DHJETORI NA MBLODHI

Protestat e studentëve sot na kujtojnë edhe njëherë revoltat studentorë në vitin 1990. Duke qenë se prej fillimit të mijëvjeçarit ka pasur një shfryrje të vullnetit studentor në Shqipëri, kjo protestë është një festë për demokracinë.

Prej 1997 studentët ishin mobilizuar për qëllime partiake. Ata e kanalizuan fillimisht inatin nga Partia Socialiste gjatë 1996-1997 (kujtoni studentët e Vlorës!), dhe më pas nga Partia Demokratike prej 1998. Kush ka qenë studentë gjatë kësaj periudhe të fundit, mban mend studentët grevistë urie, të cilët merrnin udhëzime dhe byreqe me gjizë nga forumi rinor i Partisë Demokratike.  Më tej, sikur me buton, pas marrëveshjes Nano-Berisha e më pas me Dhori Kulen si rektor i Universitetit të Tiranës, revoltat u shteruan, veç disa rasteve sporadike (protestat e studentëve të mjekësisë në 2012, protestat e studentëve të institucioneve private pas mbylljes së këtyre në 2014). Krijimi i “Lëvizjes për Universitetin” kundra “reformës së arsimit të lartë” solli një tjetër hov, që kulmoi tanimë me protestat e sotme.

Kështu që lëvizja e dhjetorit është interesante për tu studiuar nga pikëpamja teorike e lëvizjeve sociale. Ka disa rrëfime për dhjetorin e 1990, rrëfime dëshmitarësh[1], libra (autorë shqiptarë si B. Fevziu, A. Krasniqi etj. [2], madje edhe në anglisht[3]), fotografi, por unë besoj se nuk ka pasur një trajtim sistematik e shkencor të rolit të universitetit.

P.sh. gjatë një bisede me një aktivist të Organizatës Politike, i “Lëvizjes për Universitetin”, J. Marka, mu dëshmua se dekani i fakultetit të shkencave të natyrës, sot rektori Mynyr Koni, ishte munduar të pengonte protestat e studentëve duke iu refuzuar mjediset për tubime apo takime. Po ashtu, mbaj mend se jo vetëm qeveria, por edhe Universiteti i Tiranës, kujdesej që përfaqësuesit e studentëve në Këshillat Studentore të kishin miratimin e qeverisë e të administratës së universitetit. Pra, mjedisi universitar është aq i kontrolluar sa nuk lejon protestat e studentëve. Vetë Edi Rama kërkon angazhimin e strukturave universitare kur përsërit se tarifat vendosen nga universitetet. Edhe pse është qeveria që duhet të miratojë tavane, madje duhet të nxjerrë një akt nënligjor për këtë.

Si ka qenë pra mjedisi universitar gjatë lëvizjes së dhjetorit 1990? A lejonte ky mjedis hapësira për të shprehur vullnet për protesta? A gjenin studentët aktivistë mundësi për të mobilizuar studentët të tjerë? Cilat ishin disa nga mundësitë strukturore (opportunity structures) që iu krijuan studentëve dhe i nxitën apo inkurajuan ata për këto revolta? Këto janë disa nga pyetjet që trajtohen këtu me qëllimin për të eksploruar rolin e Universitetit të Tiranës në revoltat studentore 1990 (Ky hulumtim është prezantuar në konferencën e organizuar nga Instituti për Kujtesën Kombëtare, Wroclaw, Poloni, Nëntor 2016).

Ka teza se revoltat studentore të dhjetorit janë nxitur apo sajuar nga forca të brendshme të regjimit, Sigurimi i Shtetit, apo struktura konkurrente brenda apo armike ndaj Partisë së Punës[4]. Një tjetër interpretim është ai i martirizimit, këngën e së cilës e degjojmë përherë nga Partia Demokratike, që e ka përvetësuar këtë revoltë. Por pa i hyrë këtyre interpretimeve, sikur edhe duke lënë mënjanë për hir të analizës ndikimet e zhvillimeve globale në nivelin makro, na duhet të merremi me universitetin. Kjo qoftë për partizanët e tezës konspirative, sikur edhe për ata që kërkojnë teza të verifikueshme. Pasi, nëse revoltat kanë qenë të nxitura nga aktorë brenda regjimit, duhet ti përgjigjemi pyetjes përse universiteti? E jo p.sh. kooperativat, minierat apo fabrikat, ku gjithashtu ka pasur lëvizje të mëdha njerëzish të shtresave të ndryshme që mund të kontrollohen me vështirësi. Përse regjimi zgjodhi universitetin? Prandaj universiteti është institucioni kyq për të filluar këtë analizë.

Lëvizja e dhjetorit

Shkurtimisht, lëvizja filloi si pasoje një zinxhiri ngjarjesh të ndodhura prej janarit 1990, me pëshpërimat për një demonstrate masive që nuk u materializua. Më pas vijuan disa protesta në Kavajë dhe Shkodër. Në korrik, asistuar edhe nga disa diplomatë të huaj, një grup qytetarësh u futën në ambasada të vendeve perëndimore dhe kërkuan azil politik. Gjatë këtij viti regjimi ndodhej në një trysni nga intelektualët e tij, të cilët ishin edukuar për të marrë stafetën e gardës së vjetër. Kështu ishin krijuar hapësira për shprehje të lirë mendimi: si publikimi i disa artikujve kritikë nga intelektualë të njohur, apo nisja e një fushate për demokratizimin e organizatave të masave, që ishte propaganduar me intensitet të lartë në organin e Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë. Trysnia e intelektualëve  u shtua edhe më shumë pas vendosjes në skenë ne tetor 1990 të një vepre të I. Kadares, dhe më pas largimi i këtij në Francë.

Në universitet qeveria e kishte shtyrë fillimin e vitit akademik si pasojë e përkeqësimit të kushteve në konvikte, dhe kishte marrë kohë për të investuar në krevatë e batanije. Por studentët ishin sërish të pakënaqur. Në nëntor, disa përfaqësues të organizatës së rinisë nga fakulteti i inxhinierisë së Universitetit të Tiranës publikuan një letër të hapur që kritikonte “gardën e vjetër” dhe Byronë Politike, e kërkonte ndër të tjera të takonte Kryeministrin. Mbledhja me Kryeministrin, R. Alia, nuk shkoi mirë kur studentët perceptuan arrogancën e regjimit. Në 4 dhjetor rreth 300 studentë, kryesisht nga programet e inxhinierisë, vendosën të protestojnë në Qytetin e Studentit për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike dhe të kushteve në konvikte. Protestat u kthyen politike në Institutin e Lartë të Arteve, nën drejtimin e dy pedagogëve (E. Rama, A. Imami). Gjithashtu studentët e arteve organizuan për herë të parë mbremje muzikore, ndër to një përkujtimore për John Lennon[5]. Gjatë protestave studentët zgjodhën një komitet drejtues dhe një grup përfaqësues për bisedime me qeverinë. Në 8 dhjetor studentët organizuan një revoltë popullore, e cila u mundua të shtypej me dhunë nga regjimi. Më shumë studentë iu bashkuan revoltës, dhe rreth 6000 studentë nënshkruan një peticion për të lejuar pluralizmin (Progni, 2013, fq. 211). Më pas qeveria u tërhoq, shpalli pluralizmin dhe lejoi krijimi e Partisë Demokratike. PD u krijua kryesisht nga intelektualë (150 studentë dhe 30 pedagogë, nga 342 anëtarët e parë në total, shih Krasniqi, 1998). Studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës u zgjuan dy muaj më vonë dhe organizuan një grevë për largimin e rektorit, e cila shteroi shpejtë në numra. Vetëm kur grevës iu bashkuan studentët e Universitetit të Tiranës greva fitoi në energji, por ndryshoi vend dhe qëllim: studentët kërkuan heqjen e emërtimit “Enver Hoxha” nga UT-ja. Të injoruar nga qeveria dhe nga opozita, studentët filluan grevën e urisë. Edhe këtë radhë ata u përkrahën nga masat që ishin kundër trashëgimisë politike të Enver Hoxhës, dhe triumfuan. Universiteti i Tiranës ndan një copë të tijin, Universitetin Politeknik të Tiranës. Në këtë kohë studentët filluan të organizoheshin në më shumë se disa organizata formale e informale studentore. Këto organizma shkaktonin ndërprerje të shpeshta të mësimit në universitet dhe për të ndaluar më tej mobilizimin e studentëve, në mars 1991 qeveria mbylli universitetet (B. Fevziu, 2011). Protestat më pas u pakësuan edhe me emigrimin masiv të studentëve (vlerësohet se rreth 40% e studentëve u larguan në atë periudhë, sipas A. Klosi, 1991). Universiteti i Tiranës gati u reduktua për nga numri i studentëve, nga rreth 13 mijë në vitin 1990, shkuan në rreth 9 mijë studentë.

Lëvizja e dhjetorit nga pikëpamja teorike

Lëvizja e dhjetorit  mund të përkufizohet si një veprimtari politike, e ajo mund të kategorizohet si lëvizje revolucionare strukturore (në kuptimin e Gill dhe DeFronzo, 2009[6]). Lëvizje të tilla gjejnë hapësira në institucionet e arsimit të lartë. Një seri studimesh janë kryer për revoltat studentore gjatë viteve 60 në vendet perëndimore[7] dhe sipas Altbach (2007) rezulton se universiteti është një mjedis veçanërisht i favorshëm për zhvillimin e organizatave dhe lëvizjeve studentore. Universiteti sigurin një mjedis intelektual që thekson mendimin dhe analizën e pavarur duke diskutuar vlera, teori dhe ide që vlerësojnë në mënyrë kritike konvencionet sociale dhe normat politike (Altbach, po aty). Nga këto studime rezulton se, karakteristikat institucionale si madhësia e universitetit, përbërja e trupës studentore, organizatat studentore, personeli akademik dhe autoritetet e universitetit mund të luajnë një rol të rëndësishëm në angazhimin studentor dhe aktivizmin e tyre, qoftë ky rol në nxitjen apo ndalimin e aktivizmit studentor[8].

Lëvizja e dhjetorit përfitoi gjithashtu nga “cikli i protestave“ (Tarrow, 1991) dhe momentet historike “të shpërthimit masiv të veprimtarisë kolektive”, të cilat janë përgjigje kolektive ndaj krijimit të mundësive strukturore nga regjimi (expanding structure of political opportunities). Këto mundësi krijohen apo zgjerohen kur pushteti fillon të shpërqëndrohet, nëse sistemi hapet për të tjerë, kur aleancat politike janë jostabile, e nëse ekzistojnë aleatë të fuqishëm për sfiduesit e sistemit, dhe/apo kur regjimi politik rrekë të shtypë me forcë pakënaqësitë.

Në rrafshin institucional mund të vërehen të gjitha këto elementë që përmend Tarrow. Prandaj teza ime është se studentët iu përgjigjen kolektivisht zgjerimit të mundësive për angazhim politik brenda universitetit. Kjo vinte si pasojë e (1) shpërqëndrimit të pushtetit të rektoratit nëpër dekanate dhe pështjellimit të organizatave të kontrolluara nga Partia, (2) angazhimit së fundmi të pedagoëve të rinj në mësimdhënie dhe në menaxhim; (3) aleancat e paqëndrueshme politike të pedagogëve me organizatat e masave si Bashkimet Profesionale, organizatat e rinisë etj.; (4) aleancat e studentëve me disa pedagogë e intelektualë të rëndëishëm të regjimit e universitetit; si dhe (5) reagimi brutal i drejtuesve të universitetit dhe dhuna shtetërore në 8 dhjetor, e cila zgjoi simpatinë e studentëve pasiv dhe të popullit të Tiranës.

Roli i universitetit në teori

Nga studimet në vendet perëndimore mësohet se, universiteti krijon një mjedis ushqyes për protesta studentore kur: (1) ka një numër të madh studentësh, çfarë krijon mundësi për studentë që mendojnë njësoj të lidhen në rrjete informale; (2) ndërsa jetesa e përbashkët në konvikte ushqen solidaritet dhe besnikëri për këto qarqe; (3) universiteti ofron arsim liberal dhe vlera që nxisin angazhimin qytetar dhe politik; (4) universiteti vetë mund të ketë një imazh, sikur i përket një traditë të veprimtarisë politike; (5) mjedisi universitar është më liberal ndaj jetës studentore dhe qëndrimit politik të tyre; (6) zakonisht janë në vende urbane; (8) dhe kur fakulteti është i pakënaqur.

Mjedisi universitar në UT

Në UT mjedisi universitar para viteve 1980 mund të karakterizohej, sikur edhe në vendet komuniste të lindjes, në një sistem hierarkik të përqëndruar menaxhimi, të penetruar kulturalisht e profesionalisht nga strukturat paralele të partisë-shtet, dhe me një dallim të fortë midis kërkimit (institutet shkencore dhe akademia) dhe mësimdhënies (universiteti e institutet pedagogjike)[9]. Ligji i sistemit arsimor (1969, Nr. 4624) i përkushtohej “njeriut të ri” me bashkimin organik të së nxënurit, prodhimit dhe edukimit fizik e ushtarak, duke i vendosur “përparësi absolute” ideologjisë Marksiste-Leniniste dhe përgatitjes revolucionare e shpirtit proletar. Përgatitja ushtarake dhe kurset e marksizëm-leninizmit ishin provime të detyruara dhe pjesë e mendimit teorik në çdo disiplinë. Këshillat shkencorë në nivel universiteti apo fakulteti mbikëqyrnin veprimtarinë shkencore dhe vendosnin për promovimin e pedagogëve. Jeta studentore, edhe koha e lirë, kontrollohej imtësisht nga strukturat paralele të partisë dhe organizatat e rinisë. Studentët (në kuadrin e demokracisë së përqëndruar) mund të merrnin pjesë në mbledhjet për vendosjen e programeve mësimore, në komitetet shkencore apo në organizatat studentore. Pranimi i studentëve ishte mbi bazën e përkatësisë klasore dhe planifikimit shtetëror. Qyteti i Studentëve ishtë nën drejtimin e rektoratit të Universitetit të Tiranës dhe Këshillit të Studentëve, zgjedhur këta nga studentët nëpërmjet organizatave të rinisë.  Universiteti i Tiranës ishte vendosur në qendrën më urbane të Shqipërisë, dhe prekej nga (me raste vendoste) trendet e zhvillimet më të fundit në fushën e kulturës.

Krijimi i mundësive strukturore për aktivizmin politik

Pas viteve 80 filluan disa ndryshime strukturore në sistemin universitar që krijuan më pas mjedisin e duhur për protestat studentore.

  1. Rritja e numrit të studentëve dhe ndryshime në trupën studentore: Në vitin 90 ishtin tetë institucione të arsimit të lartë me 26 mijë studentë. Numri i studentëve ishte rritur me 25% prej 1984 dhe 1787 personel akademik. Universiteti i Tiranës ishte institucioni më i madh në vend, me 8 fakultet dhe 50% të numrit total të studentëve, rreth 13,500 studentë në 1990[10]. Pas viti 1981 qeveria ishte përkushtuar të rriste numrin e studentëve, i cili kishte pësuar ulje të ndjeshme gjatë periudhës 1973-78. Edhe pse sipas planit 5 vjeçar (1986-1990), ekspertë të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës ishin shprehur kundër në një propozim ndaj Komisionit të Planit të Shtetit[11], kishin kërkuar uljen e rritmit të masivizimit të arsimit të arsimit të lartë, për shkak të mungesave të theksuara në infrastrukturë dhe financimit. Ekspertët e Komisionit të Planit të Shtetit ishin shprehur më parë kundër masave të qeverisë për rritjen e numrit të studentëve, edhe pse qeveria kishte rritur numrin e studentëve nga 20 mijë të planifikuar për vitin , në 25 mijë në vitin 1988[12]. Numri i studentëve në Qytetin e Studentëve si pasojë u rrit ndjeshëm (rreth 40% brenda një periudhe 5 vjeçare), dhe kjo solli probleme me cilësinë e ushqimit dhe të shërbimit, kritikat ndaj të cilave filluan që në vitin 1987 nga rektori i UT, O. Kraja[13]. Sipas këtij rrëfimi, vetëm 1/3 e studentëve përdornin mensën në vitin 1987, ndërkohë që në vitin 1981 ishin rreth 50% e studentëve.
  2. Ndryshime në përbërjën e trupës studentore. Pas viteve 80 vihet re një relaksim i kritereve për arsimin e lartë për shtresat sociale të prekura nga lufta e klasave. Sidomos në Tiranë, komisionet në frontet e lagjeve, ca me ndërhyrje, por edhe nga një qëndrim i përgjithshëm pozitiv i Komitetit Qendror në Rrethin e Tiranës, ishin më tolerantë dhe pranonin studentë që kishin merita akadamike, edhe pse nuk plotësonin kushtet politike e sociale. Problemet me shërbimin dhe largimi nga mjediset shtëpiake inkurajonin solidaritet dhe shoqërim më të ngushtë ndërmjet studentëve. Ndërsa numri i madh i studentëve në mjediset e ngushta krijonte mundësi për studentët e ngjashëm në mendime të gjenin njëri-tjetrin. Sidomos studentët nga Shkodra dhe zonat e Veriut kishin një shoëqërizim të veçantë (Shenasi Rama, 2006). Këta gjithashtu kishin përfituar nga politikat nxitësë të regjimit për zhvillimin e zonave veriore (studentët nga zonat verilindore pranoheshin edhe me nota të ulta, ose direkt nga shkollat bujqësore).
  3. Ndryshime në kurrikul dhe format e mësimdhënies. Gjatë kësaj periudhe u hoq detyrimi për vitin e praktikës si kusht për regjistrimin në arsimin e lartë. Kohëzgjatja e disa programeve të studimit u rrit dhe filloi ajo që quhet akademizimi i programeve të studimit (një trend mbarëbotëror në këtë periudhë). Arsimi i lartë erdhi duke u demilitarizuar. Edukimi ushtarak u reduktua dhe studentët nuk duhet të mbanin armë të vërteta në stërvitjen ushtarake. Më tej Ministria e Arsimit (nën direktivën e Kongresit të 9-të të Partisë, “luftë totale ndaj të nxënurit pasiv dhe mekanik”) kishte nisur një fushatë të gjatë kundër të mësuarit mekanik, dhe studentët ishin të inkurajuar të diskutonin hapur tema politike, e ndërkomëbtare, në klasë apo rrethet shkencore[14]. Kjo duhet të nxiste të reflektuarit kritik te studentët, edhe pse sikur vëren E. Selami (te Progni, 2013, fq. 351), studentët nuk interesoheshin për tema politike.
  4. Ndryshime në trupën pedagogjike. Në këtë periudhë u rekrutuan shumë pedagogë të rinj (p.sh. E. Selam, A. Imami, E. Rama, G. Pashko etj.) që sollën me vete një tjetër qëndrim ndaj regjimit dhe i trajtonin studentët si kolegë. Studentë të G. Pashkos tregojnë se ai i merrte ata në park për shëtitje “peripatetike”, ku diskutoheshin tema të ndryshme. Një pjesë e këtyre pedagogëve jetonin edhe në Qytetin e Studentëve (rreth 50 në 1989) e kishin marrëdhënie kolegiale me studentët. Disa pedagogë, si S. Berisha, ishin edhe më të zëshëm në kritikën e tyre në organet e Partisë apo të Bashkimeve Profesionale[15]. Në fillim të viteve 80, me rekomandim të Enver Hoxhës (Tefta Cami, komunikim personal, Gusht 2016), ishin inkurajuar pedagogë e studentë të studionin jashtë vendit (numri ishte rritur disa fish edhe përmes programeve të PNUD e UNESCO, p.sh. nga 3 studentë në vitin 1971, numri i studentëve jashtë vendit ishte 110 në 1985, kryesisht në vendet perëndimore). Kontrolli dhe mbikëqyrja ndaj inteligjencies ishte liruar me suprimimin e njësisë pranë Sigurimit të Shtetit në vitin 1983, e persekutimi i intelektualëve ishtë bërë më i vështirë në aspektin procedural (L. Pobrati, komunikim personal, Nëntor 2017). Këto ndryshime sollën që pedagogët e duhur të krijonin aleanca të dobishme me studentët, apo edhe të kontrollonin intensitetin e protestave (p.sh. E. Rama). Disa pedagogë u aktivizuan gjatë lëvizjes dhe morën drejtimin e saj (enterpreneur agents). Këta arritën të krijonin një lloj përkufizimi të ri e politik të studentëve, që ndikoi pozitivisht lëvizjen studentore. Madje një pedagog thekson se personeli akademik i përdori me qëllim studentët që të rrëzonin regjimin[16].
  5. Zbehja e rolit të organizatave studentore partiake. Këto organizata e kishin humbur me kohë legjitimitetin tek të rinjt, studentët nuk merrnin pjesë në mbledhjet e organizatave të rinisë dhe studentore. Jo vetëm pse këto kontrolloheshin nga njerëz të mërzitshëm, por edhe se ishin organizata ndëshkimore ndaj shfaqjeve të huaja. Studentët nuk i kanalizuan pakënaqësitë në këto organizma (edhe pse letra e hapur e studentëve të inxhinierisë vinte pikërisht nga pinjoll i një anëtare partie punësuar në universitet, P. Majko), por krijuan përfaqësitë e tyre. Kjo solli më pas një efekt pozitiv në protesta, pasi organizmat partiake nuk ishin në gjendje të kontrollonin lëvizjen.

(c) 2018, autori. Të gjitha të drejtat e rezervuara.


[1] Progni, Luljeta. Pardesyte e Bardha, Tirana: Gent Grafik 2013.

[2] Fevziu, Blend. Piedestale pa Statuja. Tirana: UET Press. 2011; Krasniqi, Afrim. Fundi i Siberisë shqiptare: Lëvizja Studentore Dhjetor 1990 dhe Shkurt 1991. Tirana: Albin 1998; Zogaj, Prec. Fillimet. 2 ed. Tirana: UET Press, 2014.

[3] Abrahams, Fred C. Modern Albania: From Dictatorship to Democracy in Europe. New York: NYU Press, 2015.; Vickers, Miranda, and James Pettifer. Albania: From Anarchy to a Balkan Identity. Washington Square, N.Y.: New York University Press, 1997.

[4] P.sh. A. Krasniqi (1998, Fundi i Siberise Shqiptare) e hedh ketë tezë. Sikur edhe Abrahams (2015) për sabotimin e energjisë elektrike, apo E. Zhvarc (intervistuar nga Progni, 2013, fq. 266).

[5] A. Klosi, E. Rama, Refleksione. Tirana: Botime Albania 1991.

[6] J. Gill, J. DeFronzo, A Comparative Framework for the Analysis of International Student Movements, “Social Movement Studies”, 2009, No. 3 (8), fq. 208.

[7] P. G. Altbach, The International Student Movement, “Comparative Education Review”, 1964, No. 2 (8), pp. 131-137; R. E. Peterson, R. E.. The Student Left in American Higher Education, “Daedalus”, 1968, No. 1 (97), pp. 293-317; M. Pugh, J. B. Perry, E. E. Snyder, E. Spreitzer, E. Faculty support of student dissent, ‘The Sociological Quarterly”, 1972, No. 4 (13), pp. 525-532; C. A. Rootes, Student Radicalism, “Theory and Society”, 1980, 93, pp. 473-502; M. Sasajima, J. Davis, R. E. Peterson, Organized Student Protest and Institutional Climate, “American Educational Research Journal”, 1968, No. 3 (5), pp. 291-304; J. W. Scott, M. El-Assal, Multiversity, University Size, University Quality and Student Protest: An Empirical Study, “American Sociological Review”, 1969, No. 5 (34), ff. 702-709;

[8] T. M. Luescher‑Mamashela, Theorising Student Activism In and Beyond the 20th Century: The Contribution of Philip G. Altbach, [in] Student Engagement in Europe: Society, Higher Education and Student Governance, edited by M. Klemencic, S. Bergan, R. Primozic, Council of Europe Higher Education Series 2015, No. 20.

[9] M. David-Fox, G. Péteri, On the Origine and Demise of the Academic Regime, [in] Academia in Upheaval: Origins, Transfers, and Transformations of the Communist Academic Regime in Russia and East Central Europe, edited by M. David-Fox, G. Péteri, Wesport Conn: Bergin & Garvey 2000, fq. 5.

[10] AQSH, Ministria e Arsimit Fond, 511, Dosja 152, Year 1990, Tirana. Studime te Ministrise se Arsimit per strukturen, organizimin e arsimit ne Republiken Popullore Socialiste te Shqiperise: Pergatitur per organizata nderkombetare, Shqiperi, 9 XI 1990.

[11] AQSH, Ministria e Arsimit, Fond 511, Dosja 101, Year 1986, Tirana.“Zhvillimi i arsimit te larte ne pesevjeçarin 1986-1990”, 16 XII 1983.

[12] AQSH, Komisioni i Planit të Shtetit, Dosja 495, Folder 246, 1988, Tirana. Regjister statistikor perpunuar nga aparati i KPSH mbi regjistrimet e nxenesve ne kopshte, ne shkollat 8 vjecare, te mesme dhe arsimin e larte per vitin shkollor 1988/1989, XII 1988.

[13] AQSH, Ministria e Arsimit, Fond 511, Dosja 236, Year 1987, Tirana. Kraja, O., Per Permiresimin e Drejtimit ne Qytetin Studenti, Drejtoria e Konvikteve, Tirane. 25 V 1987.

[14] AQSH, Ministria e Arsimit, Fond 511, Dosja 83, Year 1989, Tirana. Konkluzione e ndihmes e te kontrollit te ushtruar nga MA ne shkolla te larta per nje te mesuar aktiv e formues, ne lufte kunder te mesuarit mekanik dhe pasiv.

[15] S. Berisha në intervistë me B. Fevziun, TV Klan. 10 Dhjetor 2010.

[16] S. Berisha në intervistë me B. Fevziun,. TV Klan. 10 Dhjetor 2010

16 Komente

  1. Levizja e dhjetorit duhet pare edhe nga pikpamja stinore. Veshtire te jete rastesi qe e ftohta, shpirti i dimrit, eshte katalizator i revolucioneve shqiptae. “Dhjetori na mblodhi” pergjate gjithe historise: edhe Pamvarsia dhe Çlirimi kane ndodhur në fund nentori.

  2. Protestat e ketyre diteve ngjajne me ato te 1997, duam paret tona dhe kane te njejten vendosmeri. Injorimi i kerkesave prej Saliut mundesoi politizimin e 1997. Injorimi i kerkesave prej Rames do e politizoje protesten dhe do fitoje Basha.

  3. Nëse ky shkrim pretendon te jete nje analize e ngjarjeve te 1990, qofte si levizje studentore, qofte si levizje mbarepopullore, qe eventualisht donte te ndryshonte sistemin, apo rregjimin, ka nje mungese te rendesishme sepse nuk merr ne konsiderate influencen e pamatshme qe paten ne ngjarjet e 1990s ne Shqiperi, ato qe kishin ndodhur me pare ne te gjithe lindjen ish-komuniste, si ato te te egrat dhe virulentet e Bukureshtit, qofte edhe ato me te qetat, si ne Prage.

    Une mendoj, se pa ndryshimet esenciale nderkombetare, ngjarjet ne Shqiperi, edhe nëse do te kishin filluar, o do te ishin shfryre si flluske sapuni, o do te ishin shtypur me pak gjak.

    Arktitekti i 1990 eshte Ramiz Alia (by the way, R. Alia, nuk ishte Kryeminister ne ate kohe sic permendet ne shkrim). Ai e kuptoi shpejt qe nen trysnine nderkombetare, presionit te brendshem ne Shqiperi i duhesh dhene rruge te shfryhej me mire ne menyre te kontrolluar, sesa te lihej pa kontroll dhe te shkaktonte dëme te pariparueshme per klasen e vjeter politike. I ashtuquajturi pluralizem partiak ne Shqiperi u vendos si karikature e “pluralizmit” te organizatave te masave, Nëse e mbani mend zgjedhjet e para “pluraliste” u zhvilluan me kanditate te Frontit Demokratik (cover-up per PPSH), BRPSH, Bashkimeve Profesionale, Organizates se Veteraneve e ku mbaj mend une ç’tjeter.

    Te mundohesh ta futesh levizjen e Dhjetorit brenda suazave teorike duke perdorur argumente me Gramoz Pasho, e me Sali Berisha, e me Ismail Kadare eshte njelloj si te mundohesh te argumentosh qe nje kasolle kashte qe vjen era bajga eshte nje pallat mbreteror me arkitekture moderne.

    Kjo qe po ndodh sot, nuk eshte veç nje levizje kaotike kaçakesh inatçinj qe provojne “me u gjend ne pune” kinse po bejne e po perjetojne “ngjarje historike” demek nga ajo historia qe i vinte prapa atij, si e kishte emrin mer ti, ah po, Fatos Nano.

  4. Më fal po kjo revoltë nuk ka nevojë për “opportunity structures”, sepse kur gjërat shkojnë drejt revoltës dëshmohet se ka një regres shoqëroror, jo të atyre që protestojnë, por të vetë strukturave funksionale të shoqërisë. Në kuptimin që sot në Shqipëri nuk ka asnjë mundësi për cfarëdo llojë vendimarrje nga strukturat ekzistuese, të cilat do mund të ishin më cilësore se ato vendime që mund të merren nga turma në protesta dhe në rrugë.

    Sepse nuk do mend se vendimi i marr nga Kukësianët për të mos paguar €10 për të kaluar një tra që i ndan ata nga pjesa tjetër e kombit është shumë herë më i mirë se vendimi i qeverisë. Po ashtu vendimi për të mbrojtur Teatrin Kombetar është shumë herë më i mirë se vendimi për ta prishur. Vendimi për të mbrojtur banesat e Astirit është shumë herë më i mirë se prishja e tyre dhe ndërtimi i unazës së re (këtë e them me kopetencë). Dhe mund të marrë shembuj pa fund këtu të vendimeve të kësaj qeverie dhe të mëparshmëve që sot mund të dëshmojmë se do ishim më mirë sikur turmat ti kishin marrë këto vendime.

    Ajo që e bën lëvizjen studentore, por edhe të tjera lëvizje të mundshmë është thjeshtë ndërgjegjësimi se këta student, artistë, qytetatrë, fshatarë, e kanë rezolucionin në nivelin e perceptimit të realitetit shumë herë më të lartë se Kryeministri që nuk di të shpjegojë as pikturat dhe zhgarravinat e veta ëallpapers që var nëpër mure, dhe bën politika dhe meme nga Facebook-u. Vjen nga ndërgjegja që institucionet janë tërësisht të korruptuara dhe te falimentuara në mundësinë e tyre për të marr vendime në mënyrë racionale, sado të vogëla dhe të parëndësishme. Ky ishte rasti më 1990-ën, dhe ky është rasti sot.

    Por, kjo nuk mund të quhet opportunity structure (edhe në kuptimin Marksist të fjalës po deshe që duket se është përdorur këtu) Por kjo mund të quhet vecse “disaster” por jo “opportunity”.
    E megjithatë, ne kemi arritur ne pikën që sado me rezolucion të ulët dhe të pastudiuara të jenë vendimet që merren nga turma, ato janë shumë herë më të mira se vendimet që merren nga strukturat tërësisht të korruptuara.
    Sot në 8 Dhjetor ne do jemi shumë më mirë sikur të shkrihet parlamenti dhe turma e studentëve të na zgjedhë një parliament mu aty para ministrisë. Të paktën për mua është e qartë se diktatura e turmës sot në Shqipëri është shumë më e mirë se diktatura e korrupsionit.

    Ndaj shohim sot përpjekjet e qeverise së majtë me levat Jeunesse Marxist (OP) për të mos e lejuar të kristalizohet turma, në bashkimin e kauzës së Teatrit, Astirit, Sudentëve, Kukësianëve, Naftëtarëve, Minatorëve, Plehraxhinjëve., Fshatarëve. Sepse atëherë do dëshmohej që kjo turmë do ua merrte vendimamrrjen. Këta nuk kanë frikë nga demokracia dhe vota e popullit, sepse ja kanë gjetur celësin se si ta manipulojnë dhe vjedhin së bashku. Këta kanë frikë nga “diktatura” e Turmës.

  5. Sot komentohet, zhvillimet komentohen, perfundimet jane ne fund. Dulja eshte si dardha, e ka bishtin prapa, prandaj arrin ne konkluzione. Protesta eshte e mirefillte, protestohet duke kerkuar ate qe eshte marre, sipas parimit po me more dicka eshte e drejta ime te kerkoj te marr gjene time. Diritti acquisiti quhen ne italisht. Me kanun i zoti e merr gjene e tij mbrapsht kudo e kurdo qe eshte ne gjendje ta shquaje. Ngaqe eshte proteste e mirefillte dmth ripronesimi, nuk eshte politike, por nqs hajduti e mbron gjene qe ka vjedhur, atehere i zoti duhet te perdore forcen, rrjedhimisht do te politizohet. Problemi eshte se studenti eshte faze jete, nuk eshte kategori e mirefillte sociale, ekonomike, kulturore etj, keshtu qe nuk politizihet dot. Ketu hyjne ne pune intelektualet dhe partite politike. Nqs intelektualet nuk nderhyjne atehere studentet do t’i marrin partite politike te opozites. Prandaj eshte fenomen interesant, edhe me shume sesa i dhjetoristeve, te cilet nuk perfaqesonin nje fenomen teresisht endogjen, si ky i tashmi.

    1. Por analiza behet edhe rruges.Gjate nje ndeshje psh (se kjo ndeshje eshte). Dhe qe te vazhdojme me metaforen e ndeshjes, ne pjesen e pare studentet ishin thelle ne avantazh. Sot e gjeten veten ne disavantazh. Fundja e ka mire ky ketu poshte “kur del per ulje cmimi, ulje cmimi do te marresh”. Ulet cmimi, ngrihet sistemi. Keta jane thjesht çapaçula. Ne rastin me te mire naive. Por te shohim. Kane ngelur edhe ca minuta nga loja.

      https://www.facebook.com/185542802004925/photos/a.191871664705372/359729851252885/?type=3&theater

      1. Po. Nëse Shqiptarët nuk kanë mësuar ndonjë gjë nga Komunizmi, kanë për të ngënë nga Neokomunizmi (OP) që kërkon të mbaj Ramën me paterica, dhe po e con Kombin në një spirale të rrezikshme.

  6. Ti o hyllin, edhe kur ia drejton komentin Teutes, nuk e le pa ma tundur bishtin mua, por pastaj ne fund kujtohesh te thuash:

    “Prandaj eshte fenomen interesant, edhe me shume sesa i dhjetoristeve, te cilet nuk perfaqesonin nje fenomen teresisht endogjen, si ky i tashmi.”

    dicka qe une pak a shume e kisha shkruar ….. me bisht.

    Bishti im prapa apo perpara, si i molles apo si i dardhes, e ka verejtur perpara teje kete pune:

    “Nëse ky shkrim pretendon te jete nje analize e ngjarjeve te 1990, qofte si levizje studentore, qofte si levizje mbarepopullore, qe eventualisht donte te ndryshonte sistemin, apo rregjimin, ka nje mungese te rendesishme sepse nuk merr ne konsiderate influencen e pamatshme qe paten ne ngjarjet e 1990s ne Shqiperi, ato qe kishin ndodhur me pare ne te gjithe lindjen ish-komuniste, si ato te te egrat dhe virulentet e Bukureshtit, qofte edhe ato me te qetat, si ne Prage.”

    Nejse, duhet ta pranoj qe ti edhe si perserites je origjinal, sepse ke perdorur fjalen interesante “endogjen” per ta bere me ekzotik (apo duhet te them, endotik) komentin tend.

  7. Po nje nga arsyet qe si dardha e ke bishtin prapa eshte edhe kjo, qe pjesen e pare e kishe te sakte, kurse perpjekjet per te konkluduar vinin era alkol. Me llogjiken e molles duhet te ishe tere sy e vesh, nderaa ti e quan protesten e mirefillte “levizje kaotike kacakesh inatcinj”, po si dardha e ke bishtin prapa. Do kishe bere mire sikur te shpjegoje arsyet, ne vend qe te merreshe me triumfin e gjelit, per nje gje qe e dine te gjithe prej 28 vjetesh, dmth qe dhjetoristet ishin shih rrushi-rrushin e piqu. Une kete te vertete qe e di edhe bufi thjesht e perdora ne nje fjali te vetme., per te perforcuar dallimin, perndryshe u mora me shpjegimin e arsyes se ngjashmerise me 1997 dhe pse do perfundoje ne krahet e Bashes, nqs intelektualet sbejne gje (dyshoj fort se do jete te afte te bejne ndonje gje).

  8. Ti vazhdon te tundesh bishtin tim, si duket te vjen lezet, pastaj se nga nxjerr edhe alkolin dhe harron qe po perdore kete gjuhe, dyshimet qe ia fut me canabis vertetohen gjithnje e me kollaj. Me pelqen besimi qe ke ne drejtesine absolute e vleresimeve te tua, qe bufi nuk i di akoma. Tashti, pa shaka, une nuk e di a je ne Shqiperi a diku tjeter, po une po ta them qe po te kisha vetebesimin qe ke ti ne saktesine e atyre qe shkruan, do ta kisha hedhur me kohe Edvinin me koke poshte dhe askerkush nuk do te protestonte më kunder mendimtarit pragmatisto – historik hyllin. Dhe une nuk po e zgjas më kete muhabet, sado te vazhdosh te ma tundesh bishtin ti, se nuk dua ndonje thuper duarve nga zotni Vehbiu.

  9. Dakort analiza eshte pjese e komentimit, edhe teoria e uljes se cmimit qendron 😉 halli eshte kur protesta nga nje pale quhet grup armiqesor , nga pala tjeter kali qe i duhet Bashes.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: