LIBËR I RI PËR SHQIPET

Aranit Topia “؀ЉfαԲⱸטט ⱻ щqͷףܫ”, Sh. B. “Buka pa sufllaqe” 2017, fq. 882, me kopertinë të fortë

Ky libër për alfabetet e shqipes, i sapodalë nga shtypi, është më shumë se libër: është monument i fjalës shqip. Nuk duhet blerë për t’u lexuar (sado gjakim, vullnet titani të keni, them, gjithsesi, është në një farë mënyre “i palexueshëm”), por duhet vënë në bash të vendit të çdo biblioteke atdhetare e arsimdashëse për ta lartësuar atë në tempull me praninë e tij.

Jo më larg se ndonjë shekull më parë funksiononte kështu: dikush (arbër, po themi, më vonë shqiptar) vendoste të shkruante diçka në gjuhën shqipe (t’i thoshte gjërat troç, pra, në mënyrë të kuptueshme, sikurse edhe etimologjia e fjalës “shqip” nga latinishtja “excipere” sugjeron – të më falin etimologët që e lidhin fjalën “shqip” me fjalën “shqipe”, “shqiponjë”, në kuptimin e Shpendit të Flamurit): një letër dërguar familjes nga mërgimi për t’u justifikuar për heshtjen e gjatë, një shënim për gruan te dera e frigoriferit, ose, për gjëra më të rëndësishme, një libër të tërë. E pra nëse ky dikush ishte katolik, përdorte alfabetin latin. Përndryshe (dhe natyrisht), po të qe musliman, përdorte alfabetin arab; kurse ortodoks nuk i mbetej tjetër veç të përdorte atë grek. Kjo për tingujt e shqipes që gjenin pasqyrim në alfabetet përkatës. Po tingujt “e tepërt”? Për to një diçka e pashpjeguar mirë as nga psikologët e sotëm brofte circumvolucioneve të shkruesit dhe ai i vihej me mish e shpirt huajtjes majtas-djathtas të germave nga alfabete të pagjasë (nga alfabeti armen, nuskhur, mkhedrul…), apo thjesht shpikte germa të reja e të paqena më parë. Kështu, shkrimi i gjuhës së vet bëhej një “lëmsh para porte” ndër shqiptarë. Përdorimi i kësaj metafore sportive (nga loja e futbollit) nuk është i rastit, se me tërë mend që shkrimi i shqipes me anë të dhjetra, qindra alfabeteve të ndryshëm, nganjëherë të kundërt, u bë sporti kombëtar i shqiptarëve nën Perandorinë Osmane. Teksa letërkëmbimet farefisnore dhe shënimet në copë letër ngjitur mbi frigorifer për gruan kishin turnover të shkurtër, që merrte fund me brezin që e pat krijuar (fëmijët, për rebelim ndaj prindërve, sigurisht përftonin nga fantazitë e tyre të flakta krejt të tjerë alfabete), puna ndërlikohej ca për librat. Së pari, librat me kësi alfabetesh hasnin vështirësi të hatashme për t’u shtypur: shtypshkronja nuk gjente dot germat – ato të sajuarat – për t’i radhitur dhe o i duhej t’i merrte hua nga shtypshkronja të tjera që përdornin alfabete të tjera, o i duhej t’i linte bosh vendet e këtyre germave që shkruesi i librit pastaj, ngarkuar fletët në mushka, t’i çonte diku tjetër që të radhiteshin edhe njëherë për sërën e dytë të germave; ose pastaj, në rastet kur ia dilnin më në fund ta shtypnin gjithsesi librin, meqë prerogativa e librit është t’u rezistojë viteve, sa më shumë kohë kalonte aq më të mëdha bëheshin kokëçarjet, sidomos kur krijuesi i alfabetit vdiste, sigurisht pa e treguar çelësin e leximit për alfabetin e vet dhe duke i lënë të gjithë gojëhapur (shih për shembull alfabetin e Anonimit të Elbasanit – krijuar diku nga mesi i shekullit XVII, mirë alfabeti i parë që gjithsesi “hahet”, po tjetri, ai i fshehti, i inkorporuar brenda alfabetit të parë – në faqen 2 të dorëshkrimit – që mbetet edhe sot e gjithë ditën i pazbërthyer, si të ishte mbishkrim i ardhur nga kushdi ç’kohë e ç’epokë?). Aq të çuditshëm ngjanin alfabetet që mendje çapraze kishin prodhuar gjer atëbotë sa, kur von Hahn-it, për shembull, i ra në dorë alfabeti 50 e ca germash i Theodor Haxhifilipit, iu duk aq jashtë faze sa kujtoi se kishte zbuluar alfabetin e lashtë të pellazgëve.

Kështu javët kalonin ngadalë në dergjë e limonti, muajt qenë më të shpejtë: si lepuj, por shekujt veç rrokulliseshin sa hap e mbyll sytë zgafellave të historisë, gjer kur shqiptarët e gjetën befas veten gafil ta thoshin në mënyrë univoke fjalën e tyre të shkruar, pse pa një alfabet të mirënjohur e të tërëpranuar: u gjendën, pra, – i çapëlyen sytë me tmerr (në mes të modernitetit – në shekullin e XIX ndodhi kjo) – ta themi troç, të pazot të shkruanin as germën “a” në mënyrë të tillë që një bashkëkombas i lëçitur ta merrte vesh ç’ish. Ndaj, dikur, patriotët e libërdashësit shqiptarë vendosën ta zgjidhin në mënyrë institucionale këtë punë.

 

*

Kur u mblodh Shoqëria e Stambollit, si me shaka kishim arritur në vitin 1879. Ishin 25 vetë, intelektualë shqiptarë, Rilindas, ardhur me mjete të rastit në kryeqytetin otoman nga vise të ndryshme të Perandorisë, nga Egjipti e nga Europa. Në sallën e vogël me mure gjithë igrasi e dritare të ulta që shihnin kah deti, vendosën të krijojnë një Komitet të Alfabetit, i përbërë nga 7 anëtarë; votuan antarët dhe pastaj gjithsecili u shpërnda në punë të vet, zyrave apo mejhaneve të kryeqytetit. Në magmën e formimit të tij si komb shqiptarëve nuk u pëlqenin edhe aq fluturimet filozofike, le ta themi që ishin më shumë të tërhequr kah prakticiteti i jetës, ndaj, ndonëse u fol për alfabet – term ky që veshëve intelektualë tingëllonte abstrakt – Shoqërinë e quajtën: Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip. Nga njëra anë ky emër vinte në pah prakticitetin e çështjes: alfabeti duhej jo thjesht si radhor ideal germash, por për diçka praktike, për të arritur të shtypeshin libra që të mund t’i lexonin një numër sa më i madh shqipfolësish (hiq analfabetët, prodhuesit e alfabeteve personalë që kurrë s’do t’i mungonin shqipes, urrejtësit e alfabetit të tjetrit, etj.); nga ana tjetër emri i shoqatës ishte tejet poetik me atë aliteracion aq të plotë që e përshkonte, si varg i sagave të lashta gjermanike (të ishte përdorur ky aliteracion thjesht për efektin e tij mnemotik – t’i kujtonte të gjithve arsyen pse ishin mbledhur: kjo nuk na është bërë me dijë?).

Dhe kështu, kur komiteti i la për të nesërmen propozimet për një alfabet të të gjithë shqiptarëve, anëtarët e tij atë natë bënë gjumë të trazuar. Në mëngjes pastaj, sybuhavitur, katër syresh nxorrën nga xhepi i pasëm i pantallonave një fije letër me alfabetin e tyre të renditur për bukuri. Ishin: Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa (alias Vaso Pasha) dhe Hoxha Tahsini. U mbetej, pra, tre anëtarëve të tjerë të Komitetit: Koto Hoxhit, Ibrahim Bërzheshtës dhe Said Toptanit, barra të zgjidhnin, ndër të katër, alfabetin fitues. Koto Hoxhi ishte elektron i lirë. Ibrahim Bërzheshta ishte kunati i Sami Frashërit (burri i motrës). Said Toptani i kishte dhënë vajzën Mehmetit, njërit nga vëllezërit e shumtë Frashëri. Natyrisht, fitoi alfabeti i propozuar nga Samiu. U quajt Alfabeti i Stambollit.

Nuk u mbyll me kaq. Duhej të rridhnin edhe 30 vjet dhe ndoca dhjetëra alfabete që, më në fund, Kongresi i Manastirit të vendoste një diçka gjithsesi restriktive (me ç’na kishin parë sytë): lejimin e veç dy alfabeteve. Mbas një tjetër dhjetëvjeçari pastaj, alfabeti mbeti një dhe i vetëm:ky që kemi sot. Kjo është pra, me pak fjalë, historia që tregohet në këto tetëqind e ca faqe.

 

*

Me këtë libër, arti i botimit nga shtëpia botuese “Buka pa sufllaqe” mbërriti një kulm vështirë të përsëritshëm për editorinë anase. Kopertina e fortë, askete, me germa ngjyrëfloriri gdhendur në relief, me kurriz rigid me kapitel, kontraston këndshëm me këndin e rrumbullakosur të fletëve të fildishta, format 17×21, gramaturë 90-she, të lidhura si broshurë e frezuar dhe me gajtan, mbivendosur me zamkë polimerik të cilësisë më të lartë. Çdo kapitull fillon me germën e parë të stolisur e me ngjyrë të kuqe, si inkunabujt e lashtë. Edhe shiritin shenjues prej mëndafshi të kaltër kanë parashikuar botuesit.

I përmend këto “teka” të botimit jo vetëm për t’ua nxjerrë në pah sharmin, por edhe ngaqë nuk kam më shumë për të treguar rreth përmbajtjes së librit. Ato që shkrova, ia rrëmbeva nga goja gjysmë vjedhurazi në një bisedë telefonike autorit Aranit Topia, i cili, për natyrë, u qëndron instiktivisht larg mikrofonëve. Përndryshe është e pamundur të nxjerrësh ndonjë frazë me njëfarë kuptimi nga teksti i librit, për të cilin botuesit, siç e pranuan në konfidencë, iu deshën rreth dhjetë vjet dhe një borxh i madh bankar për ta shtypur. Se teksti është shkruar kështu: çdo paragraf sipas alfabetit përkatës për të cilin autori po rrëfen në atë çast dhe, natyrisht, kur flet për alfabetin arab të shqipes, çdo gjë në ato faqe është shkruar në alfabet arab, bile edhe nga e djathta në të majtë. Kështu, faqe pas faqeje alfabetet ndërrojnë sa hap e mbyll sytë e si nëpër përralla, kalohet me nonchalance nga alfabeti i Vithkuqit tek ai i Shoqnisë Bashkimi; nga alfabeti i Sazan Golemit tek alfabeti i Guri Voglit; nga ai i Kodekseve të Beratit tek i ashtuquajturi alfabet i Gjirokastrës [gati një vit kohë – siç më pohoi botuesi – i kish kushtuar atij vetëm faqosja dhe shtypja e faqes 432, ku alfabeti i Gjirokastës përzihej (e ç’them “përzihej”: përleshej), përleshej pra dhëmb për dhëmb me alfabetin e Beratit, siç rrëfehej në disa letra e dokumenta në greqisht të fundshekullit XVIII, ku bëhej fjalë për eremitë, çobanë, priftërinj shëtitës, hekurpunues shtegtarë, që u duhet të shkonin nga një luginë në tjetrën, nga një shpat mali në tjetrin, shpesh duke kapërcyer kufinjtë (imagjinarë) të dy krahinave, aty ku Vjosa lëviz noprane në anë të mëngjër të Nemërçkës, dhe u duhesh shpesh atyre vetë të mbroheshin me dyfek në dorë për ndonjë pusullë të shkruar, qoftë edhe shkel e shko, me një alfabet në një kohë që duhet ta kishin shkruar me alfabetin tjetër, shemër, se pa e kuptuar kishin qëlluar matanë krahinës (që ishte si të kishin qëlluar në anën tjetër të botës)]; nga ai i Veso Beut, në mes të faqes bile, pa pritur as të mbarojë paragrafi, tek ai i i Naum Veqilharxhit e pastaj fët e fët tek alfabeti i Jan Vellarait.

Dhe më në fund, diçka për autorin e librit edhe mund të thuhet: biografia e tij në të pasmen e kopertinës është dhënë me alfabetin e fshehtë të Anonimit të Elbasanit: një biografi e fshehtë dhe e pazbërthyeshme.

Lexim të mbarë!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin