KËSHTU FOLI ZARATHUSTRA

nga Rrufepritësja

Zarathustra u çua me me një kokë të rëndë profetike nga gjumi. Mesazhi i ëndrrës i shtypte aq fort tëmthat, aq sa i dukej se do lindte nga koka, siç Zeusi lindi Athinanë. Duhej të vriste Anti – Zarathustrën, këtë kasnec të përbindshëm që me një zë të fortë e të lartë përhapte anembanë me daullen e tij, që Zarathustra nuk ishte Supernjeriu i shumëpritur, por një i fantaksur që pandeh se është misionar, që ka si qëllim të transformojë komedianët në pula, të verbërojë errësirën në natë dhe të vendosi rendin e ri te eufemizmave ligjëruese.

Son-of-Man-Looking-in-the-Mirror-By-Magritte-113296Iu kujtua Edipi-ëndërr, Edipi-fëmijë, Edipi-mbret… Në fund, pavarësisht rrenave dredharake të fatit, triumfoi Edipi atvrasës i ëndrrës. Po sikur zarathustrakët e tij, ashtu sikurse bariu i Edipit mos t’i binden urdhrave të tij dhe Anti – Zarathustra të vazhdojë t’i bjeri daulles? Përse i trembej kaq shumë Anti – Zarathustrës? Fundja të dy nga një bark kishin dalë, luanin bashkë, ndanin lodrat bashkë, shaheshin, kacafyteshin dhe pastaj pajtoheshin me gishta. Madje, si gjithë fëmijët bënin policin dhe hajdutin, gjykatësin dhe të dënuarin, telefonin e prishur, gomarin që fluturon, këndonin “Titina moj Titina ti jepje aspirina”, Olion dhe Stelion.

Aty në kohën e gjimnazit, Zarathustra ndjente se me vëllain e tij binjak kishte filluar të largohej gjithmonë e më shumë. Lexonte aq sa i buhaviteshin sytë, mbi letërsinë dhe filozofinë e lashtë greko-romake, për perandorët, jetën e prijësve dhe udhëheqësve të tyre të shquar, bëmat, dashuritë, intrigat, për ditët e fundit të Pompeit dhe vullkanin që mund të zgjohej përsëri.  Ndërsa Zarathustra përkundej në ëndrra politike, Anti – Zarathustra ndërkohë, zhytej gjithmonë e me thellë në zullum e shpifësirë. Sipas psikologëve, ishte një lloj mekanizmi vetëmbrojtës për të errësuar sadopak shkëlqimin e të vëllait. Shpifja dhe zhargoni i rrugës ishin të vetmet armë të tij për t’i treguar “supernjeriut” që liria e tij, sado e zezë, “është ajo që është” dhe që reaksioni i të vëllait provokonte më tepër natyrën e tij “reaksionare, rebele dhe revizioniste”.

Zarathustrës i ngjante vetja me një filxhan të kthyer përmbys, me një llum kafeje të zezë të trashë në fund, ku një gisht bezdisës e shtypte kudo dhe i tregonte për armiqtë, spiunët, nepërkat dhe gjarpëprinjtë që e rrethonin ngado. Fundi i filxhanit ishte pus, ashtu si dhe makthet e tij. Mori një gazetë dhe u ul ta gjerbte bashkë me kafen e mëngjesit. Filloi të lexonte: “Por çfarë është liria? Nuk mund të pajtohen liritë mes tyre… Liria është një koncept vetëasgjësues, që prodhon kundër-liri. Liria është një koncept luftarak, që ndjell ndjenjën e vetëvendosjes. Liria është një koncept sundues, pasi të sundosh, domethënë të sundosh lirinë. Liria është një koncept mohues, pasi të jep lirinë të mohosh. Liria është një koncept iluziv, pasi nuk është gjendje reale. Liria është mit dhe miti është tipar psikologjik i njeriut. Liria është Luciferi rebel, që nuk u josh nga dhuratat korruptive të Zotit dhe zgjodhi “më mirë një ferr në liri sesa një parajsë në robëri”. Liria është neps, babëzi, stomak, bark, një fushë futbolli ku zgjedh ti fushën, lojtarët, rregullat e lojës, kartën e verdhë dhe kartën e kuqe. Zarathustra është një  Anti – Zarathustra”…

Kështu foli Zarathustra….

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: