ME SYRIN E TJETRIT

Kur shkeli në Shqipëri në maj të 1987-ës, si pjesë e një grupi turistësh holandezë, fotografi Piet de Blanken nuk i dinte grackat e brendshme të regjimit komunist në fuqi. I kishin dhënë udhëzime të detajuara se çdo shkrepje ish e ndaluar. Por a mund t’i kërkohej një fotografi të mbyllte sytë dhe aparatin përpara një panorame që asokohe pakkush kish mundur ta depërtonte e aq më pak ta fotografonte. Piet de Blanken nuk iu bind urdhrit dhe nisi të ekspolorojë me aparatin e vet në kërkim të atij “fundi pa fund” (siç thotë një lirikë e Paul Celan) të jetës shqiptare. Dy herë u pikas dhe dy herë u arrestua nga punonjësit e Sigurimit që i sekuestruan filmat dhe sendet personale, pa shtënë dot në dorë negativët që i nxorri jashtë kufirit një nga turistët e grupit. Johan Janse, sot 90 vjeçar shpëtoi kësisoj 35 negativë që tregonin anën tjetër të Shqipërisë, asaj që i shpëtoi syrit të kontrollit dhe censurës.

Pas tridhjetë vitesh, pesëdhjetë nga fotot e shkrepura nga Piet de Blanken ekspozohen në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar si pjesë e ekspozitës “The Other Side of Albanian Communism”. “Ana Tjetër e Komunizmit Shqiptar” ka mbledhur bashkë dymbëdhjetë fotografë të famshëm holandezë, dhe 150 foto të tyre që dokumentojnë një pjesë të rëndësishme të periudhës para dhe gjatë revolucioneve të ndryshme në vendet e ish-Bllokut Lindor. Ata kanë qenë dëshmitarë të momenteve kyç historike, që nga krijimi në 1980-ën i Solidarnosit, deri tek rënia e Murit të Berlinit apo revolucionit në Rumani në vitin 1989. Krahas dokumentimit historik puna e fotoreporterëve ka qenë e fokusuar edhe në fiksimin e momenteve të zakonshme të përditshmërisë, jetën e njerëzve të thjeshtë tre dekada më parë nën sistemin komunist, në një gjeografi fotografike të admirueshme që prek për fatin tonë edhe Shqipërinë.

Fotografi Ad Nuis, njëkohësisht kurator i ekspozitës thotë se ky material i vyer historik që risjell në kujtesë si dukej Shqipëria e viteve të fundit të diktaturës në sytë e një fotoreporteri të huaj ekspozohet për herë të parë për publikun shqiptar pas një rrugëtimi interesant në pjesën dërrmuese të vendeve të lindjes, e pas Tiranës edhe në Moskë. Piet de Blanken sot 67 vjeçar nuk mundi të rikthehej në Shqipëri pasi vijon punën si fotoreporter në kufirin me Turqisë dhe Sirisë por kujton gjithmonë me kënaqësi vizitën në Tiranë dhe odisenë e fotove të shkrepura përvjedhurazi shoqëruesve të grupit holandez në vendin ku mbizotëronte paradoksi komunikativ. Të huajt lejoheshin të vizitonin Shqipërinë por jo të shkrepnin foto që dilnin jashtë kornizës apo kontrollit të pushtetit të kohës.

Syri i Piet De Blanken ka fiksuar në celuloid aspekte interesante të jetës dhe punës, në një bashkësi të ndërtuar e konceptuar ndryshe nga fronti perëndimor prej nga vinte. Tërësia e fotove paraqet një pamje të paparashikuar dhe shumëplanëshe të kësaj ane të Bllokut Lindor të atyre viteve, të jetës së zhveshur, të heronjve të heshtur, të klasës punëtore në frontin e punës, të njeriut të rraskapitur e të vuajtur, i pazoti për të marrë në dorë fatet e tij. Është interesant fakti se fotografit tonë nuk i ka interesuar shumë aspekti urban i qyteteve tona (ka vetëm një foto me mozaikun e fasadës së Muzeut Historik) por portretizimi i njerëzve të zakonshëm, varfëria e skajshme dhe “jeta e zhveshur” apo “njeriu pa përmbajtje” po të huazonim termat e filozofit të njohur italian Giorgio Agamben. Jeta e zhveshur që në gjuhën tonë popullore jo rrallë shqiptari i dëshpëruar e ka etiketuar si “jetë qeni”.

Do të gjeni aty foto të jashtëzakonshme bardhë e zi të burrave e fëmijëve që transportojnë qumësht hipur në kuaj e gomerë, bunkerë të shumtë të përhapur në çdo cep e skutë të vendit, plaka me shami, gra që punojnë shtiza, burra që luajnë bilardo, fshatarë, ushtarë, punëtorë me qerre, studentë, bujq, këmbësorë e biçiklistë, njerëz që lexojnë “Zërin e Popullit” në foto ku ndjehet varfëria dhe ideologjia në fragmentet e shkrepura. Është Shqipëria e një topitjeje të dëshpëruar e të dorëzuar të tridhjetë viteve më parë ndërsa Europa Lindore bëhej gati të përmbyste sistemin Komunist që përjetonte grahmat e fundit.

Ekspozita është një kumt për një dialog më të hapur e më gjithëpërfshirës me të shkuarën dhe asaj çka përfaqësonte Shqipëria në fund të viteve 80-të. Vihet re në këto foto një kontrast i jashtëzakonshëm mes asaj që regjimi i asaj kohe kishte propaganduar dhe ushqyer për Shqipërinë dhe asaj që realisht gjenin turistët apo vizitorët e paktë që shkelnin në vend. Të bën përshtypje peizazhi rural e urban i njeriut socialist, gjeometria e jetës dhe e hapësirës të cilat për mirë a për keq sot nuk kemi arritur t’i ruajmë. Kanë një dritë të brendshme këto foto që i jep vërtetësi dhe ekspresivitet shkrepjeve, ku de Blanken na vendos përballë vështrimit të tij.

Çfarë efekti shkaktojnë këto foto tek ata që i shohin sot pas thuajse tridhjetë vjetësh? Çfarë ndërgjegjësimi ka brezi i ri për periudhën e komunizmit në Shqipëri dhe a është bërë mjaftueshëm për ta përcjellë atë deri në ditët tona? Pesëdhjetë fotot e Piet de Blanken do të qëndrojnë të ekspozuara deri në fund të gushtit në ambjentet e Muzeut Historik si një rast i shkëlqyer për të reflektuar jo thjesht mbi të kaluarën por edhe si një mundësi ndërgjegjësimi për brezin e ri fare pak të ndjeshëm për Shqipërinë komuniste dhe debatin me të shkuarën.

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

4 Komente

  1. Ne paragrafin e fundit te shkrimit behen dy pyetje ne lidhje me efektin e fotove dhe ndergjegjesimin e brezit te ri.Ne te njejten kohe,pothuaj,qe po lexoja shkrimin e gazetares se nderuar Njuma,lexova gjithashtu edhe nje shkrim ne nje te perditshme shqiptare,ku flitej me simpati per Sigurimin e Shtetit.
    Ne po kete te perditshme shkruhen vazhdimisht shkrime per kohen e diktatures,per figura te larta te saj e sidomos per diktatorin Hoxha;jo vetem me simpati por,edhe duke mbajtur hapur qendrim pro tyre.
    E perditshmja ne fjale eshte nder me te lexuarat ne Shqiperi,se paku online;kjo duke pare komentet e shumta poshte shkrimeve.
    Shume nga komentuesit,padyshim qe jane te rinj;ose kane qene te rinj,per te mos thene femije fare,ne kohen e diktatures.Shumica derrmuese e ketyre komentuesve shprehen pozitivisht per kohen e diktures,per figurat e saj te larta,e sidomos per diktatorin Hoxha.
    Nese pyetjet qe ka bere gazetarja Njuma jane per ata qe kane lindur pas viteve nentedhjete,shumica e te cileve natyrisht qe jane adoleshente,kane njefare kuptimi.Megjithese,nje pjese e mire edhe e ketyre,kane hobi komentimin ne shtypin online;qe do te thote,se jane nga ata qe permenda me lart.
    Jo vetem kjo e perditshme,por ka edhe te tjera te ngjashme,te gjitha te majta padyshim,ku publikohen shkrime simpatizuese per diktaturen,diktatorin dhe shoket e tij.
    Ajo pjese e brezit te ri qe jane nga familje socialistash,shumica derrmuese e tyre,absolutisht,kane ndjeshmeri pozitive per kohen e diktatures.
    Baballaret jane kujdesur qe t’ua percjellin femijeve dashurine per kohet e tyre te arta!
    I thashe keto,sepse,pyetjet ne fund te shkrimit,me kujtojne ate shprehjen e njohur: une te them ja ujku,ti me tregon gjurmet…

    1. Timur, kritikën e atyre çfarë shkruan gazeta që lexon ti do t’ia bëjmë një herë tjetër: këtu flasim për fotografitë që na vijnë nga periudha para 1990-ës.

      Nuk besoj se foto si këto që ka sjellë Njuma në shkrim mund t’i shërbejnë kultivimit të nostalgjisë për atë periudhë.

      Sa për komentuesit online, që të kanë shqetësuar, nuk di ku e bazon këtë që thua, se “shumë nga komentuesit pa dyshim që janë të rinj.”

      Kur thua se “ajo pjesë e brezit të ri që janë nga familje socialistash, shumica dërrmuese e tyre absolutisht kanë ndjeshmëri pozitive për kohën e diktaturës” dhe se “baballarët janë kujdesur që t’ua përcjellin fëmijëve dashurinë për kohët e tyre të arta”, je duke treguar përralla.

      Simpatia që mund të kenë disa të rinj sot për Enver Hoxhën dhe kohën e tij nuk vjen ngaqë këtë ua kanë përcjellë baballarët; por më shumë ngaqë “baballarët” nuk u kanë përcjellë asgjë fare – ose ua kanë lënë trutë djerrë.

      Është një simpati që nuk vjen nga ndonjë njohje e asaj kohe, por nga mosnjohja. Enver Hoxha është vetëm emri që ata kanë, për cjapin përçor që u mungon.

  2. Jo jo jo,nuk e thashe ate qe thoni ju per fotot.Nuk kam asgje me shkrimin e gazetares Njuma.Perkundrazi,e respektoj.
    Por,kam pershtypjen se ajo shprehja ne fund te shkrimit ka sjelle kete keqkuptim te vogel.Ishte e pagjetur;me erdhi instiktivisht per momentin;e shkrova ,dhe e lashe ashtu pastaj.
    Mund te duket jo shume e zgjuar nga ana ime por,po e them:jam vete nga familje socialistash.Dhe,jo vetem familja por edhe rrethi me i gjere farefisnor.Nuk me ka bere kush mua propagande,ama “per gjerat pozitive” te kohes se diktatures eshte folur.Kam parasysh edhe faktin,qe keta (te mite) nuk kane qene nder besniket besnike te dikurshem,as socialiste fanatike te sotem (cka,per fat te mire, eshte nje nder arsyet se pse flas keshtu).Por ka shume qe kane qene besnike ne ate kohe,besnike sot e qe perbejne ate elektoratin socialist,per te cilin elektorat shume analiste te njohur,madje edhe kolege tuajet, e quajne te palekundshem dhe si nje nder arsyet kryesore se pse PS-ja eshte partia me e madhe dhe me e qendrueshme elektoralisht.
    Shume nga komentuesit jane te rinj,sepse po keta komentojne edhe per kengetare si,bie fjala,Era Istrefi,ne nje menyre te tille qe vetem te rinjte mund te komentojne.Une nuk mund ta vertetoj se shumica e komentuesve jane te rinj por,e di.E di.
    Pastaj “baballaret” i ke bash ne gazeten per te cilen fola.Figura te njohura publike.Shkrime pafund me elozhe per figurat e diktatures dhe vete diktatorin.Nje poet shume i njohur shkruan poezi per diktatorin,cka e kane bere nje nder personazhet me te dashur per komentuesit ne fjale.
    Nje pjese e baballareve nuk u kane percjelle asgje fare.Keni te drejte.
    Une po flas per baballaret qe ua kane percjelle.Ne nje menyre a tjeter.Dhe,keta jane te shumtit.
    Kjo eshte bindja ime,prej se ciles nuk luaj hic.E kam nga eksperienca dhe pervoja e jetes se perditshme.

  3. Raporti me “fotot e vjetra” eshte pothuaj i njejte me raportin me “filmat e vjeter” : ka diçka te gabuar kerkimi i meritave apo deshtimeve (qofte kjo e interpetuar si “jete e zhveshur”) te sistemit socialist permes imazheve (sepse gjithmone eshte dikush qe argumenton te kunderten po ashtu me imazhe, he he !).

    Per mendimin tim, ‘gjeja komuniste’ (si cdo forme tjeter emancipimi, sikur qofte kjo “vetem në teori”) nuk ka si te kete imazh. Ka te beje më se shumti me mendimin, frymen, besimin (biles ne kete sens, paradoksalisht eshte shume e afert me religjionin) i cili, po ashtu, nuk ka si te “matet”, te “peshohet” me imazhe. Ka te beje me njeriun, por jo (ose pak fare) me imazhin e tij.

    ps (djalli fshihet gjithmone tek p.s.) : më eshte dhene te shikoj nje film dokumentar 13 oresh, mbi Kinen e viteve ’70 : “Si Yukong-u zhvendosi malet(https://en.wikipedia.org/wiki/How_Yukong_Moved_the_Mountains)”. Jane dy hollandeze qe e kane realizuar (sikurse hollandezi i fotove shqiptare) Filmi ndahet ne 12 kapituj. Secili kapitull eshte nje dokumentar i vogel (“farmacia nr.3”, “fshati i peshkatareve”, “Kazerma’..; etj etj).
    Michel Foucault (Fuko) asokohe eshte shprehur se filmi e kish lene pa fjale sepse i krijoi pershtypjen qe jo vetem “mesoi per Kinen”, por e pa (Kinen) ne nje realitet politik intensiv qe asnje diskurs nuk mund ta pershkruante.

    Po ta shohesh filmin, nuk ka asgje ‘te veçante’. Gjithshka eshte banale. Ose thene ndryshe: asnjeri nga imazhet e filmit, ‘tek e tek’, nuk krijon ndonje pershtypje te veçante se ç’ishte komunizmi kinez. Pra fiks njesoj si dhe puna e fotove shqiptare.
    Por fuqia e filmit, nese nuk vjen nga imazhet ‘tek e tek’, vjen pikerisht nga forma se si pershfaqet ai para syve te spektatorit, si nje i tere, nga dialektika e tij e brendshme (nje shemubull per ta shkoqitur muhabetin: eshte carmatosese natyrshmeria e kinezeve te intervistuar ose te filmuar gjate filmit. Si ka mundesi qe ne nje vend te kontrolluar ideologjikisht, ata te japin pershtypjen më natyrale te mundur ?!! Ne fakt, kjo ven nga menyra se si cifti i regjizoreve i eshte perqasur gjësë : eshte mese evidente se nuk behet fjale as per ‘hiden camera’, por as per improvizim te castit. Dicka midis te dyjave. Por as njera, as tjetra!).
    Konluzion: ndofta e vetmja menyre per ti pare fotot do te ishte shikimi i tyre “në bllok”, te tera bashke. Per te arritur ne shikimin (leximin) e nje te tëre.
    Et encore… !

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin