BURRI QË NUK LU (III)

Qëndrimet e cave nga ata që “nuk lujnë”, ose nuk e ndërrojnë mendjen, nuk kanë të bëjnë me kredon e tyre filozofike ose morale, as me përfundime që ata i kanë arritur me përpjekje të mëdha, as me instinktin e tyre të pagabueshëm; por më shumë me fytyrën që ata kanë vendosur të prezantojnë në publik, ose modelin që kanë zgjedhur për të ndjekur.

Dhe kështu qëllon që çfarë për ne të tjerët duket sikur është gjykim i tjetrit, është në të vërtetë paragjykim; ide e marrë e gatshme, mundësisht e vjelur nga ndonjë libër inspiracional ose në ndonjë uebsajt të kategorisë së tretë; ose, edhe më keq, efekt i interpretimit përçart të një citati që këta e dinë nga Nietzsche-ja (por që mund të jetë nga Gianni De Biasi ose nga Hugo Chavez-i). Të gjithë ata që pretendojnë t’ua marrësh paragjykimet për gjykime, nuk guxojnë që të arsyetojnë rreth tyre, sepse nuk dinë se si.

Përkundrazi, shumë nga këta tregohen tejet të zotët për të qëndruar mbi ujë, pa qenë nevoja të shtien në punë arsyen ose racionalitetin; por thjesht duke mësuar që ta imitojnë sjelljen e duhur. Për shembull, një bigot çfarëdo, që ka një opinion të ulët për gruan, por e ka parë se vlerësimi dhe respekti për gruan çmohet shumë në qarqet intelektuale që ky synon, mund të fillojë të sillet me një nderim të tepruar, gati butaforik, për gratë – p.sh. duke u puthur dorën kur i takon.

Këta tregojnë nuhatje të admirueshme për të kuptuar se cila monedhë shkon, në tregun e konsideratës sociale; dhe mësojnë si të sillen siç do të mësonin një gjuhë të huaj. Projektojnë një imazh të subjektivitetit të tyre që është ai i duhuri, por që i mbivendoset gjithçkaje që duhet të mbahet tash e tutje e fshehtë. Ashtu edhe rolin që luajnë e zgjedhin sipas dobisë që u sjell ose ëndjes së egos: njëri deklarohet neoliberal, tjetri intelektual radikal frëng si Bernard-Henri Lévy-ja, njëri thotë që jam “i djathtë”, tjetri profilizohet si patriot profesionist, njëri merr poza hiper-konservative, tjetri të paraqitet si ikonoklast me damkë.

Të gjithë ne tregojmë kujdes për fytyrën që i shfaqim publikut, por këtu unë e kam fjalën për një takëm njerëzish, dhe nuk janë pak, që edhe bagazhin e tyre intelektual e trajtojnë si pjesë të kësaj fytyre, të këtij imazhi, të këtij subjektiviteti të studiuar; dhe që nuk preokupohen vetëm që ta lidhin shallin e mëndafshit rreth qafës, por edhe të shesin në treg ide të ngjashme me ato që, sipas mendjes së tyre, shesin ata të shalleve.

Ky farë subjektiviteti i mësuar është shumë i vështirë për t’u ndryshuar, sepse çdo ndryshim i tij kushton shumë. Një psikolog që e ka studiuar Lacan-in në universitet, nuk e vret shumë mendjen që të prezantohet si lacan-ian, sepse kjo i vjen natyrshëm; por një psikolog tjetër, që ka dëgjuar për Lacan-in te The Huffington Post ose e ka ndeshur të cituar nga Zhizheku, e luan lacan-ianin si rol në skenë, duke u kujdesur hap pas hapi që të mos largohet nga skripti. Ky i dyti nuk arsyeton në debatet, sepse nuk mund të arsyetojë; e shumta, mund t’i përdorë faktet e sjella për të konfirmuar ndonjë nga ato katër preceptet që ka në kokë.

E kam pikërisht fjalën për atë kategori “intelektualësh publikë”, që të thonë: Einstein-i ka qenë gjeni! Epo doemos, kjo nuk habit kënd. Vetëm se provo t’i pyesësh: po pse e thua këtë? Vallë do të vihet tjetri të shpjegojë teorinë speciale të relativitetit? Aspak, madje do të kundërsulmojë: pse, mos e vë gjë ti në dyshim këtë? Dhe ti: jo, thjesht nuk kam ndonjë opinion për Einstein-in, më ndihmo. Dhe ai: ti thua që të zbraz timen unë, që të mbush tënden. Në fakt, nuk ka ç’të thotë më tepër, sepse atë që Einstein-i ka qenë gjeni, e ka sjellë si argument në një debat për Akademinë e Shkencave, për të mbrojtur idenë se nuk mund të presim prej kësaj akademie që të kultivojë Einstein-in e parë shqiptar. E kështu me radhë. Për të Einstein-i nuk është veçse një monedhë e vogël, që i shërben për të blerë pak besueshmëri.

Në këto mjedise “intelektuale” gëlojnë gjithashtu snobët, edhe ata me lakun Moschino rreth qafës, që diktojnë shijen publike; snobët sot i ke në pushtet në Tiranë, prandaj nuk kanë shumë kohë për të humbur me debate, përveçse për të skërmitur dhëmbët; e megjithatë, tek-tuk u duhet edhe këtyre që ta shpalosin intransigjencën e tyre si bishtin e palloit, thjesht për t’u dhënë atyre përtej sinjalin e duhur. Me përjashtim të çështjes madhore të Bienaleve, snobët e sotëm nuk begenisin më të përcaktojnë shijen, të zënë siç janë me studimin “shkencor” të humoreve të vulgut që mblidhet në sheshet; por e kanë bërë të tyrin krejt kodin e zhargonit korporativ – dhe janë gati të fillojnë të imponojnë politikishten korrekte, dhunshëm mbi masën e trullosur.

Edhe snobët e dinë se është më e lehtë të luash rolin e dikujt, se të jesh ashtu vërtet; sidomos kur bëhet fjalë për agora-n publike dhe simulimet e saj televizive dhe në Internet. Këta i tërheq, veçanërisht, roli i mendimtarit të lirë, i atij që e themelon pushtetin e vet nëpërmjet fjalës (jo që e themelon fjalën e vet nëpërmjet pushtetit); sikurse dinë se të shtiren si mendje të hapura, tolerante dhe progresiste kushton gjithnjë më pak se të jenë vërtet mendje të hapura, tolerante dhe progresiste. Është pak e frikshme të mendosh se çfarë thonë, bëjnë e mendojnë në jetën private këta aktorë, pasi e kanë hequr maskën (nëse e heqin ndonjëherë vërtet).

Bëhet fjalë për njerëz që, për ta thënë me një shprehje popullorçe, “dinë të dalin në pazar” dhe të krijojnë iluzionin se, nëse nuk luajnë nga pozicionet e tyre, kjo ndodh jo sepse janë fanatikë, as sepse e kanë kokën bosh dhe as sepse janë të paguar që të mos ndërrojnë mendim (shills, i quajti një koleg këtu), por sepse e kanë gjetur dhe nuk e lëshojnë tashmë të vërtetën dhe të drejtën, që është një.

E megjithatë, këta tradhtohen jo nga përfundimet që nxjerrin, por nga premisat e arsyetimeve ose nga çfarë marrin për të mirëqenë dhe të pranueshme edhe nga tjetri; nga çfarë kujtojnë se bashkëndajnë me tjetrin dhe mund ta përdorin pastaj si levë drejt arritjes së një mirëkuptimi, marrëveshjeje ose konsensusi – madje më mirë akoma, drejt bindjes së kundërshtarit. Tek premisat fle lepuri, sepse premisat janë gjithnjë të vështira për t’u kontrolluar, veçanërisht në dialog e sipër, në debat e sipër, ose në përgjithësi në skenë. Në fakt, kur ti kërkon të arsyetosh së bashku me tjetrin, përpiqesh të përdorësh premisa që i pranon edhe ai; por teksa i zgjedh, nuk ke kohë që t’i verifikosh këto premisa, për të parë nëse e i shkojnë maskës që i ke vënë vetes. Kjo ndodh sepse ti ose nuk beson asgjë, ose ke frikë të thuash se çfarë beson, ngaqë kjo mund të bjerë ndesh me imazhin që je duke projektuar. Një farë paranoje që të detyron të mendohesh dy herë, deri edhe para se të lëvdosh një restorant ku gatuhet mirë kukureci (nga frika se mos je deklaruar gjëkundi më parë si vegjetarian).

Këtu do t’i kapësh – te përpjekjet për të negociuar ndonjëherë midis dy bashkësive të papajtueshme premisash, të dyja me ide të marra (received) por në kohë të ndryshme; të dyja me paragjykime, por që u përkasin sistemeve të ndryshme dhe automatizmave të ndryshëm; të dyja me udhëzime përdorimi të subjektit, por për rrethana të ndryshme, shpesh në konflikt mes tyre; dhe negocimi dora-dorës nuk lë as vend as kohë, për të ushtruar virtytin e të menduarit kritik.

2 Komente

  1. Mua me intrigon shume nje lloj tjeter “burri qe nuk lu”.Ai iitelektualit te mirefillte.
    Kam degjuar njehere,diku,dike,nje akademik,profesor doktor shume te njohur,tek fliste dhe debatonte me nje pasion te cuditshem per futbollin.Them te cuditshem sepse,deri pa e degjuar ate, mendoja qe keshtu mund te sillej vetem nje tifoz i rendomte futbolli.Jo vetem kaq,por profesori i nderuar dinte gjithe historikun e skuadres se tij te preferuar;dinte gjithcka per ndeshjet,rezultatet, per futbollistet ne breza,per trajneret,per origjinen e gjithe cka lidhej me jetet e tyre private,qe nga themelimi i klubit…
    Ky rast me kujtoi nje rast tjeter,kete here jo me futbollin,por me nje sport tjeter,i cili rast i dyte me kujtoi nje te trete akoma,por kete here jo per sportin por per muziken e keshtu me radhe deri edhe per shijet ne te ngrene.
    Te gjithe keta akademike,studiues,shkrimtare te njohur.
    Mirepo,nuk mbaron me kaq.Sepse,te gjithe keta intelektuale te nderuar kane nje si liste pasionesh a preferencash.Ne sport,ne muzike,ne letersi,ne filozofi deri edhe ne gastronomi.Kane filozofin e tyre te preferuar,librin e tyre te preferuar (ate librin qe do ta merrte me vete ne rast te ndonje katastrofe te perbotshme),shkrimtarin e tyre te preferuar,muzikantin e tyre te preferuar,rrymen muzikore te preferuar ,ushqimin e tyre te preferuar etj etj.
    Keshtu,intelektuali yne krijon boten e tij,me tingujt,ngjyrat dhe shijet e tij te preferuara.Kjo eshte bota e dashur e tij.Pikerisht per kete,ai e ka shume te veshtire te “lu” prej saj,duke u kthyer keshtu nje nje “burre qe nuk lu”.
    Mirepo,kjo eshte edhe kategoria me e rendesishme e “burrave qe nuk lu”.Sepse,nga ky soj burrash dalin misionaret,profetet,mendimtaret,shkencetaret e shquar,artistet e medhenj;dalin ata qe ndricojne njerezit,kombet,mbare njerezimin.
    Ky “burri qe nuk lu” i imi eshte shume me i rendesishem se “burri qe nuk lu” i zotni Vehbiut.Edhe nje i vetem burre i tille te luaj,atehere gjithe “burrat qe nuk luajne” te zotni Vehbiut,jo vetem qe do te luajne,por do te tregohen shume te zellshem per t’u pershtatur me “zhvendosjen” e re,duke e kthyer ne nje ngulim te ri te tyrin,nga i cili nuk do te luajne derisa te dale nje tjeter “burre qe nuk lu” nga keta qe them une,qe te luajne perseri!

  2. Shakaxhi i perparimit tha Noli per Zogun duke iu referuar aktrimit zogollian.
    Shpejtesia e pershtatjes shihet si aftesi evolutive. Mirepo peshkaqeni modern ka 100 milione vjet qe eshte i tille, nuk eshte pare e nevojshme per evolucionin qe peshkaqeni te ndryshoje 100 milione vitet e fundit.

    Pershtatja e vertete nuk eshte ndaj rrethanave te ndryshuara, por si njeriu te rikthehet tek burimi i fuqise. Psh Fevziu thote me gojen e vet qe iku ne Nju Jork ne fund te 1996-s per te braktisur Shqiperine, mirepo pas 2 muajsh, Janar 1997 u rikthye per motive malli per vendlindjen, Ballkanin, ngrohtesine mesdhetare e leshterike te tille, gje qe as ai vete nuk ma ha mendja se e beson, se njeri tjeter nuk i ha algat (megjithe respektin rrethanor per vegjetarianet dhe shendetaret).
    Mendoj se aktrimi i njefishte nuk mjafton qe te shpjegoje fenomenin, kemi aktrim te dyfishte. Per nga vete natyra e edukimit dhe prirjet vetjake, njeriu perfton nje identitet te caktuar, teresi idesh dhe bindjesh.

    Aktrimi i pare lidhet me shpejtesine e madhe te pershtatjes ndaj rrethanave te jashtme te ndryshuara, duhet bere nje hop evolucionar qe pershtatja te prodhoje te mirat, i linduri dhe i rrituri ne fshat duhet te shaje me pallme te madhe ata qe jane ende ne fshat,qe te jete sa me shpejt qytetar , komunisti i thekur duhet te paraqitet si perendimor i lindur, i perzgjedhur nga Perendia qe ne djep, i padituri si koke shkence etj. Nderkaq progresizmi eshte condicio sine qua non.

    Ne rast se aktrimi i pare del i suksesshem, shkojme tek aktrimi i dyte, ku te mirat duhen konsoliduar, keshtu qe shihet se pushteti afatgjate ne Shqiperi, nuk lidhet me aktrimin e pare, por ashtu si peshkaqeni ka 100 milione vjet qe eshte i tille e s’ka nevoje te evoloje, edhe te qenit elite lidhet me burimin e fuqise, dmth origjinat, kusherinjte,krushqite, miqte etj, prandaj merimanga duhet te thure rrjeten e saj. Keshtu fillon te aktroje me rrethin fisnor e shoqeror, i biri i filanit, nipi i filanit, miku i filanit, dhendrri i filanit, krushku i filanit, kusheriri i filanit, daja i filanit, kunati i filanit etj, dmth aktori yne ka perftuar permasa te reja, ne fakt te vjetra, shume te vjetra, te lashta sa s’ka ku te veje me.
    Konsolidimi prej aktrimit te dyte e ben aktrimin e pare me pak te nevojshem, por tashme ne varesi te rrethanave.

    Ne rast se aktrimi i pare nuk i sjell sukses, atehere aktrimi i dyte behet jetik, o ke sukses o e hengre.

    Duke u marre gjithe kohen me aktrim, ka harruar edhe se kush ishte para se te fillonte aktrimin, se jo pak filozofe te medhenj kane pohuar se njeriu eshte çfare ben (ta pranojme se te pakten pjeserisht eshte i tille), keshtu qe nuk dihet me se cilit qerthull i takon.

    Ne kete kendveshtrim, njerezia kupton qe ka nje arsye te forte pse peshkaqeni ka 100 milione vjet qe nuk evolon fare dhe se pershtatja e shpejte ka kuptim, por me te nuk ke jetegjatesi.

    Aftesia e mirefillte evolutive ne Shqiperi eshte aktrimi, e cila eshte aftesi artistike, dmth nuk eshte e varur vetvetiu nga racionaliteti , prandaj kemi njefaresoj nje realitet artistik mbushur me patos, i cili i mban njerezit me syte ngulur tek televizori dhe mbush kafenete me thashetheme,barsaleta ,sharje,mburrje etj, por shume rralle me argumente te mirefillta.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: