më ndjell gjithnjë një trishtim prej fëmije, trishtimin e fëmijës tek unë, dhe trishtimin për fëmijën që kam qenë – kushedi ka diçka të bëjë me pafajësinë. Këtë frymë e pikëlluar, ku atyre pak përpjekjeve në mazhor gjithnjë u thyhen gjunjët dhe përfundojnë të shtrira në minor, disa e kanë shpjeguar me bombardimin e Guernica-s në 1937; por e shoqja e Rodrigo-s ka dhënë më pas një shpjegim tjetër më personal, duke e paraqitur si reagimin e kompozitorit ndaj një fatkeqësie në familje: dështimin e fëmijës së parë.

Por koha e dytë e Aranjuez-it – më e njohura – i rrëfen secilit prej nesh një histori më vete, sa intime aq edhe të papërsëritshme, sikurse di ta rrëfejë vetëm muzika; dhe kush e ka parasysh temën e kësaj kohe, do ta ketë vënë re se si ajo shtjellohet në kohë, me ngadalë, në mënyrë gati elegjiake, herë duke kënduar dhe herë duke psherëtirë.

Ka edhe aty shumë frymëmarrje; diçka që e siguron orkestra, si një lloj oksigjeni aq të nevojshëm për solistin.

Që pa mbaruar koha e tretë e koncertit të Aranjuez-it, kisha filluar të parashikoja, me mendje, se çfarë do të luante Çeku si encore; u luta për diçka nga Francisco Tarrega, dhe, lo and behold, ashtu ndodhi: Recuerdos de la Alhambra, një miniaturë për kitarë solo, ku instrumenti këndon, napolitan i përmalluar, buzë detit. Nuk besoj të ketë pjesë tjetër, më të përshtatshme, që të provojë se kitara është e vetëmjaftueshme, botë e plotë dhe e përmbyllur, po aq sa edhe pianoja.

(Romantiku brenda meje do të kish dashur edhe një Capricho Arabe – por kushedi po e teproja.)

Natë e bukur në Tiranë.

Nuk ka komente

  1. 2Xha: ‘Natë e bukur në Tiranë.”
    Uroj t’i kesh te shpeshta. Imagjinoj se bukuria pazgjidhmerisht eshte e lidhur me nje ndjenje te lehte trishtimi te dickaje qe kaloi(kalon) dhe e nevojes te realizimit. Nga fillimi i minutes se shtate te Concierto de Aranjuez, pjesa e dyte sic e permend, te fut ne embelsine e trishte te psheretimes.
    Te jesh ne Tirane minuta e 16te e me tej e pjeses te fameshme, besoj te krijon balancen e nevojshme te pranosh se jeta te rreshket neper shale me nje mori deshtimesh e realizimesh ku spikasin disa ne vecanti.
    E nje fishkellime gjelleruese te nxjerr nga meditimi. 🙂

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: