SHTATË KATET E GRAVE

nga Tinka Kurti

Ne po mendojmë për të mirën e tyre. Ato do të dalin keq. Nuk duam që ato të humbin kaq shumë. Ndaj po i anashkalojmë këtë herë. Nuk mund të qëndrojnë kaq lart. Ky kat është për burrat, ato mund të vendosen një kat më poshtë. Është për të mirën e tyre. Kështu do të përfshihen. Kjo nuk do të thotë izolim. Aty janë më adekuate. Më të përshtatshme. Do të ndihen më kompetente. Nuk mund të flasin prej kaq lart. Nuk e përballojnë dot. Të shkretat, nuk dinë. Ato, të paemrat do t’i krahasojnë me ne, shkëlqimplotët. Ja, aty në katin e gjashtë, të gjithë do të jemi më rehat. Këtu, mezi na nxë ne. Vërtet, peizazhi i qytetit nuk do të duket gjithaq bukur, por për to mjafton. Këtu qëndrojnë vetëm ata që janë gati të dalin nga kjo ndërtesë.

Kësilloj, është gjendja e grave. Sikurse të ishin në një spital. Bash sikur spitali t’i kishte shtatë katet në tregimin e Dino Buxatit. Katet janë të ndara në bazë të nivelit të sëmundjes. Ata që janë më së paku të sëmurë, vendosen në katin e shtatë. Varësisht, prej reagimit të organizmit, mund ta dalin që prej aty, ose të zbresin më poshtë. Më poshtë, nënkupton që sëmundja ka përparuar. Askush nuk të thotë se ti je keq dhe po zbret për shkak të keqësimit të sëmundjes. Asnjë nuk ta pranon se, nëse pajtohesh të zbresësh një kat, gjasat do të jenë që të shkosh edhe disa kate më poshtë. Ngjitja për në të shtatin, veç sa shtyhet. Nganjëherë arsyetimet janë teknike, nganjëherë shëndetësore, por me kujdes tejet të madh. Mund të ndodhë që arsyetim të jetë, vendndodhja e aparatit të rrezatimit, mund të jetë problemi me ngrohje, por gjithmonë mendohet për më të mirën e grave. Jo, brutalisht. Butësisht. Janë fjalëmbël ata që të vënë poshtë e më poshtë. Ndërkohë që gratë zbresin. Prej poshtë nuk dëgjohen gjëmimet e tyre. Dhe, pas një kohe nuk i numëron më katet, por merresh me shkallët. Fillon të arsyetosh se të gjitha katet, nga katër mure kanë. Dhe ja, ndodhesh në katin e parë. Rruga për të dalë prej godinës, është prej lart.

Pyetja e personazhit të Buxatit vret ende shumë thellë: sa vite na duhen për t’u ngjitur deri lart? Duke pranuar të zbresim, do ta shtyjmë me shekuj cakun, që është dalja nga spitali.

3 Komente

  1. Ah, e keni edhe ca vete “fajin”, (e futa ne thonjza sepse nuk me duket se behet dhe aq fjale per faj), qysh se pranuat se atje lart eshte, Zoti (mashkull) dhe jo Perendia (femer). Duhet te kishit ngulmuar mijra vjet me pare, kur ndarja e puneve nuk ishte thelluar kaq shume, qe atje lart te kishim Memen-Perendi dhe jo Atin-Zot! Drejtimi i puneve mund te kish shkuar ca me ndryshe, por ndoshta jo edhe me mire patjeter! Sic e shohim edhe ne boten e kulturuar veriore sot, me nje barazi te pakrahasueshme midis mashkullit dhe femres, me nje fertilitet katastrofal nga ana e femres!

    1. Pse, me emra zotrash zgjidhet kjo punë? Jo, madje kërkesa nuk duhet me qenë për zëvendësim të figurës së autoritetit, por të anulimit të saj/tij.
      Pastaj, kjo bota e kulturuar veriore sot, ku e paska atë barazi të pakrahasueshme midis burrit e gruas?

  2. Dakort! Anullim te figures se autoritetit (me shkronje te vogel, pra cdo lloj autoriteti)! Nese grate jane dakort, besoj edhe burrat duhet te jene dakort. Por, ato, ato te parat, nuk jane dakort!
    Ndersa barazia e botes veriore midis dy gjinive nuk ka diskutim qe duhet kuptuar relativisht, pra ne krahasim me ate te vendeve jugore. Dhe?… Cfare shohim ne ‘te? Mangesira ne ane te tjera, ku femra gjindet shpesh here dhe serish ne nje pozite me te palumtur e me te pakenaqur nga ajo e femrave ne vende ku kjo barazi calon. Pra?… Perfundimi del vetvetiu!
    Nuk po i futemi pastaj historise, nga Semiramida e Babilonise e deri tek Merkeli e sotem, sepse dhe vetem kjo panorame do te na tregonte se femra nuk e ka patur rrugen e saj te karrieres dhe “barazise” me burrin te mbyllur! Mirpo ja qe Universi ekziston per shkak te dy-polasise! Ta ndryshojme ne kete ligj universal?!

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: