VIRTYT DHE MARRËZI

Sapo nisa t’i lexoj kujtimet e Mustafa Greblleshit botuar tani së fundi, ndesha në këtë pasazh:

Pushtimi fashist italian më gjeti nxënës në gjimnazin e Tiranës. Prindërit dhe profesorët patriotë të shkollës na e kishin rrënjosur thellë në gjak dhe në shpirt dashurinë e pakufishme për atdheun. Kaq e fortë ishte kjo dashuri, sa djaloshi Xhemal Rexha, i cili porsa kishte kryer Akademinë Ushtarake, vrau veten me të shkelur italianët tokën tonë. Gjithashtu e pakufishme ishte edhe urrejtja që kishim për pushtuesit e trojeve tona.

Një djalë i ri që vret veten për diçka të rëndë që i ndodh atdheut – kur ishte hera e fundit që dëgjuam për një kob të ngjashëm?

Xhemal Rexha kish kryer Akademinë Ushtarake, çfarë na bën të përjashtojmë patologji mendore të rënda; mund të ketë qenë me depresion të thellë, por që zgjodhi pikërisht atë ditë për t’i dhënë fund jetës, të vë në mendime.

Ne sot e kemi të vështirë për ta kuptuar një akt të tillë: jo vetëm ngaqë nuk do të na shkonte mendja për vetëvrasje po të na pushtohej hipotetikisht Shqipëria; por edhe se nuk e përfytyrojmë dot se çfarë mund të ketë menduar ai djalosh atëherë.

Kanë ndërruar kohët, kanë ndërruar edhe njerëzit. Çfarë nuk ka ndërruar, është zhargoni ose feja kombëtariste, ose fakti që fëmijëve në shkollë ende u kërkohet të zotohen që “të japin jetën/të derdhin gjakun për atdhe.”

Greblleshi shkruan se “prindërit dhe profesorët patriotë të shkollës na e kishin rrënjosur thellë në gjak dhe në shpirt dashurinë e pakufishme për atdheun” – këtij pohimi, edhe po t’i heqësh klishetë, edhe po t’i heqësh patetizmin, edhe po t’i heqësh llakun, diçka i mbetet; siç na e provon jo aq autori i kujtimeve, sa akti i Xhemal Rexhës.

Do të kenë qenë vite kur pavarësia e Shqipërisë ende përjetohej si vlerë supreme; gjë që për ne sot rroket me shumë vështirësi, meqë ne jemi mësuar ta ndajmë tashmë pavarësinë tonë si individë, si familje, si komunitete, nga pavarësia e shtetit, të së cilit jemi qytetarë. Deri edhe ata që shprehin admirim, haptazi ose fshehurazi, për filozofinë dhe praktikën politike autarkike të viteve të Enver Hoxhës, e bëjnë këtë edhe ngaqë nuk gjejnë më lidhje midis atyre viteve dhe aktualitetit.

Përndryshe, sot jo vetëm shqiptarët ikin me mijëra nga trojet e tyre dhe nuk e kthejnë kokën pas; jo vetëm nuk e kanë për gjë t’i vënë aftësitë e tyre, ndonjëherë unike, në shërbim të “atdheve” të tjera; jo vetëm qeveritë e njëpasnjëshme, të së gjitha ngjyrave, i trajtojnë pasuritë e patundshme të truallit si të ishin kartëmonedha; por edhe vetë nocioni i një Shqipërie “të mosvarme” është zhvendosur nga realiteti në sferën e imagjinatës dhe të mitit.

Edhe në prag të pushtimit italian, në 1939, ishin të tjerët, “të huajt” që e bënin ligjin në Shqipëri; dhe klasa sunduese jetonte me rrogat, honorarët dhe florinjtë që vinin nga jashtë – praktikisht njëlloj si kjo e sotmja. Shqipëria e rinisë së Greblleshit dhe të Xhemal Rexhës nuk ishte më shumë e pavarur se jona tani. Çfarë ndryshon mes këtyre dy periudhave, dhe nuk është pak, është që atëbotë njerëzit ende besonin në idealin patriotik dhe mbase ishin gati të flijoheshin për të.

Dhe kur e shihte flamurin kombëtar të rrëzuar përdhé, ndokush mund edhe të mendonte se jeta nën të huajin nuk kish më kuptim të jetohej.

Madje në periudhën e Mbretërisë, varësia ndaj të huajit ishte më fort pasojë e korrupsionit të elitave, se ç’është sot; dhe jo sepse sot elitat qëndrojnë moralisht më lart, por sepse bota e sotme është shumë më e ndërvarur se e atëhershmja, në çdo pikëpamje: politike, ekonomike, sociale.

E megjithatë, njerëzit besonin në atdhe dhe në flamur, dhe vjershat patriotike i recitonin me zemër; dhe programin e Rilindjes ende e përdornin si Bibël të kombëtarizmit shqip, jo si armë kundër armiqve të tyre privatë.

Ne tani, kur dëgjojmë për këtë Xhemal Rexhën që vrau veten “me të shkelur italianët në tokën tonë”, menjëherë themi me vete se nuk do të ketë qenë mirë nga trutë. Atë që Greblleshi, dhe shumë të tjerë me të, e quanin si manifestimin më të lartë të virtytit patriotik, ne nuk e kemi për gjë ta interpretojmë si shenjë të marrëzisë.

Dhe ndoshta kjo është e keqja e madhe e bashkëkohësisë: që shprehjen ekstreme të virtytit nuk e dallojmë dot më nga patologjia mendore; në kuptimin që sublimen tani ne jemi gati ta gjejmë e ta përjetojmë vetëm në letërsi, në mit dhe në fe, por jo më në realitet. Pa e kuptuar që edhe kjo që bëjmë është në vetvete patologjike, heqim një vijë ndarëse të prerë mes imagjinares dhe reales, duke e pranuar pa të keq, këtë të fundit, si vendin gjeometrik të prakticitetit, egoizmit dhe pafytyrësisë.

Cili prej nesh do të vriste sot veten vallë, po të përballej, një ditë të bukur, me tanket ruse në sheshin “Skënderbej”?

Ky shndërrim nuk prek vetëm qëndrimin ndaj kombit dhe atdheut; por kur prek qëndrimin ndaj kombit dhe atdheut, bëhet flagrant dhe na tërheq vëmendjen. Përndryshe, do parë si pasojë e një prirjeje të përgjithshme për eliminimin masiv të virtytit, në bazë të një filozofie primitive, pragmatike, e cila e sheh virtytin si të panevojshëm, në një botë filistinësh, të sunduar nga tregu dhe mendësia e tregut.

Çfarë edhe i bën patetike përpjekjet e sotme të kombëtaristëve, në politikë dhe në kulturë, për t’iu drejtuar publikut me të njëjtën gjuhë dhe të njëjtën retorikë që përdorej gjatë periudhës së Rilindjes: jo vetëm që shumë nga këta kombëtaristë nuk janë të sinqertë në predikimet dhe përbetimet e tyre, por edhe publiku do t’i shohë si demagogë dhe mashtrues, po të mos i shohë si të marrë.

17 Komente

  1. Në perëndim, vetëflijimi (self-immolation) si koncept u fut rreth viteve 60′ në rrëfimet e medias që lidheshin me protestat e murgjve Budistë ndaj regjimit Vitenamez, të Ngo Dinh Diem.

    Është interesante të kuptosh trajektoren e mendimit që çon në të tilla akte disa pasues të këtij besimi tepër paqësor, që e konsideron jetën e të gjithë krijesave të shenjtë. P.sh. murgjit e sektit Budist Jain, në Indi, fshijnë rrugën para se të shkelin për të mos i marrë jetën asnjë gjallese.

    Gjithsesi, vetëflijimi është një akt ekstrem i cili ndoshta mund të nxis ose përshkallëzoj rebelimin, por është tepër i ndryshëm nga flijimi për një kauzë të caktuar.

    Të gjithë flijojmë kohë nga ajo e jetëve tona duke i shërbyer asaj që na frymëzon, na jep kuptimin e jetës, ose… para.

    1. Shkruani: …murgjit e sektit budist Jain… Kjo nuk është e saktë: jainizmi është fe më vete, e themeluar në Indi me gjasë në shek. 5-6 p.e.s. dhe nuk para ka të bëjë me budizmin, përpos paraleleve që mund të hiqen mes themeluesve të dy feve, Mahavirës, nga njëra anë, dhe Budës, nga ana tjetër. Për më tepër mund të shihnit thjesht këtu: https://en.wikipedia.org/wiki/Jainism

      1. Budizmi dhe Xheinizmi (për të mos i hyrë në hak shqipes me “Jainism”), kanë lindur në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë (në Magadha të Indisë, diku rreth shek. V, para Krishtit).

        Në një shikim të shpejtë mund të vërehet se sa të ngjashëm janë për ato aspekte që po diskutojmë këtu: https://en.wikipedia.org/wiki/Buddhism_and_Jainism#Similarities

        Kjo nuk do të thotë megjithatë se janë krejtësisht e njëjta gjë dhe ju faleminderit për saktësimin.

  2. Nuk dihet sesa nga kombetaristet jane te pasinqerte,demagoge dhe mashtrues.Sidoqofte nuk jane keta pergjegjesit e bjerrjes se ndjenjes se larte kombetariste.Eshte diktatura komuniste.Ideologjia e saj e percudnuar dhe,c’eshte me e keqja,nje rrem pasardhesish ideologjik te saj: kozmopolitet e sotem.
    Ashtu sic ne kohen e diktatures,nacionalistet stigmatizoheshin si demagoge dhe mashtrues (propaganduesit e kohes paten punuar ethshem ne kete drejtim),edhe sot ky rrem pasardhesish i perqesh me te njejtin zell kombetaristet.
    Aq e vertete eshte kjo,sa shume te rinj te magjepsur nga “modernizmi” i ketyre kozmopoliteve,e kane per turp te shprehin qofte edhe ndjesine me te pafajshme ndaj kombit dhe atdheut.

    1. Ndërsa unë besoj se ca nga këta kombëtaristët meritojnë të përqeshen edhe më keq – sepse sillen si klounë dhe kërkojnë të manipulojnë publikun. Nuk shoh ndonjë lidhje midis kujt deklarohet se e do atdheun dhe kujt e do vërtet atdheun. Çdo njeri, pastaj, matet me veprën që lë pas, jo me imazhin që kërkon të projektojë për veten. Ti bën edhe një gabim tjetër: nuk ka nevojë të jesh doemos kozmopolit, që t’u kundërvihesh këtyre dordolecëve, që janë majmur duke ngrënë shqiponja të furrës, me salcë pikante kuqezi në tryezat e kombit. Mjafton të jesh njeri i arsyeshëm. Madje, për mendimin tim, këta demagogë ia kanë dëmtuar statusin atdhedashurisë ku e ku më tepër se kozmopolitët.

      1. Ky vendi jonë prodhon edhe çudira të tipit: një shqiptar i hedh flamurin tek këmbët një shqiptari tjetër.

        Ka ndodhur në protestën e janarit 2011. Flamurgjuajtësi ishte pjesëmarrës në protestë. Flamurngritësi polic në detyrë. E vetmja arsye për këtë mosarsyetim i bie të jetë një hipotezë (e paarsyeshme?) se mos ndoshta protestuesi ka qenë një provokator i vënë nga krahu tjetër.

        Pa hyrë në nuancat dhe llakun e politikës, ka patur dhe do ketë në këtë vend si kudo tjetër fut’hundës, soditës, përfitues, ikacak, ëndërrimtarë, marrokë dhe dalëzotës.

      2. Jam dakord me c’ka thoni,perjashto fjaline e fundit.Une mendoj ndryshe per kete.Diktatura komuniste,jo e ka demtuar por,per mendimin tim, e ka shkaterruar ate qe ju e quani status atdhedashurie.Kozmopolitet e sotem,te cilet i konsideroj si nje rrem pasardhesish ideologjike te diktatures,po tregohen shume te zellshem qe te mos kete rindertim pas ketij shkaterrimi.
        Pse tregohen te zellshem,pikerisht per ate arsye,qe ju akuzoni kombetaristet.Nese ka individe apo grup shoqeror keto vite ne Shqiperi,qe jane majmur me demagogji,keta jane kozmopolitet.Shume prej tyre sot i ke ose biznesmene ose politikane te fuqishem ose te dyja bashke;kurse pjesa qe mbetet,te pakten ka siguruar jetesen ne nje menyre te tille te kenaqshme,qe nuk do ta kishte realizuar kurre nese nuk do te tundte flamurin e kozmopolitizmit.
        Streha e horrave nacionalisteve,ne krahasim me strehen e horrave kozmopolite,eshte nje e tille vorfnore.Eshte kjo arsyeja,se pse ka nje dyndje kaq te madhe drejt strehes luksoze kozmopolite.
        Kjo sa u perket horrave te te dy kraheve.Por,une edhe ne parim jam kunder kozmopoliteve.Kastat e eperme sunduese,qe nga antikiteti,kane qene te gjitha,paperjashtim,kozmopolite.

  3. “Xhemal Rexha kish kryer Akademinë Ushtarake, çfarë na bën të përjashtojmë patologji mendore të rënda; mund të ketë qenë me depresion të thellë, por që zgjodhi pikërisht atë ditë për t’i dhënë fund jetës, të vë në mendime.”

    po, mendimi i pare eshte se pse ne vend qe te shkoje te vrase italiane vajti e vrau veten. pse u be ushtarak atehere?

    1. Ne fakt, Androkli, ai e vrau veten pasi provoi te bente detyren si oficer i ushtrise shqiptare, luftoi, por nuk mundi te ndalonte pushtimin.

      Xhemal Rexha, me origjine nga nje familje kosovare, kishte mbaruar Adademine ushtarake ne Itali nga mesi i viteve ’30. Gjate studimeve ishte martuar me nje italiane, te cilen e mori me vete kur u kthye ne Shqiperi. Pushtimi italian e gjeti oficer te ushtrise shqiptare. Ishte nder ata oficere te pakte qe me 7 prill bene rezistence aktive, nen komanden e Abaz Kupit.
      Kohet e para pas pushtimit hyri ne krize te thelle, sepse u bojkotua nga familja, e cila nuk e kishte pranuar kurre martesen me nje italiane, por edhe nga mjedisi shoqeror, miqte dhe koleget, te cilet e vinin ne loje sepse nuk pranonin qe nje oficer i diplomuar ne Itali, e per me teper i martuar me nje italiane, te kishte qendrime aq te hapura anti-italiane. Ne keto kushte ra ne depresion dhe vrau veten. I la nje leter se shoqes ku i kerkonte qe te kthehej ne Itali me djalin e vogel, Luanin, dhe te rimartohej.

      I biri, Luan Rexha, ne itali u be gazetar dhe shkrimtar i degjuar. E shoqja u rimartua dhe lindi nje djale tjeter, Filippo Bettini, profesor letersie ne Universitetin e Romes.

  4. Bashkë me humbjen e virtytit te bashkëkohësit, si cilësi e lartë morale e njeriut, i nxjerr mënjanë si i panevojshëm në tregun kapitalist, është dhe banalizimi i patriotizmit në klishe nga kombëtaristët – me flamur, daulle dhe bori, pa harruar “derdhjen e gjakut” dhe hakërrimet kundër serbit, grekut dhe turkut – dhe keqpërdorimi i tij për vota dhe pushtet politik dhe ekonomik nga elitat e sotme – ndërkohë që plaçkisin dhe i shesin xhaba pasuritë kombëtare – që e bëjnë patriotizmin në Shqipëri të duket kaq demode, qesharak dhe të diskretituar.

    Çka është për të ardhur keq, sepse patriotizmi i shëndoshë, modern, që nuk drejtohet kundër tjetrit dhe të huajit, por me ambicien për tu bërë më i mirë se tjetri – më i shkolluar, më i kulturuar, më i pasur, më i drejtë – që synon emancipimin, civilizimin dhe zhvillimin si shoqëri, bashkë me dhe përtej progresit individual të çdo njeriu, mund të ishte “ngjitësi social” që do të bashkonte shtresat dhe grupimet shoqërore shqiptare, institucionet dhe strategjitë/modelet politike-ekonomike të zhvillimit në hartimin dhe realizimin e një kontrate shoqërore (social contract, Gesellschaftsvertrag) që u ka munguar shqiptarëve prej dekadash.

    Kjo mungesë e një marrëveshjeje të tillë, e shkaktuar sa nga prapambetja e trashëguar dhe nga efektet e diktaturës, aq dhe nga përqafimi i një modeli ekonomik ekstrem, si ai neoliberal i pas ’90-ës, është, për mendimin tim, një nga shkaqet kryesore pse shoqëria e sotme shqiptare është kaq e shpartalluar dhe e abandonuar, e kapur në grackën e një tranzicioni të pafund, e paaftë për të bërë qarkullimin e elitave, për të dënuar krimet dhe kriminelët e djeshëm dhe të sotëm, për të vendosur qoftë dhe minimumin e drejtësisë shoqërore, për të mos folur për demokracinë dhe sovranitetin kombëtar (kush ambasador e ka radhën të na qeveris sot?!), në një ambient ku e vetmja gjë që bën progres është entropia dhe degradimi social.

    Një kontratë e tillë do të përbënte fundamentin mbi të cilin do të mbështetej zhvillimi afatgjatë i shoqërisë shqiptare. Modelet ekonomike, institucionet, elitat mund dhe patjetër do të ndryshojnë me kohën, sigurisht, për t’iu përshtatur ndryshimeve brenda dhe jashtë vendit, por fundamenti mbi të cilin këto ngrihen qëndron stabil.

    Popuj të ndryshëm kanë zgjedhur elemente të ndryshëm, ose kombinime mes tyre, për të çimentuar kontratat e tyre shoqërore si patriotizmi, harmonia ekonomike-sociale, përkatësia fetare, hegjemonia rajonale ose globale te popujt e mëdhenj etj.

    Për shqiptarët, patriotizmi progresiv dhe drejtësia sociale mund të ishin elementet bashkues po ashtu (përveç gjuhës, kulturës, historisë dhe traditës së përbashkët).

    1. Konundrumi i kahershëm shqiptar që pret përgjigje: “Bashkë, pse? – Bashkë, si?”

      Ka nga ata që i ikin përgjigjeve duke thënë se duhet të na bashkojnë ata që gabuan duke na ndarë.
      Të tjerë që e mendojnë bashkimin si tufa e deleve që shtrëngohen përballë ujkut (dhe këtu merr përgjigjet e frikës edhe pse-ja, edhe si-ja) dhe të tjerë akoma që thonë se zgjidhja është e domosdoshme, por kërkon kohë, duke shtuar si padashje edhe një pyetje: Deri kur?

      Ps.: Ndjesë për lirshmërinë në përdorimin e fjalës konundrum (conundrum), po gjëegjëzë dhe kashëelashë më tingëlluan lojcake e të lehta në raport me gjetjen e përgjigjeve.

  5. Nese do te tallet apo nuk do te tallet njeri me nje njeri qe vret veten po te hyjne tankset ruse ne Tirane, (sipas pyetjes dhe hipotezimit te Ardianit), me duket se vetem ne Shqiperi qe nuk shkon kjo pyetje, as edhe ne Tirane, pasi nje pjese do ta vleresojne -ndonese me hidherim- kete akt, sic vleresojne edhe vetdjegien e Jan Pallahut ne Ceki ne 1968-en kur hyne tankset ruse, dhe keta jane ish-qytetaret (shumica te larguar), dhe nje pjese do ta tallin apo nuk do ta kuptojne kete lloj suicidi, -keta jane 90% e te gjithe te zbriturve sot ne Tirane. Pra, shoqeria shqiptare sot eshte nje komedi hyjnore e te tre shkallve te (pas)jetes njerezore, ku jo vetem tema te tilla marrin nje pergjigje diapazonale 180°, por edhe tema me ditore e te perditshme zor se vleresohen njelloj nga te gjithe. Po nejse, nje fakt i ketill i paditur eshte mire qe i bihet lexuesit shqiptar.

    1. “… dhe keta jane ish-qytetaret(shumica te larguar)…dhe keta jane 90% e te gjithe te zbriturve sot ne Tirane”,- ja ky eshte nje shembull tipik se ne c’shkalle e ka percudnuar internacionalizmi i diktatures dhe me pas pershtatja e tij ne kozmopolitizem nga nje rrem pasardhesish te saj,shoqerine shqiptare.
      Kush jane “ish-qytetaret” e djeshem te Tiranes?! A mos valle e keni fjalen per ata,te pakten shumica e tyre,ish-fshatare te djeshem dhe pothuaj te gjithe nga Jugu qe per gjysemshekulli diktature i solli pushteti komunist ne Kryeqytet,sidomos per arsyen se ishin besnike te regjimit (nje fakt qe te gjithe e dime: ne Tirane,brenda ne qytet,socialistet kane nje avantazh,pikerisht per shkak te votes se ketyre “ish-qytetareve”,dikur besnike te regjimit komunist,sot votues te pasardhesve te tij socialiste) ?!
      Sipas kesaj logjike i bie qe,pikerisht per kete arsye,keta ish-fshatare te zbritur ne Kryeqytet,e meritokan te drejten e qytetarise!
      Eshte krejt e kunderta e asaj qe thoni per “kuptimin e ish-qytetareve” te djeshem ish-fshatare te pardjeshem dhe “moskuptimin e 90%-it” te zbritur sot ne Tirane.
      Sepse,shumica derrmuese e atyre “ish-qytetareve”,ishin besnik te regjimit komunist,i cili regjim ishte stalinist.Eshte e vertete qe regjimi stalinist ne Shqiperi e “denoi” agresionin sovjetik ne Ceki,sa c’eshte e vertete qe po ky regjim denoi rezistencen anti-sovjetike ne Hungari derisa nuk kishte nderprere marredheniet me BS.Por,duhet kuptuar se ky qendrim i regjimit komunist shqiptar erdhi nga pozitat staliniste;dhe ketu dalim tek percudnimi i regjimit komunist ne Shqiperi,sepse Stalini,po te ishte gjalle ate kohe,do te tregohej ekstremisht me i ashper se pasardhesit e tij.
      Eshte kjo nje nder arsyet e panumerta,se c’dem te madh i kane bere internacionalistet e djeshem,sot te konvertuar ne kozmopolite,kombetarizmit.Keta e kane percudnuar edhe vete hipokrizine.

      1. Po, e kam fjalen per ata fshatare te zbritur pas L2B ne Tirane, te cilet u bene deri diku qytetare me kalimin e dekadave, sic po behen edhe keta te sotmit qytetare me kalimin e 3-4 dekadave, por s’jan bere akoma. Nese ishin shumica nga jugu, apo nese shumica ishin ose jo besnike te partise dhe sociallizmes, ky eshte nje problem tjeter qe nuk luan rol kryesor ne temen dhe pyetjen e ngritur nga Ardiani. Po ashtu nuk luan rol ne pergjigjen time nese PPSh e denoi nga pozita staliniste agresionin rus ne Ceki, pasi tema e shkrimit kishte te bente me reagimin tone, te sejcilit individ ndaj nje agresioni dhe ndonje suiciditi te ardhur nga ky agresion! Pra, Timur, me duket se je zgjatur shume me komente te panevojshme ne adrese time!

  6. Timur: “internacionalizmi i diktatures”??? Ku e ke internacionalizmin të lutem? Diktatura jonë zbatoi mbase më egërsisht se kudo gjetiu politikat thellësisht izolacioniste, të cilat janë sipas meje përgjegjëse kryesore të prapambetjes sonë sot.

    Kur them izolacioniste, kam parasysh jo vetëm izolimin e Shqipërisë nga bota, por edhe izolimin e fshatit nga qyteti, të qytetit nga qyteti fqinjë e kështu me radhë. Nuk të kujtohet se për të shkuar nga një vend në tjetrin në Shqipërinë e vockël duheshin ditë të tëra? Kjo jo vetëm për shkak të infrastrukturës skandaloze, por edhe për shkak të mendësisë izolacioniste të zbatuar gjerësisht nga regjimi totalitar.

    Ajo çka Enveri trumbetonte me të madhe si “internacionalizmi proletar” nuk ish gjë tjetër veç aq, një izëm. Të lutem mos u përpiq të më ndryshosh mendim duke më sjellë për shembull në vëmendje ca mumje si Joao Amazonasi, efekti I të cilit duhej me gjasë të ishte njësoj si ai I mumjes së leninit në Kremlin: dekorativ e stanjacionist.

    E ndaj besoj se mallkimet ndaj internacionalizmit (inekzistent) të regjimit të kaluar janë në thelb po aq “izmë” sa të gjitha izmat e atij regjimi disfunksional, katastrofik e qesharak në propagandën e vet të ngurtë e anakronike..

    1. Padyshim,qe i ashtuquajturi internacionalizem proletar ishte ashtu sic thoni ju.Pervec kesaj e te tjerash,ai ishte edhe nje kundervenie ndaj te ashtuquajturit kozmopolitizem borgjez.Internacionalistet akuzonin kozmopolitet per hipokrizi;mirepo kur erdhen ne pushtet,u pa qe ishin edhe me hipokrite se kozmopolitet.
      Ne vendin tone,pas renies se “internacionalisteve” nga pushteti,nje pjese e pasardhesve te tyre u rikonvertuarn ne kozmopolite.Keta vertete sulmojne “internacionalistet” por,per ironi,jo vetem qe mbajne te njejtin qendrim denigrues ndaj kombetaristeve si paraardhesit e tyre “armiq”,por perdorin edhe shume nga klishete e ketyre te fundit ndaj kombetaristeve.Kjo marredhenie perverse mes tyre dhe qendrimi i njejte ndaj kombetaristeve,per mua te pakten,perben nje prove te fallcitetit te tyre.
      Ka nje thenie te urte popullore,sipas se ciles,nje njeri qe nuk do gjindjen e vet,nuk mund te doje fqinjin.
      E ketu dalim tek kombetaristet dhe kozmopolitet.Keta te fundit,me hir a pahir,por gjithmone, bien ne kurthin a atij plengprishesit qe don fqinjin.E ketu e kam fjalen per rastin me te mire.Sa per ta ilustruar,po sjell si shembull qendrimin ndaj bashkimit kombetar: te gjithe kozmopolitet jane kunder ketij bashkimi dhe tregojne zell ne argumentet qe perpiqen te japin per kete.Por,kur bie fjala,pershembull,per nje bashkim ballkanik,keta jane me te zellshmit prape… dhe me te njejtat argumente qe kundershtojne bashkimin me Kosoven,brohorasin bashkimin me fqinjet!
      Edhe po te ishin te ligj,une prape nuk u besoj,sepse eshte kunder logjikes elementare,sic e thote edhe urtesia ne ate shprehjen popullore me siper.
      Ka nje teori,sipas se ciles,egoizmi eshte burimi i vertete i altruizmit.Per mua,kjo eshte thjeshte e vertete.
      Per t’i rene shkurt:duke konsideruar kozmopolitet si altruiste dhe si egoiste kombetaristet,nuk mund te jesh si te paret pa qene si te dytet.

  7. Oh, Joao Amazonasi më kujtoi ca dokumentarë ku shfaqet sfondi i podiumeve të kongreseve… Sivëllezër idealesh nga Europa deri në Afrikë e Amerikën Latine që përshëndesnin ngrohtë (dhe ashtu duhej se ca parti-motra edhe kanë qenë financuar nga i yni mëmëdhe), me gjeste entuziaste përparimin në rrugën tonë të socializmit.

    Miq për qoka/këshilla gjenden gjithmonë, si atëherë edhe tani.

    Jam dakord me Gjilpërën kur thotë se duhet “hartimi dhe realizimi i një kontrate shoqërore” dhe konstatimi i problemit ndoshta është hapi i parë drejt zgjidhjes.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin