SEMIOTIKA E TATËPJETËS

Një artikull i Parul Sehgal, në The New York Times, kushtuar romanit të fundit të Salman Rushdie-ut, Quichotte, vëren se romanet e reja të këtij autori sa vijnë e tingëllojnë të fryrë dhe artificialë, duke e quajtur Rushdie-un “shkrimtar që ka marrë tatëpjetën (a writer in free fall).” Që një autor i njohur, në moshë të shtyrë, fillon të nxjerrë nga dora vepra të dobëta në mos të palexueshme, kjo duket të jetë më shumë rregull, se përjashtim në letërsinë e sotme. Dhe që nuk lidhet thjesht me faktin që shkrimtarët – falë Zotit – po jetojnë më gjatë.

Çfarë po ndodh? Romani i fundit i Kunderës, La fête de l’insignificance më është dukur aq i keq, sa të mos e lidh dot me veprën tjetër, aq të admirueshme, të atij autori. Romanet e fundit të Umberto Ecos, Il cimitero di Praga dhe Numero Zero i kam gjetur njëlloj të pashijshme (madje të parin e lashë përgjysmë, nuk e shtyja dot). Kadareja ynë, pas 1990-ës, ka nxjerrë edhe ai një numër veprash të flashkëta – duke filluar nga Aksidenti (por jo vetëm). Të ketë të bëjë kjo thjesht me moshën dhe uljen e ndjeshmërisë letrare dhe të forcës së imagjinatës? Me atë që suksesi i çliron autorët nga ankthi i të (mbi)jetuarit dhe i shkëput nga travajet e përditshme, duke i mbyllur e izoluar në një lëvozhgë arre në shoqëri admiruesish, përfituesish dhe puthadorësh dhe duke ua hequr stimulimin intelektual? Të lidhet ndoshta edhe me megalomaninë, si faza e fundit të paranojës së suksesit, ose me bindjen se gjithçka u del nga dora është flori?

Sa më lart janë faktorë jashtë-letrarë. Sikurse ka edhe nga ata autorë që, pasi kanë shpërthyer tregjet, kanë vazhduar të shkruajnë pa frymëzim, për të plotësuar detyrimet kontraktuale (për të cilat kanë marrë edhe paradhënie shpesh të majme); por nuk besoj të jetë ky rasti për të mëdhenjtë më sipër. Pyetja që dua të bëj, dhe mundësisht edhe t’i përgjigjem, është mos veprat e vona të një autori të suksesshëm janë vetvetiu të dënuara, letërsisht të dënuara, për ta zhgënjyer lexuesin, për shkak të thjesht pragmatikës së procesit letrar.

Dhe pikërisht: çdo autor (më pas) i shquar e fillon rrugëtimin letrar drejt suksesit nëpërmjet një risie madhore – të cilën më pas e shtjellon dhe e përsos. Në momentin që kjo risi nuk gjen më vend për t’u shtjelluar, fillon dekadenca, ose përsëritja e vetvetes. Vetëm se, që të ndodhë dhe sidomos që të perceptohet kjo nga lexuesi, duhet që ky i fundit të operojë me kategorinë semiologjike të autorit, si karakteristikë e një teksti. Në kuptimin që çdo roman i ri i, të themi, Kunderës, do të lexohet jo vetëm në kontekstin e eksperiencës letrare specifike të lexuesit, por edhe të leximeve të veprave të mëparshme të Kunderës.

Suksesi i djeshëm, në këtë rast, e çon lexuesin ta marrë në dorë një libër të ri për shkak të emrit të autorit në kopertinë, i cili perceptohet sikur ofron garanci “letrare”. Kështu, Varreza e Pragës e Umberto Eco-s lexohet nga shumë prej atyre që e njohin Eco-n si autor të Emrit të trëndafilit dhe që presin të rijetojnë eksperiencën e kontaktit me një kryevepër (madje edhe kur nuk e kanë lexuar Emrin). Zhgënjimi vjen jo aq nga teksti specifik, sa nga pritjet krahasimtare; në kuptimin që vetë emri Umberto Eco, në kopertinën e romanit të ri, funksionon si premtim, duke nënkuptuar: “shkrimtar i madh.”

Idealisht, lexuesi duhet ta japë në mënyrë autonome gjykimin nëse një vepër është apo jo e arrirë, qoftë edhe kryevepër; dhe në çdo rast, eksperienca e lexuesit që e jep këtë përfundim kur e mbaron veprën nuk i ngjan shumë eksperiencës së atij lexuesit tjetër, që e nis veprën me bindjen se ka në dorë një kryevepër, që i kërkon veprës ta mahnitë (teknikisht: lexuesit të kushtëzuar nga parateksti). Ky ndryshim vjen e bëhet edhe më dramatik, kur fillon të veprojë silogjizmi përtac që, meqë aksh shkrimtar ka shkruar kryevepra, atëherë çdo vepër e re që botohet me emrin e tij në kopertinë do të jetë e tillë. Botuesve u intereson komercialisht ky iluzion, sepse ashtu edhe shesin më shumë: prandaj edhe, kur del një roman i ri i Rushdie-s, shkruajnë në kopertinë: “nga autori i Vargjeve Satanike”, për të përfituar nga fama e këtij romani të mëparshëm[1]. Por ky operacion ka të bëjë me shitjen e librave, jo me vlerën e tyre letrare.

Mekanizmi vepron edhe në nivelin autorial. Çdo autor i suksesshëm vihet të shkruajë rishtas i vetëdijshëm për peshën e suksesit të tij, që ia rëndon e ngadalëson dorën deri në paralizë. Tekstet e reja dalin kështu gjithnjë me bashkautor: ai që i shkruan (stili), dhe hija e “autorit” që u jep një formë të caktuar, nëpërmjet mekanizmit të imperativit intertekstual (nuk po merrem me dukurinë e ghost writers, që kërkon vëmendje më vete dhe që, gjithsesi, nuk më duket se ngre peshë në kontekstin e këtij shkrimi). Këtë argument mund ta shtjellojmë edhe duke thirrur në ndihmë “lexuesin model” të Eco-s: autori, si kategori semiotike, ndërron lexues model, duke përfshirë aty edhe një kompozitë të së gjithë atyre që ia kanë pëlqyer veprën e mëparshme – dhe që duhen kënaqur sërish. Të themi: pritjet e autorit model për pritjet e lexuesit model: një labirint pa dalje. Sa më shumë të shkruajë një autor, aq më shumë i popullohet çmendina e lexuesve model – derisa vjen një moment kur vetë eksperienca e krijimit letrar kthehet në një formë disiplinimi psikotik të penës.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Vargjet satanike e vuajti, dhe vazhdon ta vuajë, politizimin që i ndodhi, pas dënimit të romanit dhe të autorit nga autoritetet fetare në Iran. Shumë lexues e blenë librin dhe e lexuan të tërhequr nga ideja e blasfemisë; dhe për këta lexues vlerat mirëfilli artistike të romanit kaluan pa u vënë re. Nëse Vargjet satanike është kryevepra e Rushdie-s, atëherë ekspozimi i saj për shkak të fatvasë ishte edhe dënimi i saj me vdekje, si vepër arti. Në një farë mënyre fatvaja ia arriti qëllimit, edhe pse ndaj veprës, jo autorit.

6 Komente

  1. Dhe në fakt, Eco-ja diku shkruan që e kupton suksesin ose mos-suksesin e çdo vepre të re duke parë sa rriten në atë periudhë shitjet e… “Emrit të trëndafilit”.

  2. Vleresimi nje vepre letrare apo arti te sapo dale eshte teper kompleks, mendoj se nuk jan as kritiket as kulturalistet as shitjet ata qe vleresojne por koha, koha e ka treguar qe mendimi kritik ka qene gjithmon ne bisht te situates, naturisht krijuesi shikon me larg se gjojakritiku…nje veper do distance te vleresohet, un vet nuk besoj qe periudha e fundit ka renie ne shume author, as edhe tek Kadareja (mendimi im personal) ne me te shumtet ajo i hap probleme bashkekohesve, dhe shpesh ajo periudha e fundit eshte pikerisht triumfi i tyre…nuk jam i sigurte ne letrsi por ne pikture e cila nuk e ka komoditetin e letersise, sepse do edhe fuqi fizike, periudha e fundit e cila nga bashkekohesit eshte masakruar ka rezultuar ne kohe triumf i artisteve, po permend Velasquez me Las meninas triumfin e tij, Tizianin punet e fundit te nje teknike marramendese, Goya me black paintings, shpirti animalesk i pasteleve te fundit te Degas, pa permendur Cezanne i cili ishte totalisht i injoruar dhe sidomos periudha e fundit e artit te tij i nxorri kancerin nga zorret artit te kohes dhe i hapi nje dritare te madhe brezit te ri nderkohe qe bashkekohesi i tij Bouguereau dhe te tjere qe kaleronin sot ju ka humbur emri, etj, etj

    1. Shkrimi më lart i kushtohej letërsisë – shembujt nga piktura nuk shërbejnë si argumente. Edhe unë mund të sillja kundërshembuj nga muzika ose filmi.

      Më habit përbuzja juaj për kritikët dhe “gjojakritikët” (shprehja juaj), sidomos në raport me krijuesit.

      Ky qëndrim romantik i shekullit XIX sot nuk mund të përligjet më, tingëllon të paktën naiv.

      Ka kritikë të mirë dhe të dobët, njëlloj siç ka krijues të mirë dhe të dobët. Ka kritikë konservatorë dhe dashakeq, sikurse ka krijues megalomanë.

      Por kritikët janë pjesë e ekosistemit letrar; dhe kur mungojnë letërsia vuan.

      Ju shpjegoni se vlerën e një vepre e përcakton “koha” – por ndoshta nuk e vini re se koha është një metaforë për historinë; dhe historinë e një vepre e përcaktojnë edhe kritikët.

      Që një vepër të tërheqë vëmendjen e lexuesit, shpesh në mos gjithmonë duhet që vlerat e saj t’i evidentojë kritika.

      Aq më tepër që shumë kritikë nuk shprehin thjesht mendimet dhe shijet e veta si lexues, por përpiqen t’i afrohen veprës nga pikëpamja e lexuesit.

      Meqë e përmendni Kadarenë në komentin tuaj, ju kujtoj se suksesi i madh i tij në Perëndim dhe veçanërisht në Francë i detyrohet kritikës, që e priti shumë mirë.

      Dhe këtu nuk e kam fjalën për kritikën si institucionin AUTORITET për të gjetur dhe sanksionuar vlerat artistike të një vepre, por për kritikën si NDËRMJETËSIM të veprës me lexuesin dhe si organizuese të përjetimit letrar.

      1. Me vjen keq z.Vehbiu qe jeni zgjatur me shpjegimin tuaj ndaj nje komenti qe peremrin vetor une e shkruan “un”.Nese nuk njeh drejteshkrimin e gjuhes shqipe aq me pak mund te njohesh letersine.

  3. Ajo qe quhet “Kritika e re” ka nje perqasje empirike e per pasoje shkencore ndaj veprave letrare. Ne kete kuptim, te frymezohesh nga nje artikull ne NYT qe te risjell ne mendje nje ide qe e ke patur mbi dy tre autore te tjere e te shkruash duke u perpjekur ta pergjithesosh kete ide me duket pak e tepruar. Dmth, pavaresisht se duket nje ide interesante per letersine, nuk ka evidence te mjaftueshme per ta pranuar si te vertete.

    1. Unë kam studiuar dhe studioj aktivisht semiotikë letrare; dhe nuk pres ndonjë iluminim kushedi çfarë nga një artikull i NYT. E shumta, ky artikull më konfirmon dyshime që i kam pasur prej kohësh dhe më shërben si “hook” për çfarë dua të parashtroj dhe pikërisht: a është varfërimi artistik efekt i pashmangshëm i pranisë persistente të autorit si efekt (inter)tekstual, në vepra të njëpasnjëshme? Aq më tepër që artikullin e sjell këtu kryesisht për ata lexues të cilët nuk e kanë ekspertizën time në këtë fushë, dhe që mund ta përdorin jo për të miratuar mendimet e mia (për opinionet e mia të fushës unë nuk kërkoj miratim nga lexuesi mesatar), por për t’u stimuluar të mendojnë kushedi ndryshe nga ç’i ka mësuar kritika sociologjike. Vetëm se po ta shtroja temën e shkrimit si më lart me shkronja të zeza, do ta trembja lexuesin. Edhe shembujt e tjerë që kam sjellë, nuk bazohen aq mbi idetë e mia mbi “dy-tre autorë”, por janë një përzgjedhje e eksperiencës sime në vite; sepse nuk mund të sjell njëqind autorë si shembull në një ese të vogël të botuar në një revistë online (përndryshe do ta bëja doktoratë). Sërish, ata dy-tre autorë i sillen lexuesit, me presupozimin që ai ka kulturë të përgjithshme të mjaftueshme për të kuptuar se çfarë po them, edhe pse jo specializim në semiotikë letrare dhe narratologji (po ta ketë atë profil, nuk do të ketë shumë çfarë të mësojë nga shkrimi). Nëse ke dëshirë të lexosh më tej nga shkrimet dhe sidomos idetë e mia në këtë fushë specifike, të sugjeroj esenë e zgjeruar “Për një histori formale të letërsisë shqipe”, të cilën e gjen te Fraktalet e shqipes (Excipere, Botime Çabej, 2007), dhe që i drejtohet një lexuesi model më të specializuar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin