SHUHET ALBANOLOGU WILFRIED FIEDLER

Prof. Bardhyl Demiraj pati mirësinë të na dërgojë njoftimin e mëposhtëm:

Albanologjia në Gjermani tronditet rishtas këtë vit me një ngjarje të hidhur. Largohet papritur prej nesh Wilfried Fiedler, i mirënjohur në diskursin kulturor intelektual shqiptar dhe ballkanik si njohësi më i thelluar dhe më produktiv në studimet gjuhësore albanologjike dhe ato ballkanike bashkëkohore në hapësirën gjermanishtfolëse, anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Wilfried Fiedler lindi në vitin 1933 në Oberfrohna (Saksoni/RFGJ) dhe u shpërngul qysh në rini në Berlin, ku studioi në Universitetin Humboldt në fushat e sllavistikës e të filologjive të tjera të Europës Juglindore dhe Lindore. Prej vitit 1955 filloi karrierën e tij shkencore si punonjës shkencor në institutin e Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave të Gjermane (në Berlinin lindor) dhe katër vite më vonë, pas njohjes së thelluar të shqipes edhe si docent i saj në Universitetin Humboldt. Ky angazhim e shoqëroi 30 vjet me radhë aktivitetin e tij shkencor-universitar dhe intelektual (1957-1989). Bashkimi i Gjermanisë e solli Fiedler-in në Perëndim, në Universitetin elitar Ludwig-Maximilian të Mynihut, si pasardhës i profesurës për albanologji që kishte themeluar profesor Martin Camaj, një pozicion ky që e shoqëroi deri në daljen e tij në pension (1991-1998). Angazhimi universitar, krahas atij shkencor, mbeti gjithsesi deri në fund pjesë e jetës së tij aktive si specialisti i shumëkërkuar i shqipes në universitetet e Jenës dhe të Mynihut.

Kontakti i parë i Wilfried Fiedlerit me gjuhën shqipe u përftua qysh në vitin 1957 gjatë një ekspedite etnografike disamujore në terren, ndërsa për bashkëjetesën e tij për më shumë se gjashtë dhjetëvjeçarë me shkencat albanologjike ndikoi sidomos njohja me eruditin shqiptar Eqrem Çabej, me të cilin pati korrespondencë intensive deri sa ai u nda nga jeta (1980).

Aktiviteti shkencor i Wilfried Fiedler-it dallohet për paletën e gjerë të botimeve shkencore si autor e bashkautor në shumë lëmenj të filologjive ballkanike e lindore. Vepra e tij e fundit “Gramatikë e krahasuar e gjuhëve ballkanike” (ASHAK 2018, 830 f.) shënon një pikë kulmore në traditën e studimeve thuajse dyshekullore në balkanologji. Ndërkohë që është vështirë të kërkosh e të gjesh një fushë studimi në gjuhësinë shqipe, ku ky kolos erudit të mos ketë lënë gjurmët e veta të pashlyeshme, siç janë fjalorët dygjuhësh shqip-gjermanisht e gjermanisht shqip (1977-), “Gramatika e gjuhës shqipe” (1987), “Sistemi foljor i “Mesharit” të Gjon Buzukut” (ASHAK 2004), “Ndërtimi i shumësit në Shqipe” (ASHAK 2007), ndërsa punimet e veçanta arrijnë shifrën marramendëse prej 180 titujsh.

Përpos aktivitetit shkencor Wielfried Fiedler ishte i njohur në rrethin e tij shoqëror si mik i muzikës, organizator dhe anëtar i Orkestrës Akademike të Universitetit Humboldt (1966), zotërues virtuoz i oboes dhe i një sërë instrumentesh të rralla muzikore.

Largimi i tij është një humbje e madhe për të gjithë miqtë, kolegët e për të gjithë botën shkencore albanologjike, e cila e kujton me respekt dhe stimë të veçantë në këto momente zije dhe ngushëllimi të kulturës shqiptare.

Bardhyl Demiraj

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin