DY BURRA TË TILLË

Në përfytyrimin tim, biseda midis njerëzve të shquar që kanë shënjuar shekullin e tyre, ka qenë gjithnjë e modeluar nga magjia që më ka ngjallur dikur takimi i A. Ajnshtajnit dhe R. Tagorës. Biseda që atë patën midis tyre, më 1930, më shtynte të vrisja mendjen për të gjetur gabimin që kishte ndodhur në univers e që më kishte flakëruar edhe mua në njëjtin mjedis ku jetonin alienë të tillë.

Është e vërtet se më vonë për këtë takim do të kisha mendim tjetër, do ta shihja edhe si një kartolinë postare, si një apartament model dhe magjia do më zbehej, por admirimi vazhdon edhe sot e gjithë ditën.

Nuk mund të mos mendoj se qe fjala për një takim të parapërgatitur (më duket se nga një mjek, mik i tyre i përbashkët), te i cili të dy e dinin mirë se e gjithë bota priste një sintezë të mendimit më të evoluar të shkencës dhe filozofisë perëndimore dhe shprehjen më të lartë e urtësisë e intuitës Orientale. Gjithçka të lë të mendosh se ata nuk kishin të drejtë të gabonin dhe detyrimisht do të tregoheshin në lartësinë e asaj që opinioni botëror priste. Ajo që më pëlqen aty, megjithatë, është se ata e shmangën rolin përplotësues të njëri tjetrit. Duke mos u përputhur në mendime, ata shpalosën dy mundësi të shpjegimit të rolit dhe pozicionit të njeriut përballë universit.

Kjo është arsyeja se kur bëhet fjala për të tilla ngjarje, unë nuk e fsheh se parapëlqimi im shkon më fort për takime si ai i F. Liszt-it me J. Brahms-in, ku këtë të fundit e zuri gjumi, te takimi i I. Bergman-it me Woody Allen-it, gjatë të cili ata pothuajse nuk thanë as edhe një fjalë dhe e kaluan kohën duke vështruar me admirim njëri tjetrin, apo te takimi i Ch. Chaplin-it me J. Cocteau, që është e pamundur të mos më kapë e qeshura sa herë që e kujtoj.

Një tematikë e tillë ngjan të jetë mjaft intriguese përderisa sot qarkullojnë libra dhe shkruhen pjesë teatrale edhe për takime të pamundura njerëzish të shquar. Kam lexuar një libër të tillë për një takim të Dikensit dhe Tolstoit, që nuk ka ngjarë kurrë, por edhe një dramë për takimin e R. Descartes et B. Pascal-it, që ka ngjarë në të vërtetë në një kuvend Minim më 1647, por për të cilin nuk ka folur as njëri e as tjetri. Drama ishte e ngritur mbi thënie e mendime hipotetike.

Takimi te cilit i kthehem më shpesh është ai midis J. Joyce-it dhe M. Proust-it.

Nuk ishte një takim krejt i papërgatitur (aq sa mund të quhet parapërgatitje marrja e një ftese për t’u paraqitur diku në një mbrëmje mondane), por mbase me kohë edhe ai do të qe harruar po të ishte folur ndryshe nga sa u fol , sidomos po të ishte folur për artin e tyre, mjeshtërinë e romanit, fushë në të cilën ata të dy i kishin shpartalluar kodet, pra, kam frikë se do të harrohej siç është harruar takimi i O. Wellesit me H.G. Wells-in, fjala vjen, apo në fund të fundit edhe vetë takimi midis i A. Ajnshtajnit dhe R. Tagorës, i cili ka mbetur si një shenjë kalendarike, por sot pak vetë mund të kujtojnë me siguri se çfarë u tha aty.

Ishte në hotelin Majestic në Paris ku ndodhi ky takim i mrekullueshëm (për mua) dhe kalendari shënonte 18 maj 1922. I. Stravinski dhe S. Diaghilev-i (themelues i baletit modern rus) sapo kishin dalë nga një premierë e baletit të tyre (Dhelpra) dhe me këtë rast një mik i përbashkët, shkrimtari Sydney Schiff dha një pritje. Veç Picassos, mik i afërt i Stravinskit, ai kishte ftuar edhe James Joyce-in dhe Marcel Proust-in, por del që për një gjë të tillë ishin në dijeni edhe shumë e shumë vetë, se me kohë salla e hotelit Majestic qe mbushur plot me lexues dhe admirues të të dy shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit.

Kjo është arsyeja që burimet e shkruara për këtë takim vijnë nga anë të ndryshme, ndonjëri mbase i natyrës gojore, skundër ia pak rrëfyer vetë Joyce-i sekretarit e mikut të tij të tij, një farë Samuel Bekett-i.

Por versione të reja kanë vazhduar deri vonë, siç ishte një që erdhi nga Vera, gruaja e Nabokovit, por gjithsesi referenca mbetet Richard Ellmann, një biograf i shkëlqyer i Joyce-it, që u kujdes me kohë të mbledhë gjithçka ishte thënë për një takim të tillë.

Si një nga dëshmitarët kryesorë, ai sjell poetin amerikan William Carlos William. Është ai që kujdeset të tregojë, se, ndërkohë salla ishte plot dhe njerëzit prisnin bisedën e dy gjenive, gjë që për mua është tejet e rëndësishme, se flet për një farë presioni dhe nxitje direkte për të thënë gjëra të mençura.

Joyce-i mbërriti i pari me vonesë dhe kërkoi falje se nuk ishte veshur siç e donte rasti. Ai nisi të pijë njërën gotë pas tjetrës për të fshehur sikletin e tij kur në sallë hyri Proust-i i mbështjellë me qyrk. Zoti dhe zonja Schiff i dolën përpara dhe ia paraqitën J. Joyce-in mikut të sapoardhur.

Të dy heronjtë thotë William Carlos William, u ulën te karriget e vendosura brinjë më brinjë në mes të dhomës. Dashamirësit e tyre zunë vend e u rreshtuan majtas e djathtas dhe prisnin që mendjet e tyre të shkëlqenin përmes mendimesh brilante.

I pari që foli ishte James Joyce : – Kam çdo ditë dhimbje koke. Me sytë jam tmerrësisht keq.

Proust-i iu përgjigj : – Ah, stomaku im i shkretë. Nuk di se çfarë duhet të bëj. Më mori shpirtin. Në të vërtetë më duhet të iki menjëherë.

Joyce-i : Njëlloj jam edhe unë. Sikur të gjej ndonjë që të më mbante prej krahu. Mirupafshim.

Proust : Ishte kënaqësi për mua (që ju njoha). Ah, ky stomak !

Më vonë, Ben Jackson i ka krahasuar me dy personazhe të Samuel Beketit që takohen te paradhoma e një mjeku e qahen me të madhe për problemet e tyre të shëndetit.

Romancieri Ford Madox Ford, i pranishëm në takim, raporton edhe ai se simpatizantët e Joyce-it u rreshtuan nga njëra anë dhe ata të Proust-it nga ana tjetër. Publiku i nxiti të flasin me njëri -tjetrin dhe ata folën :

Proust : – Zotëri, siç e kam thënë te Du Cote de Chez Swann, që pa dyshim ju e keni lexuar…

Joyce (pasi kërceu pak në karrige): – Jo zotëri.

Pastaj ishte z. Joyce që foli e tha : – Sikundër z. Blum (personazh i romanit) e thotë te Ulysses-i im, që ju zotëri pa dyshim e keni lexuar…

Proust (pasi kërcen edhe ai pak më lart në karrigen e tij) : Po jo, zotëri.

Proust-i, ndërkohë, i kërkoi ndjesë për vonesën e tij dhe tha se kjo kishte ndodhur për shkak të një sëmundjeje të mëlçisë (për mua nuk ka inkoherencë midis tij dhe William Carlos William, por duhet kërkuar te niveli i njohjes së gjuhës). Dhe me qartësi e hollësi përshkruan simptomat e sëmundjes së tij.

– Ke parë që edhe unë kam të njëjtat simptoma, ia bëri Joyce-i, vetëm se në rastin tim, analiza…

Dhe kështu thotë Ford Madox Ford, në mesin e një miqësie dhe entuziazmi të përkryer, të rrethuar nga besnikët e tyre, ata biseduan për sëmundjet e tyre deri në orën tetë.

Romancieri Sydney Schiff që kishte dhënë pritjen e rastit, e kundërshton këtë version, thotë R. Ellmann, i cili nga ana e tij nuk nxitohet të mbajë ndonjë qëndrim, por ai nuk ngurron të japë edhe versionin e Joyce-it, i cili kujtonte mirë më vonë se: « biseda e tyre kompozohej thjesht rreth fjalës « Jo ». Proust, thotë ai më pyeti nëse e njihja këtë apo atë dukë, unë i thashë « Jo ». E pyetën nëse e kishte lexuar Uliksin, ai u përgjigj « Jo ». U krijua një rrethanë krejt e pamundur, kujton Joyce-i…”

Raportohet me atë rast se jo larg tyre ishte edhe P. Picasso i cili po plaste nga mërzia, ndërsa në një çast të caktuar Stravinski kthehet e i thotë Proustit : nuk e duroj dot Betovenin !

Proust-i do të vdesë gjashtë muaj më pas dhe Joyce-i ishte i pranishëm në varrimin e tij.

E vërteta nuk shkon më larg se kaq, më larg se dëshmitë e mësipërme, të cilat në thelb thonë të njëjtën gjë, por ky takim vazhdon të intrigojë gjithnjë e më shumë. Kështu shpjegohet fakti që vetëm vitet e fundit për të janë botuar edhe dy romane. Njëri i Richard Davenport-Hines (Proust-i në Mazhestik), që analizon më së shumti autorin e « Në kërkim… » dhe tjetri i Patrick Roegiers (Nata e botës), ku të dy personazhet tanë flasin e flasin pareshtur dhe e mbyllin natën si dy miq të mirë që dinë të merren vesh e të lajkatojnë njëri-tjetrin.

Nuk e fsheh se romani i fundit m’u duk pa interes të madh intelektual. Por e kuptoj se ka njerëz që kanë nevojë të jenë gjatë gjithë kohës të habitur, se ka një kulturë të caktuar që i pengon shumë vetë të pranojnë se dy gjigantë mund të takohen e të flasin për hallet e tyre, për një djegësirë në stomak, për gazra në zorrë, për gjunjët që u therin nga përdhesi, se ata nuk mund të jetojnë natë e ditë brenda krijimtarisë së tyre, se nuk mund të lejojnë veprën e tyre të modulojë jetën që bëjnë dhe personalitetin që kanë.

Dhe në një botë gjenish të tillë plot halle e dhëmbka, vetja nuk të duket fort i huaj.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin