ROMAN LABIRINT, INT INT NTT

nga Oltion Kadaifçiu

Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve (Toena 2015). Nga Bashkim Shehu. Roman labirint. Fjalor, roman labirint. Apo roman labirint fjalor?

Libër që ka në kopertinë një pikturë të Escherit, ku dy duar vizatojnë njëra tjetrën. Ai mjeshtër i iluzionit e solli në lëmë të syrit një kundërshti të shkakësisë së jashtme e njëkohësisht prej vetes, ndërsa më tej në libër lexuesit i thuhet se ky fjalor është një labirint dhe ky labirint një fjalor prandaj hyrjet e tij mund të zgjidhen sipas nevojës ose rastit. Vetëm se rendi është shkronjor.

Ndjek një renditje prej fjalori. Dhe ky refuzim i të shkuarit të rrjedhës pas filli kësaj i shërben, kultivimit të një rendi. Arkivi, Begirova (Anahanëm), bakri…malli, merimanga, nokturn këshilli, paralele botët, pasqyra…. rëra, i rikthyeri… uji, e vërteta e hapjes së dosjeve, zjarri, zoti. Emra e ca personazhe.

Fjalori i dosjeve, ka plot 47 hyrje. Fillon te shkronja A, e arkivit, dhe mbaron te shkronja Z. Tek zoti. Që në fakt ishte identiteti ku rrekej të mbërrinte protagonisti, Naun Gjika, njëri nga personazhet e veprës, kur zbatonte njërën nga diagnozat e veta. Dhe zoti është i përfytyrueshëm tre sojesh: si parapërcaktues deri në detaj ose dhënës i lirisë për të zgjedhur mes të mirës e të keqes, e pastaj ca letra bixhozi i gjenden në dorë lojtarit. E pastaj Naun Gjika.

Në mos gabofsha më të gjatat hyrje në renditje janë, ajo e labirintit kozmik, pastaj vjen këshilli nokturn, pastaj Kvasnjikovi, pastaj Naun Gjika. (30, 27, 17, 15) Por, Naun Gjika është gjithandej. Nëpër rrjedha të gjata me të është Festimi.

Nuk duhet treguar shumë nga libri se mund të inatosen lexuesit për largim të tepërt të misterit mjegullues e surprizës finale, por pa dyshim ky nuk është rasti duke pasur në sy bollëkun, ndaj na duhet të nisim me fillimin.

Nëse shpërfillim disi pjesën ku thuren ngjarjet personale që ua mbajnë peshën faqeve disi më të dedikuara, na duhet ta nisim tek zëri i tretë, bakri:

“Hijet e të vdekurve, rrugës për në banesën e amshuar, pasi zhduken brenda një guve që kanë hapur vetë në të gjallë të tyre në shpatin e një mali të pasur me mineral bakri, zbresin në thellësi të malit dhe aty furnizohen me bakër. Domethënë me ujë, që ta kenë për ta pirë gjatë rrugës së mbetur. Bakri shndërrohet në ujë duke u shëmbëllyer në pasqyrat prej bakri që hijet e të vdekurve kanë me vete, …”

Kjo qenka pjesë e besimit te pirustët, ilirë që kanë jetuar në Shqipërinë veriore e ku, mes të tjerash, besimi te Zotat qenka edhe i tillë. Por aty, pastaj na thuhet se ishte Ministria e Brendshme, me aparatin e saj represiv policor, që shfrytëzon të dënuar, nëpër miniera bakri me një të pesëmbëdhjetën e rrogës së punëtorit të shumshfrytëzuar të minierës.

Më vonë Festim Diamanti në intervistë për “populli po” thotë se megjithëse mbajtja e dikujt nën mbikqyrjen e nevojshme zbuluese e korrektuese kushtonte goxha. Një komentues ofendonte ish të dënuarit, që gjithsesi paskëshin arritur t’ia fusin popullit.

Dhe “populli jo”, që boton artikullin e Naun Gjikës që e nis si i çmenduri Gurufi i Gujumit një bir i zgjedhur i zotit, një usta i madh.

Naun Gjika një ish drejtues i lartë i arkivës. Shef i saj. I kish dhënë dikur dorën Festimit e ish bërë bamirës i tij nëpër shkallë hierarkike e nën urdhra të ndonjë ministri a zëvendësministri. Festimi qe në grup shoqërimi drejt së panjohurës për shokun Naun. Por nuk i dha të njohur. E ministri ia hoqi mbështetjen Festimit, por u bind se edhe ca kohë Nauni nuk rrezikonte atdheun me çmendurinë e tij gjithsesi në kontroll.

Dhe po ky Naun për zbatim të diagnozës së vet pasi rënies së regjimit, dikur nëpër 97-ën e keqe, vihet ta bëjë prap një arkiv me letra të mbledhura rrugëve hedhur diku në një hije ku rastësia mezi i humbte.

E gjithë kjo është e zhytur në rrjedhën e librit nëpër mitologji e besime, lajthitje e lexime e kuriozitete, nëpër ndonjë ironi për narrativa mburravece të origjinarizmës ndër shqiptarëve me krijim mitilogjish e besimesh (ndoshta), e gjëra të tilla, derdhet në një kthim në tematikat e librit, si vuajtja e përndjekja, funksionimi i komunizmit në sektorë të ndryshëm të aparateve represive, e se sa i kotë është ky kthim në dosje, kur vragat në jetët e njerëzve janë ato që kanë rëndësi.

Aty ka e ilirë e dogonë, hebrenj, malezë, kinezë e grekë, siberianë. Shkencëtarë fizike me origjinë shqiptare që ndoshta lajthisin, rusë që kërkojnë babin në Tiranën e formave radikale të adaptimit me thëllimet e flladet e tregut, tashmë si organizues psikologjik e pastaj edhe organizativ. Ministra. Gazetarë e gazetare që futen në ngjarje, krijojnë një marrëdhënie, rriten, vriten, e plot të tjerë.

Pra nuk mund të ankohemi aspak për larmi të fantazisë. Fjalori ka vend për të gjithë dhe ofron një karashtisje të rrjedhave të rrëfimit në një rend modernisht rastësor. Por, megjithëse larg boshtit të shumëfishtë të subjektit të veprës, secila pjesë nuk e humbet përkatësinë në romanin që është fjalor, pa çka se për një mister për ca dosje.

Nuk mund të ankohem as për endje të fjalisë e tekstit. Madje më duhet të pranoj se shija e fjalisë, sa pa u lodhur lexuesi, është e këndshme. Se varet pastaj si e do monokromatizmin aromatik, që unë gjykoj të jetë shpërndarë nëpër vepër . (Në kuptimin që rrëfimi është kryesisht prej jashtë personazhit. Një mbikqyrje e afërt, deri brenda mendimeve të personazhit për ndodhira të një karakteri të caktuar. Si një dosje. Pa u lodhur për të thënë ndonjë gjë tjetër veç asaj që është objektiv i kryerjes së komunikimit. Edhe rrëfimet për larmitë e botës prapë janë shkruar informim-isht.)

Një stil i shpejtë profesional që mbledh në një hije të realitetit të përbashkët atmosferën e vet. Ndoshta dhe i pranishëm në realitet, por prapë nëpër individualitete të pazakonta që e lundrojnë lumin metalik të mendimeve. Personazhet nuk kanë forma e shtat. As lëvizjet e tyre nuk ndodhin. S’ka erëra. S’ka drita. Gjithçka avancon në rrafsh estetik nëpër intelektualishten dhe etikishten absurdomagjike të normalizuar prej realitetit jashtëzakonisht të larmishëm.

Dhe gjykimet e mëdha janë përzier si citime gjithandej nga pak. Ja ç’thuhet diku afër fundit prej Naun Gjikës në përshkrim të dosjeve, pasi ishte kalamendur deri atëherë si somnambul nëpër ngjarje e mendime kryesisht të sëmura ose distopike:

“… Flitet shumë e shkruhet shumë, i tha, se kemi pasur dosje për të gjithë. Por këto janë përralla, numri i dosjeve ka qenë shumë i kufizuar, sepse edhe numri i njerëzve për të cilët qe e nevojshme të hapeshin dosje ishte shumë i vogël, sepse armiqtë qenë shumë të paktë dhe po kështu nuk qe e nevojshme të kishim shumë bashkëpunëtorë, së paku kështu gjykohej. …”

Ndërprerë prej një trilli gjysmë-poetik, për simpatinë shqiptare ndaj gjermanëve, për të pasurit e rregullit, për mbajtjen pa shkatërruar të dosjeve të vdekurve e kalamendet mes të vdekurish e të gjallësh, që sorollaten nëpër gjithë librin, zoti Shehu thotë se Naun Gjika vazhdon:

“… Shkatërrohen disa, krijohen disa të tjera që i zëvendësojnë, dhe është njëlloj si të jenë po ato që u shkatërruan, ashtu sikurse çdo njeri me dosje, armik apo bashkëpunëtor qoftë zëvendësohet me një armik apo me një bashkëpunëtor tjetër, sepse në këtë shkatërrim dhe krijim të vazhdueshëm dosjesh ndodh njëlloj si me qelizat e trurit, të cilat gjithë duke u ndërruar edhe duke u zëvendësuar e ruajnë kujtesën e qelizave që s’janë më.”

Ndërkohë e vetmja dosje për të cilën marrim vesh është njëra që tregon për shqiptarin që dashuroi shoqen Bagirova, e që ia solli Kvasnjikovit Festimi. Ky personazh nuk zbulohej a ish armik o bashkëpunëtor, por kish vekur, siç edhe thuhej në rrëfimin më lart; dhe për të vdekurit dosja ruhej. Por një mister.

Ky gjurmim i qëndrimeve të një dimesioni historik-politik është një intrigë ndihmuese për promovimin e veprës, apo është një ndjenjë e sinqertë kurioziteti për ato të shkreta dosje? Se vepra siç thamë është duke u derdhur nga lloj-lloj rrjedhash. Një dashuri e pafat ose të paktën një marrdhënie seksuale e mirë e shqiptarit me shoqen azere Bagirova ka sjellë të birin e tij në vendlindjen e babait të panjohur. Kvasnjikovin. Gazetari, gazetarja, Festimi, Nauni prapë. Tranzicioni. Bakri.

Zoti Shehu në ndonjë kafe me diell paradite ka vendosur para një kapuçinoje që numri i faqeve nuk do të jetë kurrën e kurrës nën 250. Në fakt ai u dorëzua tek 246-ta, por kaq mund t’ia falë vetes secili shkrimtar që ka ndërmarrë këtë objektiv. Por ne duam rendjen e pandërgjegjshme pas muzës, zoti Shehu. Ç’është ky tru i një gruaje gjashtëdhjetë e ca vjeçare që nevojitet për ta kuptuar veprën? Ajo është vetëm një apo bëhet fjalë për diçka të veçantë që e kanë fituar prej një eksperience, që e kishin të gjitha të ngjashme. Ose një shumësi prej tyre? Ku ta gjejmë ne atë? Ç’është kjo thashethemnajë që mund ta ketë pjellë librin si shi a si rrufe? Zoti Shehu i ngre gjithë këto pyetje si radikale të atij momenti në tekst, por pa vazhda të dukshme. Në fakt duhet riparë nëse këto janë pjesë e realitetit të Gjikës apo për librin e Shehut, por kjo është një surprizë për vetë lexuesin.

Libri ka nevojë për gjetjen e hapit të duhur prej lexuesit në atë mori lëvizjesh që të shijohet. Unë e pata lexuar librin kur mori çmimin e Ministrisë së Kulturës me të njëjtën seri shkrimesh në mendje, por edhe ai edhe një lexim i dytë ca më vonë, me të njëjtin qëllim, nuk më bënë të di nëse e pata lexuar librin. Shpresoj kjo siguri e kësaj here të jetë e justifikuar (megjithëse edhe mund të mos jetë ndonjë siguri kushedi se çfarë).

Libri pa dyshim ofron të gjitha kushtet që të pëlqehet, por po deshe, edhe të kritikohet.

9 Komente

  1. Bashkohem me mendimin tuaj. Jam marrë me prozën e B. Shehut, madje kam shkruar edhe një studim për të. Ka një prurje letrare, të cilën e vlerësoj. Skemën e romanit- labirintit prozatori e ka përdorur edhe më parë në romanin “Rrethi: roman – labirint me shtatë hyrje”. Nëse në atë vepër procedeja është më funksionale, kësaj radhe, në veprën në analizë, gjykoj se, as autori vetë nuk i ka shkuar dot në fund labirintit që ka thurur. Rrjedhimisht, edhe lexuesi e ka të vështirë, në mos të pamundur të orientohet në “pyjet narrativë”.
    Deri këtu nuk ka ndonjë çudi të madhe, pasi çdo shkrimtar ka vepra të arrira, mesatare dhe të dështuara dhe lakorja e krijimtarisë ka ulje-ngritjet e saj. Çudi më erdhi me çmimin e ministrisë. Nga proza e gjatë e këtij autori, sipas meje, qëndrojnë më lart “Angelus Novus” apo “Loja, shembja e qiellit”. Më gjykimet artistike është thuajse i pashmangshëm subjektivizmi, por kam përshtypjen se juritë duhet të lënë mënjanë emrat e shtëpive botuese, apo të autorëve dhe të përqëndrohen te tekstet.

    1. Romani në fjalë, “Fjalori…”, është si një buffet, plot me gjellë të ndryshme, ca të gatuara mirë e ca të gatuara më dobët, varësisht nga oreksi i lexuesit dhe kultura që sjell ky me vete. Ndaj krijohet ideja se autori ka vepra më të mira se kjo; kjo ndjesi krijohet nga fragmentarizimi i tekstit, i cili është si një pasqyrë e thyer keq.

      E kur po pohoj: “e thyer keq” nuk nënkuptoj aspak se teksti është i keqshkruar ( po të lëmë mënjanë ndonjë pakujdesi aty-këtu, por nuk kemi pse të tregohemi mizorë me se s’bën) – nënkuptoj vetëm se ky lloj teksti, për nga vetë natyra e tij, e kërkon dhe e pranon retushimin, rishikimin dmth. vetiu; ai vetë është një koncept i rishikuar ndryshe, për të mos thënë: i ricikluar.

      Po marr guximin edhe të pohoj se në roman ka disa kaptina, të cilat mund të futeshin pa frikë (mendimi im ky) në gjërat më të mira që janë shkruar ndonjëherë në shqip.

      Mund edhe të nisesh e të kritikosh ndonjë aspekt a ndonjë zë të fjalorit – po ç’kuptim ka kjo, kur çmimin e ministrisë që po konteston e kanë marrë edhe gjëra si “Bibollasit”?

      Çmimin e ministrisë B. Shehu do e kishte merituar qysh me “Mozart me vonesë”.

      E ja të ushtroj edhe unë ca kritikë negative tani: “Angelus Novus”, “Udhëkryqi dhe humnerat” (ndoshta tiullohet ndryshe, nuk po e di më) dhe “Loja, shembja e qiellit”, janë, në fund të fundit, të njëjtat rrekje të autorit për të mbërritur te “TJETRI”, koncept ky në këto vepra të Shehut, që do i binte shumë gjatë të mund të shtjellohej vetëm në një koment këtu.

  2. Kadaifciu thote :
    “Unë e pata lexuar librin kur mori çmimin e Ministrisë së Kulturës me të njëjtën seri shkrimesh në mendje, por edhe ai edhe një lexim i dytë ca më vonë, me të njëjtin qëllim, nuk më bënë të di nëse e pata lexuar librin. Shpresoj kjo siguri e kësaj here të jetë e justifikuar (megjithëse edhe mund të mos jetë ndonjë siguri kushedi se çfarë).

    Libri pa dyshim ofron të gjitha kushtet që të pëlqehet, por po deshe, edhe të kritikohet.”

    Vecova nga shkrimi paragrafin e sipercituar pasiqe aty shikoj dy probleme apo shqetsime:
    -problemi pare eshte ai i Leximit te romanit, e degezuar ne pyetjen se sa arrijme te depertojme ne strukturen dhe shtresat kuptimore te ketij romani dhe ceshtja tjeter se cfare na mbetet ne mendje pas leximit te romanit.
    -problemi dyte lidhet me Kritiken per romanin.
    Romani ” Fjalor” ka te gjitha shenjat e shkrimtarise postmoderne- thyerja e rrefimit linear, struktura labirinthore e rrefimit, fragmentizmi, kolazhi, miksazhi, personazhet e sheshte etj.
    Ndryshe nga romani klasik ku fabula dhe subjekti mbahen mend pas leximit, ne kete tipologji romanore dhe posacerisht tek Fjalori, ajo qe te mbetet ne mendje , besoj, eshte nje dicka e mjegullt, nje vorbull marramendese dhe pasiguria- ne e ke lexuar apo ke pare nje enderr sikur ke lexuar nje roman.
    Struktura e romanit, e kompozuar si nje labirinth me shume hurje, degezime e kthina , ja del si forme te shenjoje subctancen qe merr ne pyetje- makthin e njeriut te kycur ne dystopine totalitare, ku cdo qytetar eshte nje i dyshuar nga regjimi e per cilindo te gjalle, ka nje dosje,nje shenjues, e cila si nje shpirt i keq, mund te dali nga sirtari nga casti ne cast dhe ta hedhi te shenjuarin ne nje qeli , ta ktheje ne nje hije .
    Pasi lexon romanin , ne mendje te mbetet ndjesia e nje kaosi imagjinar, nje vorbull thithese , ankth dhe dyshim: e lexova por cfare lexova?
    Jeta ne regjimin totalitar te krijonte pershtypjen e nje rendi dhe rregulli te perpikte, nje sahat zvicerian i se keqes. E pikerisht ky rend e rregull e fuste ne ankth e makth njeriun , pikerisht sepse askush nuk mund te qendronte jashte ketij mekanizmi ferri .
    Kesisoj autori ja mbrin qe permes struktures “kaotike ” te romanit te destabilizoje lexuesin dhe t’i percjelli atij ate gjendje ankthi, pasigurie dhe destabilizimi qe pesonte njeriut nen diktature , nen kercenimin e Dosjes dhe projektimin e hijes se saj ne psiken e tij.

    Labirinthi dhe pasqyrat , si teknika borgesiane , jane bere mantra e romanit postmodern. Kujtoj ketu romanin e z. Vehbi , Bolero, per te cilin znj. Karafili solli atebote nje ese me analiza e persiatje per “Mirazhet ciklike ” (te romanit Bolero). te njeriut te ngecur te postmodernitetit.
    “Fjalori” eshte nje roman mbi Makthet ciklike ne labirinthet e dosjeve te diktatures komuniste.
    Sa i perket kritikes, mendoj se ajo mund te jete nje kolazh impresionesh , kaotike, thjesht si mbresa fillestare leximi , te pa strukturuara, ashtu sic eshte mjegullnaja mbi nje peisazh.
    Kritika e z. Kadaifçiu duket se ka “ngecur” ne siperfaqen e mbresave te para, konstatime, citime, inventarizim ( i pa mundur ) i diskursit autorial, pyetje dhe pikepyetje.
    Nje qasje tjeter ka z.Arb Elo ne nje triptik me ese qe vijne si impresione te leximit te tre romaneve te B.Shehut. Eseja e trete i kushtohet bash romanit ne fjale, Fjalorit, dhe inspiruar prej leximit te tij, ndertohet si nje fluturim ne qiejt e filozofikes , me persiatje qe duken si pellumba qe ikin qiejve e prapseprap, ata kthehen bash aty , ne çatine prej nga u nisen. Por kur jane ne qiej ata nuk mbartin gjurmet e catise e kur jane mbi cati , qielli duket nje destinacion qe duhet synuar.
    Nje kritike eshte qasje individuale, nje artikulim i ” lumturise se leximit” , siç shprehet Borges ( edhe une jam borgesian) . Ndoshta lexuesi , qe te orientohet ne pyllin e botimeve, pret nje kritike , te themi misionare, e cila si nje zjush e mire , flet per temen, idete, ç ‘ gjera interesante ka aksh roman e perse ja vlen barra qirane e kohes se shoenzuar per ta lexuar.
    Pastaj vjen ajo kritika akademike, krahasimtare dhe kompetente, qe cdo veper e shikon brenda nje sistemi , nje epoke a nje shkolle te caktuar.

    1. Meqë m’u përmend emri këtu për një kritikë, le të më lejohet të shtoj edhe një autokritikë:

      përsiatjeve të mia u mungojnë disa rezerva, të cilat “qëllimisht” nuk i pata përfshirë në ato shënime, pasi mbresat u publikuan e këtu, te publikimi pra, duhet marrë parasysh edhe konteksti i publikimeve të tjera të kësaj natyre për libra të tjerë; dua të them se për disa zëra si “Udhëheqësi” (nuk e kam librin këtu që të mund ta citoja siç duhet) do të shprehesha mbase me rezervë, pasi më ngjante që autori kishte rënë disa herë në proliksitet e mbase nganjëherë në manierizëm, mirëpo këto ishin detaje në një vepër ku ka aq shumë të tilla, sa kjo veç gëlon prej tyre.

      Dmth. të nisesh e të qahesh në një akuarium me peshq të të gjitha llojeve se nuk të pëlqen barbuni, bie fjala, se të ngjan mishi i tij i ëmbël – do të thotë që të jesh më buzëhollë seç pritet në një kontekst kulturor ku parapëlqehet sufllaqja dhe mishi brazilian që vjen i importuar me konserva. Dikur, në vitet e fundit të diktaturës, seç kish ca pula argjentinase, për të cilët mbanin pensionistët radhë qysh pa gdhirë, për të mos folur për atë marmallatën si graso të fikut – se marmeladë nuk mund të quhej – me të cilën lyenim llokmën ende të ngrohtë të bukës dyzetëshe.

  3. Pika S. per mua nuk eshte fort i qarte mesazhi i komentit tend. Ndoshta duhet te na tregosh pak me qarte se pse kjo kritike mbetet siperfaqesore. Une nuk mendoj se autori ja arrinte destabilizimit te lexuesit dhe aq me pak permes ndonjefare kaosi. Mendoj se teksti nuk eshte kaotik.
    Citimi juaj nga kritika e pastaj perfshirja prej jush e konstatimit se: “Ndryshe nga romani klasik ku fabula dhe subjekti mbahen mend pas leximit, ne kete tipologji romanore dhe posacerisht tek Fjalori, ajo qe te mbetet ne mendje , besoj, eshte nje dicka e mjegullt, nje vorbull marramendese dhe pasiguria- ne e ke lexuar apo ke pare nje enderr sikur ke lexuar nje roman.” na ve ne fqinjesi.
    Keto vleresimet tuaja se leximi ndertohet si nje fluturim ne qiejt e filozofikes , me persiatje qe duken si pellumba qe ikin qiejve e prapseprap, ata kthehen bash aty, ne çatine prej nga u nisen. Por kur jane ne qiej ata nuk mbartin gjurmet e catise e kur jane mbi cati , qielli duket nje destinacion qe duhet synuar.”, mua nuk me ngjisin hic dhe me vjen ti kritikoj 🙂

    1. Kam shkruar se romani ka nje strukture “kaotike” ( pra ne thonjeza. Pra teksti nuk eshte kaotik por eshte “kaotik” aq sa per te bere dallimin nga romani klasik , ku rrefimi tregon ngjarjet ne nje rrjedhe kronologjike, ku ishte personazhi, ke takoi, cfare tha, pastaj sekuenca tjeter ku ishte, ke takoi, c fare tha, etj etj.)
      Une keshtu e mendoj kete tekniken e rrefimit ne romanet moderniste: te destabilizoje lexuesin, ta zhysi ne nje “kaos” te kohes se rrefimit . Ose ta zhysi lexuesin ne rrjedhen e “perroit psikik”.

      Per shkrimin tuaj , ate fjalen ” ngecur ne siperfaqe” merre si kompliment . Te rrish ne siperfaqe do te thote te notosh, te mos e lesh veten te te marri rrjedha e rrefimit dhe, per me keq, vorbulla e saj. Po te jesh lare ne lumenjte qe krijojne vorbulla, me kupton, besoj.

  4. Ja edhe një mbresë paranormale për librin në fjalë; shkruaj “paranormale”, pasi librin nuk e kisha shfletuar ende. Ndoshta i shkon për shtat kritikës që iu bë këtu dhe – mendimi im gjithnjë – edhe më shumë këtij “teksti” – se roman nuk më ka ardhur asnjëherë ta quaj:

    Mbresa nga një libër i palexuar

    Mostituj: Moslexim mes rreshtash të paqenë
    ose fall i hedhur një autori nga një lexues paraprak.

    Bota është ferr e më të shumtët nuk e dinë. Ca e pandehin për parajsë, të tjerë për purgator e ca më të tjerë vërtet për ferr, ca për të tëra këto më sipër, e ca, edhe më të tjerë, ferr, por me dalje. Spektri është ca më i gjerë, por po dua t’i bie shkurt.
    Pasi sa më sipër është paradigma e asaj që vjen më poshtë, aksioma, e dyshimtë mbase,- kërkoj ndjesë po a priori,- hiq fjalën aksiomë a paradigmë, vër pandehmë, zgjidh e merr, bëj ç’të duash, shih punën tënde, ore, po vetë po kruhesh, po gërricesh, po të ha kurrizi, ik o vëllam se po flas me vete, flit, po ule zërin, se kemi fëmijët që po na flenë, të hesht fare thua, po liria e fjalës?, nuk po flas, po shkruhem me vete, shkruhu, po jo nëpër mure, jo tabela emulacioni, mos na bëj grafiti, ore, po pse ore tatuazh librin tim do bëj unë?
    Të ndërmend gjë kjo më sipër?… Sherr?… Bingo!
    Pak a shumë kjo është gjendja ime shpirtërore mes dy leximesh. Pasi shkrimtarët, por jo vetëm ata, janë të fortë, të fortë në katror, më mirë të mos merresh me ta, t’u rrish larg, para se të të zhdëpin. Kaq gjë e kam mësuar nga disfatat e pësuara jo vetëm nga letrat, por edhe atje përjashta, në botën prej vërteti, që është ku e ku më e rehatshme, krahasuar me atë tjetrën. Më goditi ime shoqe me shpullë, xixa më lëshuan sytë, kish parë 50 hijet e Grey-t; ç’të të them vëlla, qejfi më bëhet për ty, urime, ka edhe më keq, kalo andej nga ne po ta mbajti të të prezantoj Ksanthipin tim, shtrigat i kanë sot fshesat me korrent; më mundojnë ca drama familjare; eh, të të tregoj ca gjëra unë ty të bëhet mishi jo me puçkurriza, por të bie copa-copa si leproz vetëkanibal; ore, po kam qenë në burg për këtë punë, e mirë mirë, në Spaç ore, kupton?, ta qaj hallin, keq më vjen, por të shkuara e të harruara, kalon edhe kjo, si çdo gjë xhanëm, po faji, dosjet, për cilat dosje po flet, për ato realet? Jo more jo, po flas për ato të tjerat, irrealet, dosjet në katror, në fuqi minus n…
    Ah, një sekondë, këtu më fal, po shkove larg, nuk më mban mideja kësi gjërash, të lutem, jo me labirint, jo me pafundësi, jo me Borhes në katror, aq më pak në fuqi n a minus n, jo me mua, ti bëj ç’të duash, megjithatë, ta them si dashamirës ë, merre si këshillë a si sugjerim a si ç’të duash, nuk jemi më të rinj, duhet ta marrim ca më shtruar, dil vëlla një qark nga parku, nis e mëso të gatuash, bëj aerobikë, jogë, vrap nga kodrat, bëj ç’të duash, por mua nuk më ke më për këto punë; sport i rëndë leximi, çështje Sizifësh, më kupton?

    Mirëpo shkrimtari hesht, siç dinë të heshtin veç librat,- në fillim qe heshtja, ja pse shkruhet, shkruhet për të mos shkruar më dikur, por për këtë më poshtë,- e kjo më bën edhe më nervoz, nuk më rrihet, nuk më zë vendi vend, e kërcënoj: ore, po unë nuk pyes fare për ty, nuk të lexoj, të shpërfill, të bëj hasha, të dënoj me heshtje, të hedh në hapsanë; nuk do të ishe i pari Arb, më bëhet se flet si me vete ai nga dimensioni i pestë e nuk di si t’ia kthej, nuk di ç’të bëj, do më duhet ta lexoj, nuk kam rrugë tjetër, në kafene qeshë, televizorin më vjen ta thyej, të rrah time shoqe, të dal amok, të hedh botën në erë… ndaj lexoj, ndaj shkruan,- i hap telashe vetes,- ndoshta edhe ky autor, dhe ç’mund të bësh me një të fortë më mirë se të zësh shoqëri me të se i forti i mirë me shokë shumë?
    Paradigmë, aksiomë, pandehmë, apo deja vu? Terapi profilaktike ndoshta…
    Nuk jam fort i sigurt, por ashtu qoftë, kujt po i bëhet vonë? Askujt, por dhe ky është problemi, më ngjan papritur. Shumë leshtorë vërdallë, shumë mjekroshë injorantë e të tjerë eruditë, megalomanë, eremitë, rasputinë, filistinë. Na duhen berberë…
    Ndal! Stop! Halt! Mirësjellja, etika, është aksiomë më vete; shthurja nuk po na çon asgjëkundi… Por përroi i ndërgjegjes, brainstorming, na pru sidoqoftë një kërcu, për t’u kapur e për të vazhduar tutje a për të ndezur një zjarr, alibia më e mirë për t’u njohur rastësisht a jo, këtë na mbetet ta sqarojmë.

    Nëntitull: Njohja, sqarimi, ose motivi për sherrin

    „Pa sherr nuk ka ferr!“
    (Skena: berberhane diku në Belfast, dy berberë, E. dhe V., unë, lexuesi, në një karrige; E. më rruan kokën; në karrigen tjetër një fjalëpakë të cilit V. i ndreq basetat)

    Unë – (me vete): Obobo ç’bëra, e pashë…
    Vetja – Kë?
    Unë: – Atë, autorin e njohur B. Më ka parë që e pashë vallë?
    Vetja – Nuk ma do mendja.
    Unë – Është me nam si i fortë. Ka kryer shumë vrasje…
    Vetja – Po ç’pret? Mbathja një orë e më parë.
    Unë – Ku? Le që më duhet të pres sa të mbarojë së rruari E. e këta heronjtë e heshtur janë me fiksime; të ka në dorë tjetri; mos do të mbarosh i therur mu këtu? Por ideja jote nuk është e keqe, që the e nuk the asgjë: po të pyeti, siç i fillojnë këta ciklopët gjërat, sherret pra, me të famshmen „Pse sheh? Si e ke hallin?“, do t’i thuash „Më fal! Padashur më shkuan sytë gjëkundi; ku t’i çoj të shkretët, t’i nxjerr?“
    Vetja: Përgjigje të mundshme, se këta tipat të japin edhe gurin, edhe arrën e ik e thyej qafën, veten vrafsh në mundsh, pak a shumë, ah ç’bëra që vajta e u ngatërrova me atë Hamletin, alias Shekspiri; nëse të pyet pra: Pse? Përgjigje: Di gjë unë…! me të dyja: pikëpyetje e pikëçuditëse njëherësh; kjo bëhet vetëm me zë. Ose ngri supet, por më e mira bëj si i shurdhër. Ose mos bëj asfare… Po të pyeti: si të quajnë?- thuaji Godot, por jo ai që kujton ti, por Godot lexuesi, pikë, pikën mos e thuaj, nënkuptoje me heshtje, edhe më mirë akoma me mosqenie.
    Unë: Po unë jam, apo?
    Vetja: Hm… Je dhe s’je e ky është edhe problemi; dilema: të jesh e të mos jesh, por njëherësh, të jesh duke mos qenë e të mos jesh duke qenë. Këtë mund ta vazhdosh pafundësisht, se është pyetje pasqyrë, si ajo ku po shihesh. Shto edhe atë pasqyrën e tij ku pasqyrohet jotja e kështu nis pafundësia. Ti je ai: e kupton tani?
    Unë: Po pse nuk thua se i forti, krimineli qenkam vetë?
    Vetja: Hm… Nuk i dihet. Je dhe s’je pra, sapo ta thashë…
    Unë: Do të thuash se unë jam autori, teksti dhe lexuesi në një?
    Vetja: Bingo!
    Unë: Që ti je psikopat këtë e dija, por që të shkoje kaq larg nuk ma kishte marrë mendja.
    Vetja: Ups… Dekarti…
    B: (papritur): Unë s’mendoj. So what?

    E dhe V (në një gojë, sinkron): hapin gojën si për të thënë diçka, diçka si një Ommm, por nuk e thonë; dëgjohet veç një zhurmë e papërcaktuar që shkrihet në korin e borive të automobilëve, që nis e dëgjohet gjith’ e më shumë, papritur.

    (Skena ngrihet nga poshtë lart e veç tani dallohet barku i saj, sufleri: Pavllovi me qenin e tij; qeni është sufleri, Pavllovi sufleri i suflerit, i qenit pra, skena është kafkë e prerë në një të tretën, kapakët i bien nga të dy anët sipër, tërhequr nga skllevër që i mbyllin me litarë portat e saj horizontale. Bie perdja.)

    Ja, pak a shumë këtë mëtoj ndërsa rruhem para pasqyrës dhe mëtoj për fallin që do i hedh B.-së. Alibinë e kam: kam parë vetëm kapakun, dy faqet e para, por nuk e kam patur shumë mendjen; kjo këshillohet vetëm për frojdianët, jo për shamanët, aq më pak për kartomanët, se, ta themi hapur, drogë është libri, pluhur, rërë…

    Tjetër skenë:

    Unë (duke më ngrënë hunda): Ç’më thua që parajsa qenkësh bibliotekë? A nuk lexojmë për të mos lexuar?
    B: Atë nuk e kam shkruar unë. Ishte një B. tjetër.
    Vetja: Jemi parë gjëkundi? Njihemi gjë?
    Unë: Ti më paskesh parë, me sa duket, por mua nuk më kujtohet.
    B.: A nuk kujtojmë për të harruar?
    Vetja: Ja ta nisim harresën që tani: me ty.
    Unë: Me mua e ke?
    Vetja: Me ty, me atë, me atë tjetrin…
    (Tjetri kalon atypari. Ngjan si shumënjaku unë. Kloni nr. n. B.-ja e A-së, B.-ja n.)
    Vetja: E pe?
    Unë: Nuk kam luajtur mendsh të shoh njeri.
    B.: Po ç’do shohësh pastaj?
    Vetja: Ty…
    Unë: Me mua e ke?

    (Nis e bie mbrëmja. Skena është zhvilluar po aty, veçse pjesa e mbyllur tashmë e kafkës, një e treta, është ndriçuar nga brenda si ekran, ekran në ekran, shëmbëllimet shfaqen aty, në sipërfaqe, por edhe nëpër sallë, shumë njëherësh, ekranë varur kudo nisin e bien bashkë me mbrëmjen, ndërsa kafka/skena zhytet e zhytet gjithnjë e më shumë në vetvete, në bark të saj)

    Po librit pa fletë si i bëhet, moslibrit, harresës, çlibrit dhe mosleximit? A nuk po duam të lexojmë që të moslexojmë?
    Por kjo më kujton diçka që dua ta harroj e nuk ia dal: në mishërimin e fundit, aty nga pleqëria, në vitet 50-të, nisem të vizitoj djalin në Tiranë, që banonte në konviktin e shkollës ushtarake „Skënderbeg“. Begs domethënë. Vija nga rrethet e nuk e dija se ku ishte shkolla; me të pyetur arrita te rruga Bardhyl, shoh ca djem që rrinin mbështetur ndanë një muri e po bënin muhabet. Autorët e krimit që vijon: i pyes: a mund të më thoni se si e gjej konviktin e shkollës Skënderbeg? Po xhaxha, më thonë gjoja si të interesuar, është këtu drejt e pas murit, ka edhe një portë, por është larg e mbi të gjitha nuk të lë roja, por ne mund të të ngremë sipër e kështu kalon murin. Nga ta dija unë i shkreti se ç’ishte pas murit? Nga ta dija se qenë mashtrues, bënin fiksion. Më morën e më ngritën, më dhanë edhe një dorë deri në majë, pastaj më shtynë e rashë. Nuk u vrava, nuk ishte mur i lartë, por sapo po pastroja pluhurin nga rrobat dëgjoj të hungërijë frikshëm diçka: shoh se ç’është e shoh një qen me tri koka, të lëshuar nga zinxhirët që vrapon drejt meje e shkumë e kështu… ngjante si një vilë, po qe e mbuluar me gjethe, por vetëm kaq arrita të shoh, se më shqyen menjëherë, më bënë copa e veç kur e gjej veten ca më tutje, dy a tri godina më tej, në pavionin 17, i rimëshiruar jo si qenie më vete, atë ku ma gjen, por në një qenie që kish jetuar mbi dy dekada asokohe, një djalë i ri, imcak, i zbehtë, pacient po aty, që erdhi e u bë më mirë prej meje, ndërsa unë edhe më keq prej tij, sidoqoftë vetëm ca vite zgjati kjo gjendje, nuk u mor vesh se ç’u bë me atë djalin, as unë nuk e kuptova se si u gjenda papritur e papandehur truprojë i Qoftëlargut, jo në të, apo ai qark meje, por vetëm ai dhe asgjë më shumë, derisa u bënë spastrimet e radhës e më dërguan në të s’ëmës, prej ku dola pas nëntë muajsh incubus më 1967 e u bëra dalëngadalë e si gjithë të tjerët ai që jam sot, e kjo më kujtohet ngaqë e kam harruar, pasi të kujtosh për të kujtuar është si të bësh art për art e qëllimi i artit duhet të jetë harresa, hiçmosasgjëja, këndella, nirvana e jo kujtesa, pasi të harrosh për të harruar është thjesht e troç e pamundur, për të mos folur për harrimin për të kujtuar.
    Natyrisht nuk do nisem ta lexoj librin nga fillimi drejt fundit, as nga fundi drejt fillimit, as nga e majta në të djathtë siç arabishten, por thjesht, bukur e troç, nga mesi mesit; kjo më ngjan alternativa aksiomatike më e qëruar; të shohësh pa shikuar=gjysmëshikim, me sytë e mbyllur përgjysëm, të kërkosh pa kërkuar, të gjendesh pa u gjendur, të jesh e të mos jesh njëherësh, të jesh duke qenë, pasi je shuar, të mosduash të duash, të mosshkosh asgjëkundi duke shkuar sidoqoftë, zazen, përndritja, nirvana…
    Bota është ferr, veç duke e mosnjohur këtë njohje duke agnostikuar, diagnostikuar, veç kështu mund të të gjejë dalja prej saj, vetes… Tashmë ke hapur një derë, ose më mirë: është hapur ajo vetë vetiu siç ato dyert e supermarketeve sot e kësaj dite që hapen pa hyrë akoma, mos hyr, është tjetër pasqyrë, është pasqyra ime, mos më hyr në pasqyrën time, ma ler derën time të fundit rehat, është e hapur, paske hyrë, gjithkush ka veç gjynahet e tij për mbajtur, as më pak e as më shumë, veten, mëkatin maksimal, me një fjalë: mosfajin e ke vetë, mbaje, ta gëzosh, mirësenaerdhe, ulu, ulu, mos u kastigo, gjendesh në rrethin minus n në katror të skëterrës time, n baraz me pafundësi: urdhëro:

    Leprozi vetëkanibal dhe darka e mbrame

    Autori dhe lexuesi dhe veprat, nr. 1, 2 e kështu me radhë, janë një: Ç’të kujton kjo? Yes: Ati, biri dhe fryma… Por herë minus n në katror, kur n-ja është baraz me pafundësinë negative = rrethi i mbramë i ferrit tim = Antizoti, antibiri dhe fryma e ligë në një; kjo që vijon është darka e mbrame, shumë darkë, koha ka ngecur, shpejtësia e territ është pasqyrimi i asaj së dritës, por kokëposhtë, -E= mc, c në katror, Antiajnshtajni, Antikrishti, luaj vendit, vrima e zezë, Kronosi, Zot na ruaj… këtu jo më.

    Skena e skenës: shtëpi dëshmorësh ose kullë ngujimi me frëngji, por edhe bunker së prapthi (skena bie nga lart poshtë), ish-anëtarët e ish-Byrosë Politike, 13 copë, mu në mes Qoftëlargu; në vend të kokës ka një televizor Adriatik a Iliria që flet për të, matrioshka në matrioshkë është e mërzitshme, ndaj edhe ekrani çfaq vetëm zhurmuesin, vetëm atë, bzzzz, bzzzz, kështu nja dy a tre orë rresht; asgjë nuk ndodh; por mund të mendohej, në vend të ekranit, një akuarium me yje deti të tharë brenda, origjinale, sjellë ekstra nga Ministria e Kulturës me shumë shpenzime, shto edhe korrupsionin këtu, nga Deti i Vdekur, ose Deti i Kuq. Ndoshta rregullohet kjo puna e fondeve me vende miq, dyshi i sllavit, B.S., por edhe Kina; më mirë do të qe me forcat tona.
    Ose një mutarium, por nuk po duam ta ndyejmë gojën, për pasojë as fjalën, për as atë të shkruar. Gjë që nuk e bën E. Shkul copa nga vetja e tij e i fut në gojë, i ngjëron, kokodashe, mmmm, vetëshërohet, çmrekullia ndodh, këput edhe një copë më të vogël dhe ia zgjat apostullit të dashur, djalkës. E thotë, si me vete: „Do të më tradhtojnë, kjo dihet, më mirë t’i godasim ne të parët, a priori, de facto, para se të na godasin ata de jure“. R. mbështet kokën në prehërin e tij dhe kureshtar, si gjithnjë, për fjalën që pason, jo atë që i hyn në gojë, por atë që i del tjetrit prej saj, nuk i rrihet pa e pyetur, pa u kruar, pa u gërricur: „Kush? Kush është ai?“. „Atij që do i jap krahun tim të djathtë, ai është“. E shkul atë nga vendi, e ngjyen në gjak (pjatat janë të mbushura me gjak dhe copa mishi) dhe ia zgjat, pasi nuk ka harruar të bëjë atë lojën që bëjnë fëmijët kur i pështyjnë qiellit, topagropa, le t’i bjerë kujt t’bjerë, vetes sime mos i bjerë, njërit aty vërdallë, rastësisht a jo. Ai e ha atë, ia ngul dhëmbët vetvetes, por që është tjetri, sepse tjetri është edhe ai vetë e ngrihet e shkon nëpër natë për t’ia rrëfyer asaj, vetes pra, tjetrin që është vetë… E.-it i rritet si feniks atypëraty krahu i shkulur; de facto nuk ka i ka ndodhur asgjë, është vetëshëruar, po të lihet mënjanë një si farë skleroze që vjen e i shtohet përditë dhe vdekja, hiçmosasgjëja sipas tij, por a nuk po duam të vdesim duke jetuar, të harrojmë duke kujtuar, të harrojmë për të harruar? Harroje pra, në mundsh, çka më sipër. Ca gjëra nuk se duhen parë me mospatjetër. Ja një histori tjetër me të fortë nga një kohë tjetër: e kam moslexuar nga dossierët që mbushin të përditshmet.

    Të ngratin e mbante për të fortë gjithë Tirana; kot mbase, se ata që e njohin thonë sotekësajdite se ishte shpirtbutë, se nuk ngacmonte njeri, se kishte një pasion, për të dalë jashtë ndoshta, por mbase edhe nga dietat që merrnin sportistët asokohe, kish pasion shtangën domethënë, por kjo nuk të bën automatikisht agresiv, përkundrazi, ndoshta pikërisht prandaj, për të mos u bërë agresivë bëjnë njerëzit shtangë, bëjnë për të mos (u) bërë me një fjalë, por shih, ose mos shih, ose bëj ç’të duash, se ç’ndodh: një teknik televizorësh nga rrethinat e dëgjon, ia zë veshi, e dëgjon pa e dëgjuar e për këtë nuk mund t’i vihet faj, ia zë veshi këtë thashethem, se kinse Deliallisi është agresiv, është i fortë dhe e beson pa e verifikuar më parë këtë gjasë, gjasë pasi të fortë ka sa të duash e nuk është çudi të jetë edhe Deliallisi i tillë, pastaj mendon pikërisht fjalinë që parapriu; duhet verifikuar thotë si me vete, e mendon këtë, por është aq i zgjuar sa të mendojë më tutje: nëse bie rasti, mendon, domethënë ia lë këto gjëra në dorë rastit, bastit, Moszotit, antiautorit, çkrijuesit, lexuesit pra, se kisha e xhamia janë ndaluar asokohe, me të drejtë mund të shtohet këtu, se feja e shqiptarit qenkësh shqiptaria, pandehmë tjetër kjo që gjendet në dosjet e antologjive dhe tekste të tjera, por që t’i kthehemi rastit në fjalë, që vjen vetiu sidoqoftë se është pikërisht rasti, i cili e sjell që xhaxhait të Deliallisit t’i jetë djegur një diodë e televizorit, bardhezi ende asokohe, bëhet fjalë për vitet ’80-të e ti i bie të mos kesh qenë vërdallë, s’ke qenë për të qenë, apo ke qenë për të mosqenë, apo ke qenë për të qenë dhe s’ke qenë për të mosqenë e kështu me radhë, tjetër çështje kjo, por që ta sjellë rasti duhet që edhe robi vetë të ndërmarrë diçka e kështu nis e mëton xhaxhai i Genc Deliallisit të pyesë të nipin në mos mundet ta marrë në krahë, meqë është i fortë, i ri dhe merret me shtangë,- në fund të fundit, po të mendohet hollë, është xhaxhai që i bën një nder të nipit dhe jo anasjelltas,- atë televizor e t’ia çojë, në mundet, deri tek dyqani ku rregullohen këto të fundit, po ku gjendet, por edhe nganjëherë nuk gjendet, kur është turni i dytë për shembull, tekniku që u përmend më lart, i cili e ka mendjen të ndarë për verifikimin e thashethemit sa më sipër, është i dyzuar, i mëdyshur mund të thuhej, por në të vërtetë nuk është fare ashtu, se të ndarë e ka mendjen për sa kohë Deliallisi nuk i bie në qafë, por edhe top atë që, nëse e sjell rasti dhe ky e sheh, qoftë edhe pak shtrembër, të vetëmbrohet, se burri për atë pak sedër jeton dhe për atë gjënë që i varet këmbësh, ndaj nuk mund ta lejosh tjetrin të të trajtojë si lango, aq më tepër kur ai është i yti, nuk mund ta lejosh të të trajtojë si legen, si zar, burgu për burrat është, e ja që ky i fundit, jo ai, por shëmbëllimi i tij në botën e ideve, rrotullohet ca kohë në ruletën e vogël të gjindjes së Tiranës, shanset 4 me 300 mijë, zarit i bie ca nga ca energjia fillestare që shndërrohet në fërkim, shanset tani janë 4 me 8 e bien gjithnjë e më poshtë si aksione falimentimi, Deliallisi vjen rrugës së Barrikadave i rënduar ashtu nga televizori që e mban, si një kangur këlyshin e tij, në një batanije të madhe mbështjellë në paragjoks, në stilin e shtytjes, që do të qe faul në garë, por edhe këtu diçka nuk shkon, tekniku ndërkaq sapo ka rregulluar një televizor të markës, nëse mund të thuhet kështu në një vend me ekonomi të centralizuar, të markës „Butrinti“ pra dhe, i harruar ashtu siç është në pjesën e pasme të tij, në rropullitë si të thuash, nuk sheh ekranin që është ndezur tanimë e që punon për bukuri e që çfaq ca shenja të çuditshme, por që ai nuk i sheh e që do të qenë apo mosqenë nëse autori i ngjarjes, fati pra, rastësia, do të ishin Zot, porse nuk është ashtu. Është fatalitet, por jo nga ai ose ajo që thuhet a shkruhet rëndom se qenkësh e shkruar.
    E shkruar me shkrim dore është veç një pusullë e varur në derën e dyqanit nga tekniku vetë, i cili kërkon të punojë i qetë e të mos shqetësohet nga klientë orë e minutë. „Nuk jam këtu!“- ka shkruar qartë e pastër Kreshnik Doda, se ashtu e quajnë teknikun e televizorëve, pusullë që Deliallisi nuk e sheh, i ngarkuar ashtu siç është,- e ndoshta edhe i kushtëzuar nga thjeshtësia sublime që shoqëron peshëngritjen, ngrije shtangën, ule shtangën, kaq, në mundsh, kuptohet,- në një rrafsh tjetër më ideal shtanga është edhe doreza e dorës, të cilën Genc Deliallisi e sheh e të cilën mëton ta ulë me ato pak gishta që ka të lirë e që ulet e dera hapet, pasi nuk është mbyllur, pasi K. Doda ka shkruar veç „Nuk jam këtu!“ dhe jo që është „Mbyllur!“…

    Ndërsa për derën mund të shkruhej një tekst më vete, pasi ajo, dera pra, ngërthen, duke përjashtuar, si hyrjen ashtu edhe daljen, se shkrimtarët zakonisht s’ta përtojnë por të qërojnë ç’prej dhomës së punës, me kallëpthe tritole që i vendosin për bukuri me bashkëpunëtorë, si me magji, gjithkund nëpër rafte. Janë struktura totalitare idetë, arti, më bëhet se thua, ndërsa përhumbesh Rrugës së Barrikadave, me televizor në krahë, alias kokën e Qoftëlargut, fatalitetit që të shtyn drejt lexuesit, forcës së verbër, qorre të historisë, pjesë e së cilës ndiehesh duke mos ndierë më asgjë, duke mosshkruar për të shkruar e i qasesh si postier portës time, me hallin që të ka zënë, kumtin e errët të Kasandrës që të parathotë verbimin o Homer: na qorruat ore, na qorruat ne e qorruat edhe veten tuaj… Kjo qenkësh drita, lëbyrja e syve, qorrimi?

    Më duket se po nis të të kuptoj: një botë paralele jo me synxjerrë, por me gjuhëprerë, apo? Ncuq, me rob pa shqisa, totalisht pa priza, pa korrent, pa drita, pa zëra, pa ndjesi, hiçmosasgjëja… Po ky është ferri o Arb! Po pra, kështu filloi muhabeti e shthur mu aty, shiko rreshtin e parë, në fillim autori krijoi ferrin; moslexuesin e tij…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin