ZYLOJA I KAPUR NË LIGJËRIM (I)

Herën e fundit që isha në Tiranë, bleva – mes të tjerësh – romanin Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo – të Dritëro Agollit; sepse më duhej ta kisha në bibliotekë, por edhe kurioz për pjesën e shtuar të udhëtimit të Zylos në Afrikë.

Mora, pra, një version të vitit 2016, me rreth 100 faqe të shtuara në krahasim me veprën që njihja unë dhe me disa pak redaktime të tjera; të plotësuar edhe me një shënim të Rexhep Qoses në hapje dhe me një dosje vlerësimesh kritike të së huajve për romanin, në mbyllje të vëllimit. Me interes edhe një rrëfim i autorit, i vitit 1999, për peripecitë editoriale – dhe jo vetëm – të kësaj vepre.

Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo i Agollit më ka pëlqyer shumë, që herën e parë kur jam njohur me të – në faqet e revistës Hosteni. Aso kohe isha i ri dhe nuk e kuptoja pse më pëlqente – dhe pse në mënyrë të ndryshme nga leximet e tjera. Më pas do t’i kthehesha shumë herë, aq sa replika dhe batuta të tij do t’i mësoja përmendësh, për t’i rimarrë dhe përdorur me ironi. Më pëlqente edhe që Zyloja, ky personazh nga të rrallët e letërsisë së kohës, ishte edhe karikaturë, edhe simpatik për lexuesin; ose të paktën ngjallte një farë keqardhjeje. Më tërhiqnin edhe aforizmat e këtij filozofi të improvizuar, që në romanin quheshin – kushedi pse – ese dhe eskize. Fundi i romanit, me një mozaik vinjetash groteske për Zylon, më dukej i jashtëzakonshëm. Siç edhe mbetet, i jashtëzakonshëm, për letërsinë shqipe sot e kësaj dite.

Romani – i botuar për herë të parë në fillim të viteve 1970 – përshkruan jetën e përditshme, iluzionet dhe andrallat, dramat dhe komeditë e një shtrese specifike burokratësh të përftuar në Shqipërinë post-sovjetike (por në fakt gjithnjë sovjetike) të viteve 1960; që po borgjezoheshin me shpejtësi, teksa nuk luhateshin në vetëdijen e të qenit elita e re kulturore e vendit. Sot, ose gati gjysmë shekulli më pas, nuk mund të mos vërej një ngjashmëri sociologjike mes tij dhe Dimrit të vetmisë së madhe të Kadaresë, ku përvijohet e njëjta shtresë, edhe pse në kontekste të tjera dhe me ton tjetër. Nuk më duket e rastit, që këto dy romane u botuan praktikisht në të njëjtën kohë, për të shënjuar apogjeun letrar të “pranverës së vogël të Tiranës”, ose shkëlqimin dhe rënien e asaj shtrese sa të brishtë aq edhe miope, para masakrës që po u afrohej.

Çfarë më tërheq vëmendjen këtu, është se kjo shoqëri burokratësh, teknokratësh, zyrtarësh të mesëm, administratorësh të kulturës, shkrimtarësh, gazetarësh dhe artistësh, që i jep brumin njerëzor Zylos, ende ndihej – në fillimvitet 1970 – e sigurt në pozicionin e saj; në kuptimin që nuk kishte frikë. Frika këtyre do t’u futej e do t’u shpifej më pas, kur të priteshin kokat e para në kulturë, letërsi dhe në art; dhe të vijohej pastaj me spastrimet në ushtri dhe në ekonomi dhe, më në fund, në Sigurimin e Shtetit. Kjo do të ishte kryesisht frika se mos humbnin privilegjet e fituara (përfshi edhe mundësinë për ndonjë udhëtim në Afrikë), mirëqenien, dhe sidomos shpresën për të ardhmen e fëmijëve. Prandaj ai lloj humori dhe ngazëllimi që përshkon Zylon është epifenomen i atyre pak viteve, kur njerëzit dhe veçanërisht intelektualët në Tiranë mund t’ia lejonin ende vetes të mbyllnin sytë para abominacionit totalitar dhe të kujtonin se mund të jetohej normalisht, edhe në një Shqipëri të izoluar dhe represive, si ajo që kish krijuar Hoxha.

Këtë vlerë Zyloja jo vetëm e ka ruajtur, por edhe e ka pasuruar me kalimin e viteve, ose duke u distancuar nga përditshmëria. Shoqëria elitare e Tiranës, që vepron në faqet e romanit, sot përbën më shumë një enigmë që duhet zbërthyer nga lexuesi: çfarë i motivonte këta njerëz, ku e shihnin virtytin dhe vesin, çfarë prisnin nga vetja dhe nga sistemi, si hynin në marrëdhënie mes tyre – të gjitha këto i gjen në roman, por duhet t’i kërkosh. Dhe lexuesin e ndihmon shumë fakti që autori – le të themi Agolli, pa humbur kohë me distinguo narratologjike – nuk i merr personazhet e veta shumë seriozisht, madje zbavitet me ta dhe i qesëndis, gjithë duke treguar kujdes dhe dhemshuri hap pas hapi. Aq sa të duket, gjithnjë pas gjysmë shekulli, sikur autori e ka shkruar romanin për të kthjelluar disa gjëra me veten, ose për të kuptuar se ku qëndron ai vetë, si shkrimtar dhe drejtues i kulturës, në raport me shtresën së cilës i përket.

Shkrova më lart që Zyloja më pat pëlqyer që herët, edhe pse nuk e ftilloja dot mirë pse. Sot mbase mund ta shpjegoj – Agolli i pat dhënë letërsisë shqiptare atëherë ndoshta romanin më “linguistik”, ose një vepër letrare ku konflikti mes regjistrave dhe stileve në ligjërimin e personazheve çon përpara dramën, e brendshme dhe të jashtme; sepse mishëron një dikotomi madhore në vetvete, atë midis oralitetit dhe skripturalitetit, në një Shqipëri që po kërkonte të emancipohej me të shpejtë, por që nuk shkëputej dot nga e shkuara. Asgjë më mirë se ligjërimi – i folur dhe i shkruar – nuk i ruan aq mirë gjurmët e këtyre transformimeve dhe gjymtimeve epokale. Zyloja si personazh – për mua më i realizuari i letërsisë shqipe të së gjitha kohërave – i vjen lexuesit edhe si kontradiktë e madhe diskursive, ose një martesë e tendosur mes frazistit recidivist dhe krijesës orale që e ka pjellë; e cila nuk është veçse rishfaqja e luftës aq themelore mes ligjërimit të folur, që e merr autoritetin nga e shkuara (proverbat) dhe ligjërimit burokratik (logokratik), që e merr autoritetin nga konformimi ideologjik (parafabrikatet). Për do të shkruaj në vijim.

Përndryshe, arsyeja praktike që më shtyu ta blej dhe ta rilexoj romanin, nuk e përligji dot veten: udhëtimi i Zylos në Afrikë i shton vërtet romanit disa situata komike, por nuk i shton gjë personazhit dhe as ia pasuron eksperiencën lexuesit. Nga kjo pikëpamje, m’u duk sikur versioni “i zgjeruar” i Zylos i ngjante një director’s cut të filmave të suksesshëm; prej nga film-dashësi mund të marrë vesh çfarë kish në mendje regjisori, por që artistikisht jo gjithnjë janë aq të arritura sa versioni që ka qarkulluar në kinematë. Edhe me Zylon, siç e shpjegon Agolli vetë në post scriptum të botimit të tanishëm, pjesa “afrikane” e veprës u la jashtë me sugjerimin edhe të kryeredaktores së shtëpisë botuese, Dhurata Xoxa; autori thotë “nuk dëshiroja të më hapeshin telashe për përmbajtjen kritike të romanit”, por vendimi i atëhershëm paska pasur – do të ketë pasur – edhe arsye mirëfilli letrare. Megjithatë, do të ish më mirë të dëgjohej, për këtë, mendimi i dikujt që nuk e ka njohur Zylon në versionin origjinal.

(vijon)

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Kopjuesit do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.

7 Komente

  1. Shpresoj fort ta gjesh një lexues që s’e ka lexuar Zylon në versionin origjinal, në këtë log, Ard! Një roman i jashtëzakonshëm dhe, me ç’më kujtohet edhe i pastudiuar e analizuar në shkollë (flas për programin e gjimnazit), sepse ishte, më duket mua, tejet i vështirë për t’u thelluar në të me ato metodologji aq vetullngrysura që na jepnin ne asokohe nëpër libra.
    Për kureshtje, po të pyes nëse ky botim i ri ishte apo jo i shoqëruar me karikaturat e Shtjefën Palushit, aq aderente me veprën sa, të ish për mua, duhen shitur si të drejta autori bashkë me tekstin edhe jashtë shtetit, le të themi si karikaturat që shoqëronin Shvejkun?

    1. Për fat të keq, Ben, ky version që kam unë nuk ka ilustrime. Por ka edhe disa versione të tjera të romanit, të botuara pas 1990-ës. Mbase i kanë përfshirë te ndonjëri…

      Por ne jemi armiq të vetes. Me pak përpjekje, mund ta kishim shndërruar Zylon në brand, të paktën në vendet e Europës Lindore. Jam i sigurt se në Rusi do të kish pasur sukses të madh.

      Kam lexuar autorë satirikë sovjetikë – të mëdhenj në vendin e tyre – që as i afrohen.

    2. Duhet ta keni bere shkollen e mesme heret, sepse ne tekstet e matures Letersia 12 e pasviteve 2000, Zyloja… ka qene ne program dhe i shoqeruar me nje metodologji te studim teksti shume bashkekohore.

  2. Unë e kam lexuar për herë të parë “Zylon” mjaft vonë, ngelur pa libra të tjerë, në plazh – kjo për shkak të një paragjykimi që titujt që sugjerohen vazhdimisht duhen shmangur me çdo kusht. Besoj se ishte botimi i vitit ‘99, me Kongo brenda, sepse ishte i vetmi që gjehej në librari.

    Të them të vërtetën, kapitujt për Zylon në Afrikë më patën krijuar vetëm një habi të lehtë që D. Agolli paskësh shkruar pa gajle fare për botën përtej Shqipërisë që në vitet ‘70. Më lindi gjithashtu një kureshtje e çastit për të zbuluar sa kish mundur të udhëtonte Agolli gjatë atyre viteve, gjë që mund të lidhej ose jo me vajtjen e Zylo-Demkë-Kleopatrës në Afrikën e zezë, por nuk e ndoqa kurrë si hipotezë. Përveç këtij përjetimi fare personal, që nuk më duket se i shton gjë veprës, nuk kam mbresa të tjera nga “Zyloja” jo-origjinal.

    Ndërsa, sa i takon difuzionit të Zylos në botë, parvjet, duke u vërdallisur te bukinistët mes Pont-Nëfit dhe Shatëlesë, gjeta njërin që kishte një kuti me libra të vjetër të pahapur, në ambalazh celofani. Ishin të gjithë emra të panjohur autorësh të përkthyer dhe, ndër ta, pashmangshmërisht, ”Zyloja”. E bleva, e hapa dhe, habi e habirave, “Zyloja” im i ri ishte botim i ‘90-s me kopertinë të “NRF”-it!

    Tani, jam pothuajse i bindur që parathënia e botimit shqip, paçka se liston nja tridhjetë a dyzetë përkthime në gjuhë të huaja të librit, nuk e përmend specifikisht në frengjisht. Duke marrë parasysh prestigjin e frengjishtes në Shqipërinë e para ‘90-s dhe të “Gallimard-it”, që, me sa di, nga autorët shqiptarë, as Kadarenë nuk e ka botuar ndonjëherë, më bën habi kjo harresë. Meriton më mirë Zyloja.

  3. Zyloja ne Amerike.

    …”Pershkrimi ( ne shtyp – ksamil) i kesaj feste te pergjumet ishte, si gjithnje, i respektueshem dhe jo fyes, por momenti me eksitues i mbremjes u permend pak ose hic fare. Pothuajse ne gjysem te takimit, nje burre ne rrjesht te pare, u ngrit ne kembe dhe shpertheu:

    ” Bill, gjithe kjo eshte e merzitshme”, – filloi te bertiste.
    Tek perpiqesh te bente pyetjen qe kishte – ” Pse nuk flet ne lidhje me – “, Hillary menjehere filloi te fliste me ze me te larte se ai, duke thene se ” bashkebisedimet e rendesishme politike” qe ata po perpiqeshin te kishin, mund te jene te veshtira, sidomos kur nderpriten nga te tille “agent provocateurs”.

    “Jeffrey Epstein!” bertiti burri i ngritur ne kembe.

    Oh, the irony.

    Prishesi i mbremjes u nxorr jashte shpejt e shpejt dhe biseda vazhdoi me Bill-in, tek fliste per kohet e dikurshme, kur ai ishte president, duke treguar ca histori, qe nje zot e di sa ishin te verteta, ku se si nje here ai mblodhi bashke dy veterane qe secili kishte humbur nga nje kembe, dhe nje grua te shendoshe zezake, nje lezbike akitviste “formidable” kjo, – dhe se si veteranet me nje kembe, me vone, me sy te perlotur, i thane Bill-it, se atyre s’ua kishte marre mendja se sa gjera te perbashketa ata kishin midis tyre…”

  4. Driteroi kete liber e shkroi per tu tallur me dike me lidhjen e shkrimtareve .as ai vete as kritika e asaj kohe nuk ishin te vetedijshem se ky do te ishte I vetmi roman i driteroit i cili se bashku me disa romane te kadarese do tè perbenin ato fare pak krijime te lettersise se periudhes socialiste qe do ti rezistonin kohes .

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin