UNESCO KËNDON ME GUSLA

I këtyre ditëve ishte lajmi se “Të kënduarit nën shoqërimin e guslës” u regjistrua në listën e trashëgimisë kulturore jo-materiale të njerëzimit, pas prezantimit nga Serbia. Këtë lajm disa media e raportuan sikur, tash e tutje, me vendim të UNESCO-s, “Lahuta është pasuri kombëtare e serbëve”.

Në fakt, lahuta, duke qenë vegël muzikore, nuk mund të jetë njëkohësisht trashëgimi kulturore “jo-materiale”; këtu është fjala për një mënyrë të caktuar të kënduari, të shoqëruar me guslë, e cila nuk është veçse lahuta serbe. Se kujt i përket kjo vegël, pyetja është në thelb pa kuptim: i përket atij që e përdor, ose që këndon nën shoqërimin e saj. Dhe në këtë prizëm, lahuta u përket shqiptarëve, njëlloj sikurse u përket gusla sllavëve të Jugut (dhe jo vetëm serbëve).

Mirëpo lepuri këtu fle tjetërkund, dhe pikërisht te çështja se ku qëndron primati, ose cila kulturë ia ka marrë tjetrës të kënduarit me lahutë (gusla) dhe veglën përkatëse. Nacionalizmat, edhe sllave edhe shqiptare, e kanë reduktuar ndonjëherë antropologjinë kulturore në përcaktime datëlindjesh dhe patentash të këtilla – edhe pse përgjigjja optimale do të ishte që teknika dhe vegla të trajtoheshin si pasuri e përbashkët ballkanike. Për fat të keq, UNESCO-ja i hedh benzinë zjarrit, duke i kruar bishtin nacionalizmit serb, jo vetëm kundrejt atij shqiptar, por edhe në sfidë të nacionalizmave të tjera sllavo-jugore, nga ai boshnjak (mysliman), tek ai malazez, e më tej.

Nëse ndër shqiptarë lahuta nderohet si vegël muzikore e traditës dhe të kënduarit me lahutë ka vendin e vet të respektuar, por shumë margjinal, në traditën kulturore kombëtare, nuk ka ndodhur kështu me guslën mes sllavëve të Jugut, të cilët me përkushtim të madh e kanë vënë folklorin në shërbim të miteve të tyre kombëtariste.

Ka pasur, në të vërtetë, një traditë të “klubeve të guslës” në Jugosllavi që prej të paktën viteve 1960; klube ku ishin anëtarësuar një numër i madh oficerësh të armatës jugosllave. Këtë e lexoj në një artikull të Goran Tarlac, “Tradition de la gusla: du culte à la propagande”, të botuar në Courrier des Balkans. Që pa u shpërbërë Jugosllavia, një disk me interpretime nga katër guslarë arriti të shesë njëqind mijë kopje; ndërsa një guslar i vetëm, Bosko Vujaçiç nga Drobnjaci, shiti pesëqind mijë disqe dhe kaseta me muzikën e vet. Festivali i parë i guslës u organizua në Sarajevë në 1971, me pjesëmarrjen e 180 guslarëve.

Edhe gjatë luftës civile në ish-Jugosllavi, vëren Tarlac, guslarët e rimorën rolin e tyre si shoqërues dhe frymëzues të luftëtarëve; madje në Republika Srpska, gusla u proklamua vegël muzikore shtetërore dhe një film dokumentar i BBC-së tregon vetë Radovan Karaxhiqin që i bie guslës dhe këndon. Ivo Zaniç, publicist dhe studiues kroat, shkruan se elita ushtarake dhe politike serbe gjeti te guslarët një rrjet të madh propagande që glorifikonte ndërmarrjet e saj, ndërsa guslarët siguruan një farë mbrojtjeje ndaj procesit të urbanizimit të shekullit XX, që rrezikonte t’i dëbonte nga skena. Kësisoj, gusla erdhi duke iu bashkëlidhur edhe më fort nacionalizmit serbomadh, në atë masë që ndërmjetësonte shprehjen dhe përhapjen e “zërit të popullit”.

Dy përfundime mund të nxirren shpejt e shpejt nga këto të dhëna: që sllavët e Jugut ia kanë ruajtur dhe ripërtërirë traditën të kënduarit me gusla shumë më mirë se ç’kemi bërë ne me lahutën tonë; dhe që gusla është përdorur haptazi si instrument dhe mjet i nacionalizmit serbomadh në Ballkan. Nëse përfundimi i parë e përligj vendimin e tanishëm të UNESCO-s, i dyti e komprometon, sepse dëshmon si një organizatë ndërkombëtare legjitimon, de facto, një kulturë nacionaliste e cila është përgjegjëse për krime të rënda në Ballkan. Vetë teksti motivacional i UNESCO-s, i cituar më lart, përmend Bashkimin e Guslarëve të Serbisë dhe Festivalin e Guslarëve të Rinj, duke anashkaluar – besoj unë edhe pse nuk po dua të paragjykoj – rolin e këtyre organizatave në riprodhimin e pasioneve serbomadhe.

Edhe vetë koncepti themelor i këtyre klasifikimeve të UNESCO-s, që bashkëlidh tradita të kulturës jo-materiale me kombe të caktuara, lë hapësirë për diskutim – meqë disa nga traditat u referohen më shumë rajoneve kulturore tej-kombëtare, siç mund të ishte Ballkani, se kombeve të cilat janë krijime relativisht të vona. Vetë historia e lahutës/guslës do ta dëshmonte këtë më së miri.

Për më tepër, specialistët e UNESCO-s duhet të kenë qenë në gjendje të kuptojnë se teknika të tilla si ajo e të kënduarit të baladave nën shoqërimin e një vegle primitive si lahuta/gusla i përkasin kulturës orale dhe nuk mund të mbijetojnë në rrethanat e sotme të alfabetizimit masiv, kur kulturat e organizojnë ndryshe memorien e tyre historike. Vetë gjallërimi tani vonë guslës në ish-Jugosllavi, ose të themi edhe i lahutës në Shqipëri, duhen parë për çfarë janë: dukuri në thelb artificiale, të nxitura politikisht, por që nuk shprehin ndonjë nevojë kulturore të komuniteteve dhe as vazhdojnë në mënyrë organike ndonjë traditë të moçme.

Natyrisht, vendimi i UNESCO-s nuk ua heq gjë shqiptarëve të drejtën për të shijuar këngët me lahutë; të cilat nga ana e tyre nuk kanë nevojë për bekimin e institucioneve të politizuara, si UNESCO-ja. Prandaj edhe, prapa indinjatës së disave për këtë vendim të fundit unë nuk shoh aq lëndimin e një pasioni të mirëfilltë për tingullin dhe funksionin social të lahutës monokorde, sesa fyerjen e kujt e kanë gënjyer me propagandë nacionaliste, duke e bërë të besojë se ai si askush tjetër është alfa dhe omega i gjithçkaje të vjetër, autentike dhe gjenuine në Ballkan. Për fat të keq, ndërhyrja e UNESCO-s nuk ndihmon, përkundrazi; dhe nuk është për t’u çuditur që ndonjëri prej fqinjëve ta përdorë si argument për të provuar se “Kosovo je Srbija”. La madre degli imbecilli è sempre incinta.

© 2018, Peizazhe të fjalës.™ Ndalohet rreptësisht riprodhimi nga media të tjera. Shkelësit do të ndiqen ligjërisht.

Imazhi në kopertinë: detaj nga monumenti kushtuar Filip Višnjić-it (1767-1834), poet popullor dhe guslar, i njohur edhe si “Homeri serb.”

6 Komente

  1. Ne vazhden e sa e sa shkrimeve sarkastike te shkelqyera te Ardian Vehbiut,çka vlen per tu permendur edhe informacioni i pasur,qe sjell me anë te ketij shkrimi,pertej çdo nazionalizmi,ne rajonin e Ballkanit.

  2. Mendoj se te drejtat e autorit nuk jane gjera per te qeshur, pa keto te drejta gjithe shkenca, letersia, muzika etj do te cenoheshin rende. Greku ka marre patenten ne BE per djathin e deles, feta, bullgaret protestuan por pa sukses, tani djathi i deles nga bullgaria qe eshte edhe i njejti tip si i Shqiperise, duhet te shitet si pseudo-feta. Para ca vjetesh italianet protestuan .ne BE sepse ne Suedi po prodhoheshin portokallata nga nje esence. Sipas italianeve nuk mund te quhet portokallate ca nuk vjen nga portokalli, BE-ja e hodhi poshte duke verejtur se vertet ne Suedi nuk rritet portokalli, biles as gruri, por portokallaten mund ta bejne me esence meqe ashtu u pelqen ta pijne. Nuk ka dyshim qe cdo autori i pelqen dhe leverdis qe te kete te.drejta qe e mbrojne. Ne kete kuptim nqs serbet nuk jane autoret perse duhet t’u njihen te drejta autori ? Ska kuptim, eshte nonsens, tregon qe Ministrite shqiptare te kultures, qe jane dy e jo nje, nuk kane bere punen e tyre.

  3. Pa e vene ne dyshim rendesine e çeshtjes, pyetja qe kam une: a eshte publikuar ndonje CD me kenge shqipe me lahute dhe mesatarisht sa CD-ra me lahute gjenden ne nje shtepi shqiptare? Mos me keqkuptoni, por një tradite qe nuk ruhet e zhvilohet, me hir a pa hir, tendon te dobesohet, mbase edhe deri ne zhdukje, ose zhvendoset ne troje te tjera, sic fatkeqesisht paska ndodhur me lahuten.

  4. Kjo menyre te vepruari e UNESCO, vjen pak era shek XIX. Dmth perkedhel sedra kombetare.
    Sigurisht qe lahuta, djathi i bardhe apo whisky i cili quhet dhe whiskey per shkak te nje sherri te ngjashem me historine e pasurive kombetare, mund te jene vertet pasuri kulturore te njerezimit, por vendosja e nje targe nacionale mbi to perben nje problem shkencor sepse mbi nje objekt te qendrueshem ( djathi feta psh), certifikon nje koncept relativ ne kohe, hapsire dhe kontekst politijk ( psh kombi grek), dhe politik sepse hap dikutime dhe probleme te panevojshme ne nje bote tashme te ngarkuar me probleme per mbylljen e te cilave OKB dhe nen-organizatat e saj ( UNESCO psh), paguhen per ti mbyllur.
    Mund te hapim nje sherr ballkanik per cifteline, nje sherr euro-aziatik per mandolinen, lufte italo-shqiptare per harapashin- polenta, lufte ballkanike per rakine etj….
    Pa hyre ne diskutime te thella per pianon, violinen, anijen me vela, thiken, vibratorin, hartat, librin enciklopedite, petullat me dhe pa maja etj etj pasuri kulturore te njerezimit te cilat me shume se dhjetera kombe i pretendojne si te lidhura fort me kulturen apo historine e tyre.

    Ironikisht reagimi elektro-patriotik shqiptar ne fb dhe komente ishte nje perligjje e vules serbe mbi lahute. Nje arsyetim kombetarist per pronesine kombetare mbi nje vegel muzikore per te cilen u kujtuam se ekziston pasi ” na e morren”, eshte me i dobet se arsyetimi kombetarist i nje kombi tjeter i cili e perdor kete vegel se paku per te frymezuar kriminelet e vet.

  5. Keto pune s’kane pse te jene te bazuara tek reagimi, se aty e ka mare ferra uraten. Unesco ne rastin tone perfaqeson nje vule me vlere turistike dhe turizmi ku xhiron leku i vertete eshte ai kulturor, qyteti me i vizituar ne bote eshte Parisi, i cili ska as det e as bregdet. Elementet kulturore tek e tek kane vlere te ulet, por ne teresi kane vlere te jashtezakonshme. I njejti arsyetim me djathin e deles, nuk e eksportojme dot sikur te duam se e ka targen greku. Keshtu shkojme tek Kina qe i futi nje fallsifikim gjithe mallrave dhe e mbyti tregun, gjeja qe duhet bere ne ate te voglen tone. Qeveria duhet te kete nje fond te posacem per te korruptuar institucionet nderkombetare, te quhet fond lobimi a ca te duam, por eshte e qarte qe ketu duhet fonde per te korruptuar nderkombetaret, perndryshe do na mbyllen shume dyer, te cilat jane me vlere per ekonomine tone. Ketu reagimi ka vleren reale zero, duhet pare e gjykuar si gare ankandi kjo pu ne.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin