TESTI I FAQES 99

Zakonisht kur hyjmë në një librari jemi të prirur t’i hedhim një sy faqes së parë të librave që marrim në dorë, me dëshirën që të krijojmë një ide rreth përmbajtjes së tyre para se të vendosim nëse ia vlen t’i  blejmë. Por me sa duket jo të gjithë mendojnë se incipit është mënyra më e mirë e gjykimit të një romani. Një alternative interesante mbetet gjykimi i tij duke u nisur nga faqja 99. Dhe kjo ide (shoh që shpesh flitet edhe për teori) nuk është e ditëve tona. Kur mora të kërkoj për të rikujtuar detajet e saj, vërejta se ishte mjaft më e moçme se sa mendoja edhe unë vetë. Autori i saj është shkrimtari dhe botuesi Ford Madox Ford (1873-1939), për te cilin kemi pasur rast të flasim edhe më parë këtu në PTF.

Sipas tij, kjo faqe është më se e mjaftueshme për të mësuar nëse ia vlen apo jo një roman. Në faqen 99, e cila zakonisht gjendet aty te fundi i çerekut të librit, pak a shumë kemi kapur një pozicion strategjik vrojtimi; romani ka paraqitur tashmë personazhet dhe intrigën, ritmi ka marrë ecurinë e vet të dëshirueshme dhe në krahët e këtij ekuilibri të vendosur lexuesi i ardhshëm mund të gjykojë nëse i lind apo jo dëshira për të vazhduar më tej.

Janë të panumërt kritikët që nuk e shohin si absurde një teori të tillë. Shpesh herë drejtohemi në librari sepse duam të blejmë një libër për të cilin kemi dëgjuar se është vlerësuar me një çmim (fatkeqësisht, burim i pashtershëm zhgënjimesh), se na ka folur ndonjë mik (më pas kuptojmë se nuk kemi të njëjtat shije), se thjesht kemi dëgjuar diku (gjë që ka më shumë garanci), se njohim personalisht autorin (në këtë rast nuk zhgënjehem, vetëm se më vjen keq për autorin, gjithnjë kemi dëshirë që miku ynë të jetë edhe autor i suksesshëm), se bëhet fjalë për autorë të njohur të cilët i kemi vlerësuar nga leximet e mëparshme (në këtë rast edhe kur nuk na pëlqen themi se edhe mjeshtrit kanë orët e tyre gri) etj..

Po si i bëhet hallit kur gjendemi para një libri për të cilin nuk kemi asnjë ide, qoftë për subjektin, qoftë edhe për autorin? Për mua është problem i madh sepse gjithnjë ndihem keq kur nuk bëj pjesë te dora e parë e lexuesve të një libri të mirë.

Teoria e faqes 99 e Ford Madox Ford-it mbase nuk është zgjidhja magjike, por është një zgjidhje, një mundësi për të ditur se ku po vë këmbët.

Veçse ndryshe nga sa e prisja, vështirësia e paraqitjeve të teorive të tilla mbetet ilustrimi i vetë teorisë. Mund të mendosh se mjafton të zgjasësh dorën dhe të hapësh në faqen 99 ndonjë nga romanet e kohëve të fundit, që ke në bibliotekë. Por, më besoni se është problem më i madh se sa kujtohet. Të paraqesësh faqen 99  të një autori a autoreje bashkëkohor (e)  (flas gjithnjë për autorë shqiptarë) nuk është pa rrezik, prek një sferë dhe punë që ata i kanë kushtuar vite të tëra të jetës së tyre. E në kësi rastesh, njoh pak nga ata që janë të prirur t’ia nënshtrojnë atë testeve të ndryshme, përfundimet e të cilëve nuk ke si t’i parashikosh.

Më e mira do të ishte që autorë të ndryshëm të sillnin vetë faqen 99 të romaneve që kanë botuar (ka vlerë që të mos ketë asnjë shpjegim përkatës), si një mënyrë origjinale për të na njohur a rinjohur me veprën e tyre. Ka të drejtë të na sjellë të dhëna që flasin jo në favor të kësaj teorie, pra që faqja 99 e romanit nuk është kushedi se çfarë por, përkundrazi, libri është pritur mirë nga lexuesi apo kritika, se ka njohur disa botime, se  është nderuar me çmime (këtë të fundit, mbase më mirë, jo), se detyrohen të hyjnë e dalin nga mbrapa shtëpisë për të shmangur të gjithë ata që i kanë zënë derën e presin për autografë :-)) etj., etj.. Shkurt, të mos mjaftohen vetëm duke shkuar te dollapi i librave për të hapur me shpejtësi  romanin e tyre të fundit në faqen 99.

Por po aq, mbase edhe më me vlerë do të ishte opinioni i lexuesve, një analizë e tyre për nivelin e faqes 99 të një romani që kanë lexuar, dhe mendimi përfundimtar për tërësinë e tij. Personalisht, kam gjetur përputhje të habitshme.

Veçse ta bësh një gjë të tillë me librat e të tjerëve, kjo të vë para një farë përgjegjësie morale. Kur sjell në një revistë opinionesh të hapura faqen 99 të romanit të një autori a autoreje, nuk është akt anodin. Në një farë mënyrë ti i zhvesh ata lakuriq në sheshin publik, e tregon me gisht dhe thua, ecce homo! Dhe në këtë rast, autori (ja) nuk ka mjet tjetër për të nxjerrë përpara vetes veç nivelit artistik të faqes së tij (saj), që rastësisht mban numrin 99. Dhe merreni me mend çfarë ndodh kur ajo është krejt transparente apo tërë vrima… Pra, dhe me këtë po dal aty ku desha, që ta bëjë këtë dikush që është vetë autor romanesh, kjo ka diçka që mund të interpretohet keq, veçanërisht nëse testi dështon. Një përgjegjësi që nuk dëshiroj ta marr përsipër.

Duke mos gjetur zgjidhje tjetër, po sjell këtu faqen 99 të romanit Habia, i botuar vitin e shkuar nga dhe me fondet e Shtëpisë botuese  Uegen. Por, duke respektuar detyrimin e vendosur nga unë vetë (si përditësim i teorisë së Ford Madox Ford-it), që ajo të shoqërohet me një foto dhe të mos ketë asnjë shpjegim për ta vendosur përshkrimin në një kontekst të caktuar: është e vetmja mënyrë për t’u vënë në kushtet e një lexuesi të vetmuar para raftit të një librarie me një libër të panjohur në dorë. Pra, a ka fuqi kjo faqe të hedhë një çengel, të krijojë një lidhje të menjëhershme me lexuesin e saj dhe vetëm me ato pak rreshta, t’i ngjallë atij kureshtjen për të mësuar se çdo të ndodhë më tej? Duhet pranuar se është test mizor.

…ndërkohë që i gjithë qyteti i shikonte darkave duke shëtitur në Bulevardin e madh dhe pastaj zhdukeshin përgjithmonë. Por ai nuk mund të shkonte e t’i tregonte asaj diçka që të paktën deri atë çast nuk kishte ndodhur.   

 –  Më vjen të qaj për fëmijët tanë, –  i tha ajo duke e kapur nga mënga për t’u  zhvendosur në anë të trotuarit, – Leka, do lindim fëmijë të prekur. Biografia jonë e keqe do të  jetë identiteti i tyre i vetëm.

Ajo nxori një shami, të cilën e mbajti një copë herë të hapur para vetes, si të lexonte diçka në të, pastaj fshiu sytë e skuqur dhe hundët që i kullonin.

– Unë nuk dua të rrethohemi nga fëmijë  me të cilët askush nuk ka dëshirë të luajë në oborrin e shkollës, – i tha pastaj duke marrë frymë thellë.

–  Me duket qesharake, – foli ai vërtet i inatosur nga fjalët e saj, – më duket shumë qesharake që më ke nxjerrë këtu për të vajtuar për fatin e ca fëmijëve që nuk ekzistojnë.

Gjithçka i dukej aq absurde sa dyshonte nëse ishte vërtet pjesë e një dialogu të tillë. Por pastaj i shkoi mendja se mos Ani ishte shtatzënë. Kishte dëgjuar për ekzistencën e gjendjeve të dyta që shkaktonte shtatzënia te gra të veçanta. Iu duk se vërtet te ajo kishte diçka nuk ishte në vendin e vet. 

–  Ani, më thuaj çfarë ka ndodhur që të di çfarë të mendoj?

–  Ka ndodhur që  ndihem e huaj edhe për kopsat e fustanit tim.

– Po unë, unë çfarë mund të bëj për ty, me këtë rast?

–  Ti? Kujdesu për veten tënde dhe ma lërë mua këtë punë në dorë. 

Ajo nisi të tundë çantën e saj para vetes si një vajzë shkolle dhe u largua pa i thënë gjë fare.  Pastaj u kthye përsëri drejt tij.

–  Të kam sjellë ca bukë të hash, –  i tha duke i zgjatur një …

 

(c) 2019, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

8 Komente

  1. megjithëse lexuesin si une e hutove disi tek fraza “gjendjet e dyta”, them se historia të zgjon një lloj kërshërie për më vonë- jo se prisja ndonje trajtim psikologjik, por ndoshta ngase eshte hera e pare qe has nje pershkrim te tille te “mood swing” që pësojnë gratë shtatëzëna. Meqë nuk kam kohë të lexoj romane, kjo faqja të lejon edhe ta përfundosh vetë historinë: Ani lidhet me burrin, burrin e dënojnë gjëkundi dhe ajo martohet me dikë tjetër (cfare nuk i jep pergjgije pyetjes mbi Habine).

    1. Hehe, i dashur, nuk eshte fare kjo! Por me kete skeme qe thua e supozon, kuptoj nje gje: edhe lexuesit inteligjente, pasi ndeshin ne dy-tre romane te dobta e skemantike, penalizojne te gjithe letersine bashkekohore, e gjykojne ate si skematike dhe qe thote gjera qe nuk i hyjne kerkujt ne pune, se cilido mund te ulet dhe e ben nje roman nga keto qe botohen sot etj.. Ne fakt eshte nje kurth i trurit, nje lloj sinteze e nxituar, ne te cilin biem te gjithe viktime, ne mos ne letersi, diku tjeter. Jemi me shans qe ne nuk jetojme me te ardhurat nga letersia, se ndryshe nga politikanet, do te kishim dale me kohe te lypnim rrugve.

  2. Atehere i bie qe shprehja “eshte i 99-ave”, te kete vertet dicka mistike!
    Sa per shaka kjo, sepse faqja 99 e librit te sjellur me lart eshte as me pak e as me shume interesante nga faqja 79, apo 109, apo 55 etj.. Nuk e di nga doli kjo teori, por ekziston nje teori tjeter, e cila thote se kur duam te shohim nje engjell tek rete lart ne qiell, ne e gjejme ate.

    1. Sigurisht, nuk jemi ne fushen e shkencave te sakta. Por si ne çdo rast tjeter të ngjashem, ne mungese te nje rekomandimi te besueshem, eshte me mire te kesh tashme nje ide ne mendje se nga duhet t’ia fillosh se sa te mos kesh fare.

  3. Ideja mbizoteruese ne kete drejtim ka qene ajo e leximit te faqeve te para; here thuhej 50 faqet e para, here me pak e here me shume. S.d.q., nje faqe (qofte 99-a apo 66-a) nuk mund te tregoje mbi te gjithe librin. Kjo eshte jo e vertete, pra predikim i gabuar.
    S.d.q., besimi i njerezve nuk ka kufinj.

  4. Më pëlqen ideja e faqes 99 – sepse fut një kriter arbitrar në zgjedhjen e copëzës përfaqësuese të romanit. Vite më parë, kam shkruar për një temë të ngjashme, në fushën e muzikës (VERA, GOTA DHE FUÇIA). Në letërsi (fiction) punët janë një çikë ndryshe – sepse ka romane që tërheqin në narrativë, por jo në diskurs; p.sh. një thriller mund të mos jetë i shkruar mjeshtërisht, por të mbajë pas vetes nga mënyra si e rrëfen ngjarjen. Këtë lloj teksti nuk e vlerëson dot nga një faqe, sepse një faqe të tregon se SI shkruan autori, pa çka se ti mund të duash një libër me suspense. Ky është një nga dyshimet që kam. Tjetri ka të bëjë me atë që ca romane sot nuk i arrijnë 99 faqet. Madje shumë romane frënge bashkëkohore priren të jenë të shkurtër. Dashi do të dijë këtë më mirë se unë. P.sh. Jean-Philippe Toussaint shkruan kështu; Amélie Nothomb; por jo vetëm. Si ta vlerësosh një roman që nuk e arrin faqen 99? Pyetja nuk është kaq idiote sa ç’tingëllon; sepse kriteri i faqes 99 është sugjeruar, në bazë të një modeli abstrakt të gjatësisë së romanit, meqë kampioni i tekstit duhet zgjedhur diku nga mesi (pra flasim për një model romani prej 250-300 faqesh). Romane si ato të Toussaint-it nuk e ndjekin këtë model – a vlen atëherë ky kriter për to? Ndoshta duhet të mendojmë për një teknikë tjetër – le ta hapim pra, romanin që duam të vlerësojmë, atje ku mendojmë se është mesi. In medias res veritas.

    1. Rasti i Jean-Philippe Toussaint dhe Amélie Nothomb eshte me te vertete interesant, por nuk e di nese rastesisht jane te dy belge. Per mendimin tim ne origjine eshte suksesi i ndonje vepre te pare, veçanerisht te zonjusha Nothomb se Toussaint vertet qe nuk e gezon ate emer qe ka ajo. E verteta eshte se nja nga veprat e saj te hereshme Higjena e vrasesit, por veçanerisht romani Stupeur et tremblement ishin romane me nivel (dhe e kalonin diçka 100 faqeshin:-)). E prej atehere ka nje organizim marketingu te jashtezakonshem rreth çdo botimi te saj, por nuk flitet me shume rreth subjekteve por per faktin se prej pothuaj prej 30 vjetesh ajo boton çdo vit nje nga ato romanet e saj te veckel. Une çeshte e verteta e ndoqa deri para ca vitesh, ne mos gaboj me Antekristen, qe me la te ftohte. Ti ke te drejte, per nga struktura dhe subjekti ato jene thjesht novela (sidomos keto te fundit), siç e kemi njohur dikur perkufizimin e saj. Por prej kohesh, nuk e di a e ke vene re, novela po zhduket, shoh botime vellimesh me tregimesh (gjithnje e me pak, çeshte e verteta) dhe romane. Novela klasike frenge me formen qe i dha Mopasan shfaqet rralle. Ata qe arrijne ta zgjasin ca tregimin, e botojne si roman. Por kjo nuk e pengon znj. Nothomb te kete nje sukses te madh, madje meqe nje librari e madhe (Furet du Nord, mbase me e madhja ne Europe) ndodhet aty ku une merrja metrone pas pune, shihja gjithnjë radhe te pafund lexuesish qe presin t’i marrnin autografin pas çdo botimi te ri, nderkohe qe ajo vete vishet me nje mantel te zi dhe kapele cilinder. Me sa duket suksesi ne letersi nenkupton edhe pak shans edhe nje botues finok.

      1. Toussaint e vlerësojnë shumë këtu – s’kanë lënë libër pa i përkthyer. Dhe unë nuk e kuptoj pse. Më duket mediokër dhe bosh.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin